Prej balte me qenë,veç prej Dibre të jesh


  • Piktori Serxho Petrela, i parë me sytë e një miku

Njohja

Sapo kishim ardhur nga Peshkopia në Tiranë ato vite kur Shqipëria u hap ndaj perëndimit dhe ndoshta, si vetvetiu, u vendosëm në lagjen e dibranëve për të ndërtuar jetën në kryeqytet. Tjetër botë, sigurisht. Njerëz të ndryshëm, dialekte të ndryshme në Tiranën e atyre viteve. Dhe në rrugën që përshkoja çdo ditë, “Hoxha Tahsim”, si lija pas Shkollën e Kuqe, diku në rrugicën pas saj, më binte në sy një dyqan ku shiteshin piktura. Për ne të ardhurit, që ndërtonim ngado nëpër kryeqytet, më shumë na tërhiqnin dyqanet e materialeve të ndërtimit, sesa gjithçka tjetër, por ja që mua më tërhiqte pa masë ai dyqan arti. Pasi isha futur në të 2-3 herë më parë, rastisa një mbasdite të takoj vetë autorin e pikturave. Pasi i tregova se jam i ardhur, (në atë kohë identiteti ynë binte në sy menjëherë) i thashë me një lloj sinqeriteti, që, siç dukej më lexohej në sy: “Më pëlqejnë punët e tua, por… jam i interesuar për piktura që përmbajnë motive jete në fshatra”.
Gjithkush në vendin e tij do më kundronte nga koka te këmbët për të gjetur brenda meje fshatarin dhe katundarin, që pëlqente ca ngjyra të ndezura fshati, por ai m’u kthye pa shprehur asnjë habi të tillë.
“Më fal, por për momentin nuk më ndodhen, por po të duash të rekomandoj te një kolegu im këtu pranë”. Dhe ashtu u bë. Gjatë rrugës që më shoqëroi, bëmë biseda të ndryshme. Ndërkohë unë po e vështroja me vëmendje këtë djalë, rreth të tridhjetave, shumë simpatik, me flokë e sy të zinj, i gjatë në trup, me një fytyrë paqësore. Më bëri përshtypje sjellja e tij. Nuk pashë asnjë shenjë xhelozie apo pakënaqësie që nuk bleva pikturat e tij. Më la te dera ku më rekomandoi dhe u kthye sërish qetë-qetë në punën e tij. Pa smirë dhe ego, edhe pse unë bleva disa punë te kolegu i tij piktor, ndoshta fare i panjohur për të. Më pat mbetur gjatë ndërmend portreti i atij djali piktor, që ende nuk i kisha mësuar as emrin. Ndodhin në këtë botë që disa gjëra lidhen me frymën dhe nuk është nevoja të shtrosh fjalën në bisedë. Flasin sytë. Flet zemra. Si vetiu këmbët filluan të më çonin më shpesh në lokalin e tij, ku shihja me kënaqësi punët e tij të bukura të varura në mure. Pastaj biseda kalonte te piktura, te Tirana e madhe, te ngjarjet e ditës, te demokracia e brishtë, për të cilën flisnim me shumë pasion. Ky ishte piktori Serxho Petrela, me të cilin do të më lidhte një miqësi e vyer për vite me radhë dhe do të zinte vend në zemrën time sot dhe gjithë kohën.

Serxhi, më shumë se një dibran!

