Koha e triskave


Hamdi Dizdari ishte komshiu ynë. Kishte qenë tregtar i suksesshëm me dyqane e shtëpi, sigurisht të shtetëzuara. Tani ishte kthyer në karrocier që na sillte drutë e zjarrit. I jepnim triskat e druve dhe ai me karrocën e tij, na i sillte në shtëpi. Kjo na kursente kohen për të shkuar në fushën e baltosur të druve. Z. Hamdiu, siç i thërriste nëna ime, ishte një burrë i gjatë, i shëndoshë, faqekuq. Mbante një kapele të vjetruar republike, rripin poshtë barkut të fryrë, xhaketë të shkurtër meshini dhe çizme gome të Durrësit, që i jepnin një pamje groteske midis një karrocieri dhe një tregtari. Me kapele të mire e pa çizme ishte tregtari, kurse në gjendjen e sotme karrocieri i druve. “Nuk është turp puna”, thoshte. “Me karrocë e kam filluar tregtinë, dhe tani përsëri erdha te ajo, po arsyen s’po e di”, dhe qeshte me gjithë zemër. Më bënte përshtypje se kalin e mbante ‘dritë’, i shndriste qimja me zilka dhe me mburoje sysh, ai dukej si kalë garash sportive. “Kalin s’para e shohin, por mua diçka të re të vesh më thonë: Paska rezerva tregtari”, dhe përsëri qeshte. “Punoj, thoshte, dhe jo keq, por me një tufë fëmijësh është halli te triskat”…
Mbasi sillte drutë Hamdiu dhe si me nuhatje pas tij vinte druvari lumian, Selmani. Një burrë i imët, me mollëza të dala, i parruar dhe i pafjalë, e kundërta e Hamdiut që ishte gjithë humor. Në një trastë kishte një arsenal veglash pune, sharra, sopata, pyka , çekiçë. Drutë, me gjithë kujdesin e komshiut Hamdi, nuk ishin gjithmonë të përdorshme për sobë. Kisha dëshirë të shikoja Selmanin trup vogël se me sa lehtësi e çante trungun e madh, duke i ditur damarët, siç thoshte vetë. Te damari vendoste pykën nga ku krijohej çarja, për t’i hapur rrugë pastaj sopatës. Pazari dihej, 100 lekë dhe dreka. “Punoj, thoshte, dhe jo keq, por me një tufë fëmijësh në Lumë është halli te triskat”…
Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, triskë është një fletë e vogël e ndarë në lata, ku shënohet sasia e ushqimeve , e druve, e qymyrit, e artikujve të veshmbathjes etj., që mund të marrë njeriu apo familja (në sistemin e shpërndarjes në formë të caktuar). Por triskë është edhe një dokument për anëtarësim ose lidhje me një detyrë si triskë fronti, triskë rinie, triske partie…
Fjala “triskë”, brezit tonë, nuk i është ndarë gjithë jetën, shoqërues i përhershëm. Me të në dorë paraqiteshim çdo ditë te dyqani i bukës, një herë në dy javë te dyqani i ushqimeve, një herë në muaj në fushën e druve, diçka me radhë te ai i veshmbathjes. Pastaj qumështi që ishte një histori më vete.
Më të rëndësishme ishin sigurisht triskat e bukës. Çdo anëtar i familjes kishte një të tillë që e merrte kryefamiljari në qendrën e tij të punës. Triskat e bukës ishin ndarë në kategori: fëmijët dhe të moshuarit 400gr. dhe quhej ordinere, nëpunësit 600 gr. e quhej e mesme, punëtoret 800gr e quhej triskë e rëndë. E lehtë, e mesme, e rëndë, sikur të ishin pesha për boksierë. Por, mirë e kishin menduar, ajo jetë ngjante një ring boksi, vetëm me një ndryshim, se boksi vazhdonte 9 minuta, tre raunde nga tre minuta, kurse triskat aq sa minuta ka viti dhe vitet…
