Jahja Domnori, mësuesi i Allajbegisë


Jahja Domnori, atdhetar, publicist, edukator, ekonomist, eurid, personalitet i arsimit dhe kulturës shqiptare.

Mësuesi merituar Jahja Domnori në vitin 1945 deri në fund të viti 1947 ka qenë kryemësues në shkollën e Allajbegis të Njësisë Administrative Maqellare në Dibrës , e cila kremton këtë vit 100 vjetorin e hapjes të saj. Për 100 vjetorin e kësaj shkolle ka shkruar kolegu im Ramazan Ilnica, ndërsa unë po shkruaj për mësuesin Jahja Dommori. Kjo për shumë arsye, por edhe për faktin shumë të thjeshtë, pasi edhe sot pas 70 vitesh po të përmendet emri i tij në konakun e burrave në Allejbegi, menjëherë vihet qetësi, në shenjë nderimi e respekti për këtë figurë të shquar.

Kush ishte Jahja Domnori?

Jahja Domnori lindi në Shkodër më 14 Mars të vitit 1905, në një familje atdhetare dhe të kulturuar. Babai i tij, Alushi merrej me tregti e kështu vizitonte shpesh Stambollin, Kajron, Algjerin, Triesten, Venecian, Sarajevën dhe pothuajse te gjithë portet e Mesdheut duke importuar mallra të ndryshme industriale. Ai është i njohur si një nga luftëtarët e rezistencës për mbrojtjen e Shkodrës dhe trojeve shqiptare nga aneksimi i fqinjëve.
I rritur në familje me tradita te larta qytetare, i ati e dërgoi Jahjan të mësojë në shkollën “Daryl Irfan” (Dera e Dijes) që më vonë mori emrin “Shkolla e Parrucës. Me 1922 u hap Gjimnazi i shtetit në Shkodër në të cilin ai regjistrohet dhe e mbaron me 1928 në degën pedagogjike, duke hyrë në historinë e këtij Gjimnazi si Matura e parë me drejtor Mirash Ivanaj. Gjatë periudhës shkollore si student, bënte pjesë në skuadrën e futbollit “Vllazmia”.
Studenti Jahja Domnori mori pjesë aktive në demonstratën antifashiste të 28 nëntorit 1927 dhe aksionin e heqjes së flamurit Italian nga Banka e Shtetit në Shkodër, nga ku edhe arrestohet sëbashku me pesë studentë të tjerë, por shpejt lirohet nga përkujdesja e ish Drejtorit të shkollës Mirash Ivanaj.
Menjëherë pas mbarimit me rezultate të shkëlqyera të degës pedagogjike të gjimnazit të Shkodrës emërohet mësues në Internatin “Kastrioti” të Dibrës. Me që ishte njëri nga mësuesit më të përgatitur, përveç detyrës të mësuesit i ngarkohet edhe detyra e ekonomatit të shkollës dhe konviktit. Në kujtimet e tij shkruan: “Ishte hera e parë në jetën e time që bëra udhëtim me avionin e shoqërisë italiane Adria Aereo Llojd, i cili zbriti në fushën e Kastriotit për 27 minuta. Udhëtimin e bëra sëbashku me djalin e xhaxhait, Qazim Domnorin i cili ishte shëndetlig, dhe e mora me vete, që t’i ndërroja klimën dhe ta shkolloja”… Më pas vazhdon: “si ekonomat në atë shkollë me konvikt, i kurseva shtetit 500 napolona ari. Pasi e verifikoi Ministria e Arsimit se fëmijët, dhe 25 irridentistët nga Dibra e Madhe të cilët i kisha në ngarkim, ishin ushqyer konform rregullores, pata mundësinë t’i shpenzoj ata para për rikonstruksion të godinës, për krevate, velenca etj.”(“Jeta ime”, ditari personal i mësuesit Jahja Domnori).
Me sjelljen e tij korrekte mësuesi i ri Jahja Domnori shumë shpejtë fitoi respektin dhe besimin e dibranëve. Sa herë vononin rrogat e arsimtarëve për arsye të ndryshme, shkruan Jahja Domnori në librin “Jeta Ime”, shkoja e merrja para te pronari i Hotelit “Durimi” në Peshkopi, z. Ramiz Trepçi, burrë i ndershëm, i besës dhe shumë arsimdashës (R. Trepçi ishte nip i Sulë Shehut, atë kohë kryetar bashkie dhe një personalitet i shquar i arsimit kombëtar, fillimin, Internati “Kastrioti” e kishte në shtëpinë e Sulë Shehut)”.
Jahja Domnori ka lënë shumë shënime në fletoren “Jeta Ime” për 8 familjet e mëdha të Dibrës: Elez Isufi në Sllovë, Dine Begu në Maqellarë, Murat Kaloshi në Kandër, Dervish Luzha në Reç e Dardhë e me radhë, Dine Dema, Dan Cami dhe Dine Hoxha në Muhrrin e Vjetër, për të cilin shkruan se ishte shumë i ditur. Për të gjithë kishte një mendim, mikëpritës, atdhetar dhe arsimdashës.
Me 1931 emërohet mësues dhe ekonomat në shkollën internat të Burrelit. Aty ishte ndryshe, do t’i blinte ushqimet nga një kontraktor që ishte i lidhur me parinë dhe i impononte të firmoste çmimin e diktuar prej tij dhe jo çmimin e tregut. Miku i tij Peter Elezi, mësues dhe studius i mirënjohur i gjuhës shqipe, koleg në atë institucion, frikësohej se mos i bënin Jahjas ndonjë të keqe, pasi edhe drejtori servil i shkollës, nuk e shikonte me sy të mirë qëndrimin e tij që kundërshtonte të firmoste, duke i thënë se është malli i Princit, por përgjigjja e Jahjasë ishte: “nuk besoj se Princi do të jetë dakord që të abuzoj me paratë e shtetit”. Në këto rrethana dha dorëheqjen. Ministria e Arsimit, pas një pauze të shkurtër e emëroi, kryemësues në Shkodër.
