Toponimia e Çidhnës në një vështrim etnotekstor 


Nga shaban sinani 

Studimet shqiptare i kanë një detyrim shumë të madh toponimisë. teza se vetëm emërtimet e mëdha (të maleve, lumenjve, qyteteve, kështjellave dhe krahinave) kanë rëndësi për etnogjenezën e shqiptarëve, së cilës iu përmbajt e. çabej në të gjitha studimet e tij etimologjike, duke qenë një premisë që i siguronte kthjelltësi kësaj diturie, historisë së gjuhës, nuk ishte me vend të zbatohej edhe në disiplina të tjera, në mënyrë të veçantë në gjuhësinë etnotekstore.
Ishte Francesco Altimari, një figurë e njohur e albanologjisë së sotme, ai që i riktheu vëmendjen kësaj motre të vogël e të re të shkencave gjuhësore, duke propozuar ndryshimin e sjelljes ndaj pasurisë leksikore, për ta parë atë jo thjesht si mjet komunikimi, por para së gjithash si pasuri kulturore, si bartëse dhe përcjellëse e një rezervàti të dhënash, që përmbajnë kodin e trashëgimisë.
duke e parë trashëgiminë gjuhësore si pasuri etnotekstore dhe duke hedhur ura ndërdisiplinore për kërkimin e sotëm shkencor, Francesco altimari dhe ndihmësit e tij krijuan përvojën e parë të etnogjuhësisë shqiptare, pjesë e së cilës është edhe toponimia. Kjo gjeti shprehje të drejtpërdrejtë në nismën për shpalljen e pasurisë leksikore jo në mënyrat e deritashme, me renditje alfabetike në fjalorë shpjegues, por me një renditje mbi bazën e lidhjes së fjalës në çerdhen etnotekstore: parmenda, bujku, ara, drithi, buka, mulliri, lumi e kështu më tej, duke e përshkuar skaj më skaj gjuhën e gjallë. hapi tjetër i rëndësishëm i kësaj përvoje qe kapërcimi i konceptit tradicional për fjalët quajtëse dhe ato të veprimit, duke konsideruar bashkë me to si emra edhe emërtimet e përveçme, duke parë vlera etnogjuhësore edhe tek toponimia. dhe kështu morën rëndësi jo vetëm emërtimet e mikrovendeve, por dhe toponimia vendore, me emrat e fortesave dhe kishave, xhiteteve dhe varosheve, varreve, kullave, puseve, udhëve, urave, arave, pyjeve, bjeshkëve, sheve, shkëmbinjve, rogave (rogjave) dhe rudinave, livadheve, krojeve, përrenjve, mullinjve, qafave, grykave, lugjeve dhe vaheve; fitonimia, zoonimia e hidronimia, që janë dëshmitaret e historisë gjuhësore të bartësve krahinorë dhe shprehje e individualitetit etnografik të tyre. Ka qenë një tezë e argumentuar pikëpamja e e. çabejt, sipas të cilit shqiptarët, në punë të emërtimeve të mesme e të vogla të vendeve, e kanë të humbur çështjen, sepse këto emërtime kanë ndryshuar sa herë kanë ndryshuar sunduesit. dhe sunduesit, në dymijë vjet, kanë qenë të shumtë: në bisedën me Fr. j. strauss, a. Buda numëronte mbi 60 ushtri të huaja të pranishme në tokën shqiptare. indiferentë ndaj ripagëzimit të shpeshtë të vendeve të tyre prej këtyre ushtrive dhe administratave të tyre ushtarake e civile, sepse nuk kishin nevojë për dëshmi gjuhësore për të provuar se ishin autoktonë dhe jo aloktonë në këto vise, shqiptarët lejuan që toponimia e tyre vendore të përshtatej sipas gjuhës së ardhësve.