Lefter Daku një nga ekspertët botërorë të arsimit universitar


Prej Radomirës në Virxhinia – një dibran i suksesshëm

Nga Afrim KAROSHI

Historia e e suksesit të Genti Dakut, një djali të ri me origjinë nga Dibra, mori udhë në Gazetën Rruga e Arbërit në verën e vitit 2014. Dhe pas këtij momenti, sukseset e Gentit – marrja e medaljes nga Presidenti amerikan, si një nga 160 maturantët më të mirë të të gjithë Amerikën, e drejta për të vazhduar studimet në Universitetin e Harvardit dhe krijimi i Fondacionit Albania Future (albaniafuture.org) për të ndihmuar fëmijët e zonave të thella të Dibrës të mësojnë anglisht – të gjitha këto janë pasqyruar tashmë në mediat shqiptare.
Kur dëgjova për herë të parë për Gentin, u bëra menjëherë kurioz për të ditur historinë e prindërve të Gentit. Lefteri, i ati, me të cilin jam takuar tashmë në vizitën e tij të fundit në Tiranë, është gjithashtu një histori e lavdërueshme suksesi: si mundet që një djalë i rritur në Shqipërinë komuniste e pa asnjë shpresë për të ardhmen, të jetë tashmë një nga ekspertët botërorë të arsimit universitar në të gjithë botën?

Fëmijëria e vështirë

Lefteri kujton fëmijërinë e vështirë, që filloi në lagjen Cernjevë, Radomirë të Kalasë së Dodës. “I përkas brezit të viteve 1970-të” – thotë Lefteri, “brezit të racionit 650 gram bukë për frymë; brezit të pangopur… që barazohej në statusin e varfërisë së përditshme: hahej kos, vetëm kur tundej mtini – e shumta një herë në javë!”
Lefteri kujton që ka veshur këpucë për herë të parë në klasën e shtatë. Ndërsa opingat e llastikut, të cilat nuk gjendeshin lehtë, përdoreshin gjerësisht. “Më kujtohet një herë, i mora me radhë dyqanet për të blerë opinga, duke filluar në Vleshë, Sllatinë, Dypjakë, derisa i gjeta në Sohodoll”

“Kur je larg, malli për vendlindjen është përvëlues. Ti mund të ndahesh nga vendlindja, por ajo s’ndahet kurrë nga ti. Copëza nga vendi ku u linde, ku hodhe hapat e para, ku mësove gërmat e para i merr me vete kudo që shkon. Edhe kur vete deri në fund të botës, në Honolulu, siç thoshim dikur, ato copëza janë me ty, pjesa e identitetit tënd.”

Ja si e kujton Lefteri gjithë sfidat rreth arsimimit të tij. “Im atë, në moshën 16 vjeçare u rreshtua në formacionet partizane dhe luftoi për çlirimin e Shqipërisë. Por në vitin 1968, përjashtohet nga Partia. Kjo “njollë” në biografi ka qenë shoqëruese e fëmijërisë sime. Ka ndikuar në formimin tim me një forcë që është vështirë të përshkruhet. Jo se ka qenë një persekutim i dukshëm, por sa herë ka qenë puna për të marrë të drejtën e shkollimit, “njolla” ka qenë e pranishme. Kur mbarova 8-vjeçaren, edhe pse isha më i miri, nuk më dhanë të drejtën e studimit për të vazhduar të mesmen. Babai më rregjistroi në Gjimnazin e Peshkopisë. Ky gjimnaz mbahej si shkolla më e mirë, mirëpo nuk kishte konvikt. Qëndrova disa muaj te një mik shtëpie, por ishte e vështirë. Pastaj, babai më kaloi te Shkolla Bujqësore “Nazmi Rushiti”, falë mbështetjes së Drejtorit, Moisi Cami, një njeri tepër human dhe intelektual i vërtetë. E mbarova Bujqësoren, por familja ime pagoi për katër vjet. Po ashtu, edhe kur mbarova të mesmen me rezultate të larta, përsëri nuk mu dha e drejta e studimit në universitet. U deshën ndërhyrje të mëdha, për ta fituar atë një vit më vonë. Momentet e vajtes në shkollë të mesme dhe të lartë kanë qenë shumë të vështira për aresyet e treguara më lart. Natyrisht, këto s’kanë të krahasuar me rastet e atyre qindra apo mijëra të rinjve që iu mohua e drejta e shkollimit gjatë komunizmit. Kjo, për mendimin tim, ka qenë drama më e madhe e atij sistemi.”