Erdhi shpejt momenti ku më duhej të blija 2 piktura për vajzën që do të hynte në shtëpi të re. Tashmë, pa asnjë dyshim, do t’i merrja në dyqanin e Serxhit, por, kur kishin folur për plot gjëra të bukura të kohës, të demokracisë dhe të miqësisë që po forcohej dita-ditës, tani kjo puna e pazarit, ku ka brenda paksa edhe motivin e pazarllëkut, më stepte dhe më bënte ta vuaj këtë pjesë. Megjithëkëtë, kur, siç thashë, këmbët më çonin si vetiu thuajse çdo ditë tek Serxhi, i propozova të më shiste dy piktura nga të tijat. Mbeta i kënaqur si nga tablotë e punuara me mjeshtri dhe nga çmimi. Me atë sjelljen e tij prej kavalieri, më kishte hequr tërë merakun “e të bërit pazar”. Pas kësaj vizitat në dyqanin e pikturave i bëja më shpesh, sidomos pasdite, kur autori Serxho, pas orës 18:00, qëndronte në lokal. Më ftoi ta ndiqja punën e tij edhe në studio; një apartament në katin e katërt të një pallati; ku mbante erë bojëra, llak dhe, telajo të lyera, dylient etj. Rrija me orë të tëra në atë mjedis kaq të shkujdesur dhe plot jetë, saqë po lija pas plot punë të pakryera, por dhe miq e shokë. Se nga ne thuhet: “Miq të rinj zër, por të vjetrit mos i harro!” Por njohja me mikun tim të ri, piktorin Serxho Petrela erdhi duke u shtuar kur mësoi se unë isha dashamirës i artit figurativ dhe aq më tepër pse isha dibran. Një ditë më drejtohet: “Ej, edhe unë jam nip Dibre, se mbiemrin e vajzërisë nëna ime e ka Tola dhe është nga Golloborda, nga krahina nga ku ka qenë piktori Bajram Mata”.
U ndjeva mirë, se të ndjerin Bajram e kisha mik në vitet e Peshkopisë. Por Serxho vijoi:
“Unë nuk kam arritur ta njoh, por kam dëgjuar se ka qenë piktor e njeri i mirë dhe se ka vdekur në mënyrë tragjike dhe të trishtë. Pastaj mos harro, se unë jam lindur e rritur në Tiranë, në lagjen e dibranëve e afër shtëpisë së muzikantit të njohur Agim Krajkës. Dhe shumë shokë fëmijërie i kam dibranë.
Mbaj mend plakat dibrane (gjyshet e shokëve) që mbanin shami të bardha në kokë, me përparëse e nallana e me fshesën që s’e hiqnin nga dora e veç lanin oborrin me lule e pemë deri te gurët e sokakut. Dhe kur vinte koha e drekës u thërrisnin fëmijëve në dialektin e Dibrës: “Ceni xheç këtu, jec në shtëpaj se ta bëna gropën. Ku shkojshë mër me këpucët me baltë brenda në shtëpaj, Jec mër këtu të të veshi njiher… Ju kam shpërt nana mos ma ngani vocin” etj., e vazhdon më tej bisedën: Unë ndjehem i kënaqur që kam rrënjë në Dibër dhe e di si më ka thënë një shok i imi nga Dibra e Madhe, L. P. se: “Prej balte me qenë, veç prej Dibre të jesh”. E vazhdon e vazhdon me episode me një interesim të veçantë për Dibrën.
Unë i them: “More Serxho, unë jam babai yt në moshë dhe nuk i kam dëgjuar këto thënie!”
“Eh, po mos harro se unë jam rritur në Dibër të Madhe të Tiranës.

Artisti i ndjeshëm
ndaj botës së njeriut

E kështu ditët, muajt e vitet që pasuan duke qëndruar me njëri-tjetrin nuk e patëm të vështirë të ishim miq. Natyra e tij shumë njerëzore, e hapur, e lexueshme shumë shpejt depërtuam deri në imtësi të karakterit dhe të personalitetit të njëri-tjetrit. Ky djalë me prejardhje nga një ndër familjet më të vjetra tiranase nga fisi Petrela, me prindër intelektualë dhe vetë zotërues i dy gjuhëve të huaja, anglisht dhe italisht, me profesion artisti (piktor), më bënte që unë të ndjehesha mirë shpirtërisht dhe në shoqërinë që e rrethonte Serxhin me kolegë piktorë, intelektualë, biznesmenë, sportistë; me Altinin, Blendin, Gjergjin, Andonin, Zaimin, Edgarin, Leonardin, Pëllumbin, Çimin etj., deri dhe miq të huaj.
Miku apo shoku nuk njihet vetëm nëpërmjet bisedave, por më shumë nga episodet e jetës së përjetuar qoftë edhe rastësisht. Mbaj mend kur hyri në dyqanin e pikturave një zonjë e moshuar, pasi pa pikturat qëndroi më gjatë te njëra. Nuk dihej ç’motive e shtynin të mbetej gjatë përpara njërës prej tablove me motive nga deti… kishte mbetur pa gojë. E hutuar brenda saj. Serxho i afrohet dhe i thotë:
“Të pëlqeu?”
“Po, – ia kthen zonja, – por më duket e shtrenjtë për mua”.
“Merre sa të duash, caktoje vetë çmimin”.
Plaka ishte kthyer dhe e kishte vështruar në sy. Si kishte numëruar ato pak lekë që kishte me vete, pagoi tablonë, ndërkohë Serxhi merr një pikturë me dimensione më të vogla, ia drejton duke i thënë që këtë pikturë e ke dhuratë nga unë. Zonjën e preku shumë në shpirt, i jep uratat e falënderimit të saj të dala nga thellësitë e shpirtit.
I shihja edhe Serxhin, edhe gruan dhe nuk dija se kush ishte më i lumtur atë çast, por vë bast se Serxhit i lexohej në sy mirësia e shpirtit. E ky rast nuk është i vetëm, por rast i shkëputur nga zinxhiri i shumë rasteve të tjera.