Në vitin 1934, me urdher të Ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj, që e njihte shumë mirë, pasi e kish pasur student të tij dhe i vlersonte shumë aftësitë pedagogjike dhe organizative të Jahja Domnorit, e emroi në Vlorë për të riorganizuar arsimin, pasi në shumë shkolla kish shumë çrregullime administrative. Për një kohë shkurtër me metodën e punës që dimte ta bënte vetëm ai, trefishoi numrin e nxënësve, duke përfshirë edhe fëmijët e portit dhe rrethinave të qytetit, që deria atëherë nuk i lejonin të shkonin në shkollë. Shkolla u vu në një disiplinë të admirueshme sepse ai vetë jepte shembullin personal të një pune të ndërgjegjshme mësimore edukative. Ai arriti të siguroj shumë shpejtë mbështetjen e Kryetarit i Bashkisë së Vlorës z. Ali Asllani që ishte një intelektual i njohur, me ndihmën e të cilit arriti të bëjë një kopësht model për shkollën, duke lidhur me të një miqësi të sinqertë. Shpesh në biseda z. Ali Asllani i thoshte: “Si arrite t’i bësh lebërit e vegjël të flasin gegërisht. Po zoti Ali – i pergjigjej Jahjaj, edhe ju e keni pëlqyer kur unë them Vlona për Vlorën, sepse vlon shpirti i vlonjatit për liri”.
Pushtimi Italian e gjeti në Shkodër. Konsulli Italian, Milani, e kishte regjistruar në listen e të padëshiruarve, sepse kishte kundërshtuar të vishte këmishën e zezë fashiste dhe kishte refuzuar të nxirrte gruan, Naxhijen, me kostum kombëtar në pritje të ministrit të jashtëm Italian, Konti Çianos. Për këtë arsye e largojnë nga Shkodra dhe emërohet në Durrës. Atje u takua me intelektualin Rifat Durmishi që ia dinte vlerat dhe e emëroi menjëherë zv. inspektor dhe drejtor të Shkollës “Hasan Prishtina” me një personel prej 16 mësuesish. Menjëherë sëbashku me personelin e shkollës u radhit në qëndresën antifashiste, ndër të cilët Jahja përmend Aristidh Kero, Nexhmi Ballka, etj.
Në vitin 1941, Ministri i Arsimit Ernest Koliqi e emëroi Drejtor të shkollës së parë shqipe në Ulqin, duke i ngarkuar detyrën që të grumbullonte edhe mësues të tjerë. Gëzimi e pasioni i tij për organizimin e shkollës shqipe ne Ulqin qe i pa parë. Kontigjentin e mësuesve e gjeti në Shkodër sepse duheshin mësues të përgatitur. Ndër të tjerë iu drejtua edhe familjes së Prenkë Jakovës (atdhetar dhe kompozitor i shquar) sepse ishte njohur me Kolën (babai i Prenkës) në Luftën e Koplikut, i cili ishte ndër organizatorët e mbrojtjes se kufijve kombëtar nga agresioni jugosllav, ku Jahaja Domnori në moshën 15 vjeçare rrëmbeu pushkën e u radhit në frontin e rezistencës.
Ja si e përshkruan vetë Prenkë Jakova këte takim “Pasi u falme me zotni Jahon, ai më propozoi që të shkojshe në katundin e Katërkollit në Anë të Malit, se në ate zonë kishte marrë edhe mësues të tjerë prej Shkodre si Viktor Kicin, Prenkë Shiroken, Shuk Shllakun, Ramadan Millen, Zef Berishen edhe shumë të tjerë. Me që të gjithë mësuesit që më përmendi zotni Jahja i njifshe mirë, pranova pa ma të voglin hezitim. Nana Roze iu lut edhe për vllain tem Çeskun për me i gjetë nji vend edhe atij se i pëlqente natyra dhe puna si mësues”. (marre nga kujtimet e Prenkë Jakovës).
Jahja Domnori është pishtar i përhapjes se arsimit shqip në Ulqin, ku edhes sot ruhet falimi i tij monumental si Drejtor i parë i kësaj shkolle. “Ju që keni ruajtur gjuhën shqipe si dritën e syve, duhet punuar, tani këte punë e ban shkolla.” (marrë nga fjalimi ne ceremoninë e hapjes së shkollës).
Ne vitin 1943, emërohet mësues në shkollën femërore “Don Ndre Mjeda” me drejtoreshë Ida Melgusha. Aty punon deri në çlirimin e vendit. Në kujtimet e veta shkruan: “Aty pata një incident, me një të quajtunin Myslim Bejgora, i cili qe duke më vrarë, sepse kishte marrë vesh se unë i dërgoja rrogën në shtëpi, Zenepe Golemit, nëpërmjet Refik Shpuzës, kur ajo kishte dalë në mal, partizane. Drejtoresha, Ida Melgusha, si i vetmi mashkull që isha, ma jepte mua rrogën e saj për t’ia dërguar familjes.”

