Dështon tenderi për HEC e Katundit të Ri


Dhënia me koncesion e hidrocentralit Katund i Ri, pjesë e projektit elektroenergjitik të Skavicës është anuluar. Vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave është firmosur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ndërkohë që arsyeja e cituar me një fjali brenda tij, në dukje mbetet procedurale. “Për arsye se nuk është paraqitur asnjë ofertë brenda afateve kohore, vendos anulimin e procedurës konkurruese ‘Dhënie me koncesion e Hidrocentralit, Katund i Ri”, shkruhet mbi firmën e ministrit.
Ikja e turqve Interesit për dinamikën e zhvillimit të procesit të tenderimit, deri në anulimin e vendimit, i është përgjigjur Ministria e Energjisë dhe Industrisë me argumentet ligjore të tenderimit. “Në janar është bërë një ofertë e pa kërkuar në rastin konkret është bërë nga një konsorcium i dy kompanive turke. Në zbatim të ligjit, kur një kompani paraqet një ofertë të pa kërkuar vlerësohet nga qeveria me një bonus pikësh.
Pra, ka pasur një vendim të Këshillit të Ministrave që i ka dhënë bonus (kjo për shkak se kjo kompani ka bërë studime teknike, studime financiare etj), e më pas është autorizuar ministria përgjegjëse për të hapur procedurën për dhënien me koncesion të kësaj vepre”, citon MEI .
Më tej, deklarata e Ministritë vijon me procedurën e radhës për gjetjen e kompanive konkurrente, siç e parashikon ligji, edhe me njoftim mediatik ndërkombëtar. “Është detyrim që procedura të njoftohet dhe të bëhet tender ndërkombëtar, pra të njoftohet përmes medias ndërkombëtare. Në rastin konkret, është dhënë njoftimi nga “The Economist” dhe përmes tij është lënë një afat për kompanitë që shfaqin interes dhe të sjellin propozimin në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Kur skadon afati, bëhet një konkludim për të parë sa oferta kanë ardhur, e në këtë rast nuk ka pasur asnjë ofertë të dytë. Pra, në përfundim për shkak se nuk ka ofertë, procedura konsiderohet e anuluar”, sqaron ministria.
Ndërkohë, teksa koncesioni është anuluar dhe banorët e zonës kanë legjitimitetin për të festuar, pas protestave që kanë bërë, ministria e Energjisë ajo që e lë të hapur mundësinë për një proces të dytë tenderimi në ardhmen. “Tashmë gjithçka është anuluar, është ezauruar, por nëse do të ketë sërish shfaqje interesi dhe garë mes kompanish, aty mund të investohet e të ndërtohet HE C”. Koncesioni Qeveria shqiptare vendosi dhënien me koncesion të ndërtimit të Katundit të Ri në 7 janar të këtij viti, 2 javë pasi kompania turke Suzer bëri një ofertë të pa kërkuar, ku Këshilli i Ministrave i miratoi asaj edhe një bonus prej 8 pikësh si shpërblim për hartimin e projektit. Ky ka qenë një nga koncesionet më të sulmuar nga ana e opozitës, e cila akuzoi kryeministrin dhe ministrin e ekonomisë në atë kohë, Arben Ahmetaj për favorizim të firmës turke, pasi projekti ka qenë i studiuar disa herë, madje datonte që prej vitit 1960. Skavica është menduar si një hidrocentral i cili do të kishte të instaluar një fuqi prej 350 MËH dhe përveç ndërtimit të HE C-it do të krijonte një liqen të ri i cili do të shërbente për rritjen e eficencës së prodhimit të gjithë kaskadës së Drinit. Në 2007-ën, kompania TKG bëri një studim për korporatën elektroenergjitike dhe i dha asaj 3 alternativa zhvillimi. Qeveria shqiptare zgjodhi atë të ndarjes në dy HE Ce, Katund i ri dhe Skavica 385, ku vlera e investimit shkonte në 110 milion euro dhe fuqia e hidrocentralit 70 MËH. Por edhe pse njoftoi ambicien e saj për këtë vepër edhe në faqen e internetit, bashkimi i firmave “Suzer” dhe “Nurol” nuk ka dhënë asnjë detaj për tërheqjen nga ky projekt.
Protestat Në muajin shkurt, qindra banorë të luginës së Drinit të Zi u mblodhën në një tubim në qendër të Maqellarës, për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve të Katundit të Ri dhe atë të Skavicës. Kryetari i shoqatës së Drinit të Zi u bëri të ditur se në dy brigjet e Drinit pjesa më e madhe e tokave janë të pa regjistruara, dhe nuk ua kanë regjistruar ndoshta qëllimisht, por këto janë toka të trashëguara dhe jo toka të falura me ligjin 7501. Ndërkohë, Partia Demokratike përmes një deklarate në media, lajmëroi se koncesioni i Skavicës është korruptiv dhe në rast se do t’u jepej turqve të Suzer, ajo do ta zhbënte me forcën e ligjit. Neritan Gjergo (Marrë me shkurtime nga gazeta “Shekulli”)