Poeti që vjen me zërin e tij në pallatin e poetëve 


Prenci

Prenci

Nga mexhit prençi 

Me librin poetik “udhë në pasqyrë” ahmet Prençi vjen pa trokitur në portën e pallatit të poetëve, me një poezi të freskët dhe origjinale, në qendër të së cilës është njeriu, vendlindja, natyra dhe fenomenet e saj. vjen si bir i Reçit, i dibrës dhe shqipërisë, vjen me aromën e fushës dhe të malit, të tokës dhe qiellit, të udhës së shkelur e të pashkelur.
Mënyra si e përcepton poeti realitetin jetësor, si e përjeton e reflekton dhe si e formëson si realitet poetik, nëpërmjet një sistemit metaforik krejt origjinal dhe të freskët, – është unike.
Një qasje e tillë e krijimit të poezisë sipas Prençit e bën atë të jetë vetëvetja poetike. Nga poezia “dhe vitet ikin”, citoj: “ Në sytë e mi rrathët e moshës / disi mavi, tkurrur nga vitet; / kërrusur nga halli, puna e stresi / si valët e lumit që brigjeve priten…/ s’jam trung i prerë nyje në brinjë, / as lis i djegur nga rrufeja ne vjeshtë. / jam në udhë-hije udhëtarësh / dhe strall i gjallë i mbirë në kreshë. / Midis dy shpateve në llërë burimesh / aty ku ylberi kapërcen ylberin, / sytë e mi me rrathët e moshës, / lidhur si kulmi me themelin”.
Kjo kredo poetike e tij është shfaqur që në fund të viteve 1980, në disa tufa poezish, botuar në gazetën lokale “ushtima e Maleve” e dibrës, që i kishin lënë mbresa te thella poetit agron tufa i cili shkruan: “Poezia e Ahmet Prençit ka ndikuar shumë në fillimet e mia letrare: “vargje të çiltra me muzikalitet spontan, që rridhnin natyrshëm me frymëzim origjinal; ato kishin ajrin e lirë të bjeshkëve dhe peizazheve të vendlindjes. Metaforat e freskëta i hapin udhë përfytyrimit dhe ndjenjës, pa dhunën pedante dhe shtampat e klishetë me të cilat shtërzonte poezia e atyre viteve. Më vjen mirë, e më gëzon fakti që këto cilësi artistike janë konservuar të pa dëmtuara në vite dhe përbëjnë tharmin e poezisë së tij në këtë vëllim”, shkruan tufa.
Poeti ahmet Prençi, ndonëse në heshtje mbështjellë modestia e tij, ka shkruar poezi me tema e motive te ndryshme e të larmishme, do të thosha të virgjëra, të freskëta dhe me lëng jete; – gjatë këtyre dy dekadave,por i ndrojtur për t’i konsultuar me të tjerët, i pa sigurt për t’i botuar. Falë miqësisë me poetin Besnik Mustafajn, më në fund ka guxuar t’i jepte disa poezi në dorëshkrim që t’i lexonte… Këtu nis filli i mbledhjes, përzgjedhjes dhe redaktimit të poezive të librit “udhë në pasqyrë” të Prençit. as mua nuk m’i kishte dhënë t’i lexoja poezitë e tij. Kur më telefonoi në një ditë me diell të këtij tetori, se kishte botuar një libër me poezi, qe e papritur për mua dhe një befasi. Por kur lexova poezitë kjo ishte befasi e këndshme. Që në leximin e parë mora kënaqësi estetike; në të dytin mora më shumë sepse në shtresat dhe nënshtresat e tekstit poetik zbulova më mirë kuptimësitë e metaforave, të simboleve e mjeteve të tjera figurative dhe cilësinë e shprehjes poetike, me gjuhë të pastër e stil poetik ku ahmeti është ahmet si poet dhe qytetar me integritet.
Nga mënyra origjinale si e formëson poezinë sipas un-it krijues të spikatur, më jep argumentin ta konsideroj personalitet poetik. Këtë e ka shprehur edhe poeti Besnik Mustafai. citoj: “unë e kisha njohur prej shumë vitesh si lexues të pasionuar ahmetin, gjë që, siç e shihja, kishte ndikimin e vet mbi qasjen e tij ndaj njeriut. natyrës, politikës, historisë. tashmë nuk do të ketë vend të shprehim habinë, qoftë kjo edhe një habi e bukur, sepse ai na është shfaqur edhe si një prokuror ndryshe, hetues ndryshe dhe kryepolic ndryshe … ahmet Pençin e ka “zbutur” dhe vazhdon ta “zbusë” e ta përsosë poezia që ka brenda vetes” është një vlerë e shtuar për çdo poet, kur poezia bëhet pjesë e ndërgjegjes së tij si qytetar apo si funksionar në rrafshet e të katër pushteteve. Ndikimi i një poezie të tillë do të jetë efektiv në gjykimin racional të gjërave për të përsosur vetveten që njerëzorja, shpirtërorja, të sfidojë të kundërtat negative që bashkëjetojnë te çdo njeri, por sidomos te njerëzit e pa ngopur me pushtet dhe pasuri në kurriz të shumicës. Kumtet e një poezie të tillë janë të lexueshme te libri “udhë në pasqyrë” të ahmet Prençit, në raportet poet-qytetar- funksionar i drejtësisë, i cili është ndryshe nga të tjerët edhe për shkak të poezisë.
do ta mbyll këtë fjalë të shkurtër sintetike duke i uruar poetit ahmet Prençi të krijojë poezi të reja sipas kësaj qasje poetitke, ta kultivojë dhe përsos poezinë me rrënjët në vendlindje, e të ec udhëve të pashkelura në rrugëtimin e gjatë poetik, duke kënduar me zërin e tij. Kur e ke talentin asgjë nuk është e pamundshme.