Sohodoll të qofshim falë, me breza drite e zemërbardhë


Prolog…

Ka gati 50-të vite që mbaj peng të shkruaj sadopak për Sohodollin. Një fshat plot histori qëndrese, mençurie e bujarie, me plot bij e bija të shquar nëpër vite. Te çdo kullë e fis në Sohodoll gjen veç urti, mirësi e zemërbardhësi. Në njërën nga ditët e fundit zbritëm nga malet në Sohodoll. Vërtet vend i praruar, vend me njerëz të mirë, të urtë, të ndritur, me shpirt e zemër për bardhësinë e jetës, për traditat, për kulturën, për kohën e re, për demokracinë e vërtetë, për dritën e diturisë.
S’ka pasuri e pozitë më të madhe sesa kur njerëzit rrezatojnë dritë shpirti, dritë zemre, dritë pune e çiltërsi njerëzore. Kjo dritë është dhunti, është uratë Perëndie, është gen i familjeve e fiseve të cilët hijeshojnë vendin, Sohodollin e fisnikërisë. Sapo kaluam Kubenin e morëm djathtas në pjertësinë e fushës, në të djathtë të përroit të Gjelagjoshtit u ndodhëm në Sohodoll. Tek vështronim peizazhet, shtëpitë e reja, kullat, tokat, pemët e veshura me petkun e argjendttë të vjeshtës, ndër mend më vinin plot kujtime, gjurmë pune, krijues, të urtë popullorë në oda, urtësi e alegori në dasma e hidhërime, të urtë popullorë, intelektualë të shquar, miq e shokë të ndritur të Sohodo-llit. Për to dhe traditat e Sohodollit nuk do të mjaftonin disa reportazhe a libra, jo më një shkrim i thjeshtë (reportazh) si ky i yni, ku ua kushtoj brezave të urtësisë e zemërbardhë të këtij fshati, me gjurmë të rralla kulture e fisnikërie nëpër vite.

Ku janë ato pleq bujarë?…

Tek po afroheshim Sohodollit, sapo kaluam Gjelagjoshtin, m’u kujtua vargu i poetit të lashtësisë Pjetër Budi: Ku janë ata pleq bujarë?
Vërtet pleq të urtësisë e të bujarisë me vijnë ndër mend, me të cilët kam takuar e biseduar vite e vite më parë. Ata janë gdhendur në kujtesën time, si të paharruarit: Isuf Tufa, Isuf Çela, Miftar Cibaku, Idriz Cibaku, Lutfi Titini, Islam Cibaku, Sheh Regjepi, intelektualë gjurmëlënës e të talentuar si Bexhet Osman Cibaku, Shuaip Methasani, Xhemal Haraçiu, Fadil Merdini, Zylfi Tafa, Shyqyri Horeshka, Tahir Çela, Bashkim Makishti, Shaban Shehu, Shqipe Methasani, Zade Methasani, Shkurtë Xhediku, Qatip Cibaku, Xhelil Cibaku, Fejzi Cibaku, Bardhul e Esat Cibaku, Abdullah e Taf Merdini e plot të tjerë.
Kujtova ish mësuesin tim të nderuar këtu e gati 55 vite më parë, të talentuarin Shyqyri Horeshka (i vetmi që jeton sot nga të gjithë ish mësuesit e mi). Kujtoj ish tre kryeinspektorët e DA Dibër nëpër vite, bij të Sohodo-llit: Refik Çela, Fariz Cibaku e Pajtim Velia, gjurmëlënës në frontin e dijes e të drejtimit arsimor. Kujtoj bijën, mësuesen e talentuar Nderime Methasani, bijë e Sohodollit, ish mësuese në Pezë-Helmës të Tiranës, e cila u nda nga jeta në moshën migjeniane, duke lënë pas dritën e diturisë, kujtime të paha-rruara. Kur kujtoj vargun e Budit: “Ku janë ato pleq bujarë?”, shtojmë se sot kemi plot intelektualë, bija e bij krenarë. Krenari bre-zash, krenari jete e diturie gjen te njerëzit e mirë të Sohodollit.

Dy pika loti
për Prof. Dr Nuri Abdiun

Në afërsi të Sohodollit sikur m’u shfaq i thjeshtë, i dashur, i qeshur e madhështor i shtrenjti, shkencëtari, miku im i paharruar Nuri Abdiu. Sohodolli ku u lind e kaloi fëmijërinë e parë, Dibra e Shkodra, Tirana, Prishtina, Tetova e gjetkë ku ka lënë gjurmë kurrë se harrojnë. Edhe vëllezërit Fehmiu, Sabriu (ndjesë pastë) e Ismet Abdiu, secili më i mirë se tjetri, edhe farefisi, nipat e mbe-sat, fshati, brezat e intelektualëve në komb e në dijasporë krenohen me Nuri Abdiun. Midis shumë e shumë kujtimeve para shumë viteve m’u kujtua fakti se si ky vigan liberator, shkencëtar i psikologjisë, me plot meritë Hasan Tahsini i shekullit të 21-të, ngriti zërin në sallën universitare ku kishte akademikë nga Tirana e Shkodra, duke thënë me çiltërsi e dashamirësi: 10-ën ia jep jeta Mevlud Bucit! (Pra, i mbeti peng përse më vlerësuan me rezultatin 9-të, shumë mirë.) Kush e di sa e sa kujtime ruaj këtu e gati 50-të vite për këtë intelektual e akademik të shquar.
Jo për nostalgji, por për dhimbje e krenari, thellë në zemrën time në vendlindjen e tij dy pika lot malli për të pavdekshmin e provave të diturisë, të ndriturin Nuri Abdiu.

