Një jetë mes veprash të mëdha dhe kolegësh të talentuar
Bisedë më ing. Shaban Bitrin, autorin e librit “Jetë në veprat e mëdha”


Libri “Jetë në veprat e mëdha” është një autobiografi e një inxhinieri, i cili largohet fëmijë nga vendlindja dhe gjithë jetën është në ndërtim të veprave të mëdha, hidrocentrale, rrugë, hekurudhë, ura etj.
Në librin e botuar është jeta e tij në hidrocentralin e Fierzës, ku punoi mbi 9 vjet, dhe më pas në HEC e Komanit mbi 4 vjet, janë shokët, kolegët, miqtë, familja, Dibra dhe dibranët, me të cilët ka punuar në ato vepra të rëndësishme, me të cilët ka ndarë gëzimet, vështirësitë, ka diskutuar e debatuar për problemet dhe shqetësimet e jetës dhe punës. Një bisedë me Shaban Bitrin është gjithmonë e ngrohtë, e paqtë, por edhe me mendim dhe frymëzim.

– Inxhinier, meqë jemi në prag të festës së Mësuesit, si i kujtoni mësuesit tuaj?
– Shkollën fillore e kam kryer në fshatin tim, Blliçe, ku mësimet e para i mora nga mësuesit e përkushtuar në edukimin tonë Aqif Spata, Selman Tota e Sul Koltraka… Më pas, në vitin 1961, vazhdova 7-vjeçaren në Fushë Alie. Ishim një grup nxënësish që nga klasa e pestë deri në të shtatën që punonim me pasion e dashuri për të mësuar, duke nxjerrë kuadrot e parë që vazhduan studimet në shkollën e lartë në degë të ndryshme, si Munir Hoxha, Ismet Kuta, Sakip Dauti, Lazam Nezha, etj. Kjo traditë vazhdoi edhe në vitet më pas, duke nxjerrë breza me rezultate të shkëlqyera, duke nxjerrë mësues të mirë, agronomë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, zooteknikë, ushtarakë, gazetarë, artistë e shkrimtarë… Mund të përmend disa prej tyre, si Muhamet Bitrin, Vesel Hoxhën, Maliq Bitrin, Zylfi Spatën, Rruzhdi Bitrim, Xhetan Kutën, Rushit Bitrin, Uzri Hoxhën, Sadin Bitrin, Bilbil Bitrin, Rushit Markun, Arian Bitrin, Xhevdet Kacanin, Halit Hoxhën, Pajtim Përnezhën, Nexhbetin Markun, Mentor Hoxhën e shumë të tjerë, të cilët sot shkelqejnë në fushat e profesionet e tyre ku pnojnë dhe kontribuojnë,
Shkollën e mesme e mbarova në Teknikumin e Ndërtimit Tiranë, si konviktor, me një grup nxënësish të përkushtuar ndaj mësimit si Hasan Demiri, Mevlan Balliu, Asllan Lala, Sulejman Cani etj.

