Talenti që mahnit Londrën


Julian Kullani – 10 vjeçari që ka shënuar 100 gola!

Një faqe e postuar në rrjetet sociale me emrin e djaloshit simpatik Julian Kullani, vërtet më tërhoqi, madje më emocionoi, jo vetëm si gazetar sportiv, por edhe si dibran. Ky talent i vogël, ka katër vite që ka nisur të luajë sportin e bukur të futbollit, në qytetin ku prej vitesh jetojnë prindërit e tij. Por falë cilësive të jashtëzakonshme, goditjeve të forta në portë, shpejtësisë së aksioneve, teknikës së lartë dhe nuhatjes para portës, Juliani është kthyer në një lider të vërtetë për grupmoshat e U-10 Dragonis Londër, duke kaluar shifrën e 100 golave, pikërisht në ndeshjen e fundit të grupmoshave atje. Golat e tij, shpeshherë postohen në faqen sociale në fb, që tashmë promovohet edhe nga dibranët dhe shqiptarët e Londrës.
Babai i tij, Florenx Kullani nga Luznia, natyrisht që ka meritën jo vetëm si prind duke e mbështetur djalin e tij, por edhe në ndjenjën patriotike që i ka ushqyer Julianit të vogël, që para çdo ndeshje me ekipet rivale, veprimi i parë që bën, është shqiponja me duar. Ndoshta që tani është shpejt të flitet për ëndrra apo qëllime të tij, por fjala që përdor më shpesh djaloshi dibran i futbollit anglez, është kombëtarja e Shqipërisë. Duket se një talent i ri po bëhet gati dhe shpresojmë që kontributi i tij të vijë edhe në kombëtaren tonë të futbollit, e cila ka nevojë në të ardhmen për yje të tillë.