“Hazis Ndreu me nëntë fusha”


Karrikaturë nga Bujar Kapexhiu

Hazis Ndreu ishte njëri ndër njohësit më të mirë të trevës dibrane, meqë është autor i disa studimeve historike.

Hazis Ndreu është një figurë e madhe e artit dhe historisë sonë kombëtare. Talenti i tij, qysh në fëmijëri ka reflektuar bindshëm në disa fusha artistike, ndaj jo më kot artisti ynë i talentuar Bujar Kapexhiu, tha: Dibra me nëntë male, Hazis Ndreu me nëntë fusha! E kishte fjalën për: aktor, poet, këngëtar, studiues, valltar, koreograf, instrumentist, etnograf e folklorist.
E vështirë është të merresh e të perfeksionohesh vetëm në njërën nga këto fusha. Angazhimi i Hazisit në kaq lëmi, flet për dhuntinë e tij që habit çdo intelektual, e habia më e madhe krijohet në momentin kur e sheh këtë artist të jetë i përpiktë, i përkushtuar dhe tepër i suksesshëm në nëntë fushat e përmendura. Fillet e karrierës, në moshë fare të vogël, i nisi në estradën profesionale të Peshkopisë, fillimisht si aktor, koreograf, këngëtar e instrumentist.
Hazis Ndreu u njoh si një ndër aktorët më të mirë të skenës ku performoi, me zemër të madhe për secilin rol që merrte. Të gjithë ata që e njohën tregojnë se atë kurrë nuk e gjenin të rraskapitur, me gjithë lodhjes që patën ofruar provat për shfaqjet e rolet e ndryshme. E kjo, sigurisht ka ndodhur nga mishërimi me rolet e tij, dhe nga prirja e tij natyrore t’i përgjigjet çdonjërit në pyetjet që i parashtronin me alegori dibrane. Në vitin 1983 u botua vëllimi i parë “Tregime alegorike dibrane”, pastaj vëllimi i dytë “Alegori dibrane”. Vëllimi humoristik “Ordinanci” me rastin e 30 vjetorit të çlirimit të atdheut (1974) ku mori çmimin e dytë në konkursin kombëtar të letërsisë, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe “Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë”.
Vepra e tij poetike është një shpërthim i ndjenjave personale, sidomos në ciklin e poezive atdhetare, ku Hazisi e lidh Dibrën me heroizmat e saj kundër pushtuesve osman dhe sllav. Ka krijuar me mijëra vargje epike, lirike dhe satirike. Kemi vëllimin “Ushtima e Maleve” (1961), “Valët e Drinit të Zi” (1966), “Një trim i Skënderbeut në Dibër” (1969) dhe “Këngë e vargje rapsodike” (1971).
Kush më mirë se ai diti dhe dijë të këndojë natyrshëm këngën dibrane?! Asnjë deri më sot nuk i është afruar, sepse kënga e tij, edhe ato që s’e dëgjojnë këtë lloj muzike, i bën të ndalojnë e të shijojnë zërin e tij melodioz, tingujt plot variacione të melodisë me çifteli, e duke i dhënë çdo note shpirt rapsodi. Vulën e tij mbajnë këngët: “Hajredin Pasha po vjen Radikës”, “Elez Isufi arusha e maleve”, “Kënga e Suf Xhelilit”, “Vijnë pamoprat përreth detit”, “Kënga e Mahmut Dac Kalisit”, “Moj fusha e Korabit” (kënduar nga Lirie Rasha), “Sa për hatër të vatanit”, “Kënga e Sul Markes”, e mjaft këngë të tjera të punuara edhe për artistë të tjerë. Thuhet se në konaqet ku ka kënduar Hazisi, burrat kanë hequr kësulat për respekt dhe kanë derdhur lotë trimërie duke dhënë urata për të.
Hazis Ndreu ishte njëri ndër njohësit më të mirë të trevës dibrane, me që është autor i disa studimeve historike. Ai, pas një pune 22 vjeçare rreth studimit për fisin e Katriotëve dhe Skënderbeut, dëshmoi se ai rrjedh nga Sina e Katriotit, solli studimin me vlera të mëdha njohëse e edukuese. Hazisi ishte i shquar veçanërisht për studimin e fushës toponomastike, me anë të së cilës autori na njeh me traditat tona, vyrtytet, atdhetarizmin e popullit dibran. Në studimet e tij historike, Hazisi ka përdorur mitologjinë, teologjinë, filozofinë, folklorin, por nganjëherë edhe politikën.