Punë, talent dhe mundësi
Më bëri përshtypje se, si ka qenë në gjendje Lefteri t’ia dalë gjithë këtij presioni, jo vetëm duke marrë një diplomë, por duke shkëlqyer në gjithë zinxhirin arsimor. “Pa mbështetjen e babait nuk do të isha ky që jam sot”. Dhe shton: “Në fakt, kam patur edhe të afërm që mund të kishin ndihmuar në atë kohë, bile shumë më tepër se im atë, por se kanë bërË. Kur kanë qenë momentet përcaktuese të tilla si mundësia e vazhdimit të mesmes apo të lartës, thjeshtë ata nuk janë ndjerë. Babai im ka luftuar i vetëm. Pa dyshim, babai mbetet heroi im!”
Dhe përtej ndihmës së heroit, babait, “talenti, puna, dhe mundësitë” janë çelësi i suksesit, në këndvështrimin e tij. “Është një shprehje amerikane që thotë se ‘puna e madhe ia kalon talentit kur talenti nuk punon sa duhet’. Ideja që një i talentuar mund të arrijë suksese me përgatitje minimale është krejt e gabuar.Nuk ka sukses në kohë të shkurtër dhe pa lodhje. Sidoqoftë, ajo që i dallon njerëzit e suksesshëm nuk është vetëm talenti i jashtëzakonshëm, por edhe mundësitë e jashtëzakonshme që u janë krijuar për arritjen e suksesit.”
Këto përsiatje të Lefterit rreth suksesit, materializohen dukshëm në rrugëtimin e tij me arsimin. CV-ja e tij është një listë e gjatë me mësimdhënie, duke filluar në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ku punoi si pedagog menjëherë pas përfundimit të studimeve për Ekonomi Agrare. Pastaj vijon studime pasuniversitare e specializime në Skoci dhe Holandë. Për të vijuar me studimet Master dhe Doktoraturë në Universitetin Politeknik të Virxhinias, në SHBA, studime të cilat i përfundoi në vitin 2002.

Një metodë ekonomike me leverdi

Thirrjes publike të të gjitha qeverive për tërheqjen e ekspertëve nga jashtë, që të vijnë e të ndihmojnë Shqipërinë, duket se Lefteri (e ndoshta shumë të tjerë) nuk kanë sesi t’i përgjigjen, ngase, përtej deklaratave publike, nuk duket se realisht ka një sinqeritet për ta vjelë këtë kontribut.

Biseduam gjatë me Lefterin në lidhje me kontributin e tij, si rrjedhojë e studimeve të doktoraturës. Lefteri ka botuar katër libra në anglisht, një monografi dhe tre libra të tjerë me bashkëautor. Veç kësaj ka botuar edhe dy libra të tjerë me bashkëautorë në fusha të ndryshme të ekonomisë, dhe dhjetëra studime të botuara në revistat ndërkombëtare apo të referuara në konferenca prestigjioze ndërkombëtare. Teza e tij e doktoraturës sjell kontribut të nevojshëm në fushën e menaxhimit të integruar të pesticideve dhe hormoneve. Në kushtet kur, nën presionin e fitimit të pamasë, bizneset zgjedhin të përdorin hormone dhe pesticide pa kriter, lind rreziku i ndikimit të dëmshëm të pesticideve në organizmin njerëzor, por edhe në mjedisin jetësor. Lefteri ka sjellë një kontribut shumë të rëndësishëm në këtë fushë, duke studiuar një përdorim të integruar të pesticideve, – si fillim në sektorin e prodhimit të ullinjve, – që ruan fermerët nga dështimi i prodhimit, sjell përfitime ekonomike për këtë treg, por edhe që siguron ruajtjen e mjedisit dhe shëndetin e njerëzve. E pyes Lefterin, nëse mund të përdoret metoda e tij në ekonominë shqiptare, që duket se po ndikohet pa kriter nga përdorimi i pesticideve gjithandej. “Patjetër, – thotë Lefteri, – metoda e vlerësimit të impakteve ekonomike të projekteve të kërkimit e përshkruar në monografi, po përdoret gjerësisht në Indi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.”

