Gjon Dugilaj, shkodrani që dashuron DIBRËN


Një mjedis me një emër domethënës “Tradita Geg&Tosk”, shkurt “Tradita”, siç e thërresin në Shkodër… mbi të gjitha me një muze vlerash etnografike, reliktesh nga e gjithë Shqipëria…

Një mjedis i veçantë që kishte hapur portat për mysafirë të rrallë, mësues e mësuese të ardhur që nga kufiri polar e deri nga ultësirat e Egjeut, mësues që vullnetarisht (!) pa asnjë stimul moral e material, kanë vendosur të sfidojnë kohën, të bëjnë atë që bënë Rilindësit e Kombit, tu mësojnë fëmijëve të mërgimtarëve të flasin, shkruajnë e këndojnë shqip.
Një mjedis me një emër domethënës “Tradita Geg&Tosk”, shkurt “Tradita” siç e thërresin në Shkodër: me dhoma hoteli, restorant, bufe, por mbi të gjitha me një muze vlerash etnografike, reliktesh nga e gjithë Shqipëria…
Ndërsa përgatiteshim për udhëtimin e lamtumirës u takova me pronarin e kompleksit, me z.Gjon Dugilaj. Kur iu prezantova si dibran i qeshi fytyra. U ula për të marrë me vete zërin e tij…
Unë quhem Gjon Dugilaj. Jam apasionant dhe koleksionist i etnografisë shqiptare. Një prej pasioneve të mija ka qenë për t’i mbledhë kostumet dhe për t’i ruajt në një ditë shprese që të kem një nga muzetë më të mëdhenj në Shqipëri dhe padyshim më të madhin në Veri.
Nuk është vetëm pasioni për t’i mbledhë, është edhe pasioni për t’i njohtë në dizajn, për ta dijtë se ku dhe si erdhën këta dizajn deri në ditë të sodit, si njerëzit arritën për t’i ruajt këta dizajn, si i trashëguan nga brezi në brez.
Kam dy vera që kaloj me ditë të tana në zonën e Dibrës, pra aty ku “Rruga e Arbrit” do të kalojë, ose ma mirë me thanë që nëntoka është më e pasur se mbi toka dhe thania e shkodranëve: “Mençuria lindi në Shkodër, kaloi nëpër Mirditë dhe pushoi në Dibër” nuk asht e pa mençme se është e gjetur.
Unë me të vërtetë nuk mundem me dallue dibranët me mirditorët. Për mue janë një racë, janë një vëlla, kanë njëmijë e njëqind gjana të përbashkëta, thjeshtë përdorin dy emra, apo më mirë me thanë kanë dy besime. Mençuria që thonë se kalue në Mirditë e në Dibër, unë them se ka pushue aty, por kufini nuk ka ekzistuar në atë kohë.

– Rruga e Arbrit” në të vërtetë nuk asht gja tjetër vetëm se një bashkim shpejtësie i Kombit Shqiptar, asht edhe nji zhvillim ekonomik…

– Lura për mua është një shembull i jashtëzakonshëm, shumë i madh për popujt e botës jo vetëm për Shqipërinë, është një fshat i miqësuem gjys katolik dhe gjys mysliman që kalojnë në një harmoni të jashtëzakonshme. Kur shkon në Lurë të duket sikur bota fillon dhe mbaron aty.

– Kostumin e Zerqanit e dashuroj. Asht kostumi që mund të ketë elegancën ma të bukur që kanë femrat shqiptare… asht edhe shumë elegant, plus që asht i vetmi kostum shqiptar që ka njëqind për qind ngjyrat kombëtare shqiptare.

