Dibra nën dëborë


Foto © Grehans Uka

Në kthimin tim në Dibër pas shkëputjes së parë të gjatë; fiks tre muaj mu dashuruan sytë me pamjen që ndesh në të hyrë të qytetit, aty mbi kodra tek futesh në Dobrovë. Këtë pamje nuk ma lanë pemët ndanë rrugës, ti cilat rrëshqisnin mbi sytë e mi, dhe unë nuk mundja të ngopesha me pamjen që me kënaqësinë time ndeshej për së pari herë. Kjo më ngjate si ekran televizori të cilit dikur i mungonte sinjali.
Edhe këtë herë pamja e njëjtë, ekrani po ashtu pa sinjal, pemët rrëshqitën mbi sytë e mi tek furgoni veç soste dishezën, po e njëjta pangopësi me panoramën (vras mendjen si mund të ngopen sytë), por diç më qartë, diç më kthjellët,. sepse pemët ishin lakuriq. E gjithë lodhja e rrugës shterohet nga kjo pamje. Tek futesh më thellë, ndjen se ky vend është një vakum përthithës thënë parimisht vetëm nga çfarë shohin sytë duke mos i përzier ndjenjat. Mandej shpërfaqen çatitë rrotull xhamisë së vjetër, secila prej çative tymos, në sinkron me llullat e pleqve dhe pashmangshëm të shkon mendja se aty brenda ka jetë, kuvendohet dhe se zakoni po gjallon akoma. Nëse për pak e provon të humbësh sensin e kohë-hapësirë, këtu gjithçka të shpall; Dibër dhe dimër.
Anipse dimër qyteti gumëzhin. Gumëzhin në formën më të çlirët, në mënyrën më poetike, gumëzhin pa qëllim. Bulevardi është pikëtakimi. Edhe këtë herë plot. Këtu takohen të gjithë; miq, shokë, familjarë, nga i pari i qytetit tek i fundit. Këta njerëz të gjithë mbartin një hall, një brengë dhe presin të takojnë një shok asnjë mik e të zbrazen.
Këtu këtë fundvit po lidhen shumë krushqi. Viti i ri i mbledh të rinjtë në këtë bulevard dhe beqarët kërkojnë të nisin një jetë. Në të kundërt të Tiranës (ku po studioj) këtu njerëzit njihen, përshëndeten në rrugë. Nuk i bën dot dhjetë metër pa njohur dikë. Ndoshta kjo është pasojë e qyteteve të vegjël, por se kam ndeshur këtë as në qytete më të vogla, gjë që më bën të besoj së këtu njerëzit ruajnë në thelb një harmoni, një respekt që s’ka mund me e zhbërë koha.
Këtu takohet edhe historia; i pari qëndron Elez Isufi, mandej Skënderbeu, pastaj Iliaz Pasha e me radhë. Ata buzëqeshin, japin selame tek iu dridhen cepat e mustaqeve. Shpesh duket sikur thonë që Dibra ka qenë dhe do jetë. Unë ndalem, i përshëndes, ju shpreh një mall që ndonjëherë as veten se njoh e më tej vazhdoj rrugën për në fshatin tim.
Po ai fshat, por malli më i dendur, më i ngjeshur. Nuk jam larguar më shumë se tre muaj nga ky vend. S’po hyj t’i bëj një analizë nëse s’kam mund apo s’kam dashur, por një gjë me lidh aq fort; gjaku sigurisht. Oborri i shtëpisë sime i njëjti veç luleve që nuk ishin, (i ka prish ngrica thotë ime më), dhe prindërit disi më të plakur. Çdo herë kur vij i gjej më të plakur. Koha nuk ndalet, ose ne nuk ndalemi. Vras mendjen si do ketë qenë fshati im para dy-treqind vitesh. Filloj e urrej faktin pse teknologjia është zhvilluar kaq vonë dhe unë nuk kam foto të atyre viteve.
Mëngjeset janë të njëllojta. Dhe mbrëmjet po ashtu, veç mesditës kur sillem rrugëve me shokë e kushërinj. Toka krejt e murrme. Nuk e dua vitin e ri kështu. S’e di në iu ndodh edhe juve që kjo ngjyrë toke të mos ju ngjall asnjë kujtim.
Mëngjesi i katërt i këtij viti nuk është më bezdisës. Çel derën dhe shoh gjithë hapësirën e lyer me qumësht, pastaj mendoj jo qumësht…gjizë. Po gjizë, tipike gjizë Dibre (që Tirana e do fort). Bora dhe gjiza janë dy produkte, nëse mund të shprehem kështu, që vendi ynë i ka me shumicë në dimër.
Aty para dere duke çliruar kërpeshin e syve, i lë të shëtisin nga vargmali i Deshatit deri poshtë nga ata të Lurës. Gjithë çka rrok syri janë dy pllaka të mbivendosura, e bluja mbi të bardhë. Ja kështu bëhet vendi ynë; bardhë e blu.
Lehtë një erë fillon të vij nga Korabi. Ai do të dëshmojë prezencën e vet, sepse sigurisht këtë dimër si çdo të shkuar nuk ia var askush. Dielli qet krye mbi vargmalin e Deshatit, e rrezet i përplas mbi dëborë duke krijuar kështu kristale si kjo dëborë të qe diamant. Duhen një palë syze terr të zeza, por sërish nuk duhet mbuluar ky akt demonstrimi i të bukurës me syze, aq më keq të terrta. Kështu që e bukura do sërish sakrificë.