– Nga shkolla e mesme, në punë dhe pastaj në universitet?
– Po. Puna ime nisi si teknik ndërtimi në Pukë, ku nuk mund të harroj kryeinxhinierin e ndërmarrjes Vito Koçi dhe kolegun Robert Zajmi për ndihmën që më kanë dhënë. Pas përvojës praktike në Pukë, në vitin 1970 dyert e universitetit do të hapeshin për mua, duke iu futur kështu profesionit të bukur të inxhinierisë.
Gjatë periudhës 4-vjeçare si student, krahas përkushtimit për të realizuar programin mësimor, rritëm edhe shoqërinë tonë studentore me shokë shumë, mes të cilëve kujtoj Vangjel Detin, Mevlan Balliun, Kujtim Bejtajn, Aleksandër Angjeliun, Robert Zajmin, Anesti Stillon, me të cilët ndamë bashkë gëzimet e shqetësimet.
– Pas universitetit ju priste Fierza…
– Jetën time të rinisë e fillova në HEC e Fierzës në Gusht të 1974 dhe punova aty deri në përfundimin e tij në vitin 1983, duke kaluar më pas në Koman, ku punova deri në vitin 1986. Për më shumë se 14 vite me radhë, punë në këto vepra më bëri më të fortë për të përballuar vështirësitë e mëdha që kishte puna dhe jeta. Më rriti profesionalisht, më mësoi të punoja me njerëzit, të diskutonim e t’u jepnim zgjidhje problemeve, pasi në një vepër kaq e madhe, asnjë punë nuk fillonte pa kaluar më parë përmes diskutimit, konsultës dhe marrjen e vendimeve së bashku. HEC i Fierzës është një vepër e madhe energjetike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
– A ishte e vështirë puna në hidrocentral?
– Një nga vështirësitë e kësaj vepre ishte ndërtimi i digës me bërthamë argjili, material vendi. Për përgatitjen e argjiles dhe hedhjen e saj në vepër u deshën me mijëra analiza, të cilat kërkonin kohën e nevojshme. Ajo u mor afër qytetit të Bajram Currit, rreth 20 km larg nga diga. Përqindja e lagështisë së saj i kalonte kërkesat e projektit, ndaj argjila u vendos në një fushë afër hidrocentralit dhe u bë kavalet. Atje hidhej një shtresë zhavorr, një argjil, deri në përcaktimin e lagështisë optimale, sipas kërkesave që kërkonte projekti. Dhe për këtë u deshën mbi 5 muaj derisa provat laboratorike provuan se tashmë argjila ishte gati për në digë.
Por paralelisht punohej me intensitet në të gjitha objektet e tjera: në përgatitjen e bazamentit të digës, galerive nëntokësore në aksin e digës. Në këto fronte puna, një kontribut shumë të madh ka dhënë brigada e minatorëve që drejtohej nga Shaban Gjoka. Për punën e madhe që bënte kjo brigadë u quajt nga ne inxhinierët si “brigada e zjarrfikëses”. Këtë emër e mori pasi ajo të nderonte në çdo front pune dhe të zbardhte faqen për kryerjen e punimeve në kohë reale.
Një nga problemet e mëdha në Fierzë kanë qenë ndërtimi i kullave të tuneleve të shkarkimit. Në momentin kur punimet ishin drejt përfundimit, ku po bëhej pastrimi i bazamentit në ajër me presion, erdhën drejtues të lartë të Ministrisë së Ndërtimit, drejtori i përgjithshëm i hidrocentralit. Ata na lavdëruan për punën që kishim bërë. Ne vazhdonim të punonim më dy turne për 24 orë rresht në ditë, por një shi i madh na detyroi ta ndërprisnim punën. Lamë njerëz që vëzhgonin me kujdes skarpatet për rast rreziku shembjeje. Ata, nga vrojtimet, panë se lëvizja e gurëve ishte më e shpeshtë dhe dhanë alarmin për largimin e të gjithë mjeteve e makinerive nga objekti. Gjatë gjithë natës vazhdoi një shi i dendur. Në mëngjes pamë se një masiv shkëmbi, rreth 15 mijë m2, kishte rënë mbi bazamentin e kullës.

– Si u menaxhua situata?
– Gjendja e krijuar nga shembja iu bë e ditur drejtuesve kryesorë të ndërmarrjes, dhe erdhën në objekt specialistë të ndërtimit si edhe ing. gjeologë Nuro Dhima dhe drejtuesit e tjerë të ndërmarrjes. I pranishëm ishte edhe drejtori i përgjithshëm, Ismail Ahmeti, i cili mblodhi kolektivin e sektorit dhe ndër të tjera tha: “Jeni të gjithë mirë? S’ka asnjë dëmtim tek njerëzit? Kjo është kryesorja, pasi në veprat e mëdha ndodhin ngjarje të tilla, por ne duhet të jemi të interesuar në radhë të parë, të mos gërvishtet asnjë gisht. Pasi kujdesi për të siguruar dhe mbrojtjen e punonjëse është në plan të parë. Por, tani duhet të lëmë pas këtë ngjarje dhe duhet të mobilizohemi për të realizuar sa më shpejt evadimin e kësaj shembjeje.” Për gati 10 ditë bazamenti u bë gati për hedhjen e betonit.
Në vepër punohej më intensitet edhe në të gjitha objektet e tjera, sidomos në sektorin e digës, ku punohej për ndërtimin e bazamentit të digës e galerive nëntokësore në aksin e digës, me qëllim që më pas të punohej me intensitet për çimentimin e shkëmbit ose siç thuhet, ndërtimi i digës së nëndheshme. Thellësia e çimentimit të shkëmbit shkonte mbi 50ml. Me përfundimin e ndërtimit të galerive, puna fillonte në ndërtimin e bazamentit të digës, hedhjen e argjilës, ndërtimin e bërthamës së digës, etj.
Për ndjekjen e këtyre punimeve, mbushjen e bërthamës me argjil, granil, çakull dhe gur, ishte një grup projektuesish që qëndronin në terren, që drejtoheshin nga ing. Farudin Hoxha dhe projektues të tuneleve si: Egon Gjadri, Gëzim Struga, Stavri Peci, prof. Petrit Radovicka e shumë kolegë të tjerë.
Për teknologjinë e hedhjes së argjilës nuk kishte asnjë mangësi ose neglizhencë. Shtresat hidheshin me trashësi 20 cm dhe bëhej rulimi me rula gome me peshë mbi 60 ton dhe zbatoheshin rregulla për rulimin dhe spërkatjen me ujë të saj, për të pasur lagështinë optimale të përcaktuar në projekt.

