Ja si më infiltruan komunistët në Konferencën e Zall Herrit


Ibrahim Kika, 97-vjeçari nga Valikardha e Zerqanit, i infiltruar nga komunistër në sekretarinë e Konferencës, tregon ngjarjet e atyre viteve, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Rrugën e Arbërit”.

Cili ishte roli i Fiqiri Dines, Muharrem Bajraktarit, Aqif Lleshit, Miftar Kaloshit dhe Cen Elezit?
Na mbajtën mirë me ushqim ku çdo natë thereshin berre, por edhe na paguanin me napolona floriri për ditët e qëndrimit, natyrisht me pagesa të diferencuara ku më shumë merrnin komandantët dhe oficerët dhe më pak pjesëmarrësit e thjeshtë. I përmbledhur qëllimi i kësaj konference ishte riorganizimi i forcave të BK, Legalitetit dhe parisë së Dibrës…

Forcat ballisto-zogiste në bashkëpunim me parinë e Dibrës, me mbarimin e konferencës, nisen nga Zall Herri, drejt qytetit të Peshkopisë. Më duhej t’i shkëputesha grupit, për të informuar komunistët për vendimet që u morën në Konferencën e Zall Herrit, në plotësim të detyrës që kisha marrë…

Veterani i LNÇL, 97 vjeçari Ibrahim Kika, pjesëmarrës në konferencën e organizuar në Zall Herr të Tiranës nga nacionalistët (Balli Kombëtar, Legaliteti dhe paria e Dibrës), tregon për Rrugën e Arbërit, qëllimin e mbajtjes të kësaj konference. Edhe pse në moshë të thyer, 97 vjeçari nga Valikardha e Zerqanit, gëzon një shëndet të admirueshëm dhe kujtesë, do thonim pa e tepruar, të përkryer, si pakkush në moshën e tij. Pjesëmarrës i rreshtuar me komunistët në FNÇL, ai dërgohet prej tyre në Konferencën e Zall Herrit, për të qenë syri dhe veshi i tyre për të mësuar mbi qëllimin e mbajtjes së kësaj konference dhe atë që do vendosej në përfundim të zhvillimit të saj.

Rekrutimi

Në vjeshtën e 1943, nis tregimin e tij, 97 vjeçari, kur sapo ishte prishur në mënyrë të njëanshme Marrëveshja e Mukjes, klima e marrëdhënieve mes FNÇL e Ballit Kombëtar, ishte ashpërsuar së tepërmi, pasi komunistët me hedhjen poshtë të kësaj marrëveshje, përvijuan qartë qëndrimin e tyre për të mos pranuar ndarjen e pushtetit me nacionalistët, pas përfundimit të luftës. Shfaqet në këtë periudhë mjaft aktiv në lëvizjet e tij Abaz Kupi ose siç thirrej ndryshe Bazi i Canës, me gradën major, i cili ishte i njohur pasi kishte udhëhequr rezistencën e forcave të Mbretit Zog, më 7 prill 1939, kundër trupave italiane që zbarkuan në Durrës. Edhe pse nuk kishte shkollë të madhe, për të flitej si njeri trim dhe i zgjuar. Pas largimit të Mbretit Zog dhe deri në pushtimin e vendit nga gjermanët, ai mbajti emrin e mirë të antifashistit.
Pozita e tij për tu pozicionuar me komunistët apo ballistët bëhet e vështirë për shkak të bindjeve të tij të kundërta jo vetëm me komunistët, por edhe me ballistët. Ndaj në fillim vjeshtën e 1943-shit, ai pozicionohet me organizatën Nacional Zogiste, ku përveç tij nënshkruajnë edhe Fiqiri Dineja, Muharrem Bajraktari, Aqif Lleshi, Miftar Kaloshi, Cen Elezi etj. Si nacionalist, bajraktar i Krujës, natyrisht që ai ndjehej më afër dhe më mirë për të bashkëpunuar me BK. Pikërisht në të tilla rrethana Fronti Nacionalist (Ballistë, Legalistë), të mbështetur edhe nga Paria e Dibrës, nisin një lëvizje të madhe për tu organizuar, ku padyshim Abaz Kupi, bëhet një nga eksponentët më aktiv, për rigrupimin e riorganizimin e forcave të djathta nacionaliste në vend, me qëllimin e formimit të një Qeverie të Përkohshme, e cila flitej se do vendosej në qytetin e Peshkopisë. Në këtë kohë isha vetëm 22 vjeç dhe i inkuadruar në Batalionin Partizan të Dibrës, ku zëvendës komisar ishte djali i motrës time, Isuf Sula dhe përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm Zoi Themeli. Në shtabin e batalionit, prej ditësh diskutohej për organizimin e Konferencës së Zall Herrit, nga nacionalistët. Duhej me çdo kusht që të merrej vesh se çfarë do vendosej atje, që të merreshin masa nga ana e forcave partizane, për të penguar dhe moslejuar hyrjen e forcave nacionaliste në qytetin e Peshkopisë.
Ndërkohë edhe nacionalistët kishin nisur lëvizjen e tyre për organizimin e kësaj konference. Ka qenë fillim tetori i 1943. Hysni Dema dhe Pajazit Përvizi, krerë të parisë së Dibrës, falë edhe njohjeve që kishin me babën tim, Nezirin, pasi ai ishte kryeplak i fshatit Valikardhë për disa vite radhazi, i trokasin në derë duke i kërkuar pjesëmarrjen time në Konferencën e Zall Herrit. Babës duke qenë kryeplak i fshatit, i duhej të mbante qëndrim të kujdesshëm edhe me nacionalistët, për ta ruajtur fshatin nga raprezaljet e okupatorit, pasi ata kishin lidhje me të.
– Do rrini sonte këtu në shtëpinë time, -u thotë baba.
– Jo se kemi punë pasi duhet të mbledhim njerëz për pjesëmarrjen në këtë konferencë, që do jetë shumë e rëndësishme.
– Pastaj kemi frikë se ti nuk na ban mish, -i thonë babës me shaka dhe nisen drejt Teqesë së Dëllinjës për të rekrutuar të tjerë pjesëmarrës për në Zall Herr. Isha 22 vjeç dhe në këtë kohë, ashtu siç dhe ju tregova më lart, isha i angazhuar në batalionin partizan të Dibrës, falë kjo edhe lidhjes që kisha me një nga drejtuesit e këtij batalioni, Isuf Sula, të cilin e kasha halis nip, djalin e motrës. Pasi më bën me dije baba për ftesën e nacionalistëve, njoftoj Isufin dhe Zoin.
–Po më thonë ata pa mëdyshje.
–Neve po mendojmë prej kohësh për zgjidhjen e këtij problem, pasi na duhet me doemos që të dijmë se ç’farë do vendoset në atë konferencë.
– Shkurt hesapi, ti do të jeshë syri dhe veshi jonë në këtë konferencë. Pasi marr udhëzimet e duhura prej tyre, së bashku me dhjetra të tjerë valikardhas, nisemi drejt Zall Herrit.