Triska e bukës ishte një fletë me përmasa 7x7cm, ku sipër shënohej emri dhe poshtë ishin datat e muajit që quheshin lata. Çdo latë kishte një ditë. Shitësja e bukës priste latën me gërshëre dhe e ngjiste në një fletë më të madhe, sipas kategorisë që i kushtonte kohë dhe shkaktonte shtimin e radhës. Buka ishte e zezë dhe e fortë që mezi pritej. Shumë herë zëvendësohej me misër që ngjante si një pllakë tallashi. Për të sëmurët, shumica me TBC, kishte një ‘favor’, buka e grurit nuk zëvendësohej me misrin.
Triska kishin të drejtë të merrnin vetëm ata që ishin në punë shteti. Hamdiu, Selmani e shumë të tjerë jo. Po të hoqën nga puna, mbete pa triska, mbete pa bukë. Buka ishte apoteoza, ishte riti. Regjimi kishte në dorë bukën, pra kishte jetën. E merrte atë e ta hidhte në fermë si punëtor, pavarësisht se ti ishe agronom, ta hidhte në një qytet tjetër pa pyetur se kishe rrënjë aty ku ishe, ta hidhte në kantier si punëtor pavarësisht se ishe inxhinier, ta hidhte ku të donte ti shkoje nga prapa. Rrugë tjetër nuk kishte, ndryshe quheshe ‘parazit’.
Ishte edhe triska e qumështit. Jepej për fëmijë dhe për të sëmurë. Qumështi shpërndahej vetëm në një dyqan për gjithë Tiranën, që ishte aty ku sot është bar “Guva” në rrugën këmbësore . Radha për burrat mbahej për një , dhe fillonte nga Teatri Popullor gati 150 m. Nga ana tjetër , ishin gratë, kurse në mes hynin pa radhë familjet e dëshmorëve. Në rradhë shumica ishim fëmijë që detyroheshim të rrinim me orë për 1 kg qumësht.
“Radhë, radhë, radhë – refren i përditshëm i jetës”, – siç shkruan kolegu im Kolevica.
Dyqani i bukës i lagjes sonë ishte në rrugën e Kavajës, pranë Ministrisë së punës sot. Shkonim me shokun tim, Besnikun, drejt dyqanit kur na grishën disa shokë për të luajtur në fushën e Shallvares. Mbas loje u drejtuam drejt dyqanit, por Besniku nuk po gjente triskat. Kërkuam në pantallona e triko që i kishim vënë si porta, por ato ishin zhdukur. Ku të shkonim? Besniku, një djalë i gjatë e i hollë me ballë të gjerë, rreth 12 vjeç, u zverdh i tëri. Qukat që kishte në fytyrë i kuqëlonin më shumë.
Çfarë do t’i them tani babës? Për fat, ishte fund muaji. U mblodhëm shokët, e me lejen e prindërve, i dhamë nga një triskë për familje. Shkuam të gjithë te shtëpia e tij, buzë Lanës së vjetër dhe i shpjeguam babait të Besnikut se si ishte puna. Mbasi bisedoi me prindërit tonë u bind. Ishte besimtar. “Zoti ju bekoftë!”, na tha.
Fëmijë që u rritëm në radhë, fëmijë që u rritëm me triska. Por, nuk mjaftonin triskat e nevojave të përditshme. Kishte edhe triska të tjera ideologjike, si e Frontit, e Rinise dhe e Partisë. Triska e Frontit e dalë nga Konferenca e Pezës që predikonte bashkimin e popullit, nuk u jepej të gjithëve. Atë e jepte këshilli i lagjes. Ke qenë tregtar, nuk e merr; ke qenë në burg, jo e jo. Mirëpo, triskat ishin të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën. A e ke triskën e Frontit? – Jo! Atëherë të pret vetëm puna e krahut, ndryshe nuk merr triskat e ushqimit.
Pastaj duke u rritur vinte triska e Rinisë. Familja që nuk ka triskën e Frontit nuk merr atë të Rinisë.
Thotë Xhorxh Uruell te libri “Ferma e kafshëve”: “Të gjitha kafshët janë të barabarta , por disa kafshë , janë më të barabarta se të tjerat”.
Këta më të barabartët sundonin në emër të barazisë, që për këtë barazi nga fillimi i viteve ‘80 triskat i zëvendësuan me tullona.

Tiranë, 8 janar 2017

Dr. Orhan Sakiqi, ish-këshilltar, kryetar i këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtar i “Këshillit të të Urtëve” në Shoqatën “Bashkësia Dibrane”