Vasfi Cibaku, mësuesi i përkushtuar i Sohodollit


Pasioni dhe korrektësia, zelli reformator janë trinomi i shëmbëllimit të Vasfi Cibakut si mjeshtër i mësimdhënies dhe i drejtimit arsimor. U rrit udhëve të dijes, u rrit nëpërmjet studimit, shëmbëllimit metodik shkencor e organizativ.

Puna në arsim mund të krahasohet me rrezatimin e dritës, me rrezatimin hyjnor. këtë e tregon me punën dhe shembullin e tij Vasfi Cibaku, zëvendëdrejtori i shkollës së Sohodollit.
Puna dhe veprimtaritë e tij, takti e shpirti reformator, lidhja e ngushtë me problemet e shkollës e të komunitetit përbëjnë vërtet një model të ri që rrallë kund e gjen. Udhët e Vasfi Cibakut janë udhë të dijes, të shëmbëllimit, të gjurmëve të ndritura në mësimin dhe edukimin e brezave…

Geni çel genin…

Fisi Cibaku e çdo fis në Sohodoll ka plot fisnikëri, plot prova djerse e diturie, prova që dëshmojnë për gjurmët e punës, për shpirtbardhësinë e udhët e dijes. Vërtet në Sohodoll dëshmohet ajo që thotë urtësia çidhnake “geni çel genin”. Ja disa fakte: Babai i Vasfiut, Bexhet Osman Cibaku, mësues i talentuar, ish normalist i pedagoges së Elbasanit, kjo e dyta shans edhe Marjana Cibaku (Xhediku, bashkëshortja e Vasfiut) normaliste e dalluar, mësuese dhe edukatore e përvojave, bija e Dali dhe Shkurte Xhedikut të dalluar në prova pune e përkushtimi në Sohodoll e gjetkë.
Babai i Vasfiut, Bexhet Osman Cibaku, modeli i intelektualit e i zemërbardhësisë, metodisti e organizatori i frontit arsimor pasohet nga bijtë e vet, të gjithë të arsimuar e të thjeshtë, të ditur, të vendosur e ballëdritë para kohës.
Bexhet Cibaku (Abdiu) rriti dhe edukoi fëmijë të urtë, të palodhur e shpirtdritë: plot 6 fëmijë. Fejziu (Zooveteriner), Sanien (mësuese), Shkëlqimin (mësues), Vasfiun (mësues), Teftën (edukatore) dhe Qeramin (financier i lartë, studiues, shkrimtar e master në shkencat ekonomike); të gjithë me shëmbëllim, profesional, me dritë përkushtimi e diturie. S’ka si të ndodhë ndryshe. Në Dibër, Shkodër, Tiranë e gjetkë në veprimtari shumëkush i ka thënë Vasfi Cibakut: Ku je, o Prof.Dr. Nuri Abdiu?! Me të drejtë i thonë, sepse i ngjan 100% këtij korifeu (vëllai i nënës së Vasfiut, Prof. Dr. Nuriu) si në pamje edhe në dritësimin psiko-pedagogjik e drejtim arsimor.

Shqipja fluturon me krahë…

Sigurisht që kjo shprehje e stërthënë këtu merr një kuptim të ri, sepse ka të bëjë me ata mësues e mësuese të palodhur të Sohodollit, me ata bijë e bija të dritës së diturisë, të cilët e nderojnë e vlerësojnë dhe e krenojnë në shpirt Vasfi Bexhet Cibakun.
E veçanta e mjeshtrit të pedagogjisë, të mësimdhënies e të drejtimit arsimor Vasfi Cibaku është se ai mëson e krenohet me nxënësit, me kolegët, me njerëzit arsimdashës të Sohodollit. Guri i rëndë peshon në vend të vet. Këtu peshon, këtu ndrit Vasfi Cibaku.
Drejtori i shkollës gati veterani i arsimit Sulë Abdiu, me 42 vite punë vëren tek Vasfi Cibaku; Makarenon e kohës së re, mësuesin e drejtuesin reformator. I miri vlerëson të mirin se është vëlla me xhevahirin, i zoti vlerëson të zotin se lartëson vlerat dhe fundos të kotin… kjo është sentencë vërtetësie, reale, bashkëkohore.

Drita e mësuesisë

Në Sohodoll kushdo që shkon, ndjen në shpirt peshën e rëndë të brezave të diturisë. Intelektuale me plot përkushtim, me rrezatim mirësie e diturie, me prova për jetën, traditat e të vërtetat historike, për breznitë. Vasfi Cibaku flet në nderim për Rabie Veliun, Xheme Cibakun, Jonuz Ramku, Mimoza Mërdinin, Ogerta Cibaku, Burbuqe Cibaku, Renisa Kadriun, Hava Shehu, Zade e Shqipe Methasani, për idhullin e tij Qatip Cibaku. Nga urtia e saktësia e prof. Vasfiut mëson për përvojat, shembullin reformator të kolegëve, nderimin për të tjerët. Nga ky zv.drejtor i përkushtuar mësuam shumë për mësuesit e shquar bashkëshortet Hava e Shaban Shehu për koordinatoren e dalluar të Qeverisë së Nxënësve, mësuese e anglishtes Erlinda Shahu (Merdini) për Hasime Xhilagën, Vera Hysën (edukatore) e dalluar e Borovjanit. Drita e përkushtimit mësimor edukativ shpirti krijues, drita e taktit në drejtim, drita e kolegëve në shkollë rrezatojnë atë që nuk vyshket kurrë – dritën e mësuesisë.

