Zgjedhjet po afrojnë, na sillni Erjonin deputet!


Disa postime të fundit të deputetit Erjon Braçe në Facebook.

Pesë muaj na ndajnë nga zgjedhjet dhe partitë politike kanë filluar edhe projektimet e kandidatëve të listave të mbyllura. PS duket se nuk mendon të fitojë sërish më shumë se 2 deputetë në qarkun e Dibrës dhe me sa duket nuk do t’i kushtojë rëndësi këtij procesi. Por qytetarët, ata që janë më të interesuarit në një përfaqësim të drejtë dhe të denjë në Parlament, nuk shohin asnjë shenjë besimi se kanalet moderne të komunikimit me deputetin e tyre do të qëndrojnë të hapura.
Disa faqe në rrjetet sociale kanë filluar t’u bëjnë kritika të ashpra 6 deputetëve të Dibrës, ku mes ironisë dhe sarkazmës shigjetojnë veprimet ose mosveprimet e deputetëve, të cilët erdhën me premtimet për më të mirën për Dibrën, por në fakt më shumë për Dibrën bëri Shukriu në burg, sesa ata në sallën e Parlamentit.
Disa nga çështjet kryesore të debatuara gjatë zgjedhjeve të kaluara për banorët e Dibrës ishin: Rruga e Arbërit, HEC i Katundit të Ri dhe Skavicës, Statusi i Minatorëve, ndërtimi kanaleve vaditëse në bujqësi apo investimeve në bujqësi, ruajtja dhe zhvillimi i pyjeve apo ndërtimi i infrastrukturës rrugore brenda rrethit. Por për asnjërin prej problemeve të mësipërme nuk ka zgjidhje konkrete. Rruga e Arbërit vazhdon të mbetet një çështje e hapur dhe pavarësisht se janë thënë se “shpejt nisin punimet”, dhe një ligj i posaçëm u miratua në Parlament, çështja është kthyer sërish nga fillimi. HEC i Katundit të ri kaloi përmes procedurave të dyshimta të dhënies me koncension pa miratimin e publikut dhe tenderi dështoi. Statusi i minatorëve nuk është miratuar akoma, ndërsa në Bulqizë duket se vetëm “vdekjet aksidentale” janë rralluar, por problemet mbeten po ato. Ashtu si dhe investimet në bujqësi kanë qenë të pakta ose tregu nuk ka mundur t’i thithë investimet. Mollët dhe patatet kalben sërish, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Dibra ka në Parlament rreth 14 deputetë, gjashtë prej të cilëve të zgjedhura më vota nga zgjedhësit e qarkut të Dibrës, por ndjehet pak ose shumë pak e përfaqësuar.

Deputetët tanë, ata të cilët kanë marrë edhe votat për t’i mbajtur këto premtime, nuk shfaqen më. Maksimumi ata arrijnë sa të heqin një drejtor dhe të vendosin një tjetër, por për elektoratin nuk mendon më kush. Nga profilet e deputetëve në Facebook nuk mësojmë asgjë.
Një perceptim për konkluzionet e mësipërme mund ta krijosh kur takon ndonjë drejtues në strukturat qeverisëse në Dibër ose ato partiake, por edhe duke vëzhguar profilet e deputetëve në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook.
Shkëlqim Cani, ishte i pari në listën e PS në qark, por që pas zgjedhjeve deri në Bulqizë është parë të shkojë, maksimumi deri të Ura e Lushës, një urë mbi Drin që të çon në fshatin e tij të lindjes. Më tej asgjë. Në profilin e tij në FB ai është akoma ministër i Financave dhe postimi i tij i fundi në faqen e tij mban datën 13 shkurt 2016, tre ditë para se të shkarkohej nga detyra e ministrit të Financave.
Ulsi Manja, deputeti i vetëm i PS, tashmë i ka “larë duart me Dibrën”, siç u thotë miqve të tij. Ai është parë kohët e fundit të riaktivizohet me strukturat e PS në Paskuqan, duke lënë të kuptohet se nuk do të jetë më kandidat i PS në Dibër, as me vullnetin e tij dhe as me atë të kryetarit.
Suksesi i tij i vetëm në Dibër ishin dështimet e njëpasnjëshme, duke i krijuar një hapësirë PDIU për t’u zgjeruar shumë shpejt dhe për të rritur shpresat që në këtë qark të marrë edhe 2 deputetë në zgjedhjet e qershorit 2017. Faqja e tij në FB është e mbyllur, me sa duket nga mërzitja që i krijonin qytetarët me premtimet e pambajtura, kryesisht për Rrugën e Arbrit.

