Ç’kemi asaj Dibre!


Foto Edmond Hasani

Foto Edmond Hasani

Ra bora dhe u pamë. Sa të bardhë ishim nga jashtë dhe sa të zinj nga brenda… U rrit çmimi i biletave për Peshkopi me 200 lekë që ditën e parë të Vitit të Ri.
Qeveria u lodh shumë duke nxjerrë deklarata për rrugët e hapura dhe ato ku përdoren zinxhirë. Rruga për Lurë, njoftim pas njoftimi, thuhej se ishte e bllokuar. Si nuk e bënë një njoftim në verë që rruga është e hapur, se si shi, si borë dhe si diell, rrugë për Lurë ka pasur dikur, por tani nuk ka…
Dhe meqë nuk ka rrugë, ndihmat i çojmë me helikopter. Lurjanët në komunizëm i deshën patatet e ziera, kështu që ndihmat i duan gjysmë të gatuara, ndaj i hidhnin nga helikoperi…
Ata që kishin të hanin, ngopeshin dhe dilnin të prisnin ndihmat, ata që nuk kishin, nuk dilnin të lypnin…
Meqë qe ftohtë dhe pati borë, shohim se edhe kush na qeveris: sepse dalin në foto ose i montojnë në kompjuter, që të duken si të dhimbsur për popullin, që rri brenda, ngrohet te zjarri dhe hanë pulë me jufka e lozin domino… Ndërsa qytetit dalin sa për të thyer ndonjë brinjë, pasi rrugët nuk i pastron kush…
Shkollat u mbyllën nga bora. Pati zëra se u mbyllën se shkollat ishin pa ngrohje – ndryshe nga çfarë ishte propaganduar, por këta zëra vinin nga bregu i Lanës në Tiranë…
U hap lajmi andaj nga fshatrat e Bulqizës se ujqërit kanë sulmuar nxënësit që shkojnë në këmbë në shkollë… Duhet të kenë qenë njerëz që kanë ulëritur si ujk, që të bëhej lajm, e nga lajm problem. Se ndryshe nuk kujtohet kush t’u gjejë një furgon fëmijëve, së paku në këto ditë të ftohta…
Fillimi i Vitit të Ri erdhi me avaze të vjetra. Kryeministri premtoi premtimin tre viteve më parë, dy viteve më parë dhe një viti më parë: Rruga e Arbrit do të fillojë shumë shpejt… Këtë vit me siguri do fillojë, pasi kemi zgjedhje…
Ndërsa ne presim që qeveria të fillojë Rrugën e Arbrit, ministrja njoftoi se ndërtuan rrugën në Kurdari e Kurqelaj…
Na e pushuan edhe një ministër dibran. Ky ishte i dyti. Populli thotë lloj-lloj arsyesh se pse e shkarkuan, por unë kam mendimin se i pari u shkarkua se ishte Shkëlqim dhe shkëlqente, ndërsa i dyti ishte Yll dhe shndriste! Tani do qajmë hallin se ka mbetur qeveria në errësirë…
Korabit i shkoi një fazë kampionati duke kërkuar fushë dhe fitore. Të parën ia heqin se nuk bën pazar me ndeshjet, të dytën nuk ia japin se nuk do arbitri. Hajde e merre vesh pastaj pse 22 lojtarë ngaredin pas një topi…
Gjithë PS-istëve, PD-istëve dhe LSI-stëve u them të mos mërziten se pse ka çam në Dibër, sepse nga dy fitore Korabi në këtë sezon, njërën e mori në Peqin…
Lajm i mirë është se stadiumi në Peshkopi, premtim pas premtimi, ka filluar të rregullohet. E kemi rrethuar me llamarina… si shesh ndërtimi…
Tani, lexues, e di që do më pyesësh se “Ç’kemi nga Dibra e Madhe”?
-Eeeeee hhhhaaaaaaaaaaa!