– Kur flisni me kaq saktësi, do të thotë që puna nuk lejonte tolerime?

– Jo. Nuk tolerohej. Nuk mund të fillohej shtresa pasardhëse pa dalë rezultatet laboratorike nga laboratori fushor, i cili ishte vendosur në objekt. Vetëm kur jepej miratimi nga laboratori, atëherë mund të fillonte vazhdimi i shtresës pasardhëse të argjilës. Kur kishte raste që spërkatja me ujë nuk ishte uniformë, hiqej shtresa e argjilës në ato pjesë. Cilësia e çdo procesi pune ishte e patolerueshme.
Për punën e madhe që bëhej në HEC e Fierzës, mund të themi se të gjithë ishin heronj, por puna e secilit bënte dallimin. Mund të përmend heronjtë si Shaban Gjoka, Haxhi Mandreka, Hashim Zyberi dhe brigadier të tjerë si Zhem Peca, Isuf Kaca, Zeqir Ndreka, Dali Lika, Haxhi Billa, Bajram Lala si edhe specialist Hamit Rasha, Osman Ndreu, Isuf Elezi, Rifat Sinani, si edhe një armatë e tërë specialistësh të profesioneve të ndryshme si minatorë, karpentier, shoferë, manovrator, montator, sondist, mekanik e shumë profesione të tjera, të cilët me punën e tyre lanë gjurmë në ndërtimin e kësaj vepre të madhe. Nuk mund të lë pa përmendur kolegë dhe shokë të mi si, Kujtim Bejtaj, Genc Ajazi, Jani Peta, Jani Mako, Sali Domi, Milo Konomi, Rami Majmari, Vladimir Zëra, Anesti Stillo, Andrea Panazaqi, Mevlan Balliu, Gjergji Note, Shpëtim Kalaja, Alush Bushpapaj, Kristaq Thanasi, Ilir Prevazi, Ramiz Plaku, Iqmet Bramo, Hysen Dervishi, Ilir Metohu, Gligor Toslluku, Gani Kaceli, Petrit Kovaqi si edhe teknikët e mesëm të cilët mbajtën peshën kryesore në zbatimin për ndërtimin e objekteve të veprës nga të cilët mund të përmendim: Misto Thomagjini, Spiro Koçini, Gaspër Shelqeti, Ramadan Kadria, Jak Gjeçi, Jorgo Kristo, Ziso Xhaferi, Thoma Babi, Kozma Pjetri, Pashkë Bungaja etj.
Puna ndiqej me të njëjtin përkushtim edhe në fronte të tjera si në tunelet e turbinave, të shkarkimit, veprës së marrjes, kullave të shkarkimit, sallës së makinerive, nënstacionin elektrik. Për këtë mund të përmendim projektuesit si prof. Egon Gjadrin, Gëzim Struga, Stavri Peçi, Met Hadëri etj.
Për projektimin e HEC Fierzë punonte një armatë e tërë inxhinierësh që merreshin me projektimin e objekteve të hidrocentralit. Instituti i Veprave Hidroenergjetike ishte nga institutet më të mira në atë periudhë. Dua të theksoj se puna voluminoze për projektimin dhe zbatimin e tyre në vepër, një rol kryesor kishte drejtori i përgjithshëm z. Ismail Ahmeti, i cili ishte një drejtues me vizion, me aftësi drejtuese e menaxhuese. Ishte shumë i përgatitur, këmbëngulës e serioz. Niveli i lartë profesional e bëri atë një person me personalitet, autoritet e komunikues, por edhe me një zemër të madhe.