Një vëzhgim në profilet e deputetëve të majtë të Dibrës në rrjetin social Facebook: Shkëlqim Cani është akoma “Ministër i Financave”, Ulsi Manja e ka mbyllur profilin ndërsa Përparim Spahiu përdor Twitter.
Një krahasim me profilin e Erjon Braçes, deputetit të “dërguar me dhunë” në Lushnje, por që tani ka arritur ta kthejë Divjakën në zemrën e Myzeqesë.
Disa faqe në rrjetet sociale kanë filluar t’u bëjnë kritika të ashpra 6 deputetëve të Dibrës, ku mes ironisë dhe sarkazmës shigjetojnë veprimet ose mosveprimet e deputetëve, të cilët erdhën me premtimet për më të mirën për Dibrën, por në fakt më shumë për Dibrën bëri Shukriu në burg, sesa ata në sallën e Parlamentit.

Ndërsa deputeti tjetër i majtë, Përparim Spahiu nuk shfaqet fare në Facebook. Me të njëjtin emër dalin së paku 9 veta, por asnjëri nuk e lidh profilin e tij me deputetin e LSI. Por, Spahiu, ndryshe nga të tjerët, shfaqet në profilin në Tëitter me ndonjë postim për Dibrën, por kryesisht për turizmin dhe festat e LSI. Shumë pak për investimet e qeverisë në qark apo në ndonjë vepër a investim të ri të qeverisë.
Deputetët e PD, Roland Keta dhe Bedri Hoxha kanë nga një profil në faqen e FB, por jo shumë aktive. Më aktive duket deputetja e re Dhurata Çupi, e cila në statuset e saj nuk përmend vetëm Matin, por bën edhe ndonjë kritikë për qeverisjen në përgjithësi.
Meqë Partia Socialiste po e ndan mendjen çdo ditë e më tepër se në Dibër një deputet do ta ketë të sigurt, të tjerët e listës janë sa për të qenë në rregull me ligjin, do të doja që PS të propozonte për deputet të parin në listë, një person që së paku e mban edhe formalisht lidhjen me elektoratin. Nuk shfaqet atje kur ka ndonjë veprimtari apo me raste festash, por çdo javë e çdo muaj të shkojë në një fshat. Të jetë edhe aktiv dhe i komunikueshëm, më së paku të tregojë durimin dhe gatishmërinë që premtimet që ka dhënë nuk i ka harruar. Në qoftë se do t’i bënte edhe ndonjë kritikë qeverisë, aq më mirë, por edhe nëse nuk e bën publikisht, së paku formalisht e kryen punën e tij. Dhe unë do të propozoja që numri 1 i listës të ishte Erjon Braçe!
Edhe Erjonin e sulmojnë. E shajnë! Bëjnë ironi me të, por ai nuk e ka fshirë faqen e tij në FB, përkundrazi. Është aktiv edhe në rrjetet e tjera sociale, Instagram, etj., me të njëjtën energji që vjen nga këmbëngulja e tij për të qenë afër njerëzve, pranë votuesve të tij.

NJË VËZHGIM NË PROFILIN E ERJONIT: ÇDO JAVË MES VOTUESVE,
VERIFIKIM INVESTIMEVE

Kur Erjon Braçen e larguan nga listat e Beratit katër vite më parë dhe e çuan në Divjakë të Lushnjës, të gjithë ishin të një mendje se Edi Rama e largoi Erjonin. Por ai punoi aq fort, sa ia arriti të mblidhte votat e banorëve të urtë e punëtorë të Lushnjës. Jo vetëm kaq, por Erjoni arriti që ta kthente Lushnjën në një qendër të Jugut të Shqipërisë. Nuk ka ditë, javë e muaj që media qendrore të mos flasë për Divjakën. Në Divjakë kanë ndodhur aq shumë ndryshime gjatë mandatit të kësaj qeverie, sa është e paimagjinueshme: iu rikthye laguna qytetarëve dhe është kthyer në një destinacion turistik në guidat e turizmit botëror. Kanë filluar investimet në Divjakë në shtrim rrugësh, hapje e rregullim kanalizimesh urash, ujësjellësa, kanale kulluese e vaditëse, ndërtim shkollash e kopshtesh, shëtitore në Divjakë, ndriçim rrugësh, vendosje linjash të reja elektrike e transformatorësh, investime në bujqësi e sera etj.
Këto dhe plot investime të tjera janë të publikuara të gjitha në median qendrore, por mbi të gjitha janë të pasqyruara në profilin në FB të deputetit Erjon Braçe.
Fshatrat e Lushnjës: Tërbuf, Çermë-Proshkë, Çermë e Poshtme, Staravecm Gërmenj i Madh, Grabjani, Kryekuq, Remas, Gradishtë, Mërtish, Këmishtaj, Goriçaj, Divjakë e Oplot lagje e rrugë të zonës së tij elektorale nuk kanë ditë që të mos shfaqen në profilin publik të Erjonit. Diku një shkollë, diku një rrugë, diku një kanal vaditës a kullues, diku një çati e diku një asfalt një zgjerim rruge, një investim sado i vogël dhe krejt i papërfillshëm reklamohet përmes fotos e fjalëve. Por jo vetëm investime e ndërtime, por edhe për njerëz punëtorë, drejtues e zbatues projektesh, elektricistë e inxhinierë, pensionistë e të rinj, puna e përkushtimi i të cilëve është i lidhur me këto investime.
Erjoni nuk ka qenë vetëm reklamues i mirë i investimeve, por edhe një kërkues i llogarive për ata që mbajnë përgjegjësi kur punët nuk shkojnë mirë. Mos harroni periudhën e verës, kur një sëmundje preku vetëm 3% të të mbjellave të kastravecit dhe ai nuk hezitoi aspak të kërkonte përgjegjësinë e strukturave të Ministrisë së Bujqësisë nga Lushnja në Tiranë, madje duke mos hezituar as të kërkonte publikisht dorëheqjen e Ministrit të Bujqësisë.
“Ky është super projekti, – shkruan ai në FB, duke folur për kanalet vaditëse e kulluese që po vishen me beton. Divjaka përfiton e gjitha, me të gjitha njësitë. Madje brenda në Divjakë, projekti është risi – me rrjet tubash nën tokë. Eleminohen puset kudo, merr fund rreziku i kripëzimit që po afrohej frikshëm. Sa kam luftuar për këtë projekt dhe vetëm tani, kur shoh kanalet të pastrohen e të vishen me beton, kuptoj sa mirë kam bërë”.
Në një postim tjetër, ai ka hedhur një video që bashkë me drejtues të tjerë lokalë inspektojnë rrugën e re, që ai e quan “Unaza bujqësore e Myzeqesë”.
“40 km mes për mes fushave, bashkon parcelat bujqësore dhe bën më të lehtë prodhimin, grumbullimin dhe eksportin e produkteve bujqësore. Lidh Mërtishin me Ferrasin, Grabianin, Tre Urat, Çerme Sektor, autostradën ku është vendosur pika më e madhe e grumbullimit në Lushnje dhe, në krahun tjetër, Stravecin, Germenjin për të zbritur në Divjakë” – shkruan Erjoni me 27 janar.
“Për herë të parë që nga ndërtimi i shkollës para 50 vitesh, në Kemishtaj, gjimnazi i ri do të ketë edhe sistemin e ngrohjes”, – shkruan ai duke publikuar një foto të gjimnazit.
“Superunazëë” e quan ai rrugën prej 40 km që nxjerr në treg me prodhimet e tyre çdo pëllëmbë tokë në Divjakë dhe bën të mundur bashkimin e dy tregjeve të mëdha bujqësore, atë të Divjakës dhe Lushnjës, por edhe të kapet në një kohë shumë të shpejtë plazhet e Divjakës.
“Një vit me parë, banorët e Gradishtës dhe Spolatës, as që më dëgjuan kur ju thashë do bëjmë rrugën tuaj. Mbase bëra unë gabim kur u thashë se, po bëjmë lugjet në disa kanale vaditëse, po bëjmë linjën e re te energjisë dhe, në fund, rrugën”, – shkruante atë kohë në profilin e tij Erjon Braçe. “Një rrugë të cilën unë dhe banorët e bënim një vit më parë për një orë, tani e përshkojmë për 12 minuta”.

* * *
Kur lexon pak nga këto postime, mes shumë të tjerash, kupton se sa keq ndjehesh për mungesën e përfaqësimit të Dibrës. Sepse Divjaka ka 1 deputet dhe të duket sikur gjithë qeveria punon për të. Ndërsa Dibra kishte tre deputete të PS, 14 në Parlament dhe dy ministra, por sa pak është punuar për të.
Çdo ditë që afrojnë zgjedhjet profilet e deputetëve dhe kandidatëve do të riaktivizohen: dikush më aktiv e më profesional e dikush i dobët e me gabime, por sidoqoftë, sado që të përpiqen, Erjonin nuk e kapin dot. Sepse Erjoni ka qenë katër vite me radhë pranë lushnjarëve dhe banorëve të Divjakës, ndërsa dibranët kanë qenë të braktisur…
Ndaj, na sillni Erjonin! Ndoshta pas saj nuk do të vijnë investimet si në Divjakë, por së paku do të ndjehemi se nuk jemi të harruar!