Filantropi dhe bamirësi
brenda piktorit

Pas disa kohësh i drejtohem Serxhit: “Dua të hap një dyqan ku të shiten piktura, pasi kam të fejuarën e nipit që ka mbaruar liceun dhe është pa punë. Kam gjetur lokalin, por më duhet ta pajis me piktura. Do më ndihmosh të më japësh disa nga pikturat e tua? Vuri çmimin dhe përkundrejt interesit që do të caktosh, jam gati të filloj nga puna”.
Unë po i flisja me seriozitet si për punë “biznesi”. Pasi më pa me qesëndi, m’u drejtua:
“Sa piktura të duhen?”
“Sa të duash ti, se do të marr disa edhe nga Zaimi, Hamdiu etj”.
Nuk priti më, por u drejtua te pikturat e varura në mur, zbriti 10 copë prej tyre e më thotë: “Çmimin vërja vetë – mua më jep sa të duash…”
Mbeta pa gojë. Kësaj i thoshin të ishe fare pa gjë dhe të bëheshe me një biznes, siç thuhet në gjuhën e sotme. Dhe bujaria e Serxhit, sa hap e mbyll sytë e bënte time mbesë të hynte në radhën e një aktivitetit privat aq shumë i lakmuar sot prej mijëra e mijëra njerëzve, por që iu mungon ajo dorë e parë shtytëse në udhën e suksesit. Të ishte, siç përmenda vetëm rasti i parë dhe aq më keq akoma, vetëm me mua, do ishte një gjë fare e pa rëndësishme për t’u shkruar. Por bujaria e tij nuk fillon e as nuk mbaron këtu, me punën e tij profesionale të pikturës, tablosë dhe portretit.
Dimensioni i tij human, i bujarisë, fisnikërisë dhe altruistit nuk është se rok vetëm një fushë të njohur të tij – artin dhe një rreth miqsh e shokësh, por ajo është shumë më e gjerë dhe ndër vite është kthyer në një pjesë përbërëse të jetë së tij. Janë dhjetëra raste që bujarinë, dorëzgjatjen e ndihmës, i kanë provuar jo vetëm miq e shokë, njerëz të njohur, por dhe njerëz të thjeshtë, nevojtarë dhe shtresa të margjinalizuara. Por ndryshe nga tam-tamet dhe buja që mund të bëjnë mediat dhe shtypi ndaj një rasti të tillë humanizmi, Serxho Petrela ka parapëlqyer t’i ketë këto “pronë të tij”, larg dukjes dhe kanë mbetur mes miqve e shokëve të afërt. Me vite të tëra ka ndihmuar me të holla e materiale të ndryshme shtëpinë e fëmijëve jetimë në lagjen tonë, komshinj e njerëz fatkeqë, të braktisur e familje në nevojë, e raste të tilla janë me dhjetëra. Ka mbi 10 vjet që Serxho ekspozon pikturat e tij në muajin dhjetor në hotel Sheraton, ku një pjesë e të ardhurave të fituara shkojnë për shoqatën e fëmijëve në nevojë, pa as më të voglën reklamë ndaj këtij gjesti. Heshtur dhe në mëvetësinë e tij bujare. Ky është ndihmëtari Serxho Petrela.

