Tre nga misionarët e arsimit në Maqellarë


Maqellara është ndër krahinat më të bukura të rrethit të Dibrës. Aty prej shekujsh jeton një popull patriot, punëtor e arsimdashës. Nga gjiri i tij kanë dalë luftëtarë e burra shteti si Iljas Pashë Dibra, Riza Tefiku,
Ismail Strazimiri, Xhelil Gjoni etj.
Të shumtë ishin bijtë e Maqellarës që i dolën zot profesionit të mësuesit dhe shërbyen si misionarë të arsimit, si Haki Pahumi, Emin Jashari, Tosum Xhemali, Pëllumb Qosja, Muntaz Nasufi, Neki Osmani, Mitat Agolli, Besim Stafa, Shahin Lazri, Baudin Strazimiri, Qemal Kërkuti, Boge Postoli, Demir Osmani, Ramazan Ilnica, Ramazan Piku, Hekuran Dida, Avni Gjoni, Rruzhdi Keshi, Ali Liça, Rasim Xholi etj.

Maqellara është ndër krahinat më të bukura të rrethit të Dibrës. Aty prej shekujsh jeton një popull patriot, punëtor e arsimdashës. Nga gjiri i tij kanë dalë luftëtarë e burra shteti si Iljas Pashë Dibra, Riza Tefiku, Ismail Strazimiri, Xhelil Gjoni etj.
Shkolla shqipe ka qenë ëndërr, ajo u bë realitet pas Shpalljes së Pavarësisë. Pas çlirimit të vendit, më 1944, shkollat u zgjeruan në çdo fshat, u hapën shkollat 7-vjeçare, sot 9-vjeçare dhe ajo e mesme. Të shumtë ishin bijtë e Maqellarës që i dolën zot profesionit të mësuesit dhe shërbyen si misionarë të arsimit, si Haki Pahumi, Emin Jashari, Tosum Xhemali, Pëllumb Qosja, Muntaz Nasufi, Neki Osmani, Mitat Agolli, Besim Stafa, Shahin Lazri, Baudin Strazimiri, Qemal Kërkuti, Boge Postoli, Demir Osmani, Ramazan Ilnica, Ramazan Piku, Hekuran Dida, Avni Gjoni, Rruzhdi Keshi, Ali Liça, Rasim Xholi etj.
Po ndalemi në tre prej tyre, duke pasur parasysh se gazeta “Rruga e Arbërit” do të shkruajë herë pas here për mësuesit e Maqellarës, që jetën ia kushtuan shkollës dhe arsimit.