Megjithatë do të kisha dashtë me cilsue disa momente të mia në mbi tokën e Dibrës.
Për mue Zerqani mbetet një nga pasuritë ma të mëdha që etnografia dibrane ka. Reçi është një pjesë tjetër shumë interesante. Kalaja e Dodës ka interesantet e veta ku njerëzit flasin për kishat, pavarësisht se i përkasin besimit mysliman dhe çuditërisht ata tregojnë me mençuri dhe zgjuarsi tokat se ku ishin kishat.
Në shumë fshatra të tjerë të Mirditës flitet për të njëjtën gja çka do të thotë se një popull që ka kulturë, që e donë të ardhmen, ruen edhe të kaluemen, flet për të, e kujton, u thotë edhe brezave se çfarë ishim, çfarë jena dhe çfarë mund të jena.
Krahas kësaj historie dhe kësaj trashëgimie që kam jetuar në Dibër, njëkohësish mandej kam qenë i interesuem për etnografinë.
Kostumin e Zerqanit e dashuroj. Asht kostumi që mund të ketë elegancën ma të bukur që kanë femrat shqiptare. Duke pas parasysh edhe terrenin e thyem kostumi i Zerqanit asht i përshtatshëm jashtëzakonisht shumë me terrenin, njëkohësisht asht edhe shumë elegant, plus që asht i vetmi kostum shqiptar që ka njëqind për qind ngjyrat kombëtare shqiptare.
Fakti është që Dibra dhe Mirdita, për mendimin tem, janë dy zonat që kishin ma afër dhe ma pranë gjakun e Skënderbeut. E zeza dominon në shumë kostume të zonave të Dibrës çfarë do të thotë se dhimbja për Skënderbeun ishte shumë e fortë. Në qoftë se do kthehna pesëqind vjet ma para ngjyra që dominonte ishte kryesisht ngjyra e bardhë, dominonte në kostumin shqiptar. Për shembull te kostumi…te kostumi (po e kujtoj ma vonë manej)
A. Ashiku. Trevës të Lurës
Gj. Dugilaj: Të Lurës po e po sepse Lura ka lidhje edhe me Veriun, tjetër gja asht interesant por i këtyre nomadëve që ishin me bagëti, si quhen.
A. Ashiku: Çobanëve…
Gj. Dugilaj: Jo të çobanëve. Kanë një emër tjetër…Luma.
A. Ashiku: Kalaja e Dodës…
Luma për shembull në përqindjen ma të madhe të kostumit dominohet nga e bardha. Këta ishin njerëz që nuk ishin gjak i afër i Skënderbeut sepse përndryshe e zeza do të merrte forcë shumë ma të madhe.
Në ato zona që e zeza mori fuqi do të thotë që gjaku ishte shumë i afërt ose lidhjet shpirtërore ishin shumë të mëdha me Skënderbeun. Me këtë rast do të veçoj gjithmonë Mirditën por kur them Mirditë mendoj gjithmonë Dibrën dhe kur them Dibër mendoj Mirditën.
Sheherlijtë kanë finesën e kostumit që asht shumë për tu theksue se pavarësisht se moda vjen nga Perandoria Otomane shqiptarët e stilizojnë kostumin otoman sipas dëshirës dhe shijeve të veta. Pra do të thotë që edhe sot, edhe të rinjtë e sotëm e përqafojnë modën e huej, por gjithmonë e stilizojnë atë me një përshkrim të vogël të Zadrimës apo me disa damarë të Zerqanit.
Prapse prapë do të kthehem tek Zerqani.
Kostumi i Zerqanit është një kostum që përdoret shumë nga Ansambli i Shtetit. Ndoshta fakti që si lundrojnë me këtë kostum, fakti se si ngjyrat kombëtare prezantohen, fakti i elegancës të Zerqanit, them që asht një kostum shumë i veçantë që ka Dibra, plus tjetra që duhet theksue se Zerqani asht nji zonë tjetër që burrat e Dibrës takohen dhe nuk asht rastësi që ata takohen aty që asht një kryqëzim gjeografik, gjeopolitik dhe një kryqëzim edhe luftash, po asht edhe nji kryqëzim burrash. Pra ajo që them unë që Zerqani me kostumin e vet e bjen historinë e Dibrës mbrapa, them që do të jetë shumë e vërtetë. Kjo është thjesht një ndjesi që unë kam. Ndoshta ndryshe mund të jetë.
A. Ashiku: Kostumi i grave dibrane…
Gj. Dugilaj: Të grave, po. Do të them një gja. Midis burrave dhe grave shqiptare ndryshimi ishte shumë i madh. Burrat ishin të pasionuar për pazmin, gratë e bukura dhe pushkët e bukura, kurse gratë ishin të pasionuara për të qenë princesha para burrit gjithmonë. Dhe në të vërtetë energjia e burrit vjen nga gruaja çka do të thotë që burrat asnjëherë nuk ishin të interesuam shumë për të pas kostume të bukura, se bukuria e burrit ishte gruaja. Ky është ndryshimi midis nesh dhe popujve të tjerë. Edhe sot shqiptarët dojnë me pas gruan e bukur dhe makinën e mirë. Pra iku arma. Nga arma kaloj tek metali, makina, kuptohet. Atëherë ishte gruaja dhe arma e bukur, tash asht gruaja e bukur dhe makina e bukur (qeshim).
