PROPOZIMI I PA MARRË PARASYSH NGA BIZNESMENI DIBRAN NË TURQI


Në foto: Shpetim Puca/Facebook

Shpëtim Puca, me origjinë nga Dibra, drejtues i kompanisë “YENİ BALKAN MAKİNA” propozon financimin dhe ndërtimin e rrugës nga komuniteti i biznesmenëve dibranë.

Financimi i Rrugës së Arbërit nga vetë komuniteti dibran ka qenë një ide e diskutuar në mjediset e biznesit dhe shoqërisë civile. Më është dukur një ide që nuk mund të ketë përkrahje dhe nuk ia vlen të harxhosh kohë me të, por një email i mbërritur në redaksinë e gazetës në gusht të vitit 2016, ishte për t’u marrë parasysh. Emaili i shkurtër i ardhur nga Shpëtim Puca thoshte se “Rrugën e Arbrit mund ta bëjnë vetëm dibranët. Unë për veten time jam gati në çdo vend ku të më caktohet të bëj 2-3 km rrugë, me kushte shumë ma lehtësuese se firma kineze. Do të përdor forcën punëtore dibrane dhe si dibran, jam gati të punoj për rritjen e mirëqenies së popullit tim”.
Shpëtimi shkruante në email se rrugën mund ta ndërtojnë së bashku 70 biznesmenë dibranë dhe ne si media, kishim detyrë që t’i jepnim zë propozimit të tij.
“Ju si media e keni për detyrë të na mblidhni në Tiranë, të diskutojmë, të ngremë një grup pune dhe të bisedojmë me qeverinë, të nxjerrim një kosto për financimin e rrugës dhe unë së bashku me biznesmenë të tjerë jemi gati të fusim duart ne xhepa për ta sensibilizuar këtë problem”.
Nisur nga këto emaile, ne ju drejtuam zotit Puca me disa pyetje:

– Z. Puca, si e mendoni ju financimin nga biznesi privat për Rrugën e Arbrit?
– Më lejoni në fillim të them se dëshira e Rrugës së Arbërit është dëshirë e çdo shqiptari dhe çdo dibrani në veçanti. Jemi rritur në sistemin komunist dhe besoj se e dini edhe juve ç’është e pritura në rrugë orë dhe ditë të tëra për të shkuar në Tiranë sa e gjatë është rruga, sa e vështirë, po ashtu sa i vështirë ishte shansi për të gjetur një makinë. Tani me ardhjen e demokracisë, me rritjen e mirëqenies në përgjithësi mendoj se Rruga e Arbërit është e domosdoshme.
Ishte një gabim shumë i madh mendimi se një makinë duhet të shkojë në çdo fshat dhe zikzaket e rrugës bënin që një autobus të bënte 250 km rrugë të prishur e gjithë gropa Tiranë-Peshkopi ose anasjelltas. Ishin 10 12 orë rrugë sfilitëse për njerëzit në hall, për pleqtë dhe të sëmurët.
Unë jetoj në Turqi dhe shpejtësia mesatare e rrugës që bëj unë është 90-100 km në orë. Po ashtu, një pjesë e punëtorëve të mi e kanë shtëpinë në periferi të Ankarasë dhe atyre u duhet për të ardhur në punë të bëjnë një rrugë prej 70-80 km që në kushtet e rrugëve tona të bëhet për 40-50 minuta. Me këtë doja të thoja që me përfundimin e Rrugës së Arbërit një punëtori nga zona jonë pas 5 vitesh do t’i duket diçka e zakonshme puna ditore në Tiranë.
Financimi i Rrugës për mendimin tim mund të zgjidhet shumë thjeshtë. Flitet për 70 km rruge, që sipas vlerësimeve zyrtare shkon nga 150-220 milion euro ose me vlerësimin kinez, bëje – fito dhe pastaj dorëzoja shtetit që shkon deri në afro 400 milion euro.

