“Ngritje pa krye”, komedia ku shfaqin talentin dy vajzat nga Dibra


Gjithçka filloi aty ku duhej të mbaronte. Në një fabrikë këpucësh ndodh një protestë me tonet e një kryengritje, ose më mirë diçka më pak se kryengritje…një ngritje pa krye. Përse pa krye? Sepse nuk i jep zgjidhje përfundimtare asnjë problemi. Pasqyron vetëm gjendje. Një gjendje e vështirë e cila të dikton nevojën e ngritjes së zërit për rritje rroge, për kushte më të mira pune, për të drejta, për dinjitet. Cilat janë rrugët që i janë hapur grave? Cila nga këto të çon në udhë pa krye?
Puna në fasoneri, përpos një anomali e ekonomisë së tregut dhe një dështim i kapitalizmit. Në ditët tona mund ë konsiderohet si përplasja e fundit që i bën sistemi patriarkal një numri shumë të madh të grave dhe vajzave.
Përveç këpucëve, aty fabrikohet dëshira e ikjes, pamundësia e zgjedhjes, ankthi i kohës, nevojat ekonomike si dhe konflikti personal. Si munden ato të gjejnë pavarësinë? Cilat janë rrethanat që kufizojnë lirinë e tyre dhe a do munden ato t’i kapërcejnë?
Kjo është ajo që pasqyroi shfaqja teatrale e dhënë më 21 janar në Pallatin e Kulturës Kamëz me regjinë e Ergys Malsisë, dhe skenar të Diana Malajt nën e aktrimin e vajza të “FemArt”. Ato janë pjesë e grupimit rinon ATA me qendër në Kamëz.
“Ngritje pa krye” si parësore e ka të rrisë ndjeshmërinë ndaj çështjes kryesore që trajtohet, ndaj dedikimit, përkushtimit dhe sakrificës që bëjnë çdo ditë në heshtje të gjitha gratë dhe vajzat që për një arsye a tjetër janë të detyruara të përplasen në këtë “mundësi” që në fakt më shumë se mundësi- është pamundësi për të shkuar/punuar diku tjetër. Pastaj patjetër që ka nota rebelimi ndaj kësaj gjendjeje sociale e cila ka paracaktuar rolin e gruas në shoqëri. Ironizohen me kujdes “adetet maskiliste” , institucioni i martesës me shkuesi etj. Synon të mprehë mirë “shqisën feminist” me të cilën duhet t’i shohim gjërat e përditshme të cilat deri tani na janë paraqitur krejt normale.
Komedia me nota jo të vogla dramaciteti mbushi sallën me të rinj e të moshuar dhe fitoi duartrokitjet e tyre
ATA kanë zgjedhë të jetojnë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, madje edhe nga të rriturit, duke mos humbur kohën kafeneve e gjetkë. Në Kamzën e tyre plot paragjykime dhe plot mangësi si në aspektin e nevojave dhe të argëtimit po vënë bazat e ngrehinës së tyre artistike. Si projekt të parë madhor vajzat e “FemArt” dolën me këtë shfaqje.
Diana Malaj shpjegon: “ Grupi “FemArt” është i përbërë nga disa vajza me moshë nga 15 deri në 20 vjeç dhe ka si fokus kryesor krijimin e një klime të ngrohtë dhe rehatie mes grupit në vetvete me qëllim trajtimin e problemeve sociale të para në optikën e perspektivës gjinore.
Takimet e FemArt finalizohen çdo fundjavë me prezantime teorike, takime tematike në lidhje me teoritë e studimeve gjinore, pjesëmarrja e gruas në jetën sociale, të drejtat e tyre civile, trajtohen dhe praktikohen mënyrat (informale) të fuqizimit të vajzave, identifikimi i cilësive të tyre dhe puna e përditshme me to, janë të gjitha nuanca të grupit tonë.”
“Për mua “FemArt” është një projekt tejet i veçantë sepse flet për femrat, për respektin ndaj tyre, për problemet e tyre, për sukseset që kanë arritur dhe pse jo mund edhe të frymëzohem nga ndonjë femër e suksesshme, ku dhe unë mund të kem një të ardhme të ndritshme si ata”, – thotë Kleziana Domi, lindur në Sllovë të Dibrës.
“Pas shfaqjes u ndjeva shumë e emocionuar sepse tek po dëgjoja njerëzit që po largoheshin dhe po flisnin për shfaqjen, u gëzova që ishte përcjellë mesazhi të cilin ne kishim synuar të përcillnim.”, tha ajo më tej.
Kleziana shpreh dëshirën për ta ndjekur rrugën e aktrimit duke e parë edhe si profesion. Kjo ishte dalja e saj e dytë para publikut si aktore dhe talenti i saj është vërtetë për tu admiruar.
Një pjesë e vajzave e ka përjetuar thellë historinë për shkak të afrisë me eksperiencat personale të tyre, në mos vetë, kanë mamatë ose dikë të afërt të punësuar në fasoneri. Një pjesë tjetër e vajzave, më të voglat, e kanë marrë me shume entuziazëm angazhimin e tyre në shfaqje dhe daljen e parë publike.
Shpeshherë ne qëndrojmë në prag të së vërtetës, të trembur. Dhe gjithmonë të vërtetat kur thuhen me shaka, pranohen më kollaj. Teatri, fotografia, poezia apo çdo formë tjetër kreative e cila hyn në komunikim me tjetrin simbolikisht dhe pa e friksuar, do të jenë praktikat tona më të mira, ndaj shfaqja nuk ishte ezauruese, përkundrazi vetëm sipar i iniciativave të tjera që do të ndërmerren në vazhdim nga grupi FemArt.
Ndërsa Esina Isufi, me prejardhje nga Tërnova shprehet: “ Pas shfaqjes ndjeva vërtet rolin tim në këtë shoqëri. U ndjeva mirë që kam dhënë pak nga unë për ndërgjegjësim sado i vogël të jetë, aty njerëzve që panë shfaqjen dhe atyre që do e shohin.”.
Në vazhdim ajo shpreh dëshirën për të studiuar aktrim në Akademinë e Arteve, duke qenë se e pëlqen këtë art dhe gjen veten në të.
Megjithëse jo profesioniste këto vajza dëshmojnë se praktika dhe puna të bëjnë vërtet të ndjehesh profesionist, e kjo shihet qartë kur një sallë e tërë të duartroket. Ato e duan artin dhe këtë duan ta injektojnë në shoqëri.