Gjithsesi do të kthehna tek strategjia e sotme, “Rruga e Arbrit” në të vërtetë nuk asht gja tjetër vetëm se një bashkim shpejtësie i Kombit Shqiptar, asht edhe nji zhvillim ekonomik. Shpresojmë që ka për tu ba shpejt.
Nuk mundemi me lanë pas dore edhe pasurinë e ujnave që Dibra ka. Flas gjithmonë për ujërat e ngrohta termale që njerëzit i andrrojnë. Njerëzit udhëtojnë me qindra kilometra për ti pa se si janë, sepse nuk i imagjinojnë se si uji mund të dalë nga toka me një temperaturë aq të lartë. Asht për tu theksue se në Dibër uji del me temperaturën që i duhet trupit, gjë që nuk ndodh në shumë vende tjera. Dibra e ka këtë pasuri shumë interesante.
Mandej Dibra ka edhe nji gja tjetër. Janë disa fshatra që janë pakicë ose ma mirë me thanë disa popuj që vijnë e instalohen në Dibër çka do të thotë se vetë dibranët ishin njerëz me shpirt të madh dhe i pranuan këta njerëz që sot flasin bullgarisht. Me thënë të vërtetën edhe kostumet e tyre janë interesante. Janë të ndërtuara pak me etnografinë shqiptare, një vlerë që tregon tolerancën e madhe të popullit tonë, ndoshta diçka edhe negative shpesh herë se jo kështu u treguan popujt e tjerë me ne, por na të paktën u treguan tolerant ndaj popujve të tjerë, si me grekët ashtu me bullgarët e Maqedonët. I vetmi popull që u tregua tolerant me ne ishin italianët se vetëm arbëreshët sot flasin shqip pas pesëqind vjetëve kurse pjesët e tjera shqiptare pothuajse jo. Humbën këto.
Dolëm pak nga tema por edhe kjo është një pjesë e bukurisë që Dibra ka. Pse në fund të fundit janë tre-katër fshatra që janë për tu theksue. Në to jetojnë në paqe, jetojnë në harmoni me pjesën tjetër të dibranëve. Kjo nuk ështëmeritë e atyre që kanë ardhë por është tolerancë dhe zgjuarsi e këtyre që i pritën. Edhe kjo është një meritë tjetër e dibranëve.
Asht edhe një fshat tjetër atje afër Maqellarës, një fshat i vogël me ortodoksë. Një tolerancë tjetër atje që edhe ajo ka bukurinë e vet por që atje nuk kam mund me gjet asnjë kostum ortodoks që i përket zonës së Dibrës.
A. Ashiku: Përshkrimi që ju bëni lidhet me disa familje ortodokse në fshatrat Kërcisht i Epërm dhe Herbel. Po për katolikët e Lurës, për të veçantën e saj ku dy vëllezër të një nëne dhe një babe njeri është katolik e tjetri mysliman dhe pashkët e bajramin i festojnë gjithnjë bashkë keni një mendim?
Gj. Dugilaj: Në qoftë se do të kthehna tek Lura për mua Lura është një shembull i jashtëzakonshëm, shumë i madh për popujt e botës jo vetëm për Shqipërinë, është një fshat i miqësuem gjys katolik dhe gjys mysliman që kalojnë në një harmoni të jashtëzakonshme. Në të vërtetë kur shkon në Lurë të duket sikur bota fillon dhe mbaron aty. Bukuritë e saj janë tepër joshëse, jashtëzakonisht shumë, njerëzit janë shumë dashamirës, shumë mikpritës, shumë bujarë, janë të pashëm. Etnografia e tyre është e jashtëzakonshme. Interesante është për të theksuar se lurjanët festojnë festën e Shemërisë në një ditë me arbëreshet e Italisë dhe në një ditë me Hotin e Shkodrës. Ata mendojnë se janë nga Hoti. Është për tu theksue që në Lurë princër dhe mbretër kanë kalue pushimet. Ka kenë një vend shumë joshës edhe për familjet e mëdha.
Kullat e Lurës tregojnë shpirtin e ndërtuesit dhe shpirtin arkitektonik të shqiptarit, por njëkohësisht edhe shpirtin luftarak dhe atë risi që “Shtëpia jeme asht kalaja jeme”. Çdo shtëpi asht një kala, megjithëse varet se si njerëzit i shohin gjanat, por të paktën me syrin tem unë kështu mendoj.
Nji gja tjetër që më ka pëlqye në Lurë asht sasia e madhe e ujit. Nji vend sot për të kenë i bekuem asht uji. Dhe bekimi fillon gjithnjë me ujin…