Jo vetëm studio…

Tregova pak më sipër, shkarazi, për studion e Serxhit, e cila nuk është vetëm vend pune për krijimin e pikturave, por ajo më shumë i ngjan një vendi mikpritje, peligrinazhi. Dy dhoma të një apartamenti, një korridor i mbushur me korniza e kuti boje, një aneks ku janë të vendosura soba e gatimit dhe disa enë kuzhine në raftet përkatëse dhe kaq. Ambienti i studios nuk është dhe aq i bollshëm, po të kemi parasysh se aty sa e sa herë shtrohet tavolina e ngrënies për miq e mysafirë apo edhe për njerëz të vobektë të gjetur në mes të udhës të uritur e të drobitur! Por zemra dhe shpirti i tij është kaq i madh sa i nxë dhe tepron vend sa të duash për njerëzit e mirë të Serxhit. Dhe Serxhi është një kuzhinier brilant i çastit. Kjo e fundit është një pasion i jashtëzakonshëm i Serxhit, që e ushtron vetëm këtu, në studio, për arsyen e thjeshtë se nuk i bie radha ta ushtrojë në shtëpi e gjetkë?! Gatuan në mënyrë të shkëlqyer. Kam lexuar se dhe Pikaso ka patur hobi gatimin. Por nga Studio e Serxhit, po hyre, nuk mund të dalësh pa u qerasur, që është më e pakta dhe më e zakonshmja. Në këtë studio është ngrënë bukë jo me dhjetëra, por me qindra e qindra herë, në një ambient ku nuk mungon muzika e Top Goldit, bashkëbisedimet me mysafirët për sportin, muzikën, artin, politikë e tema nga më të ndryshmet. Dhe mos u çudit kur aty, siç përmenda më sipër, të gjesh ndonjë mysafir pak ndryshe dhe që atij do t’i mbushet pjata më shumë dhe ai “mysafir” mund të jetë një fëmijë adoleshent apo një i rritur i pastrehë. Dhe ti nuk vonon ta kuptosh se ky njeri nuk ka ardhur të dëfrehet pas pikturave dhe artit të Serxhit, por nga nevoja utilitare për të jetuar, braktisur nga shoqëria, por jo nga Serxhi. Ai i trajton si të barabartë dhe më mirë se të tjerët. Sa do të doja t’i ngjasoja mikut tim në këtë pikë! Bujar, zemërgjerë dhe brilant!

Piktor i detit dhe i malit,
i jugut dhe veriut

I plotësuar në gjithë qenien e tij me një ndjesi prej artisti, karakteri i tij është shumë më i gjerë dhe dimensional, përtej kornizave të një piktori, tashmë me karakteristika individuale thellësisht të dallueshme, gati duke krijuar një shkollë të tijën. Ky shpirt i ndjerë prej artisti nuk mund të anashkalojë situatat e krijuara në shoqërinë shqiptare e në mbarë vendin si ato ekonomike, shoqërore, politike etj. Nuk mjaftohet të shprehë mendimet e tij vetëm në bashkëbisedime e në tavolina lokalesh mes miqve të tij, shokëve e kolegë. Përgjegjësia që ndjen ai për problemet e ndryshme shoqërore të akumuluara shkojnë deri në protesta të hapura me revoltë shpirtërore, që e shfaq me forcën e vullnetit të tij si qytetar i këtij vendi, e ushqyer me ndjenjat prej artisti për të mos u pajtuar me gënjeshtrën e të keqen, por vetëm me të drejtën. Piktorin dhe artistin e gjen të pranishëm në shumë protesta me probleme shoqërore si për helmet, plehrat etj. Të nesërmen e protestës që ishte bërë për lumin e Radikës tek Piramida, pasi takohemi e përshëndetemi më thotë: “Po ti, pse nuk ishte në protestë dje? Çfarë dibrani je, kur s’merr pjesë ti si dibran? Do vinin të tjerët, para dibranëve dhe njerëzve të lidhur me fatin e lumit Radika?”
Më fliste i nevrikosur. Ishte i revoltuar se pjesëmarrja kishte qenë e pakët. Të pres në studio më thotë.
Kur shkoj në studio e gjej duke pikturuar jo ulur, por në këmbë, përballë një tabloje me përmasa disi të mëdha. Unë i drejtohem duke i thënë:
– Qenke gjithë nerva, prandaj po pikturon në këmbë.
Më përgjigjet:
– Nervi i krijimit i jep përmasat një vepre arti.
– Pse nuk thua që duhet të të nevrikosim më shpesh.
Nuk m’u përgjigj. Thua se nuk ishte Serxhi. Inatçor, shpatullgjerë, sulmues, me sy të picëruar pas pikturës. Ishte në atë çastin kur vetëm një artist gjen prehje, pas një pune spontane, por që merr prej teje si artist vetë shpirtin dhe thelbin, dashurinë; dashurinë për jetën, dashurinë për njerëzit, për lumenjtë, për malet, për gjithçka.
Profesioni i Serxhit është arti figurativ – piktura. Nuk jam i këtij profili e as ndonjë kritik arti i kësaj fushe e të mund të flas me kompetencë profesionale, por gjatë gjithë njohjes me të, por pikturat e tij ndodhen në 4 pika shitje pikturash në Tiranë, si dhe në Sarandë. Fakti që pikturat e tij shiten, tregon se piktori pëlqehet. E s’ka se si një njeri i mirë, me shpirt të mirë, të mos nxjerrë vepra të mira e të bukura, siç ka shpirtin. Rrugicat tiranase të paraqitura në tablo me aq dashuri, kolorit e dritë janë shprehje e ndjenjës së brendshme të autorit. Me këto tablo ai nuk i pasqyron ato ashtu siç janë, por ashtu siç i ndjen autori, i cili është rritur në këto rrugica dhe ka mall e ndjesi të akumuluar që prej kohëve kur ishte fëmijë e luante në to. Natyrat e qeta të tij janë unikale. Nuk i gjen dy njëlloj dhe mbi të gjitha ajo që pëlqehet është fakti se në 100 apo 200 tablo të paraqitura në ekspozita nga autori, të bie në sy stili i veçantë i tij dhe kjo nuk është pak për një piktor, kjo do të thotë se piktori, edhe pse i ri në moshë, ka krijuar identitetin e tij – siç thotë shkrimtari i madh rus Tolstoi: “Një piktor i madh duhet të formalizojë veten e tij”.
Serxhi, i dashuruar pas natyrës, i ndihmuar dhe nga fakti se 6 muaj në vit ai shfrytëzon banesën e tij që ka në Potam të Himarës, është pranë maleve të jugut, pranë detit e ajrit të pastër e me jod, pranë bukurive të fshatrave të Jugut. Natyrë që e ushqen shpirtin e artistit dhe e rinovon muzën e tij. Kjo bën që punët e tij, tablotë, të jenë të pashtershme dhe të mbajnë freski e të bëhen gjithnjë e më të bukura. Përvoja e punës së tij 30 vjeçare mban mbi supe me mijëra e mijëra punë.
Te ngrohtësia familjare me bashkëshorten Entelën dhe 2 fëmijët, Xhein e Ebi, Serxhi gjen qetësinë e tij shpirtërore, e plotësuar kjo me hobin që ka për zhytjet në det dhe gjuetinë me pushkë deti. Edhe në banesën e tij në Potam të Himarës nuk i mungojnë shokët e miqtë e tij si dhe himariotë e të huaj. E kemi parë dhe provuar, shtëpia e tij bujare është gjithnjë e hapur për miqtë.

