Vazhdimi i Rrugës së Arbrit duhet të fillojë nga Tuneli i Murrizës


Kam shkruar shumë për ecurinë e punimeve të Rrugës së Arbrit dhe pas artikullit të shkurtit të vitit 2016, mendova të mos shkruaj më duke menduar se i kam thënë të gjitha, por artikujt e botuar në këtë gazetë në muajin tetor 2016 më bënë të rikthehem përsëri për të përsëritur e për t’u rikujtuar disave se ç’është bërë me Rrugën e Arbrit, duke e theksuar që në fillim se puna për vazhdimin e Rrugës Arbrit duhet të fillojë nga Tuneli i Murrizës.

Kemi hyrë në vitin e katërt të mandatit të kësaj qeverie dhe asnjë kazëm nuk është hedhur në Rrugën e Arbrit, ndonëse kur morën votat premtuan se brenda mandatit të tyre do ta përfundonin këtë rrugë.

Kaluan mbi 20 vite kur pushtetarët e të dy krahëve kanë marrë votat, duke u tallur me komunitetin dibran, me premtimin se do të ndërtojnë Rrugën e Arbrit. Në fakt jo vetëm nuk e përfunduan ndërtimin e kësaj rruge por e kanë sabotuar këtë rrugë që në fillim e më tej duke vazhduar të ndërtojnë një trase jashtë standardeve të rrugëve të kohës.
Siç dihet pas shumë përpjekjeve të komunitetit dibran u arrit që të përfundohet Studimi i Fizibilitetit në vitin 2003 e të miratohet në Këshillin Kombëtar të Rrugëve në vitin 2004. Fushata e zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 ishte fushata e katërt parlamentare e vendore ku elektoratit dibran si premtim kryesor i është bërë ndërtimi i Rrugës së Arbrit. Përsëri liderët e dy partive kryesore filluan premtimet e tyre se me të fituar zgjedhjet do të fillojnë nga puna për ndërtimin e rrugës. Lideri i së djathtës, Sali Berisha në mitingjet e mbajtura në Peshkopi theksonte se: “Ju jap fjalën e nderit se po të fitojmë do t’a ndërtojmë Rrugën e Arbrit”, ndërsa lideri i së majtës Fatos Nano theksonte se: “Këtë rrugë e kam në axhendën time”.

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge u filluan keq dhe u vazhduan akoma më keq. Në fund të muajit qershor 2005, 4 ditë para zgjedhjeve të korrikut ish kryeministri Nano vendosi një tabelë dhe preu një shirit të fillimit të punimeve të kësaj rruge, në dalje të Bulqizës, në afërsi të Gurëve të Skënderbeut, duke u tallur me komunitetin dibran brenda e jashtë vendit, sepse jo vetëm se punimet pas një muaji u ndërprenë, por edhe nuk kishte projekt zbatimi dhe akoma më keq se aksi i rrugës sipas Studimit të Fizibilitetit të miratuar po nga Kryeministri në Këshillin Kombëtar të Rrugëve duhet të kalonte në anën tjetër të luginës në drejtim të lagjes Dragun.
Zgjedhjet e vitit 2005 i fitoi e djathta dhe për fatin e dibranëve ministër transporti u emërua një anëtar i komunitetit dibran, Lulzim Basha. U deshën edhe tre vite të tjera për të filluar projektin e zbatimit të segmentit Bulqizë – Ura e Çerenecit dhe të fillojnë punimet për ndërtimin e kësaj rruge në fillim të vitit 2008. Për çudi, megjithëse projekti i zbatimit të kësaj rruge është bërë nga studioja që ka bërë Studimin e Fizibilitetit, në projektet e zbatimit jo vetëm që nuk u bënë përmirësime, por përkundrazi janë bërë ndryshime të aksit të miratuar duke kaluar në rikonstruksion të rrugës ekzistuese. Kështu traseja e rrugës Bulqizë-Ura e Çerenecit nuk mund të quhet trase e Rrugës së Arbrit.

