Afrim Murrja, një shkollë për blektorët e rinj 


Në vitin 1992, Afrim Murrja nga fshati i vogël Selane, buzë Drinit, punonte në tregti si ekonomist kontabël. Ato ishin ditët e fundit të punës së tij në atë sektor, pasi gjërat po shkonin drejt shkatërrimit total. Ai ishte në dilemë nëse duhej të punonte atë pak tokë që kishte në fshat, apo të merrte rrugët e kurbetit? Cilën rrugë të ndiqte për të mbajtur familjen? Apo ndoshta mund të kishte një të tretë, më të përshtatshme se që të dyja ato.
Afrimi tregon se në vitin 1993 u shpërndanë ca lopë e mëshqera nga ferma që ishte caktuar për byronë politike të kohës. Dikush, kishte marrë një mëshqerë prej tyre, të rracës Holenshtein dhe donte ta shiste. Blerësi i ri ishte Afrim Murrja, kundrejt një shume prej 35 mijë lekësh. Krejt rastësisht, një mjek veteriner e kontrollon dhe arrin në përfundimin se ajo ishte barse. Përse të mos e mbante atëherë? Të paktën, fëmijët e tij të vegjël, qumësht e bulmet do të kishin me shumicë.
Afër punës së tij kishte pasur stallat e grumbullimit dhe një njeri të shkëlqyer, Xheladin Zenelin. Prej tij kishte përfituar shumë gjëra dhe mes të tjerash, dëshirën për të punuar me kafshët, kujdesin që duhej treguar për to. Mëshqera e blerë kishte qenë këmbëmbarë. Ajo u bë si pjesëtare e familjes dhe bëri plot 15 viça, nga të cilët, 12 mëshqera dhe tre mëzetër. Pati një prodhim mesatar prej 22 litrash në ditë dhe përqindje të yndyrës 4,6 . Që atëherë , u rrit dhe u rrit numri i krerëve, për të shkuar në mbi 100 lopë qumështi e viça për majmëri. Afrimi e menaxhon me kujdes dhe siguri fermën e tij. Ai thotë se 40 përqind e suksesit është rraca, dhe pjesën tjetër e përbën sasia dhe cilësia e racionit ushqimor, kushtet e stallës, shërbimet dhe faktorë të tjerë. Në fermën e tij angazhohet e gjithë familja, katër punëtorë definitivë dhe dhjetë të tjerë, me punë sezonale. Afrimi kërkon prej tyre përkushtim maksimal , por dhe i trajton me respekt. Shumë i rregullt në shlyerjen e pagesave, bile në raste festash jep shpërblime e dhurata të ndryshme.
Për të përballuar nevojat ushqimore të fermës, ka marrë gati 30 hektarë tokë me qera. Ai e njeh mirë tokën , përmbajtjen dhe vlerat e saj. Ka ndryshime nga njëra zonë e mikrozonë , tek tjetra. Toka e Dohoshishtit, – thotë Afrimi, është për qumësht, – kurse ajo e Çapit të Brezhdanit, është për mish, ndaj dhe kavaletat e jonxhës i ka të ndara, sipas destinacionit. Për ta menaxhuar sa më mirë këtë sipërfaqe toke, krahas zetorit që e përdor prej vitesh, ka blerë makineri në vlerën e 85 mijë eurove, i ndihmuar dhe nga fondet e Ipard like. Një korrëse bari, një mbledhëse, një makineri për balla jonxhe dhe një kultivator misri, janë arsenali i ri, që do t’ia lehtësojnë më shumë punën në të ardhmen. Krahas prodhimit të qumështit e të djathit, Afrimi e sheh trajtimin e viçave për mish, si një burim shumë fitimprurës . Ai ka një kontratë me një thertore dhe viçat, që kanë një peshë 50 kilogramë në lindje, i skarton në moshën 6 muajshe, kur arrijnë peshën 5 – 6 kunjtalë, apo nga njëherë dhe më shumë. Eksperimente të shumta ka bërë në drejtim të majmërisë, për të parë se cila dietë, apo mënyrë trajtimi është më e mira. Viçat e tij shtojnë mesatarisht 40 kilogramë në muaj, me kusht që të pijë 7 kilogram qumësht, për tre muaj rresht. Viçat i ndan në moshën 3,5 muaj, duke u reduktuar qumështin, deri në 0,5 kilogram , në ditën e fundit. Kur kalon nga qumështi në ushqim të plotë, nuk ka shtesë peshe për një periudhë dy javore. Uji për ta është i vazhdueshëm, kurse ushqimi është një kombinim misri, thekri, gruri, hime, jonxhe, dhe ky pa limit, sipas dëshirës dhe oreksit të tyre.
Nga një tjetër eksperiment i ri, rezulton se shtesa mujore e viçit, mund të shkojë dhe 70 kilogramë, por për këtë duhen plotësuar dy kushte. Ai duhet të jetë me peshë 250 kilogramë dhe të pijë jo më pak se dhjetë litra qumësht në ditë. Afrimi, thuajse , nuk ka dëmtime në blektori, as në lopë e as në viça. Në eksperiencën gati çerek shekullore me fermën e tij , ka mësuar shumë formula e sekrete dhe gjithë konvejeri i punës , lëviz si një makineri perfekte. Veç kësaj, ai fal nga këto produkte, bën kurbane mishi dhe jep sadaka. Të gjitha këto mblidhen së bashku e gjenerojnë ato vlera që janë të prekshme e reale.
Por, Afrim Murrja, ndonëse trupimët e ndoshta me jo shumë fuqi trupore, gjeneron nje energji të habitshme. Ai nuk ka të ndalur në synimet e tij. Ai e bazon punën e tij tek kontratat serioze, e jo te gjërat e rastësishme e spontane. Ka kontratë për shitjen e qumështit me spitalin e Peshkopisë, kontratë me thertoren për viçat, kontratë për djathin, apo dhe për tokat që merr me qira. Të gjitha këto i japin qetësi e siguri biznesit të tij, duke parë me besim nga e ardhmja. Shumë shpejt, sapo të çlirohen lejet e ndërtimit, mendon të shtojë dhe një stallë tjetër e kjo do ti dyfishojë automatikisht shifrat: numrin e krerëve , produktet , si dhe numrin e të punësuarve.Mendon të bëjë dhe një baxho qumështi, pasi aty ka një burim uji me një temperaturë konstante prej nëntë gradësh,dimër dhe verë. Po në atë vend, ka qenë më parë një fabrikë djathi e sallami, pra ideja e Afrimit nuk është utopi, por një realitet i prekshëm.
Afrimi ka tre djem të mrekullueshëm, punëtorë, inteligjentë, të sjellshëm dhe besimtarë. Emrat u fillojnë që të treve me “E“. Ervisi, më i madhi, ka mbaruar për financë bankë, Elvini ka mbaruar gjimnazin dhe don të studjojë për inxhinjeri, kurse i treti ndjek një shkollë profesionale në Shkodër. Ata janë një garanci se puna e babait të tyre, jo vetëm që nuk do bjerrë, por do të ngjitet akoma më tej në nivele profesionale. Ferma e tyre, me madhësinë dhe seriozitetin e saj, ka shërbyer e do shërbejë si një shkollë për blektorët e rinj dhe fermat e reja në qarkun e Dibrës.