Dy fjalë…

Serxhi! Hodha disa radhë në letër për t’i botuar në një nga gazetat e njohura të Dibrës, si një dibran që jam dhe pa pretenduar se do të kem thënë ndonjë “mrekulli” për Ju, Serxh Petrela. Në të vërtetë, piktura, arti, letërsia gjykohen mbi vlerat e tyre dhe jo mbi vlerat dhe dimensionet e artistit që i krijon. Kjo metodë autobiografike ka rënë dhe nuk ndikon në studimin e vetë veprës. Por unë nuk kisha se si mos them dy fjalë për Ju, miku im piktori Serxh Petrela. Në pamundësi për të krijuar një peizazh pikture me ngjyra të ndezura për Ju, falë edhe redaksisë së gazetës “Rruga e Arbërit” që pranoi të botojë këto radhë, po të dhuroj këtë reportazh me fjalë. Ky shkrim nuk u ngjason peizazheve të tua, këtë e di mirë, por sidoqoftë ai le të merret në konsideratë edhe prej lexuesve të gazetës, se përmban në të vërtetë, vlerësim, sinqeritet e respekt për nipin dibran, piktorin e ngjyrave të ngrohta, artistin e detit dhe malit, Serxh Petrelën. E meqë jemi në prag të Krishtlindjeve, Vitit të Ri dhe datëlindjes së Piktorit, le ta mbyllim me urimet më të përzemërta, shëndet e lumturi në familje. Një shprehje popullore, thotë: A ma mirë një mik apo një çiflig? Unë dhe lexuesi i gjejmë të dyja te Serxho Petrela!
Miku yt, Selami Nazifi!

2 komente

  1. Ishte kenaqesi leximi i shkrimit te Dr Selami Nazifi dedikuar me portretizim Serxhi Petrela piktor biznesmen humanist. Shoqeria jone ka shume nevoje per vlera te tilla si Serxhi.

  2. Eshte me shume se kenaqesi, Dr Selami Nazifi, te lexosh kete shkim tendin, qe mbart respekt per njerzit e ketij dimensioni, dhe jo vetem human e njerezor.Te gjithe deshirojme te kemi miq te tille ( sidomos kur kane edhe rrenjet tona).Me ndjenje krenarie them : Dibra trashegon njerez me karakter multidimensional, qe miqesine e sinqerte e vene mbi gjithcka, nje nder te cilt jeni edhe Ju. Te pershedes. Miku jot Hajriu.

Komentet janë mbyllur.