Nga viti 2008 e në vazhdim janë të njohura përpjekjet e Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” ku nëpërmjet gazetës “Rruga e Arbërit” ka ngritur vazhdimisht shqetësimet se rruga po vazhdon të ndërtohet jashtë standardeve të kohës.
Në korrik të vitit 2009 filloi puna për ndërtimin e segmentit Bulqizë-Ura e Vashës. Në intervistën që ka marrë gazetari Bujar Karoshi në shkurt të vitit 2009 në studion “Infratransprojekt Ltd” thuhet: “… Me një tunel në Qafën e Buallit 847m. Ajo del në luginën e Planit të Bardhë duke vazhduar deri tek Ura e Vashës…” (Bujar Karoshi shkurt 2009) Në vazhdim jo vetëm se nuk u zbatua asnjë afat për ndërtimin e këtij segmenti, por për tunelin e Qaf Buallit filluan diskutimet në se duhet hapur apo jo dhe më në fund ai nga 850m në studimin e fizibilitetit e 847m në projektin teknik të zbatimit u reduktua në 460m. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2011 kur tuneli duhet të kishte përfunduar, ai nuk kishte filluar akoma.
Edhe vazhdimi i rrugës nga Bulqiza në tunelin e Qafë Buallit pësoi ndryshime duke e diskutuar se mund të bëhet me ose pa tunel, se tuneli është në formacione të shkatërruara, etj. duke mos ju përmbajtur aksit të vendosur në Studimin e Fizibilitetit dhe duke bërë jo vetëm ndryshim të aksit duke e ngritur atë mbi varrezat e Bulqizës e duke bërë një usek të pa nevojshëm në mes të fushës për të rritur volumet. U ngrit niveli i hyrjes së tunelit nga Bulqiza, rrjedhimisht u zvogëlua gjatësia e tunelit të Qafës së Buallit, u zvarrit ndërtimi i tij me lloj-lloj justifikimesh, u vendos ky tunel në vendin më të papërshtatshëm, si dhe u zgjat traseja e rrugës poshtë Urës së vjetër të Vashës, me justifikimin për të lidhur edhe Klosin, sikur kjo rrugë po bëhët për të lidhur Dibrën me Klosin e jo me Tiranën e Durrësin.
Kaluan mbi 10 vjet nga përfundimi e miratimi i Studimit të Fizibilitetit dhe rruga e shumë premtuar nga politikanët në të gjitha zgjedhjet vendore e parlamentare nga viti 2005 e deri në fund të vitit 2014 nuk arriti të vihet në rrugën e drejtë të zgjidhjes përfundimtare. Vonesat në ndërtimin e kësaj rruge, në vitet 2011-2013, shumë politikanë edhe të lartë në biseda e takime të ndryshme dhe në media janë munduar ti justifikojnë, jo me neglizhencat e papërgjegjshmërinë e tyre për sigurimin e fondeve, por me ndonjë arsye gjoja gjeologjike e hidrogjeologjike, të sugjeruara nga ndonjë specialist jo kompetent e servil i pushtetit. (Bashkim Lleshi dhjetor 2014)
Edhe në zgjedhjet e vitit 2013 kryefjala e premtimeve para elektoratit dibran, të dy krahëve të politikës, ishte premtimi se do të përfundojnë Rrugën e Arbrit. Krahu i majtë që fitoi zgjedhjet premtoi se në vjeshtë do të fillojnë punimet, por iku edhe vjeshta e fundi i vitit 2013 ikën edhe vitet 2015 e 2016 dhe në rrugën e premtuar nuk u hodh asnjë kazëm. Bile qeveria e sotme për t’i dhënë gjoja rëndësi të veçantë kësaj rruge shpiku edhe një miratim ligji në parlament duke hartuar një ligj të veçantë, kur nuk ishte nevojë ligjore për t’u marrë kjo nismë dhe ligji përfundoi në koshin e plehrave.