Hedh hapat e parë në dëborë dhe veten e ndjen (siç thotë një miku im) sikur po shtyp mbi niseshte; prruf-prruf. Qumësht gjizë e tashmë dhe niseshte- kjo trajtë e kristaltë duket se na është bërë si ushqim për dimrin. Nuk ka dimër pa dëborë e pa ngrica thonë pleqtë tonë. E gjitha kjo të shpie në domosdoshmërinë e kësaj trajte.
Me të dalë nëpër fshat vëren që rrugët gjallojnë, të vegjël e të mëdhenj kanë dalë e po rrëshqasin kudo që rrugica të tatëpjeta. Ata gjithherë zgjedhin ato më të gjatat dhe më pak të frekuentuarat, sepse aty nuk ua prish kurrkush terezinë; nuk del asnjë plakë të hedhje hì, apo t’ua prishje rrëshqizat me ndonjë shat a kazëm. Këtu të gjithë janë të barabartë, veç faktit se dikush i ka çizmet më të lëmuar dikush më pak.
Edhe pse dëbora është e një trashësie jo të vogël qyteti sërish gumëzhin, po në atë mënyrën e çiltër e poetike, po në atë mënyrën e paqëllimtë. Sërish njerëz me brenga. Dëbora sikur i shton edhe pse dibranët i kanë marrë masat për një dimër të egër që para nëntorit. Jemi popull punëtor dhe ia kemi dalë gjithherë në mote edhe më të egër. Ndoshta kjo na ka bërë mos e duam një dimër pa dëborë.
Kështu llogaritë nuk janë dhe aq keq. Jemi në janar dhe kemi këtë dëborë të dëshiruar. Nëpër trotuare sheh grupe shokësh të cilët ecin tre-katërshe. Ndër to mund të veçoj një grup që tek ecnin i pari i dalë si pozicion jashtë loje, trazon një degë peme dhe dëbora e ndodhur mbi të, iu bie në kokë e qafë te tjerëve. Këto episode përsëriten shpesh, madje dhe unë e kam bërë disa herë. T’ju them të drejtën të jep kënaqësi. Duhet ta provoni!
Nëpër trotuar njerëzit në ecje e sipër kanë krijuar ca si dhiare duke ecur njëri pas tjetrit. Dëbora e shtypur ka marrë tashmë trajtën e akullt dhe vetëm një rritje relativisht e lartë e temperaturave do mundet ta shkrijë. Nuk e merr kush guximin të shkel mbi dëborën e patrazuar, virgjine, por guxojnë të ecin mbi këtë të akulltën, sidomos edhe disa gra të shëndosha. Sa herë i shoh ashtu, ndjej frikë se mos rrëzohen. Por gjithçka shkon për vije; secila ka ose një djalë, ose një nip përdore dhe sigurisht, mundësitë të rrëzohen janë disa herë më të vogla.
Nëpër Bulevard, punimet e të cilit i ndërpreu ngrica, e tashmë i vulosi dëbora gjenden paleta me pllaka guri. Këto krijojnë forma kubike dhe gjithë ç’përfitojnë sytë, janë forma abstrakte, të pa qëllimta duke qenë një art më vete në mesin e skulpturës dhe pikturës
Nëpër lagje, fëmijë, banorë të pallateve kanë ndërruar banim; natën janë në pallat, ditën janë poshtë në punën e tyre më të rëndësishme të kohës; të bërit njerëz prej bore. Pa u ngopur me dëborën, me pamjen dhe me mallin për familjen më duhet të shkuptem sërish me vendin tim. Më duhet të ik, por jam i bindur që ikja s’do zgjasë tre muaj. Furgonat presin dhe herë herë kam një urrejtje të ndërkryeme për ta sepse ndajnë njerëz. Urrejtje për trenin do ta mbajnë furgonat, duke qenë se trena s’kemi; s’kam ç’t’iu bëj.
Ulem në furgon, nga krahu i djathtë me synimin për të shijuar pamjen. Furgoni niset me përtacinën e vet. Po me atë përtaci e ngjit kthesën e Bulkallarëve. Çan tej nëpër Dobrovë. Dyqanet rrëshqasin dhe ata para syve të mi. Tërë ato ndërtesa rrëshqasin. Mandej shfaqet pamja ime e shumëdëshiruar me gjithë pemët që më pengojnë. Malli zë fije prapë në qenien time fillon të tjerret në boshtin e kujtesës sime.
Do thoni ju; po pse nuk del tek ajo kodra në këmbë dhe të ulesh aty me orë të tëra e të ngopesh me pamjen e dëshiruar, të çmallesh me vendin tënd? S’ju ka shkuar mendja? Jo? Normal, s’ka si ju shkon. Po mirë, jua them unë.
Nuk jam ndal dhe as nuk do ndalem kurrë aty sa të kem jetën, vetëm për një arsye: nuk dua të ngopem me vendin tim, dua gjithnjë të kem një boshllëk nga ky vend dhe ky boshllëk të jetë magneti që më tërheq, të jetë e paplota ime. Duke pas këtë boshllëk do çmallem me intervale të shpeshta e të shkurtra me vendin tim, si një lidhje që s’do shkëputet kurrë. Si një litar i gërryer nga sëpata, në mes me një fije çeliku që se pret dot asgjë. Si nevoja dhe mundësia që rreken jetësisht të plotësojnë njëra-tjetrën.