MËnjanimi i ekspertëve

Lefteri më vërteton mendimin se, në kontekstin shqiptar, duket se ekspertët, megjithëse mund të sjellin kontribut shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit, në fakt, janë ata që janë mënjanuar më shumë se gjithë të tjerët. Thirrjes publike të të gjitha qeverive për tërheqjen e ekspertëve nga jashtë, që të vijnë e të ndihmojnë Shqipërinë, duket se Lefteri (e ndoshta shumë të tjerë) nuk kanë sesi t’i përgjigjen, ngase, përtej deklaratave publike, nuk duket se realisht ka një sinqeritet për ta vjelë këtë kontribut.
Lefteri më tregon biseda me politikanë të lartë shqiptarë, që, ndërsa Lefteri iu theksonte nevojën që ka Shqipëria për ekspertë, e kundërpeshonin këtë nevojë, me nevojën për politikanë. Deri tani, duket se ia kemi parë hajrin si vend, pikërisht këtij fokusi të gabuar për të ardhmen e Shqipërisë.

Shqipëria, vendi ku ndryshohen teoritë që të reflektojnë interesa

Në vitet e fundit, Lefteri e ka ndryshuar fokusin e aktivitetit të tij. Tashmë, në rolin e tij si Drejtor i Prognozave dhe Kërkimit Institucional në Universitetin Politeknik të Virxhinias, ka një fokus të strategjitë e zhvillimit të arsimit të lartë. Ky universitet renditet në 25 universitetet më të mira publike të SHBA-së. Lefteri madje jep leksione jo vetëm në fushën e ekonomisë e të statistikës, por gjithashtu udhëton në simpoziume dhe konferenca në lidhje me zhvillimin e arsimit të lartë. Natyrshëm, erdhi biseda te ligji i arsimit të lartë në Shqipëri, i shumëdebatuar vitin e fundit. “Nuk më ka kërkuar njeri të kontribuoj,” – më thotë Lefteri. “Edhe e kam vështirë të punoj në Shqipëri në këtë kontekst. Këtu, në vend që sistemi të reflektojë një teori, njerëzit ndryshojnë teorinë, që t’ju përshtatet dëshirave të tyre.” Me këtë frazën e fundit, Lefteri, analizon konceptin e “të mirës publike në edukim”, që si duket, në këndvështrimin e ekspertëve shqiptarë që janë marrë me ligjin, është përpunuar pak, për të futur në thesin e përfituesit të fondeve publike edhe universitetet private. Lefteri ngul këmbë, që përfituesit e vetëm të fondeve publike duhet të jenë universitetet publike, të cilat gjithashtu duhet të garantojnë një shpërndarje të nevojshme të këtyre përfitimeve në të gjitha shtresat e popullsisë, ndërsa universitetet private duhen lënë të konkurojnë në treg, si çdo sipërmarrje tjetër private. Për Lefterin, si një ekspert i fushës, ka akoma shumë politikë në universitet, që nuk zgjidhet as me zgjedhje të pavarura – e meqë ra fjala, sistemet e zgjedhjeve të strukturave drejtuese të universiteteve, në formën që bëhen në Shqipëri, janë të padëgjuara në botën e zhvilluar – e as me autonomi të tepruar të këtyre institucioneve. “Përsëri, thotë Lefteri, zgjidhja janë ekspertët e fushës, të cilët do t’ju qëndrojnë standardeve të nevojshme të edukimit dhe jo të vazhdohet me njerëz të paaftë që marrin funksione për shkak të lidhjeve politike. Megjithatë, ndryshimi është problem gjithandej. Ndryshimet do të kërkojnë kohë në Shqipëri.”