– Në një kuptim, Fierza ishte “shkolla e madhe” e edukimit profesional?

– Fireza ishte shkollë e madh e edukimit profesional. Aty zhvilloheshin kurse të vazhdueshme profesionale, si: minator, karpentier, sondist, betonist, hidraulik, elektricist, montator, mekanik, xhenerik e pompist, por gjithashtu funksiononte edhe shkolla e mesme profesionale për degët ndërtim, elektrik e mekanik, ku përgatiteshin kuadrat e mesme për këto punë. Inxhinierët testoheshin nga komisione të veçanta dhe në bazë të formimit të tyre, bëhej vlerësimi profesional dhe rritja e pagës sipas vlerësimit për inxhinierë të kategorisë së parë, të dytë edhe të tretë. Unë, si inxhinier i ri, u vlerësova në vitin 1978 nga komisionet e kualifikimit si “inxhinier i Klasit të Parë”. Në Fierzë u përgatit një armatë e tërë specialistësh, që do të punonin më pas në Koman edhe në vepra të tjera energjetike.
Në Fierzë, në ndërtimin e kësaj vepra të madhe hidroenergjetike të vendit, kanë punuar mbi 20.000 punonjës me intensitet të lartë në të gjithë sektorët e veprës. Realizimi i punimeve u bë nga teknikët dhe inxhinierët shqiptar, që punonin në çdo objekt të kësaj vepre me përgjegjësi, përkushtim e sakrifica të mëdha. Të gjithë specialistët e të gjitha fushave punonin pa u lodhur, duke kaluan rininë e tyre në këtë kantier të madh ndërtimi.
Në muajt e parë të vitit 1981 ndërmarrja u transferua në HEC e Komanit. Në Fierzë ngeli një kantier i fuqishëm me rreth 1000 punëtorë. Unë u largova i fundit nga inxhinierët për në Koman, në Mars 1983, pasi vepra iu dorëzua Ministrisë së Energjetikës. Punimet në Fierzë kanë përfunduar rreth 35 vite më parë, por gjatë kësaj periudhe, për arsye shëndetësore, nga sëmundje të ndryshme ka nga ata të cilët nuk jetojnë më. Dhe po përfitoj nga rasti t’i ngushëlloj familjet e tyre, si edhe të rënëve t’u prehet shpirti në paqe.

– Si ishte të kaloje me punë nga Fierza në Koman?

– Në Koman fillova punë si drejtues i laboratorit, ku bashkë me kolegët bëmë një punë shumë të madhe për të përmirësuar recetat e betonit, duke rritur cilësinë e tyre, por ndërkohë kursyem mbi 5% e sasisë së çimentos për m2. Gjithashtu u bënë shumë studime të tjera në fushën e rritjes së cilësisë të materialeve të ndërtimit që hidheshin në vepër. Për punën e madhe të bërë nga personeli inxhiniero-teknik i laboratorit është vlerësuar nga ekspertë dhe specialist të Institutit të Ndërtimeve si edhe ekspertë të Ministrisë së Ndërtimit, pasi cilësia e prodhimit të betonit ishte e një cilësie të lartë që garantonte cilësinë e veprës. Në këtë angazhim të madh nuk mund të lë pa përmendur kolegun tim, inxhinier Fitim Mata si edhe teknikë të laboratorit që punonin me përkushtim, si: teknik Viktor Gaci e Prek Bisha, Dod Doçi, i cili kishte dëshirë dhe vullnet për të studiuar, që më vonë shkoi në shkollën e lartë dhe sot është një biznesmen i suksesshëm.
Në këtë angazhim për realizimin e këtij objektivi patëm mbështetjen e drejtuesve të ndërmarrjes, si të kryeinxhinierit Kujtim Bejtaj, si edhe na inkurajuan dhe na mbështetën edhe kolegët si ing. Jani Mako, Shqefen Zefi, Bashkim Shehu, Hysen Dervishi etj.

