Koha për Bio


Arroret, si arra, lajthia, gështenja, janë në “shtëpinë e tyre”. Ato janë pothuaj në gjendje natyrore, nuk spërkaten, nuk plehërohen, dhe si të tilla, mund të konsiderohen si prodhim bio.

Rrethi i Dibrës do të ishte shumë i përshtatshëm për ngritjen e fermave që synojnë prodhimin bio. Klima e përshtatshme për disa kultura të veçanta, ajri i pastër, lartësia mbi nivelin e detit, e bëjnë shumë të mundur një gjë të tillë.

Koha për bio” është një thirrje e pak viteve më parë , por që nuk do t’i humbasë vlerat , për aq kohë sa njeriu do të konsumojë ushqim. Është kjo një thirrje për prodhuesit, për konsumatorët, për qeveritë e qeveritarët, për organizata e fondacione të ndryshme. Është një ftesë për të prodhuar gjëra të shëndetshme, për të kënaqur njeriun , e jo për ta helmuar atë.
Sot, në Shqipëri, shumë ferma po orientohen drejt prodhimit bio. Numri i tyre është afër 200, por gjysma e tyre është aktive. Po të llogaritet për nga sipërfaqja, mendohet të jenë 89 mijë hektarë, por dhe nga këta 440 hektarë , janë të certifikuar nga instituti i bujqësisë biologjike (IBB). Kjo sipërfaqe është vazhdimisht në rritje dhe e ardhmja e këtij sektori do të ketë prioritete. Dhe pse ka vetëm pak vite që po flitet e po punohet për bujqësinë organike , rezultatet nuk kanë munguar. Kompani të tilla si “ Shkalla”, “Gjikondi”, “Musaj”, apo dhe të tjera kanë fituar dhe çmime ndërkombëtare për prodhimin cilësor të vajit të ullirit.
Rrethi i Dibrës, do të ishte shumë i përshtatshëm për ngritjen e fermave që synojnë prodhimin bio. Klima e përshtatshme për disa kultura të veçanta, ajri i pastër, lartësia mbi nivelin e detit, e bëjnë shumë të mundur një gjë të tillë. Arroret, si arra, lajthia, gështenja, janë si të thuash në shtëpinë e tyre. Ato janë pothuaj në gjendje natyrore, nuk spërkaten,nuk plehërohen, dhe si të tilla, mund të konsiderohen si prodhim bio. Qarku i Dibrës ka rreth 150 hektarë të mbjellë me arra, 45 ha me gështenjë dhe rreth 15 ha me lajthi. Duke parë përshtatjen e këtyre kulturave, shërbimet relativisht të pakta dhe kërkesat në rritje, mendojmë se kjo sipërfaqe duhet shtuar akoma. Patatja, mund të jetë një objekt shumë i rëndësishëm i prodhimit bio. Dibra ka disa zona që i plotësojnë më së miri kushtet për ta certifikuar si të tillë këtë kulturë. Mund të përmendim këtu zonën e Gollobordës, atë të Bellovës, Kalanë e Dodës, Luzninë, apo dhe ndonjë tjetër.
Gjithnjë e më tepër dëgjohet të flitet për bujqësi organike e bujqësi biologjike. Kjo e fundit nënkupton një sistem bujqësie që përdor bazë materiale të padëmshme për njerëz, gjallesa të tjera dhe mjedisin në përgjithësi. Ajo harmonizon interesat ekonomike, ekologjike dhe sociale, për të sotmen dhe gjeneratat që do të pasojnë.
Po të ndjekësh me pak vemendjen tendencat e sotme të shoqërisë njerëzore e konkretisht të prodhuesve, do të shohësh se dhe rruga që ata ndjekin, bie ndesh që në fillim me atë që u citua më sipër. Një uri e paskrupullt për fitime, rregulla të shkelmuara , moral i kalbur. Një miku im, që banon në qytet, më thoshte një ditë , se më ka marrë malli të ha një sallatë me domate fshati. Domate e kastraveca që rriten e marrin ngjyrat respektive,vetëm në pak ditë, falë produkteve e stimuluesve hormonalë me të cilët trajtohen . Por dhe mishi e nënproduktet e tij, nuk janë larg këtyre fallciteteve e lakmisë për fitim. Një dite isha tek ferma e një shoku dhe më pëlqeu një nga viçat e tij, gjë që e shpreha dhe me fjalë.