– Pse mendoni ju se biznesi dibran mund ta financojë këtë rrugë?
– Mendoj se dibranët i kanë vetë këto para. Mjaftojnë vetëm 70 biznesmenë dibranë që këtë rrugë ta ndajnë km për km dhe ta mbarojnë për një kohë rekord për 2 vjet. Vetëm se këtë radhë të mos gabojmë. Rrugën le ta bëjë ai që ka para dhe garantohet për një gjë të tillë.
Në këtë rrugë le të futet kushdo, por kushdo që futet të ketë të paktën një garanci bankare prej 1 milion eurosh në bankat e shtetit shqiptar dhe në qoftë se nuk e përfundon pjesën që i takon në kohë dhe cilësi, atëherë këto lekë bëhen pronë e shtetit shqiptar.
Kjo do të përjashtojë në mënyrë kategorike njerëzit që nuk kanë as idenë më të vogël për ndërtimin e rrugës ose firmat fantazma, gjithashtu çdo firmë që ka lekë gjendje në bankë mund të marrë një kredi 10 vjeçare dhe në këtë mënyrë bëhet pagesa sipas modelit kinez. Unë për veten time jam gati të bëj atë që më takon.

– E mendoni si kontribut apo si financim me interesa të ulëta?
Të dyja bashkë. Tani po e shikojmë se jeta është e shkurtër. Një pjesë e mirë e vendeve në zhvillim preferojnë kapitalin vendas, edhe pse kapitalit vendas mund t’i japin të drejtën për t’u futur në tender me një shifër 20 për qind më të lartë se firmat e huaja. Arsyeja është shumë e thjeshtë: firmat vendase janë të detyruara të përdorin fuqinë punëtore të zonës. Biznesmenët shqiptarë jetojnë aty dhe vdesin aty, kështu që edhe lekët aty i lënë dhe në një mënyrë të thjeshtë fitimi që në plan të parë duket më i madh, ngel në Shqipëri, u mbetet qytetarëve shqiptarë.
Po ashtu, çdo biznesmen shqiptar që është edhe nacionalist, edhe fitimet që ai nxjerr nga ndërtimi i rrugës do t’i përdorë përsëri për një investim tjetër më të madh në vendin e tij.
Dihet që fitimi i kompanive të huaja në Rrugën e Kombit ka qenë mbi 500 milionë euro, pra fitimet ikën jashtë vendit, avulluan. Një firmë shqiptare një gjë të tillë nuk e bën. Ato lekë, mirë ose keq, në të ardhmen investohen në Shqipëri. Po ashtu, nuk më pëlqen mënyra se si trajtohen firmat vendase deri më tani, si vjedhës, hajdutë…. Shumë biznesmenë shqiptarë janë heronj kombëtar të ditëve të sotme, pasi ata sakrifikojnë çdo gjë.

– A mundet kompanitë vendase ta ndërtojnë tunelin?
– Unë sot jam në gjendje të bëj 3-4 km rrugë. Puna më e rëndë e ndërtimit është tuneli. Unë jam në kontakt me kompani të huaja që këtë ndihmë e japin, por këtë herë do të jetë ndryshe: kompanitë e huaja do të vijnë të punojnë si nënkontraktore, pra, punën ta marrin nga ne dhe shumë më lirë dhe me kushte më të mira sesa kompania kineze.
Në qoftë se shteti financon një pjesë të rrugës, tunelit, afro 40 milion euro, i gjithë tuneli përfundon shumë lirë dhe me një kohë rekord. Pjesa tjetër është shumë më e thjeshtë.

KUSH ËSHTË SHPËTIM PUCA?
Shpëtim Ali Puca, nga Sopoti i Dibrës, jeton prej 25 vitesh në Turqi. Ka mbi 10 vjet që ka kompaninë e tij me qendër në Ankara, YENİ BALKAN MAKİNA (www.yenibalkanmakina.com), firmë e specializuar për mirëmbajtjen e rrugëve. Kompania e tij punon në 15 vende të botës. Ka hapur një filial në Maqedoni “Arida” dhe në Shqipëri “Timak”.
Kompania merret me prodhimin e makinave për mirëmbajtjen e rrugëve, makina për larjen dhe pastrimin e rrugëve, pastrimin e ujërave te zeza, zjarrfikëse, makina për montimin e sistemit të energjisë diellore etj.

Nje koment

  1. Përshëndetje.
    Vërtetë është propozim I mirë dhe ka më tepër siguri dhe garanci që të bëhet me standarde.

Komentet janë mbyllur.