Në gusht të vitit 2013 një grup pune i shoqatave “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” dhe “Nisma Dibrane” kryen vrojtime nga Plani i Bardhë, Ura e Vashës deri në Tiranë dhe konstatuan se: “Gjatë gjithë aksit që përshkon Rruga e Arbrit, pothuajse vetëm traseja e hapur nga Tuneli i shkurtër në afërsi të Zall Dajtit deri tek ish Uzina e Artilerisë në afërsi të Urës së vjetër të Brarit dhe një pjesë e trasesë në luginën e Planit të Bardhë e mbi Urën e Vashës, mund të quhen trase të Rrugës së Arbrit, ndërsa në pjesët e tjera kemi ose rikonstruksion të rrugës ekzistuese ose shmangie nga aksi i Rrugës së Arbrit.” (Bujar Karoshi, Gazeta “Rruga e Arbërit” gusht 2013) Shmangia më e madhe është ajo ku po hapet Tuneli i Qaf Buallit, e cila është trajtuar që në vitin 2008 e në vazhdim. (Bashkim Lleshi 2008, 2013, 2016)
Meqënëse hapja e tunelit të Qaf Buallit dhe fillimi i punimeve në objektet e tjera u ndërprenë për një kohë të gjatë, drejtuesit e dy shoqatave të “Lidhjes së Intelektualëve Dibranë” dhe “Nismës Dibrane”, në mars të vitit 2014, i dërgojnë një relacion Ministrit të Transportit e Infrastrukturës dhe 6 deputetëve të Dibrës, ku propozojnë: “ …që për objektet e rëndësishme të kësaj rruge si, tunelet e Qaf Buallit e Qaf Murrizës dhe Urën e Vashës, të rishikohen e përmirësohen projektet e zbatimit, duke bërë edhe krahasimet me projektet e hartuara…” (Nuri Abdiu, Bujar Karoshi, 2014) Për këtë relacion, as nuk u dha ndonjë përgjigje dhe as nuk u thirr ndonjë specialist për ndonjë konsultim.
Në gazetën Rruga e Arbërit nr.10 (126) tetor 2016, Ing. Faruk Kaba propozon ndërtimin e një By-passi në Qafën e Murrizës, si duket për t’i “qarë hallin qeverisë” që nuk paska fondet e duhura për të hapur tunelin me dy gryka. Për këtë jam i detyruar t’i kujtoj projektuesit intervistën që i ka dhënë Gazetës “Rruga e Arbërit” nr. 9(41) shtator 2009, për tunelin e Murrizës ku citon: “…Sidoqoftë ka qenë e nevojshme të kapërcehet Qafa e Murrizës me një tunel 3,5 km. të gjatë… Tuneli është projektuar të kalojë në kuotën 800-820m. Tuneli fillon në shtëpitë e sipërme të fshatit Murrizë, nga krahu i Tiranës dhe del në grykën e lumit të Mashnorit, pranë shtëpive të fshatit Xibër, poshtë shkollës së këtij fshati, në kuotë rreth 820m. mbi nivelin e detit… Vështirësia e tij shtohet po të kemi parasysh kushtet gjeologjike ku kalon ky tunel, të cilat janë nga më të dobtat. Për të përcaktuar pozicionin më të përshtatshëm të tij janë bërë tentativa të shumta dhe grupi i inxhinierëve është i besimit se ka gjetur opozicionin më të përshtatshëm….. Për tunelin e Murrizës janë paraqitur edhe dy variante të tjerë me tunele me gjatësi 3,6 dhe 4,2 km….” (Bujar Karoshi 2009)
Pas dy vitesh, për të justifikuar vonesat në fillimin e punimeve të këtij tuneli filluan të dalin nëpër intervista pushtetarë të lartë e “specialistë” ku flisnin për problemet gjeologjike e hidrogjeologjike, të cilat kushtëzuan ngritjen e nivelit të tunelit në lartësinë 950, rrjedhimisht shkurtimin e gjatësisë së tij nga 3000-3500ml, në rreth 2400ml. Pavarësisht nga problemet gjoja gjeologjike e hidrogjeologjike që janë përdorur për të justifikuar këto vonesa, pretendimet e paraqitura deri tani për pengesat që mund të lindin nga ujërat e shumta që mund të dalin gjatë hapjes, apo për formacione të shkatërruara e të pakalueshme në hyrje e në dalje të tunelit nuk qëndrojnë. Këto pretendime unë i kam sqaruar në artikullin e botuar në dhjetor të vitit 2014 në gazetën “Rruga e Arbërit” : “Urojmë që fatin e Tunelit të Qafë Buallit të mos e pësojë Tuneli i Qafë Murrizës”(Bashkim Lleshi dhjetor 2014)

