Dibër e Madhe, dashuria për atdheun kalon nga Gjuha shqipe


Te të gjithë këta pishtarë të arsimit dibran mbeti e pastër dashuria për atdheun, gjuhën dhe kulturën shqiptare, të cilën e promovuan dhe e mbollën te nxënësit që i kaluan nëpër duar.

Në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillimin e shek. XX, edhe në Dibër, ashtu si në disa treva shqiptare, mori hov lëvizja arsimore dhe kulturore, duke e përcaktuar Dibrën si qendër të përhapjes së arsimit shqip në Shqipërinë Veriore dhe viset tjera shqiptare. Lëvizjes arsimore dibrane, shtysë më të madhe i dha Lidhja Shqiptare e Prizrenit, meqenëse Dibra ishte mbrojtëse kryesore e platformës për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Pengesë kryesore për këtë përhapje, ishte Perandoria Osmane, megjithëkëtë mësimi dhe shkrimi i gjuhës shqipe u bë fshehurazi nëpër dhoma të thella e bodrume. Ky emancipim kulturor zhvillohej nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe, përhapjes së diturisë dhe rritjes së numrit të shkollave shqipe, për të ndërgjegjësuar shqiptarët që të mbrojnë kombin dhe të çlirohen nga okupatorët.
Sipas studiuesit të madh dibran Arian Kadiu, në vitin 1877 të dhënat osmane të hulumtuara tregojnë se Dibra me rrethinë ka pasur mbi 30 shkolla fillore të besimit islam si dhe dy shkolla të tilla të krishtera. Vetëm në Dibër të Madhe, në këtë vit ka pasur 7 medrese dhe një ruzhdie (e cilësuar si shkollë e mesme). Nëpër fshatra të ndryshëm, bejlerë e agallarë të kulturuar, hapnin shkolla në sarajet e tyre. Ky fakt tregon se Dibra me rrethet e saj kishte ngritje të mjaftueshme arsimore dhe kulturore, të shërbyeshme si bazë e ndërtimit të shkollave në gjuhën shqipe.
Në vitin 1887, sipas studiuesit dibran Fatos Daci, u hap shkolla e parë shqipe edhe në Rekë të Dibrës, konkretisht në fshatin Vërbjan. Rol të veçantë në përhapjen e dijes dhe krijimin e shkollave shqipe në Dibër kishin atdhetarët mendjendritur, si: Said Najdeni (Hoxhë Voka), Hamdi bej Ohëri, Shaqir Daci, Nazif Sharofi, Kadri Fishta, etj.
Më pas, Fatosi tregon se më 12 mars 1912, me lejimin e valiut të Manastirit u hap shkolla e parë shqipe në Dibër të Madhe, nga ku hapja e shkollave shqipe mori njëfarë legjitimiteti. Në korrik të vitit 1908 Eqerem Cami, veprimtari për hapjen e shkollave shqipe dhe mësimin e gjuhës amtare, bashkë me Sheh Latifin, Sherif Langun, Shqyqyri Beun (djalin e Iljaz Pashës), Ismail Strazimirin dhe atdhetarë të tjerë, bënë të mundur që në gjimnazin e Dibrës mësimi të bëhej shqip dhe mësues të emërohej Shefqet Daiu nga Elbasani. Në monografinë kushtuar Dibrës, të studiuesit Arian Kadiu gjejmë të dhëna se “Mësuesi i Popullit” Haki Sharofi, atdhetarizmin e tij e shpalosi në klasë e shkollë dhe si i tillë, në Kongresin e tretë të arsimtarëve në Tiranë, më 12-21 gusht 1924 mori vendime për demokratizimin e njësimin e shkollave shqipe.
Hapja e Normales së Elbasanit ishte një ngjarje e shënuar për prindërit artdashës të Dibrës së Madhe. Nxënësit e parë dibran që filluan dhe kryen me sukses mësimet në këtë normale, janë: Medat Cami, Esat Mezelxhiu, Abdi Begu – Haxhiu, Irfan Tomini, Ilmi Golja, Sherif Lleshi, Xhavit Kaba, Iqmet Maslinka etj.
