Rruga e Arbrit, premtim i pambajtur i qeverive në 20 vite 
Nga Bujar Karoshi 


Rruga e Arbrit, ajo që lidh shumë shkurt Dibrën me Tiranën, ia ka dalë edhe njëherë të bëhet çështje elektorale, ndoshta më shumë se ç’duhet. Të majtë e të djathtë përpiqen që me këtë çështje të bëjnë me faj kundërshtarët, por për pak e për shumë, të dyja janë të përfshira në atë që mund të quhet si “Premtimi i pambajtur” gjatë 20 viteve rresht.
Me herët, çështjen e rrugës e kishte përmendur Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila disa muaj më parë organizoi një tubim elektoral në Dibër, ndërsa deputetja e kësaj partie, zgjedhur me votat e Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, zhvilloi një interpelancë parlamentare në fillim të qershorit. Por kur Presidenti i Republikës shpalli datën e zgjedhjeve për kreun e Bashkisë së Dibrës, të dyja partitë politike, PD dhe PS, së bashku me aleatët e tyre, iu kthyen çështjes së Rrugës së Arbrit. Ndoshta se rruga për t’i çuar në Peshkopi i lodhi, por edhe se e kuptuan se kjo është e vetmja çështje e ndjeshme për elektoratin dibran.
Më 23 gusht, ditën e çlirimit të Dibrës, PS dhe aleatët e saj zgjodhën të prezantonin kandidatin e tyre, dhe ishte deputeti i PDIU-së nga Elbasani, Aqir Rakipi, që e pyeti kryeministrin Rama: “Zoti Kryeministër, sot, a u lodhe me këtë rrugë apo jo? Ti sot erdhe dhe është gjithë ajo rrugë, po ky popull që e bën përditë këtë rrugë?!” Më i drejtpërdrejtë ishte deputeti i LSI-së, Luan Rama, i cili ka një lidhje të fortë me Dibrën, që nga fëmijëria.
“I bashkohem zërit të dibranëve, – tha ai. Zoti kryeministër, ndërtoje Rrugën e Arbrit, sepse është një nder që e meriton Dibra, sepse është një detyrim që e kemi ndaj Dibrës. Në 25 vjet kemi premtuar për Rrugën e Arbrit, por nuk kemi bërë gjë”. “Për sa i përket Rrugës së Arbrit, Rama tjetër (Luan – B.K.) tha një të vërtetë, theksoi gjatë fjalës së tij kryeministri Rama, që në 20 e ca vjet, të gjithë e kemi premtuar dhe nuk e kemi bërë. Unë e kam premtuar, por akoma nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Sigurisht, unë kam barrën që të bëj gjërat që dëshirojnë të gjithë anëtarët e koalicionit, – kjo është detyra ime dhe unë nuk ankohem për këtë detyrë, sepse e kam marrë me dëshirë dhe vullnet të madh, – por unë po ju them këtu, që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit , pa bërë Rrugën e Arbrit.”
Fjala e kryeministrit ngjalli reagime në rrjetet sociale, por edhe te kundërshtarët politikë. Rruga e Arbrit është përdorur si çështje elektorale edhe nga opozita. “Ne që e nisëm, ne do ta përfundojmë Rrugën e Arbrit. Ne e filluam Rrugën e Arbrit. Ne dhamë para nga Buxheti i Shtetit”, – tha zoti Basha gjatë fjalës së tij në takimin prezantues më 26 gusht në Peshkopi.
Edhe në takime të tjera, zoti Basha është marrë me këtë çështje, duke shprehur angazhimin e tij për “të përfunduar Rrugën e Arbrit, e cila u nis nga qeveria e Partisë Demokratike dhe do të përfundohet prej saj.” Zoti Basha shkon edhe më tej duke akuzuar qeverinë se e ka përdorur këtë çështje për korrupsion.
“E gjetën gati projektin për Rrugën së Arbrit. E gjithë bota e ka marrë vesh që është prish me bankën kineze për shkak se kanë kërkuar ryshfet 40 milionë euro për të ndërtuar tunelin, prandaj nuk u ndërtu tuneli”, – theksoi kryetari i opozitës gjatë një takimi me banorët e Shimçanit. Nga ana tjetër, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, e preku këtë çështje gjatë një takimi elektoral në fshatin Grevë të njësisë administrative Melan.
“Mos harroni se është një premtim prej 20 vitesh që për herë të parë konsiderohet si një projekt serioz në tryezë të qeverisë. Unë nuk kam nevojë ta përsëris, por e kam me shumë dëshirë ta theksoj se kjo qeveri ka për ta bërë rrugën e Dibrës, në daç Rrugën e Arbrit, në daç rrugën nga Librazhdi”, theksoi Ahmetaj. Për Rrugën e Arbrit është folur vazhdimisht se një kompani kineze ka shfaqur interesim, por negociatat kanë zgjatur më shumë se çfarë ishte parashikuar më parë. As edhe ligji i miratuar në Parlament në prill 2015, nuk bëri të mundur që negociatat dhe fillimi i punimeve të përshpejtohej. Kohët e fundit u fol se marrëveshja e negociuar ka qenë pa interes për qeverinë shqiptare, por gjatë një vizite të Ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati në Kinë, është folur përsëri për këtë çështje.
Duke folur për marrëveshjet e bashkëpunimit dhe investimeve kineze në Shqipëri, Bushati theksoi për Radion e Jashtme të Kinës CRI, më 26 gusht se “Një projekt i rëndësishëm për ne në këtë drejtim është ai i Rrugës së Arbrit, për të cilin jemi në fazën finale të bisedimit me autoritetet kineze dhe arrijmë një marrëveshje të pranueshme dhe të zbatueshme nga palët. Ky është një projekt i rëndësishëm i ndërlidhjes, jo vetëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, por shkon gjithashtu edhe në funksion të transformimit rrënjësor të Portit të Durrësit dhe krijimit të aksesit të duhur jo vetëm për shqiptarët, por përgjithësisht për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer Portin e Durrësit në portën kryesore hyrëse për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Tashmë nuk ka asnjë dyshim se forcat politike në Shqipëri, por edhe qeveria, është e ndërgjegjshme se Rruga e Arbrit është një arterie kryesore që i mungon Shqipërisë. Tani veç mbetet të punojmë për realizimin e saj, në mënyrë që edhe partitë, në fushatat e ardhshme, të gjejnë çështje të tjera për të debatuar!

Nje koment

  1. Fallxhorja e lagjes teme, masi m’a kqyri filxhanin per ket rrenë t’her’shme. m’sqaroi mue, n’konfidencë, e m’tha:-Dukesh, xhaxho, se paske shumë shpresë….prej lerg të duket budallakia që e paske fort haxhet, asnji hyqymet nuk e ban at rrugë se sa t’marohet ajo rrugë bahet KJAMETI e shembet Dyrnjaja. Kte u a kam kallxue te tana hyqymeteve qe 30 vjet e tat’hu…valla….a dashtë me e dijtë o xhaxhi, me tan ket krye qe e paske per marshallah…..asht e ndalueme me u ba rahat dibrejtë….çka nuk ban syni I keq….–dhe kështu o Bujar, m’a theu edhe filxhanin fallxhesha…

KOMENTI JUAJ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *