Zijai i bimëve mjekësore


Katër vite më parë, drejtoria e bujqësisë në Dibër, në bashkëpunim me Q.T. T. B në e Shkodrës, organizonte një seminar trajnues për kultivimin dhe teknologjinë e disa bimëve me vlera medicinale, farmaceutike, e më gjerë akoma. Interesimi i fermerëve të ftuar nga komuna të ndryshme ishte shumë i madh, saqë salla e madhe e konferencave ishte mbushur plot. Profesori nga Shkodra, Konstandin Hajkola, me një eksperiencë të gjatë në lëminë e shkencës dhe të prodhimit, ligjëronte por dhe dëgjonte me vemendje pyetjet e bëra dhe u përgjigjej atyre me një gatishmëri për tu admiruar.
Mes atyre dhjetra të pranishmëve në sallë ishte dhe Zija Keshi nga Maqëllara. Ai kishte tokë, por nuk ishte fermer. Nuk ishte marrë me bujqësi e blektori. Sapo kishte ardhur nga emigracioni në Itali, ku kishte punuar për dhjetë vjet në profesione të ndryshme. I jati i tij, Osmani, kishte punuar gjithë jetën me misrin, jonxhën, grurin, lopët e viçat. Djali i tij, Zijai, e shihte të pamundur e të pavlerë vazhdimin e kësaj mënyre primitive të punuari. Profesori shkodran fliste për bimë të reja mjekësore, si sherebela, shafrani, aronia, paulonia, e të tjera si këto. Disa ishin eksperimentuar në Shqipëri, një pjesë tjetër, akoma jo. Zijai e kishte harruar për një moment se ku ishte, sa kohë kishte kaluar, se kë kishte pranë.Ishte hedhur në krahët e fantazisë, po fluturonte si pëllumb në fusha të mbjella me këto kultura të reja të së ardhmes. Në mendje kishte piketat e eksperimenteve, që do të realizonte pa u ndalur asnjë çast.

S H E R E B E L A
Asaj kohe, kjo kulturë ishte në kulmin e shkëlqimit. Nuk ishte më nevoja të mblidhej kjo bimë nëpër male, do të zbriste në fushë. Kishte një çmim të mirë, rreth dymijë lekë, plus dhe që kishte subvencion nga shteti. Aty, ngjitur me rrugën e asfaltuar që të çon tek dogana e Bllatës, tamam mbi shkollën e Majtarës, Zijai kishte plot gjashtë dynymë, që do ti mbillte me këtë kulturë. U interesua për fidanët dhe i thanë që më i miri ishte lloji “ Taraboshi”i Shkodrës, që prodhohej nga Agim Rama, shumë pranë llojit autokton, që mblidhej në male. Në vitin 2012, ky lloj sherebele zuri vendin e parë në Europë.U morrën jo pak, por 31 mijë fidanë me kubikë, në mënyrë që rritja të ishte e menjëhershme. Vlera e tyre ishte diku te 3,5 milion lekë. Në fund të prillit, fidanët u mbollën në fushë,për tre ditë, 30 centimetra larg njëri tjetrit dhe 70 centimetra mes rreshtave. Parcela u rrethua bukur dhe në krye të saj u hap një pus, që kushtoi mbi katër miljon lekë. Dhe pse uji doli që në thellësi 12 metra, shpimi i tij me sondë vazhdoi deri në gati 30 metra, në mënyrë që uji i tij të mos e njihte kuptimin e tharjes dhe shterimit, qoftë dhe në pikun e verës. Plehërimi vetëm me pleh organik, dy vaditje, pastimi i barërave të këqija, ishin disa nga shërbimet kryesore, që dhanë një rezultat prej 14 kunjtalë sherebelë të tharë, që në vitin e parë. Korrja u bë me drapër, në muajin gusht dhe tharja e masës bimore u bë në një ambjent të mbyllur, pasi tharja në diell jep ngjyrë të zezë dhe prish cilësinë.Tregtari që erdhi të merrte sherebelën e tharë, u kënaq me pamjen, por bëri dhe analizat për sasinë e cilësinë e vajit bimor, gjë që rezultoi në parametra mjaft të kënaqshëm. Nga shitja e mallit me 1800 lekë për kilogramë, u shtuan rreth 2,5 miljon lekë në arkën e familjes.
Në vjeshtë, sipërfaqja u mbulua me një shtresë plehu organik. Më pas, vazhduan shërbimet e vitit të dytë, prashitje e ndonjë vaditje e rrallë. U bënë dy korrje me drapër dhe prodhimi qe shumë më i madh. Por tregjet botërore të sherebelës ishin tronditur, për shumë e shumë arësye, për pasojë dhe ai shqiptar. Çmimi i shitjes kishte pësuar ulje dhe Zijai mezi arriti ta shesë me njëmijë lekë kilogramin. Ishin këto sinjale se ylli i sherebelës gati po perëndonte dhe ndoshta do të duhej shumë e shumë kohë për të rilindur dhe njëherë akoma.

A R O N I A
Pusi i hapur, rrethimi i bërë, pritshmëritë, shpresat, të gjitha këto kishin marrë një goditje të fortë. Por Zijai është i qëndrueshëm në karakter, si një boksier me eksperiencë, që amortizon dhe goditje të fuqishme. Që nga takimi me profesorin shkodran, kishte pasur në mendje dhe bimë të tjera si Aronia dhe Paulonia. Përse të mos e provonte të parën si vazhdim tëasaj qëkishte nisur? Çdo gjë ishte gati, nuk do të bënte asnjë investim shtesë. Mes rreshtave të sherebelësdo të fuste fidanat e Aronias. Ndërsa e para do të vazhdonte dhe pak kohë të vegjetojë e të japë prodhim, e dyta do të rritej për bukuri në parcelën me të gjitha kushtet e plotësuara.
Po cila ishte kjo bimë e re, të cilën do ta eksperimentonte fermeri ynë? Po fidanët ku di gjente, pasi në Shqipëri ishte hera e parë që po mbillej? Në fakt, Aronia që po kultivohej, ishte si të thuash një “mbesë” e boronicës autoktone, që Zoti ka kultivuar nëpër male. Vlerat e saja medicinale, kurative dhe ushqimore janë aq të mëdha dhe për pasojë dhe çmimi jo pak intrigues, gati 20 euro për kilogram. Zijai nuk e peshoi dy herë problemin. Dëgjoi se serbët kishin jo pak ekskluzivitet për këtë kulturë . U lidh me një firmë serbe dhe kjo e fundit i merrte fidanët e certifikuar në Lion të Francës. Tregtarët shqiptarë që kanë pasur marrdhënje me serbët, tregojnë se ata janë shumë korrektënë marrëveshjet e bëra. Firma serbe kërkoi lekët për garanci për fidanët që do të sillte. Njëmijë fidanë me 9,5 euro, bënin në total afërësisht 10 mijë euro.

Aronia është një “mbesë” e boronicës autoktone, që Zoti ka kultivuar nëpër male. Vlerat e saj medicinale, kurative dhe ushqimore janë aq të mëdha dhe për pasojë dhe çmimi jo pak intrigues, gati 20 euro për kilogram.

Në fund të marsit fidanët erdhën, bashkë me teknologjinë e kultivimit. Njerëzit e firmës morrën dheun për analizë dhe në krye të dy ditëve konfirmuan se të gjitha parametrat dhe cilësitëe tokës ishin në rregull. Në të kundërt, thanë përfaqsuesit e firmës, ne do merrnim fidanët prapë e do të kthenim paratë.Mbjellja e fidanëve u bë në distanca tre metra mes rreshtave dhe dy metra mes bimëve. Gropat u hapën 70 me 70 centimetra, të mbushura përgjysëm me pleh organik. Pas tre muajsh, thanë njerëzit e firmës, do të verifikohet zënja e fidanëve. Për çdo fidan që nuk zen, ti do të marrësh trefishin e vlerës. Mrekullisht, asnjë fidan nuk harroi të çel sythë e gjethe, bile 20 përqind e tyre u futën në prodhim që në vitin e parë. Pjekja e frutit filloi që në korrik, por serbët thanë, që prodhimi duhej të vilej në fund të shtatorit. 50 kilogramë frut i thatë, ishte rezultati i vitit të parë. Ishte ky një investim, i pari në llojin e tij, jo vetëm në Maqëllarë, jo vetëm në Dibër, por aq sa dimë ne dhe në Shqipëri.
Në vitin e dytë, fidanët ishin më të shëndetshëm . Ata lulëzuan që në fund të marsit dhe u futën që të gjithë në prodhim. Shumë prej njerëzve që udhëtonin për në doganën e Bllatës, apo që vinin prej andej, ndaleshin për pak kohë të mrekulluar nga pamja. Disa që kishin ndonjë aparat të mirë fotografik, nuk nguronin të merrnin një pamje si kujtim, apo me idenë për ta kultivuar dhe vetë, këtë bimë të re, të panjohur më parë. Në shtator të vitit të dytë, Zijai mori pesë kunjtalë frut të njomë, ose 1,5 kunjtalë masë e thatë.

