Vahid Kormaku – mësues e veprimtar shoqëror


“Asht nji nga mësuesit e vjetër, mjaft i aftë në të kryemit të detyrës së mësuesit…, asht i squet, i zellshëm e i vemendshëm. Përveç detyrës si mësues i ka kushtue nji aktivitet të madh edhe zhvillimit e përhapjes së gjuhës shqipe, jo vetëm ndër nxanës, por edhe në popull të pashkolluem e ndër gra duke qenë në këtë mënyrë si qytetar i nevojshëm e shqiptarë i mirë.”
Aqsh.f.195, v.1937, d.73, fq.327

Kohë më parë, Vahid Kormaku (i Riu), nip i mësuesit e studiuesit të shquar Vahid Kormaku (i Vjetri shën.im), pati mirësinë të më jepte monografinë “Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit”. Si ish drejtor i muzeut të rrethit, Peshkopi, kam patur rastin të njihem me dorëshkrimin e mësuesit patriot Vahid Kormaku. Tash, me punimin e sjellë nga i nipi, lexuesi gjen më shumë informacion për këtë fiqurë të shquar të arsimit, historisë e traditës.
Vahid Kormaku lindi më 1895(Aqsh, f.195, v. 1936, d.613, nr.1683, fl.31). Më tej dëftesë e kursit të shpejtë, përfunduar në Shkodër, më 10/IX/1925(Shih.Vahid Kormaku Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit, Tiranë 2012, f.162). Nën kujdesin e të atit, Saliut, kreu në Selanik arsimin e mesëm. Në gjimnazin turk të Selanikut, krahas gjuhëve orientale Vahidi –shkruan Mersin Hoxha kish mësuar edhe Italisht e greqisht. Studimi mbi “Udhët që ndiqte ushtria turke në drejtim të bregdetit shqiptar”, “Via Egnatia”apo “Udha Stamboll-Durrës”- siç e quan Vahidi, Udha e “Grykës së Drinit të Zi”, ”Stamboll-Adrianopol-Filipopol-Sofje-Nish”, etj. janë mbështetur në burime të autorëve antik, për kohën tabu edhe për studjuesit e mirëfillt. Pra Vahidi, më parë se shumë të tjerë, i kishte konsultuar ata. Studimi për rrugët është shoqëruar me të dhëna rreth stacioneve, qendrave urbane, kalave e vendeve me interes akeologjik. Ai shkruan për gjetje arkeologjike, fortesa, qytete të periudhave të ndryshme, tempuj monumental. “Në gjithë luginën e Drinit të Zi – shkruan Vahid Kormaku janë zbuluar 16 gërmadha fortesash të quajtura qytete e kala, 24 baza kullash të hershme si edhe tre vende të quajtura Gradisht”. Në punën e tij ka infrmacion mbi gjeografinë , demografonë, traditën, botanikën. Ka informacion mbi qendrat urbane. Lidhur me këtë shkruan: “…Si shqiptarë kemi të drejtën e shenjtë të punojmë për të nxjerrë nga erësira shekullore gjithë ato visare të epokave të ndritëshme të racës tonë”.
Sigurisht një kurorë me lule është kontributi që sjell për kastriotët. Angazhimin me këtë temë mbi të gjitha e ndjen si detyrim para historisë dhe brezave. Lidhur me këtë shkruan: “…Si arsimtar tue pa nevojën e madhe, që pret historija kombëtare nga ne, due të jap mendimin tim mbi sheshet e betejave të fatosit t’onë kombëtar, Skëndrebeut, gjeniut homerik, që me epokën e vet të pa shoqe, në historinë e botës, shkroi me gërma gjaku pavdekshërinë shqiptare, që ne sot mburemi e i kallzojmë botës mbarë…”.Punimi i mësuesit dhe studiuesit Vahid Kormaku “Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritën e realitetit” është shoqëruar me material ballafaques, marrë nga autorë të ndryshëm. Ka mendim ndryshe çka e bën më interesant kontributin që sjell mësuesi i nderuar Vahid Kormaku. Gjithë kjo dëshmon për një punë të madhe e të palodhur hulumtuese në teren, aq më tepër në një kohë të vështirë, në mungesë të informacionit e mjeteve të transportit. Vahidi i ra kryq e terthor jo vetëm Dibrës, por edhe viseve jashtë saj, ku Skënderbeu u ndesh me pushtuesit osman. Kudo që shkeli konsultoi shumë të moshuar, studioi e krahasoj të dhënat e mbledhura me autor të ndryshëm duke na ofruar me harta e skicime tablonë e luftimeve të zhvilluara. Mendimet e shfaqura prej tij dëshmojnë jo vetëm për angazhimin e madh, por dhe kulturën e gjerë. Mjafton të përmendim hulumtimet e bëra dhe të dhënat që ofron për Koxhaxhikun-Sfetigradin. Syrit dhe mëndjes së tij nuk i kanë shpëtuar prania e një udhe antike, shtruar me kalldrëm, 60-70 m.e gjatë dhe 2 m e gjerë, varezat ku janë pranishëm gurë të ngjashëm me ato të qyteteve të vjetër si Elbasani e gjetkë. Ai sjell të dhëna mbi kalanë, popullsinë, besimet, jetën dhe punët e banorëve. Një informacion i tillë dëshmon për një studiues me kulturë të gjerë, përvojë dhe këmbëngulës. Studiuesit që pasuan, në përpjekje për thellimin e të dhënave, gjejnë te Vahidi indikacionet e para. Ai jo vetëm është bashkëkohës i Haki Stërmillit e Haki Sharofit, por në hulumtimet dhe studimet e kryera ka mes tyre pika takimi. Ata me të drejtë mund të konsiderohen si pionierët e historisë së shkruar në Dibër. Ato na lan një trashgimni të vyer dhe që meriton më shumë vlerësim, por dhe respekt e mirënjohje. Ata hodhën themelet e kalendarit të ngjarjeve historike, vendeve me vlera monumentale, të cilat studiuesit i pasuruan më tej me të dhëna të reja. Akademiku Aleks Buda do të thoshte për Vahidin se ishte njeri erudit, i shquar, pionier i historisë Shqiptare.
Sigurisht, më parë se Vahd Kormaku të ishte një hulumtus i spikatur i historisë e traditës, Ai ishte mësues. Nuk është e qartë nëse pas mbarimit të gjimnazit vijoi të punonte, në Selanik, pranë të atit apo u kthye në vendlindje. Në vitin shkollor 1920- 1921 përfundoi një vit studime në Normalen e Elbasanit. Këtu mori njohuri të karakterit didaktik e metodik, shumë të nevojshme në misionin e ardhshëm të mësuesit.
Në monografi shkruhet se më 1921 filloi punë si mësues në fshatin Tunjë-Gramsh. Nga të dhënat që gjenden në Aqsh, f.195, v.1937, d.73, fl.327 emri i vendit ku Vahidi filloi punë nuk lexohet mirë duke krijuar edhe ndonjë dilemë. Pa pretenduar monopolin e të drejtës (deshifrimi është detyrë specialist), mendoj se bëhet fjalë për fshatin Homesh e jo Gramsh. Homeshi ishte qëndër e rëndësishme administrative, me patriot potencial, me shkollë që nga rëndësia krahasohej me internatin “Kastrioti” dhe “Mati”. Vahidi me kulturën, shkollimin, kualifikimin mund të ofronte shërbimin e tij në këtë shkollë. Edhe ndarja administrative është më afër mendimit tonë, pasi Golloborda e Homeshi ishin brenda të njëjtës njësi administrative. Madje, Vahidi gjithë veprimtarinë si mësues e hulumtues e kreu brenda njësisë administrative ku lindi, gjegjësisht në fshatrat e Gollobordës e Bulqizës, nënprefektura, Zerqan. Në qoftë se ka shërbyer në Tunjë të Gramshit, mendoj se bëhet fjalë para përfundimit të një viti studime në Normalen e Elbasani, pra para vitit 1921. Themi këtë pasi fillimet në arsim nuk mendojmë se i takojnë moshës 25 vjeçare, por më parë. Sidoqoftë kjo është një çështje që kërkon më shumë kërkim, të dhëna e analizë.
