Muhurri, Vështrim ekonomik, historik dhe etnokulturor


Kultet e besimit Në Bashkimin e lumit Murra me Drinin kemi një kodër që quhet Kodra e Shënedillit. Pra toponim që shpreh një besim, i cili vjen që nga koha pellazge, tek albanët e Kaukazit e i gjetur në disa toponime ne gadishullin ilirian në lashtësi ose Ballkanin e sotëm. Kemi këto kisha, Shën Salvadori, Bulaç, Shën Gjergji, Hurdh – Muhurr, Shën Maria, në Mal të Shmrise (Shmrajs dialekt S.M). (F. Cordiignano, Geografia ecclesiastica dell’Albania N.4 1934) këto na jepen nga ky studiues italian, por na mungojn disa kisha si, Shën Dhimitri në Shmetra posht Teçes së Çikut, Shën Vasili në Shorokan, Shën Maria poshtë Vneshve në Gjerth, mbi trojet e Berishe. Kur është ndërtuar Kulla e Dine Hoxhës, gjatë hapjes së themeleve është gjetur një gur ku ishte skalitur një kryq, dhe një kokë njeriu e skalitur në gur. Nuk dimë ku kanë përfunduar, por thuhet sa aty na paska qenë një Kishë. Në Rreth Kale, nën shtëpinë e Rufat Sinës janë trojet e një kishe, e toponimi Lugu i Kishës. Kemi Teqen e Çikut ndërtuar në pyllin e Shqefe, Teqja e Shorokanit ku është varros një hoxhë i ardhur nga Krahina e Shorokanit, Turqi, Teqja e Dabiçe ku është varrosur Vokërr Dabiçi (Noka). Xhamia më e vjetër është ajo në Lindërsa të Lace ku konsulli Rus Jasterbov shkruan se ishte pa minare, mbi atë u ndërtua e reja me 2013. Xhami pas viteve 1990 u ndërtuan ne Rreth-Kale dhe Hurdh-Muhurr. Etnokulturë Veshja e moçme ka qenë tirçe me gjetana të zes, kajuke, opinga prej lëkure lope lidhur me gjalma, këmishë e bardhë e brekë të gjata hasi, me ksul të bardhe, para pushtimit turk me majë si e Kosovarëve, pastaj e rrafsht. Gratë me xhupa të bardha me gjetana të kuq ose të zes, mitan të shkërlitun (qëndisur S.M.), përshtek të zeze, shami të bardhe, çorape të gjera me lule të bëra nga ato vete me garthaja (shtiza S.M.), brek të gjëra, opinga me gjalma. Mjeshtrja e prerjes dhe e qepjes se këtyre veshjeve në Muhurr ka qenë Hasbie Mëziu (Kovaçi). Ajo punonte me razbujt e saja, qylyma, sixhade, mutaf etj., me motive të ndryshme qëndismash. Kishte duar të arta.
Mullinjt janë të shumtë, mokrra janë gjetur në Mazrekat e Epra, në Lajthi të Trash, poshte qytezës së Hurdhe Muhurrit, në lindje, Mulliri i Palamatit tek Gjurra e Dodë Laçit në prrua të Shqathit i ngritur nga Dedë Ballazhi është mulliri i parë me ujë, fundi i shekullit të XIX, Mulliri i Mane, Shqath; Mulliri i Shqefe në lumin Murra, Mulliri i Bëshenit, i ringritur më 2013 nga Petrit Meziu, i Zyber Hoxhës po në Lumin Murra, Mulliri nën brigjet e Laleve, bashkangjitur hidrocentralit elektrik, i ngritur me 1957, mulliri i Terzie, në përroin e Rine, mulli në Sheher të Vajmdheje, nuk dimë pronë e kujt fisi ka qenë të shkatërruara para e pas viteve 1990.
Rapsodët poullor si Sadik Dida, Nezir e Nazmi Rama, Hasan Çiku, vëllezërit Gani e Hamit Rama dekorohen në festivalin e III të Gjirokastrës 1978. Kërcimtarët Ymer Deva, Qamil Daci, Demir Rama etj. Folklori i krahinës së Muhurrit është mjaf i pasur me këngë dasme, vajtimi, trimërie, beteja kundër turqëve, serbëve apo fashizmit italian e gjerman, disa prej të cilave janë pasqyruara edhe në përmbledhjen folklorike të Ilmi Kolgjegjës.
