Shpërthimi i gazit në minierë, tre minatorët kinezë gjenden pa jetë


Në fillim të muajit shkurt, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm gazi hidrogjen dhe metan, u plagosën tre minatorë dhe tre të tjerë mbetën të bllokuar, në thellësitë e nëntokës.
Kompleksi minerar i Bulqizës është një nga burimet minerare më të rëndësishme të Shqipërisë dhe më gjerë, por kromi i nxjerrë këtu gjatë viteve 1980, kur qeveria e kohës e kishte këtë mineral si burimin kryesor të të ardhurave në valutë, ka bërë që miniera të degradojë dhe të kthehet në burim të vazhdueshëm aksidentesh duke i marrë jetën shumë minatorëve.

Fillimi i muajit shkurt të këtij viti, përkoi me një aksident të rëndë të ndodhur në Minierën e Bulqizës, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm gazi hidrogjen dhe metan, u plagosën tre minatorë dhe tre të tjerë mbetën të bllokuar, në thellësitë e nëntokës. Shpërthimi i gazit ndodhi rreth mesditës së të shtunës më 4 shkurt, ndërsa minatorët po punonin në nivelin 21- të pusit numër 9 i quajtur ndryshe si pusi i thellësisë së minierës. që zotërohet nga kompania konçensionare AlbChrome pjesë e BalfinGrup, e cila do mundësojë lidhjen e nivelit të 16-të me atë të 21-të.
Fillimi i punës për hapjen e pusit nr.9, të ashtuquajtur pusi i thellësisë, ishte një moment i rëndësishëm për vazhdimësinë e punës në Minierën e Kromit Bulqizë, pasi kjo hap perspektivën e mëtejshme të zhvillimit të kësaj miniere. Me përfundimin dhe vënien në punë të këtij pusi bëhet e mundur marrja e rezervave të rëndësishme të mineralit të kromit në thellësi të minierës, në sasi prej rreth 2.126.800 ton, me përmbajtje prej 43.5 % Cr2O3.
Pusi nr.9 ka një gjatësi prej 600 m, duke filluar nga niveli +420 m e përfunduar në nivelin -180 m. Hapja dhe montimi i makinerive e pajisjeve të pusit është marrë përsipër nga kompania kineze Wenzhou Mining Co Ltd, kompani e cila angazhojë për këtë qëllim një personel prej 70 punonjësish. Shpërthimi ndodhi në nivelin e 21-të, i fundit nivel i hapjes së thellësisë, që nisi nga niveli i 16-të nga ana e kompanisë kineze. Menjëherë pas sinjalizimit të aksidentit, që pati si shkak shpërthimin e gazit të hidrogjenit, grupet e gatshme të avarive në ambientet e minierës kanë ndërhyrë. Por gjithçka ka qenë tejet e vështirë për të hyrë në thellësi të galerisë për shkak të pranisë së lartë të gazit. Ndërkohë, nga Tirana u nisën edhe zv.ministri Gëzim Musabelli dhe grupet e Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave (RISHM), zi dhe zyrtarë të tjerë. Nga shpërthimit 3 minatorë shtetas kinezë, morën lëndime të lehta dhe u dërguan në spitalin e Bulqizës, jashtë rrezikut për jetën.
Grupet e posaçme të avaro-shpëtimit të minierës dhe ata të ardhura nga Tirana, nisën vazhdimin e kërkimeve edhe për 3 minatorët e tjerë edhe ata shtetas kinezë, të cilët mbetën të bllokuar në brendësi të minierës. Por tre shpërthimet e mesditës së të shtunës, shkaktuan dëmtime serioze edhe të strukturës së minierës, gjë që pengoi mjaft grupet e kërkim-shpëtimit, të mbërrijnë te thellësitë ku mbetën të bllokuar 3 minatorët kinezë.
Kërkimet vijuan për ditë të tëra nga grupet e kërkim-shpëtimit, ku nëpërmjet kompresorëve injektohej ajri nga sipërfaqja në nivelet e galerisë për pastrimin e tyre nga niveli i lartë i pranisë së gazit. Por, për të shkuar në nivelin e 21-të, rreth 1000 metra thellësi, ku dhe kishin mbetur të bllokuar 3 minatorët kinezë, u deshën plot 6 ditë, gjë e cila veniti dukshëm shpresat e pakta për gjetjen gjallë të tyre. Dhe fatkeqësisht kështu ndodhi, kur trupa operacionale e RISHM-it, mundi të nxjerrë nga rreth 1000 metra thellësi trupat e pajetë të tyre.
Për të parë situatën nga afër në ambjentet e minierës së Bulqizës në ato ditë, ishte edhe Ambasdorja e Kinës Jang Ju dhe zv ministri i MEI-it Gëzim Musabelli ,të cilët realizuan një takim me specialistët e RISHM-it, AKBN-së dhe përfaqësuesit e Alb Chrome, ku u njohën me situatën e krijuar në këtë minierë, pas shpërthimit të gazit hidrogjen.
Në fjalën e saj Ambasdorja kineze shprehu respekt për qeverinë shqiptare për përpjekjet e saj në menaxhimin e situatës të krijuar në minierë pas tre shpërthimeve të fuqishme të gazit të hidrogjenit, duke theksuar se jeta e minatorëve është parësore dhe se duhet të bëjmë përpjekjet maksimale për mbrojtjen e jetës së tyre.
Në përfundim të operacionit të kërkim-shpëtimit, strukturat përgjegjëse u ngarkuan të hartojnë raportin përkatës dhe analizojnë shkaqet e dinamikën e aksidentit të ndodhur.
Kompleksi minerar i Bulqizës është një nga burimet minerare më të rëndësishme të Shqipërisë dhe më gjerë, por kromi i nxjerrë këtu gjatë viteve 1980, kur qeveria e kohës e kishte këtë mineral si burimin kryesor të të ardhurave në valutë, ka bërë që miniera të degradojë dhe të kthehet në burim të vazhdueshëm aksidentesh duke i marrë jetën shumë minatorëve. Aq e vërtetë është kjo sa aksidentet me humbje të jetëve të minatorëve, quheshin rëndom si të radhës. Gjithsesi edhe pse bëhet fjalë për forcim të kushteve të sigurisë në punë për minatorët, ende risku i aksidenteve vijon të mbetet i lartë dhe në të gjitha rastet e ndodhjes së tyre, përgjegjësia ka rënë mbi viktimat, pra është mbuluar së bashku me ta.