Këndvështrim për vendlindjen

E përfunduam bisedën e parë me Lefterin, duke mbyllur këtë kapitull e duke u përpjekur të kthehemi nga Dibra. Megjithëse Lefteri është larguar nga Shqipëria që prej vitit 1996, vazhdon të ruajë lidhje të forta me vendlindjen. “Kur je larg, malli për vendlindjen është përvëlues. Ti mund të ndahesh nga vendlindja, por ajo s’ndahet kurrë nga ti. Copëza nga vendi ku u linde, ku hodhe hapat e para, ku mësove gërmat e para i merr me vete kudo që shkon. Edhe kur vete deri në fund të botës, në Honolulu, siç thoshim dikur, ato copëza janë me ty, pjesa e identitetit tënd.”
Lefteri kujton me nostalgji vitet e shkollës së mesme në Peshkopi. Dhe bulevardin. Me bliret. Me shtresën qytetare. Institucionet kulturore – kinemanë, shtëpinë e kulturës, bibliotekën, dy shkollat e mesme. “Peshkopia mbetet qyteti më i bukur i veriut”, – thotë Lefteri.
Lefteri e ka vizituar Dibrën disa herë tri vitet e fundit, bashkë me djalin, duke ndihmuar për organizimin e kampeve verore të anglishtes në Radomirë. Ndjek me vëmendje zhvillimet përmes gazetës Rruga e Arbrit, sipas Lefterit, “një burim i besueshëm për zhvillimet e Dibrës”. “Veçse Peshkopia nuk është më ajo e dikurshmja. Elitat kanë ikur, sa në Tiranë, sa jashtë. Pak i ka ngelur qytetit nga ajo hijeshi e dikurshme. Në vend të saj, syri të sheh ndërtesa të shëmtuara dhe pa shije, shtesa pallatesh me qoshe të shtrembura dhe të pasuvatuara, restorante që nuk garantojnë standardet minimale të higjienës. Por mbi të gjitha, pisllëku dhe pluhuri i japin një pamje krejt të zymtë qytetit. E vetmja gjë pozitive ishte se qyteti ngjante shumë i gjallë nga shumëllojshmëria e dyqaneve dhe bizneseve, ç’ka nuk vihet re në qytetin fqinj të Kukësit.”

Zgjidhjet ekonomike për Dibrën

E pyes Lefterin për pamjen e tij rreth situatës ekonomike në Dibër. Dhe ai kujton një detaj nga kthimi i tij në Dibër. “Në udhëtimin tim të parë pas 25 vitesh, ndërsa po udhëtonim në rrugën Kukës – Kala e Dodës – Peshkopi, djali më pyeti: ‘Ku janë njerëzit, nuk po shoh njerëz fare!” E kisha të vështirë përgjigjen.Njerëzit kanë ikur.Toka nuk punohet. Pyjet dhe kullotat e masivit të Korabit nuk shfrytëzohen. Lura me liqenjtë e saj të bukur nuk është siç ka qenë se pyjet janë zhdukur. Minierat e Bulqizës janë një tmerr i vërtetë. Në vend të punësimit dhe mirëqënies për zonën sjell vetëm varfëri për shkak të korrupsionit dhe shfrytëzimit pa kriter. Nuk ka dyshim se politika është talluar me Dibrën në këto 25 vite. Është një rreth vicioz. Për të dalë duhen politika që nxisin zhvillimin.”
Dhe për të mos e lënë bisedën në pamjen përshkruese të sfidave që të gjithë i shikojmë në Dibër, Lefteri ofron edhe një zgjidhje konkrete. Rruga e Arbrit! Ai thotë madje, që e shikon si zgjidhje këtë rrugë, pikërisht për nevojat e zhvillimit të zonës.