Mësues në Allejbegi

Menjëherë pas çlirimit të vendit deri me 1947 emërohet kryemësues në Allejbegi. Aty ishte hapur shkolla e parë shqipe që në vitin 1916, por ishte e shkatërruar nga lufta, dhe çdo gjë duhej riorganizuar nga e para. Me aftësitë e tij të jashtëzakonshme organizative dhe ndenjën e një atdhetari të flaktë u bëri thirrje fshatarëve të Allejbegisë, Vojnikës, Çernenës, Portgocës dhe arrit në kohë rekord të ndërtoj shkollën dhe të filloj mësimin rregullisht. Për karakterin e burrëror që kish dhe drejtësine e ndershmërin e lartë, vetë fshatarët e kërkuan dhe e vendosen ne krye të komisionit reformës agrare. Pas një pune të lodhshme çdo gjë e realizoi me mirëkuptim, sepse toka ishte pika më e dobët për fshatarët. Menjëherë ngriti dhe drejtoi kurset e luftës kundër analfabetizimit, duke shkuar sëbashku me koleget e tjerë në çdo shtëpi. Brenda një kohe të shkurtër kryemësuesi Jaho Domnori u bë njeriu më i dashur dhe i respektuar i gjithë krahinës. Gjatë qëndrimit në këtë fshat sëbashku me bashkëshorten Naxhijen dhe vajzën e tij Pertefe banoi në shtëpinë e Kadri Demirit. Aty i lindi djali i madh i tij të cilit ia vuri emrin Kujtim. Kujtimi u bë inxhinjer dhe qe Drejtori i parë i kantierit të ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës, ku punonësoi shumë të rinj dibranë, pasi gjithmonë e quante veten dibranë, e u thoshte kam lindur në Allejbegi. Është nga rastet unikale ku edhe sot pas 70 vitesh Kujtimi dhe fëmijët e tjerë të mësuesit Jaho Domnori e vizitojnë herë pas here fshatin Allejbegi e fshatarët e tij.
U hidhërua shumë kur mori lajmin për arrestimin e mikut të tij Kadri Demiri në Gjirokastër dhe mësuesit të gjithë virtytshëm Edip Tërshana në Peshkopi, të cilin e pushkatuan më vonë. Nuk e harroi kurrë këtë figurë të arsimit në Dibër, bile kujtonte edhe djalin e tij Nehatin, që kur shkonte për seminare në Peshkopi e ftonin në familje ku njëherë kishte ngrënë bukën të pjekur prej Nehatit 12 vjeçar.
Në vitin 1948, seksioni i arsimit në Shkodër e dërgon të hapi shkollën e parë unike në Gur të Zi. Gjithmonë në fronte të vështira, por gjithmonë i gatshëm për t’i shërbyer arsimit, në çfarëdo rrethane që të ishte.
Në vitin 1949, emërohet në konviktin Oroshi, që ishte transferuar nga Dukagjini në shtëpinë e murgeshave në Shkodër, për të vendosur rregullin, sepse ishte në gjendje jashtëzakonisht të shthurur. Kur e inspektoi Dhori Samsuri, që vinte nga Tirana, u shpreh: “si është e mundur të rregullohej konvikti për një kohë kaq të shkurtër”. Ndërsa Prof. Dr. Musa Kraja në veprën “Mësuesit për Kombin Shqiptar shkruan: “Jaho Domnori, mësues i heshtur e fisnik, ndjenjat e pastra prindërore i kishte shkrirë plotësisht edhe tek nxënësit e vet. Në konviktin e Oroshit, ai duke vlerësuar specifikën e atij institucioni arsimor, ishte bërë një mësues, edukator dhe prind i vërtetë. Ky pasion e këto ndjenja e shoqërojnë atë në të gjitha vitet e shërbimit”.
Vit pas viti kalonte në shkolla të ndryshme të Shkodrës duke dhënë lëndë jashtë profilit të tij, sipas nevojës që kishte seksioni i arsimit si: matematikë, gjeografi, histori, krahas gjuhës dhe gjeografisë etj. Kur u hap Instituti 2-vjeçar i Shkodrës, u caktua pedagog–metodist, ku studentët dëgjonin mësime të hapura dhe drejtonte praktikat pedagogjike të studenteve që do të ishin mësuesit e ardhshëme.