Skënder Pahumi

Skënder Pahumi lindi më 1948 në Vojnik të Maqellarës. Babai i tij Nazmiu, ishte shumë arsimdashës, kishte mbaruar me vështirësi Internatin e Homeshit duke kaluar shumë brenga, por fëmijët dëshironte t’i shkollonte. 4 fëmijët, 2 mësues e dy ekonomistë të lartë, duke mbështetur njëri-tjetrin bënë realitet ëndrrat e tyre e të prindërve.
Skënderi qysh në fëmijëri kishte dëshirë që të bëhej mësues. Mbaroi shkollën pedagogjike me rezultate shumë të mira në Peshkopi, duke përvetësuar dijet e lëndëve mësimore, njohuritë metodike e didaktike bashkë me përvojën që kishte fituar shkolla pedagogjike qysh me krijimin e saj.
Punën si mësues e filloi me pasion në Kërçisht, Maqellarë, për ta vazhduar në Majtarë nga viti 1972 deri në vitin 1988. Gjithnjë i heshtur, asnjëherë nuk fliste për vete. Nxënësit e tij nga cikli i ulët ‘shpërthenin’ në klasë të pestë, duke treguar punën e palodhur të mësues Skënderit.
Përparimi frontal në të gjitha lëndët në klasat e larta të shkollës 8 e 9-vjeçare, por edhe në shkollat e mesme e të larta, dhanë frytet e punës së këtij mësuesi. Të gjithë ata nxënës që hodhën bazat e dijes shkollore më mësues Skënderin, shkëlqyen në të gjitha hallkat e arsimimit. Kolegët e drejtuesit e shkollës konstatuan se ai i kushtonte shumë kohë përgatitjes për mësim, konkretizimin e orës së mësimit me bazë materiale e mjete ilustruese.
Kur hyje në klasën e tij, gjithçka ishte në vendin e vet. Mjetet mësimore ishin të sistemuara dhe shumica e tyre ishte përgatitur nga dora e tij. Klasa shndriste nga rregulli e pastërtia. Nxënësit merrnin pjesë gjallërisht në orën e mësimit. Për mësues Skënderin nuk kishte orë të parë e të fundit. Të gjitha orët vlerësoheshin njëlloj. Puna sistematike dhe kërkesat gjithnjë në rritje, e bënë atë ndër mësuesit e dashur dhe të respektuar të Maqellarës. Shpejt u bë i njohur jo vetëm në rrethin e Dibrës, por edhe në shkallë republike.
Gjatë ushtrimit të detyrës, në sajë të korrektësisë e punës sistematike, krijoi përvojë që e çoi drejt mjeshtërisë pedagogjike. Kjo vinte si pasojë e një vullneti për njohje shkencore të lëndës (saktësia shkencore), vetëkualifikimi, lidhja e shkollës me praktikën, me prindërit e mbi të gjitha rritja e ndjenjës së përgjegjësisë për punën e detyrën. Me futjen e programit të ri të matematikës si eksperiment në ciklin e ulët, kabineti pedagogjik i rrethit zgjodhi të eksperimentonte këtë program. Në vitin 1986, pas një trajnimi të mësuesve për këtë qëllim, klasa nisi punën me programin e ri eksperimental. Mësuesi siguroi bazë materiale, plus asaj që jepej nga rrethi, krijoi klasën-kabinet, që u vizitua nga mësues të rrethit e më gjerë.
Përvoja e re për zbatimin e programit në ciklin e ulët ishin një vlerë e shtuar për zbatimin e programit të shkollës sonë kombëtare. Në analizën e Arsimit të Dibrës, më 17 dhjetor 1986, në konkluzionet e Ministrisë së Arsimit, thuhet: “Të sakta dhe me vlerë janë mendimet që jep mësues Skënder Pahumi në Majtarë, i cili dallohet për punën e tij vrojtuese dhe plotësimin sistematik të dokumentacionit dhe eksperimentit”. Për programin e ri të matematikës, thuhet: “Konceptet matematikore përvetësohen mirë nga nxënësit, në përputhje me moshën, është mënjanuar të mësuarit mekanik”. Përvoja e tij u përgjithësua në shumë referime shkencore e e konferenca pedagogjike në shkallë rrethi, zonale e kombëtare.
Më 1988 transferohet në Kabinetin Pedagogjik të rrethit Dibër. Dhjetë vjet punoi për konsolidimin e arsimit fillor në rreth. Prej vitit 1998 deri më 1912, punoi mësues në shkollën “Mustafa Grablleshi”- Tiranë. Në ketë shkollë, si kurdoherë pati rezultate të larta, duke punuar pa u lodhur si misionar i Arsimit.
Gazeta “Mësuesi” dhe “Ushtima e maleve” shpesh kanë bërë objekt të shkrimeve përvojën e mirë të mësues Skënderit. Puna e tij është vlerësuar me Medaljen “Naim Frashëri” kl.I, ndërsa titullin “Mësues i Merituar”, me dekret nr.7287, më 4.3.1989.

Shefki Shehu

Shefki Shehu rrjedh nga një familje me tradita patriotike, i biri i Ramadan Shehut nga Vojnika e Maqellarës, lindur më 1938. Qysh në fëmijëri dallohej për zgjuarsi e shkathtësi, që u evidentuan sidomos në shkollë, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera nga klasa e parë deri në të katërtën në shkollën pedagogjike Peshkopi. Ai zgjodhi profesionin e mësuesit, aq të vështirë, por i bukur e emocional, që të jep hapësira për t’u bërë misionar i edukimit të brezit të ri. Shefkiu punoi disa vite në Maqellarë, mbasi mbaroi Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër, në degën Matematikë-Fizikë, në janar 1965 filloi punë në gjimnazin e Peshkopisë. Në shtator të atij viti, u emërua drejtor i shkollës 8-vjeçare Majtarë. Këtu u dallua jo vetëm për marrëdhënie të mira me mësuesit, veçanërisht ata të rinj, por fitoi një përvojë në drejtimin e shkollës. Nën shembullin e tij kolektivi i mësuesve arrti suksese në punën për zbatimin e programeve të reja për shkollën, zgjerimin e arsimit tetëvjeçar, rritjen e cilësisë në procesin e edukimit, pasurimin e bazës materiale e deri pjesëmarrje aktive në jetën kulturore-artistik në fshat.
Për shumë vite Shefkiu drejtoi shkollën 8-vjeçare dhe shkëlqeu si mësues në shkollën e mesme Maqellarë. Afër 40 vjet mësues ai u karakterizua nga një disiplinë shembullore në punë, përgatitje të mirë profesionale e shkencore në mësim, organizim me kompetencë, lidhje të ngushtë të shkollës me familjen etj., një model i mësuesit në shkollë e jashtë saj.
Katër pjesëtarë të familjes zgjodhën mësuesinë, duke u dashuruar me këtë profesion. Ata u bënë ndër mësuesit e vlerësuar në Maqellarë. Zabiti, vëllai i Shefkiut, ka punuar në disa shkolla, në Maqellarë, Majtarë, Zogje e Dovolan. Ndihmesa e tij për forcimin e shkollës ka qenë e konsiderueshme duke çuar përpara traditat e shkollave të Allajbegisë e Maqellarës në rrethin e Dibrës.
Shefki Shehu gëzonte respekt e simpati nga njerëzit e thjeshtë, kolegët, prindërit e nxënësve me të cilët ndërtoi marrëdhënie shoqërore e miqësore. Gjeneratat që kaluan në duart e tij ruajnë kujtimet e mbresat më të mira për të. Shumë prej tyre mbaruan shkollat e larta, u bënë mësues, agronomë, ekonomistë e kuadro të vlefshëm për familjet e tyre dhe shoqërinë. Sipas shembullit të këtij mësuesi i gjen sot kudo, drejtues të ekonomisë, arsimit e kulturës në të gjithë Shqipërinë.
Shefki Shehu mori titullin “Mësues i Merituar”, me dekret nr.642, datë 03.09.1993, vlerësim jo vetëm për Shefkiun, por edhe për shkollën e mësuesit e Maqellarës, që tregon se kolektivi i kësaj shkolle ka një kontribut të rëndësishëm në konsolidimin e shkollës, mbarëvajtjen e punës mësimore-edukative, si shembull në rreth e më tej.

