Sonete nga Naim Berisha


UJI I MURRËS SHKON I QETË

Uji i Murrës shkon i qetë
Dalëngadalë derdhet në Drin
Ah, sikur të isha vetë
Sall, një gjethe që fëshfërin

Sall një gjethe, deg’z a fletë
E kësaj vjeshte të verdhë si ftua
Të mbytesha unë në Drin e det
Për inat t’vashës që dua

Dhe të dilte të kërkonte
Djalin që preu në besë
Qiell’ i vjeshtës ta tmerronte
Me gjëmimet e rrufesë

Ujë i Murrës rrjedh i qetë
Dalëngadalë mbytet në det.


NJE LULE E PARAKOHSHME
PRANVERE

Më rrëshqiti këmba, befas, mbi dëborë
Dhe një lule vere, ndërkohë, seç pashë
Embëlsisht, e putha, e mora në dorë
Pasi në gjunjë mbi të unë rashë

Papritmas, dëbora në bjeshkë u shkri
Dhe lulet, gjithkund, sythet i çelën
Ndërkaq, m’u ndërmënd e para dashuri
Me vajzën si gonxhe, Entelën

Kështu, mendova se dashuria s’vyshket
Ngase mijëra sythe çelin në çdo stinë
Për mua dhe Entelën, mosha përtërihet
Se çdo ditë që vjen na shton dashurinë

Qyshkur isha djalë, kur kaptoja malet
Për dashurinë pashë, se edhe jeta falet.

PASKA MBIRË NJË MOLLË

Faqemollë, buzëshegë
Frut i pjekur në një degë
S’i gjej fjalët, ç’të të them
Faqekuqe, mollë në gem

Goja jote, shegë e çarë
Më ka lënë në gushë një varrë
S’qenka vragë, një blu e hollë
S’më le shteg, moj faqemollë

Ra një vesë përmbi rrafshnaltë
Mollë e ëmbël porsi mjaltë
M’u në mes yllsisë së krushqve
Paska mbirë një mollë e kuqe

Paska mbirë një mollë e kuqe
Thashë, ta marr për nuse.

PEIZAZH ME KASHTËN
E KUMTRIT

Në prag të një avllie
Aty, në shteg të Kurtit
Sajojnë një korije
Vashat shtatselvi

Mbi krena ç’m’u digjet
Flakë Kashtë e Kumtrit
Ç’m’u bënë vajzat valë
Të lumit Drin i Zi

Ç’m’u bënë vajzat valë
Valë shkumëpërndezura
Në sevda ç’më ranë
Me Malet e Zeza

Mbi Malet e Zeza, n’Korijen e Kurtit
Digjet shkulm i Drinit me Kashtën e Kumtrit.

BUKA E VJETËR

Do vete vrik një ditë në Sqezhë
Të pjek dikë, një ish-dashnore
Pa do të vesh kostumin bezhë
T’i sjell në mend vjeshtën malore

Kumbull e bardhë, unë do ta thirr
Qeshke, ende, si një rrushkuqe
Porsi në baltë një xhevahir
Shndritke me erën posi burbuqe

Qe kohë e keqe kur unë të doja
Ose, më saktë, qe zi e bukës
Asgjë më shumë s’do të mund të bëja
Sikur t’më shtynin me qytë të pushkës

Nga bukë e vjetër në paç thërrime
Do të vish me mua! Je nusja ime.

TË DIGJESH PËR DASHURINË

Do të shtrihem, tani
Barkas, përdhe …
Qe të ndiej nga afër
Erën e tokës, afshin e ugarit

Të vijnë zogjtë e qiellit
Me gaz dhe hare
Dhe të më mbulojnë
Me flatrat e tyre dhe fijet e barit

Ashtu i shtrirë
Do të doja të flija gjatë
Si, dikur, në plevicë
Mbështjellë me pendët, barin e kashtën

Në muzg, në mëngjes, në mbrëmje a mesnatë
Le të vijnë vajzat e fshatit dhe të më vënë flakën.

FLUIDITET

Në sytë e tu, seç shoh një dritë
Që s’e kam parë në mijëra vjet
Ndaj më magjeps imazhi yt
Më lumturon, më mbush me jetë

Bëj të të prek, po s’të prek dot
Se ti fluide bëhesh, ndërkaq
Por unë nuk di të qaj me lotë
Ashtu kokulur si një humbaç

Rishtaz, rishfaqesh si valë e Drinit
Një shkulm rrëkeje seç më lë pas
Bashkë me aromën e lules së blinit
Lë një ofshamë, një buzagaz

Tash sytë e tu ku ndrijnë, vallë
Gjithkund, besoj, si në përrallë.