Një ndihmesë të madhe ka dhënë për Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Kur i kërkonte ndihmë, drejtoresha Persa Grabova dhe më vonë Belkize Shazi, ai ishte aty. Një nxënësja e tij e këtij institucioni, Zhaneta Dilaveri, e përmendte ndihmën e tij prindërore: “sa herë që vinte zotni Jahja e rrethonim me dashuri, ai kishte fjalën e ëmbël që e zbuste shpirtin tonë të vrarë.”
Mësuesi Jahja Domnori ishte nën ndikimin e ideve të Rilindjes Kombëtare dhe të iluministëve Francez. Njihte 5 gjuhë të huaja, Frengjisht, Gjermanisht , Italisht, Turqishtë, Arabishtë. Persishten e vjetër e kishte fituar në Shkollën “Daryl- Irfan“ (Dera e Dijës) ku pati mundësi të studionte në origjinal poetët persë Saadi, Rumi, Omar Kajami e të tjerë orientalë.
Studionte në origjinal Kantin, Laplasin, Shopenhaurin, Russoin, Bualonë, Montenjin dhe Danten ku ka lënë mjaft përkthime nga Kanti dhe Shopenhauri. Më shumë ishte thelluar tek Gëte, i cili në fund të jetës kishte pranuar filozofinë e profetit Islam, religjionit të cilit i përkiste edhe Jahjaj. Në këte mënyrë gjente lidhje të filozofëve gjerman e francez me filozofët e orientit, lidhur me orientimin shkencor te dukurive natyrore e shoqërore. Respektonte të gjitha besime fetare dhe ishte shembull i tolerancës fetare. Shumica e miqve të tij i përkisnin religjionit kristian.
Nga dijetarët shqiptarë vinte ne krye Sami Frashërin, fjalorin shumëgjuhësh të të cilit nuk e hoqi kurrë nga dora, ndërsa fotografia e Hoxhë Tahsinit me mbishkrimin: “Zoti është krijuesi i gjithçkaje, por çdo gjë është shkruar në pllakën e gdhendur të natyrës”, e mbante në dhomën e tij dhe gjithmonë përmendte atë si shembull për studimet e tij shkencore, që i jepte mundësinë fesë islame të evoluonte.
Asnjëherë nuk u rreshtua në formacione politike, por i shërbeu me devotshmëri arsimit të popullit që i përkiste në të gjitha trojet shqiptare dhe në të gjitha regjimet që jetoj. Ishte Atdhetar, kundërshtar i pushtonjësve të trojeve tona dhe të trurit njerëzor.
Gjithnjë jepte këshilla me vlera të larta edukative e shoqërore, duke i argumentuar me thënje nga urtësia botërore e shqiptare, për të të bindur për veprimet e moralshme që duhet të kryesh, të cilat i përzgjidhte në përputhje me këshillën që të jepte. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të ngrinte zërin, por fliste ngadalë dhe argumentone çdo mendim, gjë që vinte nga kultura e gjerë që kish marrë e merrte çdo ditë, pasi librin e kishte thesarin më të çmuar.
Nuk mburresh kurrë, gjithë jeta e tij karakterizohej nga modestia, qëndrimi korrekt ndaj detyrës, shoqërisë dhe familjes.
Vdekja i erdhi natyrshëm, në moshën e pleqërisë përsëriste fjalët: “duhet të iki atëherë kur vdekja do të më bahet ma e ambël se jeta”. I rrethuar me dashuri nga familja dhe farefisi la këtë mesazh: “Fëmijët e mij, tanë jetën teme jam mundue me ba mirë, kam hjekë zi me e realizue, por kur e kam plotësue, kam përfitue kënaqësinë ma të madhe, prandaj bani gjithmonë mirë.”