Rruga e Arbrit, si zgjidhje ekonomike

“Rruga e Arbrit do të ishte shpëtimi i Dibrës. Këtë e them si ekonomist. Pa rrugë nuk ka zhvillim. Prioritetet mund të jenë bujqësia, blegtoria, industria minerare dhe turizmi. Mirëpo këta sektorë nuk mund të përfitojnë nga ajo që ekonomistët e quajnë epërsi krahasuese në treg, nëse nuk ndërtohet Rruga e Arbrit. Para dy vitesh takova në Radomirë një djalë të ri nga Bellova. Vinte çdo ditë nga Bellova për të shitur qumështin e bagëtive te baxhoja në Radomirë. E pyes, përse nuk e shet në Peshkopi? Sepse çmimi është më i mirë këtu, edhe ngaqë rruga Peshkopi-Kala e Dodës është e asfaltuar. Rruga e Arbrit do të ketë të njëjtat efekte, por në një shkallë shumë më të madhe se ky rast. Bulqiza mund të jetë rasti i vetëm në botë ku një qytet i ndërtuar mbi rezerva të mëdha minerare lëngon në peshën e varfërisë.”

“Rruga e Arbrit do të ishte shpëtimi i Dibrës. Këtë e them si ekonomist. Pa rrugë nuk ka zhvillim. Prioritetet mund të jenë bujqësia, blegtoria, industria minerare dhe turizmi. Mirëpo këta sektorë nuk mund të përfitojnë nga ajo që ekonomistët e quajnë epërsi krahasuese në treg, nëse nuk ndërtohet Rruga e Arbërit.

Sfida tjetër që duhet zgjidhur, në mendimin e Lefterit, është mbulimi gjeografik i gjithë zonës së Dibrës në ndarjen e re territoriale. Do të jetë e vështirë në optikën e tij të mbulohen hallet e gjithë zonës nga qendra, nga qyteti i Peshkopisë, për shkak të dinamikës së çështjeve për t’u zgjidhur. “Shpesh, vihet re që çdo drejtues i ri, sapo ulet në karrike, puna e parë që bën është hartimi i strategjive. Strategji zhvillimi për çdo sektor, strategji afatshkurtra dhe afatgjata. Me draftin e strategjive ka përfundur gjithçka. Më thoshte një koleg i huaj, këtu duket sikur çdo zyrtar është i specializuar në hartimin e strategjive. Por asgjë nuk zbatohet. Drejtuesi tjetër e fillon nga e para. Dhe cikli i strategjive nuk ka të sosur.”

Rreth Kalasë së Dodës

Lefteri është kthyer në zonën e tij të lindjes pas një periudhe të gjatë largimi. Dhe në kthim, ka gjetur disa aspekte të traditës që mbahen akoma me rigorozitet, si për shembull, ruajtja e pyjeve të zonës nga të gjithë banorët, si pjesë e pronës së përbashkët, në ndryshim nga masakra kolektive që iu është shkaktuar pyjeve gjithandej.
“Kalaja e Dodës është një zonë interesante. Është tepër mikpritëse. Ka potenciale të mëdha për blegtorinë dhe turizmin. Është pjesë e rajonit ku delja Rudë, një nga racat autoktone, ka origjinën e saj. Historikisht ka patur blegtorë të zotë. Mbi të gjitha, shkëlqen në një traditë që është pak e njohur në Shqipëri: mbrojtjen e pyjeve. Është një teori ekonomike e quajtur “tragjedia e të përbashkëtës.” E thënë në terma të thjeshtë, sipas kësaj teorie, pyjet apo kullotat që i perkasin një fshati të caktuar, mund të keqshfrytëzohen nga që janë pronë e përbashkët, por edhe nuk i përkasin askujt. Si rezutat, sjellja e fshatarëve do të dominohet nga interesat e tyre individuale dhe jo nga interesi i përbashkët në shfrytëzimin e këtyre burimeve. Si rrugëzgjidhje thuhej se në këto raste vetëm pronësia private ose ndërhyrja e shtetit mund të parandalonte këtë tragjedi të së përbashkëtës. Mirëpo, një shkencëtare amerikane, Elinor Ostrom, e vetmja femër që ka marrë çmimin Nobël për ekonomi, argumentoi se kur një komunitet (fshat) i caktuar zbaton skema fshatçe, këto janë shumë më efektive se ndërhyrjet e shtetit apo kalimi në pronësi private. Është pikërisht zgjidhja që dha Ostrom që zbatohet në shumë vende të botës. Ndërsa Kalaja e Dodës, dhe sidomos fshati Radomirë, i ka zbatuar historikisht këto skema fshatçe për ruatjen e pyjeve. Nuk u habita aspak kur një Amerikane e Korpusit të Paqes vizitoi Kalanë para ca vitesh dhe shkroë në bllogun e saj: “Ky është i vetmi vend në Shqipëri ky pyjet duken të virgjër”. Padyshim, kjo traditë duhet studjuar dhe adaptuar në gjithë Shqipërinë.”