Udhë të rritjes, udhë të provave…

Pasioni dhe korrektësia, zelli reformator janë trinomi i shëmbëllimit të Vasfi Cibakut si mjeshtër i mësimdhënies dhe i drejtimit arsimor. U rrit udhëve të dijes, u rrit nëpërmjet studimit, shëmbëllimit metodik shkencor e organizativ.
Biografia e shkollimit dhe e punës se Vasfiut përbën një model reformues, mjeshtër të taktit e të komunikimit në mësimdhënie e drejtim. Këtu në vendlindje ku sot drejton me urti e kompetencë, këtu u shkollua me fëmijërinë e parë. Pas përfundimit të gjimnazit në Peshkopi dhe stazhit një vit në ish-kooperativën bujqësore shërben mësues në Kala të Dodës, më pas ushtar në repartin 1390 si radio-ndërlidhës në Tiranë, më pas student në Universitetin e Shkodrës në fakultetin e ciklit fillor. Në vitet 1985-2001 Vasfi Cibaku shembëllen si mësues në shkollën 9-vjeçare në Kastriot. Puna me nxënësit, takti edukativ, lidhja në komunitetin, respekti për nxënësit, mësuesit (kolegët) e prindërit e bënë me emër, dëshmuan provat në udhët e dijes, në udhët e rrezatimit arsimor.
Kurdoherë kërkues ndaj vetes, ndihmës e dashamir ndaj kolegëve, i thjeshtë, këmbëngulës e veprues. Vasfiu dallohet edhe në punën gjurmuese, studimore. Më 2001 së bashku me ish rektorin Shezai Rrokaj e studiuesen e talentuar të Institutit Pedagogjik Mimoza Gjokutaj punoi për abetaren eksperimentale. I përkushtuar, ndihmues ndaj mësuesve të rinj, kurdoherë udhëve të djersës e të vetëveprimit si mësues në Sohodoll në vitet 2001-2003 si drejtor i shkollës së Kastriotit në vitet 2003-2006 më pas mësues në Kastriot e Sohodoll dhe nga viti 2014-2016 zv. Drejtor në shkollën e fshatit të lindjes, në Sohodoll.
Familjen e Vasfi Cibakut përbën një minikëshill pedagogjik. Vëllezërit, motrat, dajallarët, babai -normalisti i shquar Elez Bexhet Cibaku, bashkëshortja e Vasfiut Marjana Cibaku (Xhediku) ish normaliste, sot mësuese (edukatore) e dalluar, të shquarit e mësuesisë Sania, Shkëlqimi, Tefta, studiuesi e shkencëtari Qerami, fëmijët e edukuar e të zotë për dije e kulturë, të mirëedukuar nga Marjana e Vasfiu: Rovena diplomuar për filozofi; Jurisana, diplomuar për histori-gjeografi kurse djali i vetëm Endri Vasfi Cibaku vazhdon vitin e 3 të gjimnazit “Seid Najdeni” në Peshkopi. Provat në familje e në fis, provat në udhët e dijes, dekorimet me “Mirënjohje” si reformator i edukimit qytetar, mirënjohja nga ish Drejtori i Drejtorisë Arsimore Dibër, z. Gëzim Koçi janë një simbolikë mirësie. Takti i vetëveprimit, forca krijuese, realizimi mjeshtëror i etikës e propagandës pedagogjike në shkollë, motivimi i kolegëve, roli aktiv për ta bërë shkollën vatër të edukimit komunitar, janë prova të zv.drejtorit Vasfi Cibaku.
Së fundmi, një veprimtari masive për liderin. Vasfiu, së bashku me kolegët me Qeverinë e Nxënësve, demonstruan përvojën, traditat dhe ecuritë bashkëkohore. Këtu morën pjesën edhe përfaqësuesit e DAR-Dibër inspektor Defrim Kaleci, zv. Drejtori i shkollës së Mesme të Kastriotit Artur Hasi, drejtori i shkollës së Vakufit Halit Doda, drejtor i shkollës Vrenjt Indrit Shehu, menaxherja e organizatës “World Vision”, Valentina Hysenaj, veprimtarë të komunitetit. U pa dhe vlerësua, puna me librin, kultura pedagogjike e mjedisit, u diskutua nga nxënësit e talentuar, u bënë recitime, u pasqyrua thjesht e qartë ecuria reformuese: “Shkolla qendër komunitare”. Aty u pa sesi zv.drejtor Vasfiu, si kurdoherë, flet aq sa bën dhe bën atë që thotë, kurdoherë kërkues, veprues, organizator, i papërtuar dhe dashamirës, udhërrëfyes për shkollën e përparimin.
Edhe prindërit Bilbil Tafa e Artur Hasan Xhediku, thonë fjalët më të mira për Vasfiun. Pasqyrë e arritjeve me mbi tri dekada në frontin mësimor-edukativ. Faktet veprimtaritë, nderimi komunitar e mbi të gjitha nderimi i nxënësve, kolegëve, e eprorëve në Dibër dëshmojnë se Vasfi Cibaku ka prova diturie, organizimi, prova në udhët e rritjes e përkushtimit në arsimin shqiptar.