P A U L O N I A
Trupi me përmasa të habitshme i kësaj bime, rritja e shpejtë, gjethet gjigande, cilësia e lartë e dërrasës, nuk mund të mos tërhiqnin vemendjen e Zija Keshit, fermerit të ri të pasionuar, nga Maqëllara e Dibrës. Meqë ishte në tratativa me firmën serbe, porositi njëqind fidana të kësaj bime, për ti shtuar me treqind të tjerë, vitin që kaloi. Kjo gjë nuk ishte krejt e re, pasi në Shkodër, apo dhe në disa zona të tjera, kishte fermerë që ishin njohur e miqësuar me këtë kulturë. Në Dibër ka mbjellur një hektar Qamil Lata, kurse këtë vit, Hajrulla Nikolli, Jahe Ashiku e disa të tjerë, duan ti shtojnë dhe disa hektarë të tjerë, fondit pyjor të rrethit tonë.
Fidanët u mbollën në distancat katër me pesë metra dhe vaditeshin me pika njëherë në javë. Tani, në krye të dy viteve, fidanat janë bërë mbi tetë metër lartësi dhe 20 centimetër, diametri i trungut. Në krye të pesë viteve, Zijai mendon të presë fidanat, duke shpresuar të përfitojë mbi një metër kub dërrasë, nga çdo fidan i këtij druri të shtrenjtë princëror. Vetëm katërqind fidanët që ka mbjellë, mund ti japin një përfitim prej jo më pak se 100 milionë lekësh. Zijai thotë se Paulonia është një investim, të paktën 40 vjeçar dhe pas çdo pesë vjet prerje lihet një filiz i drejtë, për të formuar drurin e ri, që do të pritet pas pesë vitesh të tjerë. Kështu, me shumë pak investime të mëvonshme, fermeri do të ketë përfitime të mëdha. Liridoni, një miku im nga Presheva, që njihet si kultivues e prodhues i madh i fidanëve të kësaj bime, bënte apel, që në vend të hashashit harram, të mbjellim Paulonian, si bimë hallall e gati me të njëjtën normë fitimi dhe interesi.
Mendova se Zijai i kishte mbaruar eksperimentet dhe i kishte vënë piketat për të ardhmen. Do tu bënte shërbim Aronias dhe Paulonias dhe aq. Me tëjemi miq të vjetër dhe një ditë isha te shtëpia e tij për vizitë. Aty në hyrje të oborrit, pashë ca vazo me ca bimë të mbjella në ta, që tani në dimër dukeshin si të thara. Miku im nuk më la gjatë të mendohesha. – Kanë ardhur nga Kina, = më tha. – Mi rekomandoi një specialist në Tiranë. – Quhet Xhoi, një bimë e re, shumë interesante. Ka një frut shumë të bukur e të shtrenjtë, kurse druri jeton mbi 25 vjet. Një fidan prej tyre kushtonte 22 mijë lekë, por unë e dija, që kur atij i pëlqen diçka, nuk do të ndalej dhe po të ishte dhjetë herë më e shtrenjtë, apo dhe po ti duhej ti merrte fidanat në Kinë. Ai është i sigurtë se do t’ua shohë hajrin këtyre investimeve. Shumë shpejt ai mund të shesë dhe fidana, të cilat që këtë vit i ka të gatshëm për këtë destinacion.
Ndonjëherë, Zijai mërzitet ngapak. Mërzitet se nuk ka subvencione nga qeveria për këtë kategori bimësh. Mërzitet se tregu shqiptar nuk i njeh këto produkte të reja dhe është i pakonsoliduar. Por ai është i sigurtë se do vijë një ditë që do të flasë për të . Një ditë kur të ketë tregje, kur të ketë kontrata të lidhura, brenda dhe jashtë vendit. Ne mundemi ta shpejtojmë ardhjen e kësaj dite, ndaj le të përpiqemi. Nuk do të jetë vetëm Zijai i fituar, do të jemi të gjithë.