– Jo doktor,- u përgjigj fermeri, – ka dhe më të mëdhenj, të po kësaj moshe. Një komshi këtu pranë, i injekton viçit të tij një lëng të zi në qafë dhe ai ka shtuar peshë , shumë më tepër se i imi. Mendova me vete, sa të rrezikuar e të riskuar jemi si konsumatorë nga dëshira për të fituar sa më shumë para. Mishin e viçit të atij komshiut, ne do ta konsumonim me shumë dëshirë si produkt i freskët fshati. Bile mund t’jua dërgojmë dhe miqve në Tiranë .Ne dibranët, më parë përmendnim termin “viç Maqedonie”, por sot gjërat janë ndërlikuar shumë më tepër.
Kur flasim për mishin jo cilësor,po për sallamet e nënproduktet e tjera, çfarë garancie mund të jepet. Ka raste, që lopë kashektike,ndonjëherë dhe më keq se kaq, shërbejnë si lëndë e parë për prodhimin e sallamit e nënprodukteve të tjera. Para disa ditësh, mediat dhe televizioni, ngritën alarmin për një rrezik kancerogjen, që vinte nga mishi i përpunuar. Ka vite, që në dietën time dhe të familjes, nuk përfshihen sallamet, salçiçet e të tilla si këto.
Ministria e bujqësisë dhe drejtoritë e Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit po bëjnë një punë të lavdërueshme në mbrojtje të konsumatorit. Ministri i bujqësisë, Panariti, në një takim me fermerë të Kasharit, foli qartë për rëndësinë e prodhimit bio, dhe mbështetjen që do të bëjë qeveria në këtë drejtim. Por, sërish ngelet akoma shumë për tu bërë. Personalisht, mendoj se vepra të tilla duhet të trajtohen si precedente penale, pak më të rrezikshme edhe se krimi ekonomik, pasi kanë të bëjnë direkt me jetën tonë.
Të njëjtin mendim kam për shumicën e pijeve që konsumojmë. Kur jam mik diku, e refuzoj pa mëdyshje gotën me kola, apo me amita të ndryshme që më vihet përpara. Në një rast, shkuan të blejnë një shishe të tillë në dyqan, kur mbi sobë gurgullonte mbi dhjetë kilogramë qumësht i posamjelë.
– Jo, miqtë e mi! – U fola unë, pak i mërzitur, pak i revoltuar,por jo prej tyre, por nga injoranca jonë. Më mbushni një gotë qumësht, u thashë.Të blesh një shishe me ujë të ngjyrosur me më tepër para se një shishe qumësht, kjo është vërtetë për të vënë duart në kokë. Shpesh një shishe amita mund të kushtojë dy dhe tre herë më shumë. Nga qumështi del gjiza, gjalpi, djathi, kosi e hirra, shumë kuruese, kurse ai uji me ngjyrë në shishen e blerë, vetëm dëme shëndetit mund ti shkaktojë. Pa le, po shpesh përdorim dhe fjalën “origjinale”, që në fakt, veç emrit, nuk ka asgjë të tillë. Ne kemi mundësi të panumërta për ti zëvendësuar produkte të tilla me ato që i bëjmë me duart tona, shumë më të lira, e shumë më të shijshme. Kompostot e ftoit, të qershisë, vishnjes, kumbullës dhe e frutave të tjerë, janë vërtetë pije princërore. Amvisat prodhojnë shpesh, një lëng thane, që quhet “narden”, kaq i shijshëm, sa do kërkosh dhe një gotë të dytë, pasi ke konsumuar të parën. Mos flasim pastaj për çajra të boronicës, të dëllinjës, të blinit, të trandafilit të egër, të cilat na rrethojnë gjithandej dhe janë shumë të shijshme e shumë kuruese. Në qarkun e Dibrës ka plot grupe grash që po punojnë fort në këtë drejtim. Prodhimet e tyre janë ekspozuar në panairin e përvitshëm, që organizohet në Peshkopi, por dhe në vende dhe veprimtari të tjera.
Prandaj , ti o njeri, që shkon në hënë e planete të tjerë, që bën aviona e raketa, që krijon robote e bën shpikje të ndryshme, kontrollo së pari atë çfarë konsumon, atë çfarë han dhe pin. Mos u mashtro për kollaj nga etiketat dhe reklamat e bujshme nëpër ambalazhe. Ngado që të hedhësh sytë sheh plot gjëra për të korrigjuar, për të ndryshuar. Gati konsumohet vetëm bukë gruri, kur dihet se misri është shumë më dietik dhe ka vlera sidomos tek diabetikët. Po kështu thekra me cilësitë e saj, mbetet një vlerë e pallogaritshme. Furrat e bukës e përdorin majanë për të fryrë brumin pa hesap. Në fakt, ashtu siç fryhet brumi, ashtu po fryhen dhe njerëzit, duke u shfaqur me dhjetra sëmundje metabolizmi, pikërisht nga mënyra se si ushqehemi dhe çfarë konsumojmë.