Biri i Sohodollit

Në Sohodoll, cilido që shkon, gjen vlera të rralla, emra që i rrezatojnë trevës së Kastriotit, Dibrës, Kombit e Diasporës. Në shkollën e këtij fshati u arsimua poeti, shkrimtari, studiuesi dhe me plot të drejtë filozofi Agron Tufa. Për ne të vjetrit dhe brezin e ri të krijuesve, Agron Tufa përbën modelin, talentin e kohës së re. Në një stendë të shkollës së fshatit së bashku me fabulistin e shquar Ferit Lamaj (të cilët kanë respektuar brezat e nxënësve e të mësuesve) zënë vend nderi në katin e dytë. Cilitdo njeri apo intelektual vlerën ia jep vendlindja e tij. Në vendlindje matet pesha e fjalës, drita e veprave, gjurmët e jetës. Agron Tufa ka vepra bashkëkohore për sot dhe për brezat që do të vijnë. Librat e tij janë një thesar i vyer për letërsinë shqipe. Me të drejtë intelektuali i shquar Vasfi Bexhet Cibaku, zv.drejtor i shkollës së Sohodollit, e krahason Agron Tufën me Kadarenë. Ne dhe cilido që takuam krenohej në shpirt me Agron Tufën, me librin e tij më të ri “Kafshë dhe fantazma” i cili mori çmimin libri më i mirë i vitit në panairin e librit në Tiranë.
Urime Agron Tufa! Penda juaj mban bukurinë, thjeshtësinë dhe urtinë e vendlindjes, Sohodollit.
Me ty krenohen brezat, kurdoherë penda dritë!

Shkolla e Sohodollit,
vatër drite dhe veprimtarish

Në Sohodoll rrezaton dritën e kohës, dritën e reformimit stafi petagogjik me 23 mësimdhënës të palodhur. Është shumë e vështirë për cilindo që të veçojë emra mësuesish, sepse çdo edukatore, mesues i ciklit fillor dhe i ciklit të lartë ka përvojen e rij, dhe dallohet në punën organizative me klasën dhe jashtë saj. Drejtori Sulejman Abdiu dhe zv.drejtori Vasfi Cibaku u prin punëve mësimore-edukative dhe veprimtarive. Këta drejtues të përkushtuar dhe stafi petagogjik veprojnë në bllok, duke e bërë shkollën qendër konunitare. Rëndësi të veçantë i kushtojnë mësimdhënies reformuese, veprimtarive me librin, kurseve me rrethe shkencore, njohjes së traditave, përvojave brenda dhe jashtë shkollës.
Në shkollë janë bërë model mjaft kënde e rrethe shkencore si dhe punohet me nxënësit me prirje. Të lënë përshtypje këndet:”Takim me shkrimtarët”, “Letrari i ri”, “Për një shkollë me vlera”, “Shkolla e hapur për komunitetin”, “Këtu fillon e ardhmja”, “Këndet për fizikën, gjuhën shqipe, matematikën, veprimtaritë, traditat e plot të tjera.
Kjo shkollë shquhet për cilësinë e mësimit e të veprimtarive. Shkollë që rrezaton vlera komunitare, dritë dije dhe lidhje të ngushta me prindërit.

•••

Në Sohodoll, cilido që vete, mëson atë që e kanë thënë brezat dibranë: “Kap e merr”. Kjo do të thotë se në Sohodoll ka të Zotë, të ditur për çdo derë e fis dhe kudo që ta vendosësh, i ri apo i vjetër qoftë, ai e bën.
Me krenari zemre e theksojmë se biri i Sohodollit, gazetari i shquar kombëtar Defrim Methasani kohët e fundit u vlerësua me çmim të 3-të në Gjermani, midis mjaft gazetarëve të Europës. E pason udhën e gazetarisë, e bija e Defrimit, bija e Sohodollit gazetarja e shquar Luna Methasani.
Ku rrjedh, pikon – thotë populli. Me Sohodollasit biseduam edhe për doktorin e talentuar Selim Horeshka, që sherben tashmë në Tiranë, për ushtarakët që nuk jetojnë më, por kanë lënë gjurmë si: Agim Methasani e Pellumb Cibaku.
Dritë diturie, dritë pune e bujarie gjen te cilido në këtë fshat. Na mbeti peng se nuk takuam të urtin popullor Shemsi Zuna, se nuk shkuam në kullën e dëshmorit Rexhep Zuna, por këto si edhe intelektualët e arsimit të këtij fshati së bashku me veprimtaritë e tyre do të jenë objekt i një shkrimi tjetër. Përsëri kur largohemi nga Sohodolli mendja na shkon për ata që i kanë dhënë dritë këtij fshati, si poeti i ndritur Agim Vinca (me gen nga Sohodolli), poeti shkrimtari e filozofi Agron Tufa, Hasan Tahsini i shekullit të 21-të Nuri Abdiu. Autorët e librave për Sohodollin si Shuaip Methasani e Qeram Cibaku, drejtuesit e palodhur arsimorë Sulejman Abdiu e Vasfi Cibaku e plot të tjerë. Në mendje na buron ajo që kemi thënë në fillim të këtij reportazhi:
Sohodoll të qofshim falë,
Me breza drite e zemërbardhë!