D I B R A : Ç’po ndodh?
Nga BESNIK ALKU


Foto Edmond Hasani

Këto ditë kam ndjekur dy evente me njerëz të shquar dibran, siç ishte datëlindja e artistit dhe njeriut legjendë Kadri Gjapi, që në një mënyrë “bukovskiane” festonte nën shoqërinë e legjendës tjetër dibrane Fit Shehun, dhe morën shumë urime nga anë e mbanë botës kudo që ka dibranë. Eventi i dytë ishte promovimi në Tiranë i librit të dy bashkautorëve dibranë, Haki Përnezha dhe Ruzhdi Bitri, për toponiminë e Çidhnës, dhe ku shumë dibranë që ishin në Tiranë, uruan autorët për studimin dhe botimin. Tek ndiqja këto evente shikoja një vlerësim dhe interesim për këto legjenda dhe vlera të Dibrës nga dibranët që nuk banojnë në Dibër, por jetojnë dhe mendojnë për Dibrën anekënd Shqipërisë dhe botës. Vërej një indiferentizëm nga elita, intelektualët, institucionet por edhe nga dashamirësit që jetojnë në Dibër për vlerat dibrane në përgjithësi dhe legjendat në veçanti.
Tek po mendoja këto, me sy dyshues, kritik, i pezmatuar, mendova se përse ndodh një gjë e tillë? A ka diçka në këtë mes? A ka grupe apo qarqe të interesuara që Dibra të jetë e prapambetur? A kanë faj dhe gabim vetë dibranët për këtë situatë?
Prandaj po bëhem dyshues edhe kritik.
– Dyshues për një politikë të qëllimshme që Dibra të jetë e prapambetur (model i të keqes): Një zonë e pa zhvilluar ku zhvillimi ka ngecur në vend (ka mbetur ora), dhe ndeshemi me fenomene të varfërisë, ekonomi jo-stabël, regjime politike despotike, administrim pushteti nga klane dhe grupe kriminale.
– Dyshues që qëllimisht Dibra të jetë e izoluar. Dibra e vogël dhe Dibra e madhe kanë mbetur si xhepa, me aksesin më të keq rrugor në Shqipëri dhe Maqedoni. Rruga e Arbërit është një legjendë që ndërtohet në fushata elektorale dhe prishet në qeverisje. Janë marrë aq shumë borxhe dhe kredi nga shteti shqiptarë, por asnjë cent për rrugën e Arbërit, por vetëm për fasada dhe banjot e institucioneve, rrugët e fshatrave të Vlorës, dhe për dibranët mjaftojnë përrallat me investitorë kinez, arab apo dhe mirditorë.
– Dyshues që Dibrës i fabrikohen dhe i tipizohen skandale; e gjithë Shqipëria është plotë me skandale, por ato duken normale. Nëse ndodh një skandal në Dibër ai trumpetohet me të madhe duke përfshirë në skandal gjithë popullsinë dibrane, dhe tipizuar zonën si problematike.
Unë jam kritik ndaj pjesës elitare, intelektuale, qeverisëse, biznesit, artisteve dhe familjeve dibrane për këtë situatë që është Dibra:
– Elita politike dibrane është e fjetur dhe e pazonja, mjafton të shikosh përfaqësimin politik që i bëhet Dibrës në parlament (ku asnjë nuk e din kush është deputet, ose deputet të importuar). Dibra shikohet si zonë e lirë ku kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh “matrapazët” politikë, bëjnë pazare duke blerë dhe shitur vota.
– Intelektualët, artistët, mësuesit dibranë janë në mjerim. Përdoren dhe flaken mes katër rrugëve sikur mos ishin asgjë. Mungojnë iniciativat, krijimet, forumet, simpoziumet, studimet dhe respekti mes vetit, vlerësimi për njëri tjetrin, duke mbetur peng i zilive dhe xhelozive të vogla, që më shumë përfundojnë në fjalë mejhanesh dhe rakie me vezë.
– Rinia dhe familjet dibrane po orientohen nga prapambetja dhe fanatizmi. Në shumë familje dibrane po instalohet fanatizmi islamik i krahëve ekstreme, që nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë dhe kulturën islame. Shumë inate dhe mosmarrëveshje duke mos arritur të shikosh asnjëherë 3 njerëz bashkë, edhe nëse i shikon bashkë nuk u shkon më shumë se 3 muaj. Mungesa e shkollave cilësore, kurseve të formimit profesional, universitetit, rinia dibrane po orientohet nga hashashi dhe “qentë e racës” duke krijuar modele për një rini “milloshe” dhe ku të mirët dhe të shkolluarit shihen me sy nënvlerësues dhe përçmues.
U zgjata si shumë por ishte diçka që më ngacmonte nga brenda këto ditë eventesh nëntori. Fajin e ka Kadri Gjapi, Fit Shehu dhe legjendat dibrane.