Si valltar virtuoz, ai qysh në moshën 20 vjeçare mori pjesë në të gjitha festivalet kombëtare e ndërkombëtare. Jo vetëm te ai vetë, por edhe te valltarët ku ka qenë koreograf, vërehej harmonia e lëvizjeve të këmbëve, kokës, krahëve, të cilat me përpikmëri i përgjigjeshin rënies së lodrës e melodisë së valles. Në ato pak minuta të koreografisë së tij, dilnin në shesh ndjenja e malli njerëzor, dhimbjet e popullit, por edhe çiltërsia e shpirtërave që dinë dhe dashurojnë jo vetëm njerëzit, por edhe atdheun. Ai diti më mirë se kushdo të koordinon dhe harmonizon vlerat e interpretuesve në hapësirë me muzikën, me të cilën përçonte mesazhe që e bënin publikun të mos mbështeste shpinën në karriget e sallave. Shquhet për vallëzimin e valles dyshe dibrane, atë të “Korabit”, “Thuprës” dhe “Koxhaxhiklijen”.
Nëse për Bethovenin është thënë se me sinfonitë e tij u quajt “mësues i muzikës”, për Hazis Ndreun mund të thuhet se simfoninë muzikore e krijoi vetëm me dy telat e çiftelisë prej drurit të manit. Një dru i gdhendur dhe dy tela mjaftuan që ai të ndezë mallin e bashkëatdhetarëve, për të mos u shuar më kurrë. Hazisi mbushi plot 50 vjet në Radio dhe Televizione me çiftelinë në dorë, e në koleksionin e tij gjejmë me dhjetra çmime të nivelit të lartë, si kurorë e të gjithë këtyre vlerësimeve, qëndron titulli i dhënë për merita të veçanta “Artist i Merituar”. Çiftelia e shndërroi atë në një mit, por edhe ai e shndërroi këtë vegël muzikore në instrument me peshë të madhe. Lirisht mund të themi, Hazisi ishte dhe do mbetet kulmi i shkëlqimit të folklorit dibran dhe atij verior.
Dibra është e njohur për traditën e saj të pasur të artizanatit me vlera të çmuara, të krijuara prej shekujsh nga mjeshtrat e saj popullorë, por me ardhjen e Hazis Ndreut në skenë, si të thuash, lulëzoi edhe fusha e etnografisë dibrane. Veç se shkroi për traditat dibrane, ai i zhvillonte ato nëpër dajlet skenike, siç kemi lojërat e ndryshme e anekdotat. Kur jemi te veshja tradicionale dibrane, ai u paraqit gjithnjë me kostumin e përbërë nga këmisha e bardhë me kopsa, jeleku me sumbullat e tij dekorativ, tirqit e bardhë me gajtanë të zi, e sipër këtij kostumi me tirq vente dollamën. Plisi apo kësula (siç quhet në Dibër) ishte e formës së rrumbullakët anash, dhe e rrafshtë në pjesën e sipërme. Natyrisht, edhe opingat ishin specifike, me formë të mprehtë te gishtat dhe rripin që e shtrëngonte mesin e këmbës. Por, mbi të gjitha, rreth brezit të mesit, te Hazisi gjeje kurdoherë armën e quajtur “e brezit të krahut”, për të cilën po ta pyesje, përgjigjej: “Kështu hedhim valle ne nga Veriu, me hekura në brez”. Kjo mbase e bënte të quhej “koka” e Dibrës.
Hazisi e njihte fort mirë folklorin dibran sipas zonave. I gjurmonte dhe i përpunonte këngët e vallet që këndoheshin nëpër sebepe dibrane, për t’i risjellur pastaj si të rralla e t’i vishte me petkun më të mirë artistik. Folklori dibran jo që nuk ishte i avancuar, por atë Hazisi e ndriçoi me këngët dhe alegoritë që i kishte “në majë të gjuhës” e që i vinin në shprehje kur lypsej. Kush e njeh odën dibrane, pa dyshim di të çmojë emërtimin “burrë ode”, emërtim ky i cili nuk fitohet kollaj e nga kushdo. Mirëpo, Hazisi, sipas gjithë kësaj, del se ka qenë i lindur me këtë emërtim, e le më në moshën e thinjave që i shkonte më tepër se kujtdo.
Krijimtaria e tij, ashtu si edhe vetë jeta, u ndërpre përnjëherë, mu në hovin e një shpërthimi edhe më të madh. Ajo mbeti një vepër e papërfunduar, me të gjitha shkëlqimet e përvojën e një talenti të lindur, që s’pati kohë t’u vërë “pikën” krijimeve të tij. Kështu e themi, sepse Hazisi la në dorëshkrime librat “Nëntë Malet e Dibrës”, romanin “Lufta e Dohoshishtit”, dramën “Dasëm pa nuse”, etj. Në përgjithësi, veprimtaria e të madhit Hazis Ndreu, me tonin e vet specifik, e bën të dallueshëm nga gjithë intelektualët e kohës, dhe natyrisht të pavdekshëm për artin, letërsinë e historinë dibrane, pastaj edhe mbarëshqiptare.