Në hidrocentralin Koman punova edhe në kantierin e prodhimit si kryeinxhinier kantieri dhe në janar 1986 u transferova në hekurudhën Milot-Rrëshen.

– Nga hidrocentralet në hekurudhë. Më pas në ndërmarrjen e ndërtimit në Shkodër? Si e përjetua ndryshimin e frontit të punës?
– Në hekurudhën Milot-Rrëshen-Klos, në atë kantier të madh, mbulonim peshën më të madhe për ndërtimin e të gjitha urave si edhe ndërtimin e një pjese të trasesë së hekurudhës. Punohej në shumë fronte njëkohësisht ku punimet drejtoheshin nga ing. dhe teknikë. Këtu mund të përmend ing. Ramadan Bumçi, teknik Pertaq Dajçi etj.
Me transferimin tim më rrethin e Shkodrës, unë punova në N.N rrugëve Shkodër ku objekt kryesor ishte ndërtimi i rrugës Fushë Krujë-Milot me gjatësi 24 km. Ishte një objekt i vështirë, pasi për herë të parë, zbatoheshin punime në rrugë të klasit të parë me shpejtësi 80 km/orë. Unë kryeja detyrën e drejtuesit teknik dhe kryeinxhiner i ndërmarrjes dhe për realizimin e punës në këtë objekt të madh pata mbështetje nga projektuesit e kësaj vepre të drejtuar nga prof. ing. Faruk Kaba si edhe nga kolegët e mi: Milo Konomi, Nazmi Juka, Kujtim Kastrati, Gazpër Shelqeti e Gëzim Mezini si edhe shumë kolegë të tjerë.

– Si ishte të lije punën shtetërore dhe të kaloje në biznesin privat? Si i ke pasur raportet me Dibrën gjatë kësaj përvoje?
– Me zhvillimin e proceseve demokratike, në vitet e para të pluralizmit unë kalova si subjekt privat në fillimin e vitit 1994, ku vazhdoj edhe sot. Për periudhën mbi 20 vjeçare të shoqërisë ALMO konstruksion të cilën e drejtoja, ka pasur ngjitjet dhe uljet e saj. Për rritjen dhe zmadhimin e shoqërisë kam pasur mbështetje nga kolegët dhe miqtë e mi, si: Genc Ajazi, Ram Geci, Ndue Kola, Faruk Kaba, Xhevahir Muçokllava, Bujar Makishti, Reshit Këllezi, Arbert Lenja e shumë të tjerë. Për të gjithë periudhën time si inxhinier ndërtimi për mbi 42 e vjet, u jam mirënjohës të gjithë kolegëve dhe miqve të cilët me këshillat, sugjerimet dhe ndihmesën e tyre, më bënë që të jem më i aftë në profesionin tim, si inxhinier.
Në rritjen e biznesit tim, më kanë inkurajuar vazhdimisht miqtë e mi si Nuri Abdiu, Lefter Kashta e Manol Tasillari si edhe shumë shokë e miq të tjerë.
Unë punova mbi 40 vjet si inxhinier ndërtimi, në hidrocentrale dhe vepra të tjera të mëdha por asnjëherë nuk mu dha mundësia të punoj e të kontribuoj në vendlindjen time, Dibër. Por kudo ku kam punuar Dibrën e kam pasur me vete, duke u përpjekur ta nderoj e përfaqësoj sa të mundem. Ndërsa kur më është dhënë mundësia të punoj në punë që kanë pas të bëjnë drejtpërdrejtë me Dibrën, jam përpjekur të bëj më të mirën e mundshme. Sepse ajo më ka dhënë shumë gjatë jetës, ndërsa unë ndjehem borxhli ndaj saj.
Sot jam pensionist mbi 3 vjet, që prej Janarit të vitit 2014, dhe biznesin sot e drejtojnë dhe e menaxhojnë djemtë e mi, Edmondi dhe Alfonsi.

Bisedoi: Bujar Karoshi