Gjërat që nuk ndryshojnë në kalanë e dodës

Disa tradita ruhen. Por të tjera, për të cilat nuk ia vlen të krenohesh, vazhdojnë të jenë aty! Dhe Lefteri, pavarësisht mallit për vendlindjen, nuk nguron t’i listojë. “Sa i përket aspekteve të tjera, vizita ime atje pas gati 25 vitesh, përpos emocioneve të rastit që janë të kuptueshmë, nuk më la një shije të mirë. Dukej sikur asgjë s’kishte ndryshuar, veç asfaltimit të rrugës. Është tjetër anë të krenohesh me bukuritë e atij vendi. Mirëpo bukuritë natyrore janë dhuratë e Zotit. Problemi është çfarë ndryshimesh të tjera mund të bëhen që ai vend të vizitohet jo vetëm nga ata që kanë mall. Shkurt, ai vend nuk është gati për turizëm funksional. Dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me mungesën e infrastrukturës. Nevojitet ndryshim mentaliteti. Normat dhe rregullat që përcaktojnë sjelljen kolektive ndryshojnë ngadalë. Në fakt duke ndryshuar ngadalë ato krijojnë stabilitet. Por kur nuk ndryshojnë fare bëhen pengesë për zhvillim. “Para ca kohësh pashë një material të përgatitur nga një TV lokal mbi problemet e turizmit në Kala të Dodës. Gazetari i kishte pasqyruar sfidat shumë saktë. Por reagimi ndaj dokumentarit nuk ishte dinjitoz. Dëgjoje njerëz të thonë, ‘si guxon ai të na përdhosë traditat?’” Problemi është që ajo zonë ka nevojë për “hapje” ndaj komercializmit dhe praktikave të reja. Mirëpo kjo hapje ka sfidat e veta si në fushën sociale po aq edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve. Sepse turisti që shkon atje, qoftë i vendit, qoftë i huaj, nuk do të rikthehet në qoftë se ti ofron çmimet si “frengu pulën”.