Me shkresë Nr.226/3 datë 10/01/1922 Vahidi u emërua mësues në Ostren të Madh Këtu filloi punë, më 23/01/1922. Pra, nuk rezulton në Tunjë të Gramshit(nëse po, rezulton vetëm për 3-4 muaj). Në vitet 1923-1926 shërbeu në Borovë. Në këtë kohë vjen në Gollobordë Prof.Friedrich Markgraf. Vahidi hapi dyert e shtëpisë së tij, ofroi mikprite e bashkëpunim në misionin e tij të botanistit. Markgraf gjeti te Vahidi një intelektual me kulturë të gjerë, me një bibliotekë të pasur për kohën, bashkëpunues, vëzhgues e hulumtues të kualifikuar të natyrës, botës bimore, një koleksionist të vleftë. Kohë më vonë, Friedrich Markgraf do të shkruante me shumë konsideratë për koleksionistin, Vahid Kormaku.
Gjatë kohës që shërben në Borovë i nënshtrohet një kursi të shpejtë kualifikues në aspektin didaktik e metodik. Autoritetet arsimore lokale e qendrore kishin formuar konsideratë shumë të mirë për punën e tij si mësues. Nisur nga kjo, por dhe fakti që arsimi bazë ishte gjimnaz, në harkun kohor 15/7/1925-5/9/1925 iu nënshtrua kursit të shpejtë pedagogjik, në Shkodër. U trajnua nga figura të shquara të arsimit kombëtar si Luigj Prela, Simon Rota(piktor i përmasave të mëdha kombëtare shën.im) etj. Gjatë viteve 1926-1929 Vahidi shërbeu në Ostran të Madh. Me shkresë Nr.5426/9 datë 01/02/1930 filloi punë në vendlindjen e tij, Steblevë. Këtu nuk qëndroi shumë kohë pasi në vitin shkollor 1931-1932 shërbeu në Bulqizë. Në vitet 1932-1937 rikthehet në vendlindjen e tij, Steblevë, duke e mbyllur karrierën pedagogjike në moshë të re, Klenjë, më 1946.
Gjatë veprimtarisë së tij si mësues, Vahidi i ofroi arsimit kombëtarë shërbime të çmuara. Shquhet për pasionin me të cilin u transmetoi brezave njohuri mbi gjuhën amtare shqipe, për të cilën shkruante se është nga gjuhët ma të bukura, ma të pasura të Evropës. Përveç punës së drejtpërdrejt të mësuesit, Vahidi gjatë gjithë punës së tij në Gollobordë ka qenë edhe një aktivist i shquar. Duke parë nevojat e banorëve për arsim, me iniciativën e tij, hapi kurse për shkollimin e tyre, veçanërisht të grave .Ai u bë kështu një kontribues i rëndësishëm për emancipimin shoqëror e kulturor në tërë krahinën e Gollobordës. Duke vëzhguar nga afër kontributin e Vahidit, cilësitë individuale si mësues, intelektual, personalitet e aktivist shoqërorë, në vlerësimin e Ministrisë së Arsimit, më 1937, shkruhet: “… Asht nji nga mësuesit e vjetër, mjaftë i aftë në të kryemit të detyrës së mësuesit…asht i squet, i zellshëm e i vemendshëm. Përveç detyrës si mësues i ka kushtue nji aktivitet të madh edhe zhvillimit e përhapjes së gjuhës shqipe, jo vetëm ndër nxanës, por edhe në popull të pashkolluem e ndër gra duke qenë në këtë mënyrë si qytetar i nevojshëm e shqiptar i mirë”.
Në këtë përvjetor të 130-të të shkollës së parë shqipe u përpoqëm të ofrojmë te lexuesi një indikacion modest nga kontributi i madh e i gjithanshëm i mësuesit patriot Vahid Kormaku. Kontributi që ai i ofroi shoqërisë, brezave kërkon më shumë vemendje, pasi në monografi nuk ka gjetur vendin e duhur. Besojmë se Vahid Kormaku e ka vendin përkrah kontribuesve më të shquar të arsimit në Gollobordë, Dibër e më gjerë. Me atë çka i ofroi krahinës , Ai ka qenë nderi i saj.