Mundësi zgjidhje
Një krahinë e mbarsur me probleme ekonomike të vështira për zgjidhje, hemoragjia e rinisë muhurrake drejt Europës dhe Amerikës tanimë e kane boshatisur këtë krahinë. Traditat po myken e zhduken, ngjarjet historike dhe heronjtë janë zvenitur nga kujtesa e banorëve. Që të mos zhdukemi me rrënjë e degë, kërkohet një riorganizim i energjive mendore, fizike, një riorganizim i gjithë forcave intelektuale dhe investime të atyre që kanë aktivitete të mesme e të fuqishme, emigrantëve, shteti etj. Prandaj kërkohet: 1- Krijimi i një shoqate me pjesëmarrje të të gjithëve, intelektual, bujq, punëtor, tregtar, afariste nga e gjithë Shqipëria me origjinë nga Muhurri, mërgimtar, e cila mund të emërtohet shoqata “Dielli”, “Drini”, “Mazreka”, “Shqiponja” etj., e cila me programet e veprimtarinë e saj, të ndikoje fuqishëm mbi zhvillimin ekonomik, kulturor të krahinës. 2- Gjithashtu ajo të bashkërendojë veprimet në projekte të ndryshme, të vogla ose të mesme, e realizimin e tyre, kërkimeve arkeologjike, nëpërmjet investimeve të mërgimtarëve, kontributit të anëtarëve të shoqatës ose, të atyre që kanë veprimtari ekonomike e tregtare. Bie fjala Çezma që u ndërtua kohët e fundit nga sjellja e ujit të pijshëm nga një shoqatë Islamike, të ribëhet me gurë të gdhendur marre nga Gjuri i kuq i Robit në lindje të Bulaçit duke hequr tubin e kauçukut si skelet i saj.
3- Organizimi i bisedave me nxënësit e shkollave mbi historinë e krahinës, mbledhja e folklorit e historisë së luftrave dhe prejardhjes së fiseve, ruajtja të paprekura te monumenteve historike, si varre, tuma, mure, shtëpi banimi me arkitekturë të vjetër, Karakollja e Dine Hoxhës etj., që tanimë janë lënë në mëshirë të fatit.
4- Organizimi i protestave, hartimi i kërkesave drejtuar bashkisë mbi riparimin e rrugëve automobilistike, ruajtjen e kullotave pyjeve etj., e ndarjen e pronave mbi ato sipas ligjeve.
5- Të përkrahen, nxiten e mbështeten intelektualët e specialistët e krahinës të shkruajnë mbi problemet ekonomike, mënyrat e zgjidhjes, propozime mbi traditat, etografinë, historinë e patriotët muhurrakë të pushkës e të penës.
6- Jemi një nder krahinat e pakta të Dibrës së Poshtme që nuk kemi shkruar historinë e krahinës, e cila është mjaft e pasur me heronj, beteja e heroizma në gjithë Shqipërinë dhe me rrënjë të lashta deri në mugëtirën e kohërave. Por, ajo mund të shkruhet sa më e saktë kur, arkivat personale në kujtesën e tyre e materiale të historianit Besnik Kebej, Sami Dodës, Kamber Farrukut, Hali Ramës, Naim Berishës, Fadil Hoxhës, Shefqet Dishës, Hysni Bruçit, Iliaz Kacës të shfletohen e të zbardhen, të shkruhen nga gjithë këto për çështje të ndryshme historike, ekonomike, etnografike të krahinës, të cilat janë të padukshme, të pa lexueshme, sepse janë akoma të veshura me mantelin e zi të kohës.
Mbyllje Shtretërit e lumit Drin e Murra, janë gjelbëruar, zbukuruar, por dallgët nuk shuhen janë të pranishme sipas stinëve, e ne muhurrakët duhet t’i shfrytëzojmë për ekonominë, edhe shenjet, varrenin, kacupat, ujët e vijave apo kanaleve po ashtu edhe inxhinierët, mësuesit, rapsodët, intelektualët e fushave të ndryshme për të mirën e popullsisë së mbetur. Duke rizgjuar traditat, duke ngritur moralin e banorëve të krahinës, duke i ndihmuar me investime nga shteti, bashkia, emigrantet, afaristet etj. Duke njohur vetveten, duke sakrifikuar për njëritjetrin, duke zbukuruar oborret e shkollave, duke mbjellur vreshta atje ku ishin, blloqe pemësh frutore, duke bërë një udhërrëfyes turistik për krahinën e deri tek ndërtimi i një teleferiku nga Shnetati për në vargun e Runjës për të ndjerë kënaqësinë e peizazheve të pllaut. Për të mposhtur këto dallge duhen energjitë e gjithësecilit dhe të bashkuar të ndryshojmë shtratin e zhvillimit e përparimit në kahjen e popullit të krahinës së Muhurrit, që është përgjysmuar. Prandaj, ne intelektualët duhet të jemi gjithnjë aktivë, në këmbë e të përkushtuar për vendlindjen tonë, që ka shumë nevojë për rizgjim ekonomik, kulturor e shpirtëror.
* * *
Gjithë materiali i mësipërm mbi krahinën e Muhurrit u farkëtuan në prushin e dijeve dhe në kudhrën e kohës të të moshuarve Ymer Pira (i cili ka gati një libër prej 300 faqesh), Rakip Balliu, Daut Pira, Nazif e Xhelil Mëziu, Hasan e Kapllan Qoka, Xhemal Berisha, Bajram e Ismail Mani, Osman Losha, Hamit e Rufat Balla, Xhetan e Hakik Preçi, Hasan Laci etj.Nën shembullin e tyre duhet të ndërtojmë piramidën ekonomike, kulturore dhe të traditave, ndërsa në Kodrën Shën Diellit një përmendore kushtuar kësaj perëndie jetëdhënëse pellazge, që ka ardhur deri këtu në gjirin tonë, në dheun e trimërive shekullore, ku dritë duhet t’iu jap vetëm pena. Firence 06.06.2016