MALLI I SHKRETË

Dhe sythet e brishtë, që selit natyra
Dhe kopshtet me mollë ku të çmend aroma
Shto dhe tërë peisazhet, krejt, ngjyra-ngjyra
S’qenë më të bukura se gjithë vajzat tona

Mes vajzave të bukura, ajo qe e rrallë
Një yll i largët, që koha s’e treti
Për këtë, ndoshta, e ndiqja me mall
Yll i largët qe, yll i largët mbeti

Nis e kujtoj ditët kur ishim studentë
Netët me hënë, me zogj dhe me flutura
Siluetë e saj s’më shqitet nga mendtë
E thjeshta, e ndritshmja, e bukura

Ah, ky mall i ngratë, ky malli i shkretë
T’kisha qënë dhe shkëmb, do t’më kishte tretë.

NJË PENG BUKURIE

I gëzohem jetës sime, ngaherë
Jetës së ngritur me duart e mia
Mendoj si dimrin e kthej në pranverë
Teksa marr fuqi veç nga dashuria

A thua se askush s’qenka, vallë, si unë
Përderisa ndihem mirë në strehën time
Shkoj e vij nga puna dhe prapë jam në punë
Ngre kështu të ardhmen me një mal mundime

Ngre kështu të ardhmen në një kënd të botës
Ngroh dashuritë njësoj sikur dielli
Teksa puth të dashurën në prani të gotës
Diç më gërvish zemrën si ferrë trëndafili

Njësoj sikur gurin pika e thërmon
Një peng bukurie, fshehtas, më lëndon.

NJË VRUG I GJALLË

E zënë në faj, herë pas here
Si vetëtimë ndizesh, në të rrallë
Unë, një mugull i blertë pranvere
Ti, një shkretim, një vrug i gjallë

Tani, të të flas është e kotë
Se ti po lut një tjetër jetë
Detin në këmbë s’e marr dot
Sikur të bëhem edhe me fletë

E humbe freskinë vajzërore
Nuk të feks më në sy e faqe
Dhe buzët e tua epshore
U zbehën si dimrat në parqe

E di, prej kohësh, ke lojtur mendsh
Ik, pra, shko, si bëfsh, gjetsh.

NËPËR ZJARRE VJEN PRANVERA

Do t’i shtrydh retë e qiellit
Dhe me shiun do të flladis
Luleborën e brishtë të prillit
Lulebardhën si oriz

Se nëpër zjarre vjen pranvera
Shpirtra e pemë përtërin
Të thatin gjeth seç e merr era
Rij e njoma në kopshtin tim
Rij e gjelbra në vjershërime
Si cijasjet në fllad të erës
Le të digjet kjo zemra ime
Bashkë me pajën e pranverës

Bashkë me pjalmin e zjarrmisë
Digjet shpirt’ i dashurisë.

PËR SHKAK TË ËNDRRËS

Për shkak të ëndrës, s’e kam njohur frikën
Kundër saj kam shkruar dhe në shputë të dorës
Në lëvore plepash, shpesh, e ngulja thikën
Dhe shkruaja mbi të, në vend të fletores

Endrrën të mbushur me jetë e kam pasur
Si mali me lisat, si deti me valët
Sa herë që me muret, natën, jam përplasur
Endrrat, ndërkohë, më shëronin plagët

Endrrën e kam pasur, ngaherë, të shenjtë
Me shpirt e kam dashur dhe e dua shumë
Vetëm me ëndrën kam çarë në jetë
Kam ecur pa ngrënë, kam pritur pa gjumë

Si gjënë më të shenjtë e ruaj në shpirt
Vetëm me ëndrrën, natën e bëj ditë.

VAJZAT E RADOMIRËS

Vajzave të Radomirës
Të mirat nuk iu ranë prej qielli …
Me qumështin që i mjelin hënës netëve me hënë
Mëngjeseve mëkojnë çdo rreze dielli

Pastaj ngjiten Korabit, shpatit të thepisur
Një nga një, ngjitin Shkallët e Vjetra
Secila, ndjesimolisur
Secila, më e bukur se tjetra

Sapo mbërrijnë
Një kënd të Lëndinës së Lotëve
Djegur mallit për djemtë e Kalasë …
Vajzat e Radomirës kthehen në lule zonje

Kthimi i vajzës në lule dhe i lules në vajzë
Eshtë motiv i lashtë, viseve të Kalasë.