Në vitin shkollor 1941-1942 në Dibër u hapën dy shkolla fillore: Sh.F.”Liria” (afër kinemasë së vjetër) me drejtor Xhevat Xhafën dhe Sh.F. Skënderbej” me drejtor Naim Babameton nga Elbasani. Poashtu, në këtë vit shkollor u hapën shkolla edhe në fshatrat e Dibrës, si: në Banjisht (mësues Hasan Rrapi), në Radostush (Hysen Abdihoxha dhe Fadil Hoxha), në Trebisht (Aqif Pasholli), në Vidushë (Hiqmet Kasapi), në Velebordë (Pandi Manço), në Skudrinjë (Zihni Çila dhe Ibrahim Zabzuni), në Kosovrast të Epërm (Fadil Hoxha dhe Braho Domi), në Xhepishtë (Ali Telhani dhe Dhimitër Fullani), në Zhitinen dhe Paresh (Thanas Caku), në Prapanik (Isan Baholli), në Koxhaxhik (Servet Mano), në Spas (Abaz Xhafa), në Konjarë (Hiqmet Kasapi), etj. Në këtë periudhë, u shfrytëzuan kushtet e ofruara nga Këshilli Administrativ i Ministrisë së Arsimit për arsimimin e dibranëve, ndaj u angazhua plejada e nxënësve të rinj për zhdukjen e analfabetizmit të ngelur në popullatë, për t’u shndërruar në mësimdhënës shembëlltyrë, si: Sami Lemçe, Faton Daci, Lamçe Rusi, Mukades Halili, Qauseser Shehu, Shaje Jegeni, Gëzime dhe Lamiko Bellçishta, Gëzime Piperku, Lamiko Rusi, Remzi Papraniku, Dalip Bellçishta, Emin Pustina, Nehat Bellçsihta, Mahmud Hysa, Masar Kodra, Mojsi Lutfiu, Bardhyl Cami, Atli Bellçishta, Nexhmi Dibra, Isa Batku, Sahit dhe Qerem Lleshi, Refik Qatipi, Shaban Shemsiu, Lutfi Maru, Sabaudin Ajdini e të tjerë varg. Në këtë interval, ishte hapur kursi gatitor i zejtarisë, në të cilin ishin të regjistruar 30 nxënës.
Shkolla tetëvjeçare e fshatit Sollokiç u hap në vitin 1946, ku ndër mësuesit e parë ishte edhe Sefedin Koleci, i shkolluar në akademinë ushtarake në Torino të Italisë, pastaj Ajredin Dibra, Sabaudin Ajdini, Gëzim Ostreni, Atli Bellçishta, Mentor Sejfedini, Ferit Vojnika etj.
Shkolla e mesme në Dibër të Madhe u formua në vitin 1960. Gjimnazi i atëhershëm ishte i vendosur në ambientet e shkollës fillore “ Oxhë Vogli”, ndërsa mësimi realizoheshte në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht dhe me dy ndërrime. Në vitin shkollor 1960/61 shkolla kishte vetëm tre paralele: njëra në gjuhën maqedone dhe dy në gjuhën shqipe. Pas tërmetit, në vitin 1967 gjimnazi u vendos në lagjen Venec 1, ku gjendet aktualisht. Gati çdo vit, në këtë gjimnaz në vit të parë regjistrohen rreth 150 nxënës shqiptarë. Profesori i gjuhës shqipe, Qeram Lleshi është drejtori i tanishëm i këtij gjimnazi.
Shkolla fillore “Penestia” apo “shkolla e vjetër” siç njihet nga qytetarët, u themelua rreth vitit 1968. Ajo gjendet përballë Shtëpisë së Kulturës dhe drejtor i parë i saj ka qenë Petrit Muça. Sot, kjo shkollë nëntëvjeçare ka nga 4 paralele për secilin vit, me më shumë se 500 nxënës shqiptarë. Drejtor aktual është mësuesi i lëndës së historisë, Ramadan Imeri.
Ndërkaq, shkolla fillore “Said Najdeni”, e themeluar më vonë se të tjerat, në vitin 1994, aktualisht posedon 500 nxënës me 36 paralele dhe mbi 40 mësimdhënës. Drejtor i parë i saj ka qenë mësuesi i matematikës Rizvan Koleci, pastaj pedagogu Sakip Veliu, më vonë arsimtari i matematikës Ilmi Frangu, pas tij biologu Pëllumb Frangu, e më në fund mësuesi i gjuhës angleze Burim Kaziu. Pra, aktualisht në qytetin e Dibrës ka dy shkolla fillore dhe një të mesme, veç atyre të fshatit Ballancë, qendrës Zhupë e fshatrave të Rekës.
Te të gjithë këta pishtarë të arsimit dibran mbeti e pastër dashuria për atdheun, gjuhën dhe kulturën shqiptare, të cilën e promovuan dhe e mbollën te nxënësit që i kaluan nëpër duar. Duhet trajtuar me një nderim të veçantë çdo mësues dibran, sepse ishin ata që sakrifikuan veten dhe familjen e tyre për të reflektuar dritë në mendjet e nxënësve qoftë edhe në skajin më të thellë në kohë të turbullta, të cilëve herë ua shpërblyen e herë ua lanë në harresë mundin e dhënë. Kandili i ndezur nga ta na kujton kush jemi e ç’ka duhet synuar!…