2 komente

  1. Kenaqesi shume te vecante kam ndjere kur pata mundesine te njihem me te Nderuarin Atdhetar-Pedagogun Jahja Domnori ne vitet e 50-te; kur vazhdoja mesimet ne Gjimnazin e Shkodres; Nipin e tije Ing.Bujar Golemin e kam pasur shok klase .Ne vazhdim te Kultures dhe Edukates Atdhetare qe ishte frymezuar nga Familja dhe Daja I tije z.Jahja Domnori; Ing Arkitekt B..Golemi ingarkuar per te pershtatur Kishen e Madhe te Shkodres ne ambjent sportive (ishte periudha “miqesore” me Kinen), me Atdhetarizem dhe me Bujarine Karakteristike Shkodrane; punimet I kreu ne nje forme te tille, pa demtuar origjinalin e Kishes. Me ate punim shume te vecante, mbas rrezimit te komunizmit, u kthye lehtesisht perseri ne funksionin Fillestar si Vend I Shenjte! E permenda Karakterin Respektues Shkodran Fetar sepse me Edukaten e te jatit te Nderuar Z.Qamil Golemi, dhe Dajes se tij shok i ngushte I J.Domnorit;ploteson ne nje fare menyre Portretin qe pershkruan z.Demir Osmaini.E bija e z.J.Domnori, Pertefja me Trashegimine dhe Edukaten e Kulturen Atdhetare Perfaqeson Denjesisht Familjen qe e ka rritur, pa harruar Familjen Leka me te cilen ka lindur dhe rritur Femije te Kulturuar dhe Atdhetare.Shkrimet e saja per figura te ndritura Shqiptare e Nderojne edhe me shume Trashegimnine dhe Kulturen Shqiptare te Vertete
    Figura te Tilla me Atdhetarizem dhe Perkushtim Atdhetar jane me se te domosdoshme per ti njohur , Nderuar dhe Mosharruar se ashtu I behet NDER KOMBIT SHQIPTAR DUKE RRITUR EDHE KRENARINE TONE KOMBETARE KUDO QE NDODHEMI!

  2. Z. Demir,
    Me pelqeu pa mase shkrimi juaj per Jaho Domnorin, Mesuesin e nderuar te Shqiperise, por dhe te shquarin mbi te tjere si mesues te Allajbegise sone. Ti ke pasur fatin ta kesh Mik te shtepise, madje pjesetar tuajin, nga se dhe Allajbegia jone vazhdon ta kete si te shenjte Mesues Jahon e madh. Eshte kenaqesi e vecante qe ju na keni shpalosur e dashuri dhe pasardhesit e shtepise fisnike te Domnoreve, por dhe ndjenjat e popullit, ish-nxenesve dhe personaliteteve me ne ze per te nderuarin, Mesuesin Jaho Domnori.
    Tungjatjeta juve dhe stafit te nderuar te gazetes “Rruga e Arberit” qe na nderon duke na lene dritare te vyera per te nderuar personalitete e histori te krahines sone.

Komentet janë mbyllur.