Urtësia e munguar e dibranëve

Shpesh dibranët e lavdërojnë veten për urtësinë që gjendet në viset tona. Edhe të tjerë, nga jashtë, vënë në dukje urtësinë dhe butësinë që gjejnë në Dibër. Por, për Lefterin, ka një anë negative në gjithë këtë vërshim të pakontrolluar vetëlavdërimi.
“Po, e kam dëgjuar atë thënien për mendjen, që lindi në Shkodër, kaloi n’Mirditë dhe pushoi n’Dibër. Dikush ka bërë dhe poezi. Është në natyrën njerëzore që çdo thënie që na përshtatet, të na duket bukur. A është e vërtetë thënia? Nuk e di. Shkodranët do shoshin: “a je i marrë, ne na paska lënë mendja?” Me mirditorët do të jetë akoma më e vështirë, se ata as nuk do ta pranonin se mendja ka kaluar andej! Por përtej shakasë, alegoria dibrane është e njohur. Dibranët njihen si njerëz të mençur e punëtorë të pashoq. Megjithatë, për shkak të izolimit, Dibra ka një problem imazhi. Shumë nuk e njohin. Një mik nga Saranda, kur e pyeta se si e përfytyron Dibrën, më tha, se edhe pse nuk a ka vizituar, Dibra i duket si një grumbull kreshpash e malesh të thepisur, me njerëz të prapambetur. Është rasti për ta theksuar edhe njëherë se Rruga e Arbrit do të ishte shpëtimi dhe e ardhmja e Dibrës edhe nga ky këndvështrim.
Megjithatë, ne dibranët kemi nevojë për filozofinë realiste të Konicës, që kishte qejf t’i thoshte gjërat siç janë, pa zbukurime të tepruara. Megjithëse themi se jemi të mençur, Dibra është e prapambetur. Për Dibrën duhet të flasin profesionistët dhe jo amatorët dhe autodidaktët. Historia duhet vlerësuar siç është, pa gënjeshtra, pa manipulime, larg ideologjizmave, që të rinjtë ta dinë të vërtetën. Nuk jam historian, por më çudit fakti që në çdo shpellë të Dibrës historianët amatorë gjejnë rrënjët tona ilire. Ndërkohë, profesor Kristo Frashëri, në librin “Historia e Dibrës”, në gjysmën e faqeve të librit parashtron tezat e ndryshme, por thekson se nuk kemi burime për t’i mbështetur, ashtu siç i takon një historiani, studiuesi të mirëfilltë.”

Kontribut për t’u vlerësuar

Dibranë si Lefteri kanë arritur në majat e profesionalizmit, jo sepse kanë miq, as se kanë shfrytëzuar situata në favor të tyre, por sepse kanë punuar me mund për të arritur aty ku janë… Dhe Dibra ka nevojë për kontribute të këtij lloji.
Ne kemi nevojë për filozofinë realiste të Konicës, që kishte qejf ti thoshte gjërat siç janë, pa zbukurime të tepruara. Megjithëse themi se jemi të mençur, Dibra është e prapambetur.

Bisedat me Lefterin mund të zgjasin shumë – sepse, për shkak të formimit të tij akademik, qoftë në ekonominë agrare, qoftë në statistikë, e qoftë në kontributin e tij në arsimin e lartë përmes një prej Universiteteve më të njohura në SHBA – ai ka se çfarë të ofrojë. Dhe, ashtu siç preferon edhe ai vetë, pa sajesa të panevojshme, pa lulet e tepruara të vetëlavdërimit, nuk duhet të shkojmë as në cepin tjetër, që të lëmë pa vlerësuar njerëz që vërtet e meritojnë të vihen në dukje. Dibranë si Lefteri kanë arritur në majat e profesionalizmit, jo sepse kanë miq, as se kanë shfrytëzuar situata në favor të tyre, por sepse kanë punuar me mund për të arritur aty ku janë… Dhe Dibra ka nevojë për kontribute të këtij lloji.

Çfarë bëhet me Gentin tani?

Verën që kaloi Genti mbaroi gjimnazin me medalje te artë duke arritur notën mesatare më të lartë në historinë e shkollës ku studioi. Po ashtu, ai fitoi medaljen “Studiuesi Presidencial” akorduar nga Presidenti Obama si një ndër studentët më të mirë në Amerikë.Në gusht të këtij viti, Genti filloi studimet në Universitetin e Harvardit.Akoma nuk e ka përcaktuar degën e studimit, por anon nga financa, ekonomiku dhe statistika.
Për të vijuar punën e nisur në Radomirë, vitin e kaluar Genti themeloi Fondacionin Albania Future (E ardhmja e Shqipërisë – albaniafuture.org). Kemi në plan të vazhdojmë me kurset verore dhe ta zgjerojmë aktivitetin në kuadrin e Fondacionit. Në verën e 2017-ës do të njoftojmë dy bursa të reja për nxënës me përparim të mirë në mësime dhe me kusht që të vazhdojnë shkollën e mesme.