Të heqësh dorë nga hapja e tunelit të Murrizës (qoftë edhe e përkohshme), në kurriz të prishjes së standardeve të rrugës, për “ti qarë hallet shtetit të varfër” është një veprim që nuk mund t’a bëjë asnjë studiues apo projektues rrugësh. Të dalësh me propozime By-passesh do të thotë të vazhdosh prishjen e standardeve të kësaj rruge.

Për këtë arsye, duhet t’ i themi ndal këtij propozimi dhe jo t’a mbështesim, siç bën Shoqata “Bashkësia Dibrane” në reagimin e saj në Gazetën “Rruga e Arbërit” të tetorit 2016, në emër të Kryesisë dhe “Këshillit të Urtëve” të kësaj shoqate. Kryesia e kësaj shoqate bën mirë të mbështesë çdo individ e komunitet dibran e jo dibran që kërkon që kjo rrugë të bëhet me standarde, të cilët kanë të gjitha të drejtat për të ngritur zërin për standardet e kësaj rruge, se këto standarde nuk janë pronë e asnjë inxhinieri e projektuesi, që deri më tani e kanë shkatërruar këtë rrugë me veprimet ose mosveprimet e tyre, apo pronë e ndonjë individi apo shoqate të caktuar. Standardet e rrugës janë pronë e çdo qytetari të komunitetit dibran e jo dibran, pra të çdo qytetari shqiptar.
Standardet dhe hapja e kësaj rruge janë pronë edhe e Gëzim Alpionit dhe e atyre mijëra qytetarëve që e kanë përkrahur nismën e tij, ku me të drejtë në reagimin e tij në gazetën Rruga e Arbërit të muajit tetor 2016 thekson se: “Rrugën e Arbrit ia kërkojmë qeverisë shqiptare, jo inxhinierëve dhe shoqatave qytetare… Ato inxhinierë dhe shoqata që acarohen me përpjekjet tona qytetare bëjnë mirë të acarohen me qeverinë që nuk po mban premtimet për ndërtimin e Rrugës me standarde bashkëkohore …”. (Gëzim Alpion, Rruga e Arbërit nr. 10( 126) tetor 2016)
Sa për dijeni të atyre që aludojnë se unë mund të jem në ndonjë grup lobimi, ju siguroj se nuk kam marrë pjesë në asnjë grup tjetër lobimi, jashtë përpjekjeve si individ dhe në kuadrin e Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” e të Shoqatës “Bashkësia Dibrane” në kohën e kryerjes së Studimit të Fizibilitetit të kësaj rruge, kur unë isha dhe anëtar i kryesisë së kësaj shoqate. Edhe me Gëzim Alpionin nuk njihem e nuk kam biseduar asnjë herë, sepse edhe atëherë kur ai erdhi në Tiranë dhe arriti të mbledhë të paktën për herë të parë deputetet e majtë e të djathtë për këtë rrugë, pavarësisht se mora pjesë në këtë takim, unë nuk pata rastin të bisedoj me të. Unë nuk jam as firmëtar i nismës së tij, se për këtë rrugë, ashtu si shumë dibranë të tjerë e kam ngritur zërin shumë vite më parë e vazhdoj ta ngre përsëri me forcë, por Gëzim Alpionin me mijëra firmëtarët e që e kanë mbështetur, i mbështes, se të ngresh zërin për ndërtimin shpejt e me standarde të kësaj rrugë jetike sidomos për dibranët këtej e matanë kufirit është një e drejtë e tyre dhe e çdo qytetari tjetër shqiptar.
Unë mbështes edhe propozimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion” (pavarësisht se puna për hapjen e tunelit të Qaf Buallit e kryer nga kjo kompani le për të dëshiruar), apo edhe të ndonjë kompanie tjetër shqiptare që ka dëshirë të marrë përsipër kryerjen e pjesës së mbetur të rrugës. Por kjo nuk duhet të bazohet në projektet e deritanishme apo me propozime për ndërtim By-passe-sh, por me projekte të reja të tunelit të Murrizës me dy kalime (gryka), të tunelit të Gurit të Bardhë (me dy kalime) dhe të Urës së Vashës, jo në vendin ku e ka caktuar projekti aktual, por mbi Urën e Vashës, aty ku lugina e lumit është më e ngushtë dhe ku ura del më e shkurtër (sipas variantit të parë të studimit të Fizibilitetit).
Për t’u ribërë këto projekte duhet kohë, rrjedhimisht rruga nuk mund të fillojë para fundit të vitit 2017. Çdo përpjekje tjetër e kujtdo kompanie vendase apo të huaj, apo nisiativë qeveritare për të filluar me By-passe, pa paraqitur në komunitet transparencën e këtyre projekteve, do të ishte shkatërrim i Rrugës së Arbrit.
Në rast se rruga nuk fillon me tunelin e Murrizës e të Gurit të Bardhë dhe Urën e Vashës (mbi urën e vjetër të Vashës) më mirë të mos fillojnë punimet për vazhdimin e përfundimin e kësaj rruge. Shteti të heqë dorë nga kjo rrugë dhe t’u lihet vetë dibranëve t’a zgjidhin vetë financimin e ndërtimin e saj.
* Autori është një nga anëtarët e grupit të studimit të fizibilitetit të rrugës.
Tiranë, nëntor 2016