Qamil Sula (Hamzai)

Qamil Sulën e njohin kudo në Dibër, mësuesit, kuadrot të brezit të viteve 1970-2000, si njeri të qetë, të matur e me ndërgjegje të lartë. Ai në moshën e fëmijërisë ishte një djalë i imët, i shkathët, por me mendje të mprehtë.
Mbaroi shkollën fillore në Pocest, 7-vjeçaren në Maqellarë dhe shkëlqyeshëm mbaroi gjimnazin e Shkodrës më 1960.
Në atë kohë të gjithë nxënësit që mbaronin shkollën e mesme, vazhdonin shkollat e larta dhe Qamilit iu akordua bura në Universitetin e Tiranës, dega Matematikë-Fizikë.
Në vitin shkollor 1965-1966 filloi punën e mësuesisë në gjimnazin e Peshkopisë, pastaj në shkollën 8-vjeçare të Maqellarës nga viti 1966 deri në vitin 1970. Puna e tij sistematike i kaloi kufijtë e zonës dhe u emërua inspektor e kryeinspektor në seksionin e Arsimit e rrethit. Në këtë pozicion u tregua i palodhur, duke përhapur përvojën pozitive në shkollat e rrethit. Ai dha një ndihmë të mirë për shtirjen e arsimit 8-vjeçar e të mesëm, përgjithësimin e përvojës së përparuar dhe gjallërimin e jetës artistiko-kulturore fshat e sidomos në zonat të thella.
Më 1977-1985 punoi në aparatin e Komitetit të Partisë dhe më 1985-1991 në Komitetin Ekzekutiv të rrethit nëpunës i zyrës së Marrëdhënieve me Publikun.
Me shumë dëshirë e pasion u rikthye në arsim në Grevë e Dovalan (1991-1998).
Në vitin 2001-2004erdhi me punë në shkollën e Laknasit të Tiranës. Këtu solli atë përvojë që kishte fituar në Dibër, duke mbetur një mësues i denjë për arsimin shqiptar. Kur e pyet Qamilin, se a ka marrë ndonjë medalje a dekorim si mësues apo drejtues i shkollave, ai buzëqesh dhe shprehet: “Unë jam përpjek të vlerësoj, të propozoj për dekorime mësuesit e kuadrot e tjerë, ndërsa për mua duhet të mendonin ata që e kishin këtë të drejtë”. Në fakt, për atë brez arsimtarësh, vlerësimet me dekorime ishin të kursyera. Nuk e meritonin atë neglizhencë deri në mosvlerësim, sepse punonjësit e arsimit e të kulturës kontribuan dhe sakrifikuan bashkë me familjet për edukimin e shkollimin e brezit të ri, brenda e jashtë Dibrës, në skajet më të largëta të rrethit.
Dalja në pension nuk e ka penguar Qamil Sulën të punojë me të rinjtë shkollorë në plotësimin e dijeve në lëndën e matematikë – fizikës, sidomos të atyre që nisin shkollat e larta.
Eqerem Çabej këshillonte mësuesit se: “Puna e tyre nuk është vetëm një profesion, por një mision”, – i rëndësishëm për edukimin e brezit të ri.
Tre misionarëve të arsimit në Maqellarë, me rastin e 7 Marsit ju urojmë jetë të gjatë e lumturi në familje!