Ç’KEMI ASAJ DIBRE


 


Tetor 2016


Ky muaj ka qenë i begatë për Dibrën. Deputetë, ministra, qeveritarë, drejtorë, opozitarë, kryetarë partish, të huaj, vëzhgues, shoferë, pastrues, të larguar e të harruar, iu rikthyen Dibrës së paku për një vizitë. Bënë ndonjë fotografi për të hedhur në Facebook, hëngrën jufka me çull a mish pule dhe u rikthyen në Tiranë. Sigurisht, me fitore. Zgjedhjet mbaruan.

U shpall edhe fituesi. Ditën e votimeve militantët rrinin syhapur se mos kundërshtari u vjedh një votë, por kur votat shkuan mbi katër mijë, hajdut doli se ishte Hash-ashi… Hash-ashi nuk është njeri. Ca thonë është drogë e ca të tjerë bimë mjekësore. Ndërsa për disa është shkëputje nga varfëria, së paku për ca muaj, sa nuk i ka zënë…

Aq shumë është mbjellë, sa thonë ia ka kaluar edhe kumbullave, edhe mollëve. Por askush nuk i ka parë dhe askush nuk ka mbjellë. Vetëm tregohet se ku, por kur dhe kush nuk dihet… Ca thonë i ruan policia, ca i ruajnë tepelensit, ndërsa për të tjera i kultivojnë lazaratasit… Sepse Dibra është e madhe dhe kryeministri ka thënë se “i ka dhënë mend gjithë Shqipërisë”. Por me Hash-ashin ato mend që ia kemi dhënë, do t’ia marrim tani pas zgjedhjeve… Partitë akuzonin njëra –tjetrën se në Dibër kanë çuar militantët dhe ekstremistë. Por dibranët treguan se kanë prit e përcjell gjithmonë miq, sepse edhe kur e ka pas magjen plot, edhe kur s’ka pas bukë për vete, derën e kanë mbajtur gjithmonë çelë… Ndaj i priti edhe këtë muaj vjeshte miqtë nga Jugu në Veri dhe me këtë rast u dha edhe shembullin se si fitohen e humben zgjedhjet…

Gojët e liga thonë se PD e humbi Dibrën se pati aleat Kreshnikun, ndërsa PS e fitoi se pati aleat Kaubojsin… Thonë, gjithashtu, se PS fitoi këtë herë se kishte aleat “çamët”. Një vit më parë fitoi se kishte aleat “grekët”. Ndërsa vitin e ardhshëm do të fitojë se do të ketë aleat PD-në… Po shyqyr që pati zgjedhje dhe “Tenderi” u duk edhe nga Dibra… Tender për bulevardin, tender për unazën, tender për shkollën, tender për spitalin… Plot 30 brenda një muaji… Erdhën zgjedhjet, se e kishim harruar fjalën…

Zhurmë e madhe u bë me akuzat se pati shitje. “U shit populli”, vunë kujën sikur të kishte ardhur fundi i botës. Kur shiten vetë, nuk e merr vesh njeri, se e kanë çmimin e lartë dhe pazari bëhet në parlament ose te Sheratoni…

E vetmja gjë që nuk shkoi në zgjedhje ishte dita kur u numëruan votat… Sepse Kryetari i ri u zgjodh natën e Kurban Bajramit dhe duhet ta ndajë pushtetin gjysëm për gjysëm, si keci që therëm… Por si i bëhet halli që janë tre aleatë?… Pas zgjedhjeve duket se u anulua edhe HE C i Katundit të Ri! Nuk u mor vesh nëse qeveria po mendon Skavicën e madhe, investitori doli gulinist apo Gjiknuri u kthye në dibran…

Për rrugën po shtohen shpresat. Vetëm se si gjithmonë, na dhimbset qeveria dhe duam ta heqim tunelin… Ç’na duhet… Ne kemi kërkuar rrugë, nuk kemi kërkuar tunel… Korabi vërtet doli në kategorinë e parë, por po vuan shumë për fitoren e parë…

S’po e lënë gjyqtarët të ngrejë kryet… Se po fitoi, është hall i madh: kush ndërton stadiumin dhe kush udhëton kaq larg… për një ndeshje futbolli… Është shtator dhe mollët po i vjelim… Por është hall i madh se s’kemi ku t’i çojmë… Të ishin pjekur para datës 11, do t’ia shisnim ndonjë ministri a deputeti…