Zhvillimi i Konferencës

Duhet të ketë qenë java e dytë e tetorit të 1943 kur dhe u mbajt konferenca. Vërehej një angazhim dhe shpejtësi e madhe në mbajtjen e saj. Kjo për faktin se siç dhe thashë më lart, ishte momenti kur marrëdhëniet midis F.N.Çl, e Ballit Kombëtar, ishin ashpërsuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Mukjes, kur komunistët u tërhoqën nga nënshkrimi i saj në mënyrë të njëanshme, pasi nuk pranuan ta ndanin pushtetin me nacionalistët pas mbarimit të luftës. Ndërkohë kishte dështuar edhe një përpjekje e Ballit Kombëtar për të formuar një qeveri të përkohshme në Berat. Ndaj situata ishte “zjarm”. Në të dy frontet, atë NÇL dhe atë Nacionalist, punohej intensivisht se kush do merrte pushtetin me mbarimin e luftës. Pra ishin ditët e përplasjes së fortë mes tyre. Kujtoj pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të BK, Legalitetit dhe parisë së Dibrës, Abaz Kupi, Preng Pervizi, Musa Juka, Medi e Mithat Frashëri, Fiqiri Dineja, Muharrem Bajraktarin, Aqif Lleshin, Sul Kurtin, Myftar Kaloshin, Cen Elezi etj. Shansi im në zbatim të detyrës së marrë nga komunistët, për të qenë brënda kësaj konference, si zëri dhe veshi i tyre, erdhi krejt papritur e pakujtuar. Miku i familjes time Pajazit Përvizi, me të cilin kisha punuar në moshën 18 vjeçare në Nënprefekturën e Zerqanit, ku ai ishte sekretar i saj, më komunikoj nën praninë edhe të një prifti katolik, që nuk e kujtoj emrin e tij, detyrën e sekretarit, për të qenë brenda konferencës, ku do mbaja proces verbalin e zhvillimit të saj, për llogari të tyre. Kështu mu krijua mundësia ideale që të marr vesh se çfarë do të thuhet në atë konferencë, për të plotësuar kështu detyrën e marrë nga komunistët.
Konferenca vijoi për katër ditë. Na mbajtën mirë me ushqim ku çdo natë thereshin berre, por edhe na paguanin me napolona floriri për ditët e qëndrimit, natyrisht me pagesa të diferencuara ku më shumë merrnin komandantët dhe oficerët dhe më pak pjesëmarrësit e thjeshtë. I përmbledhur qëllimi i kësaj konference ishte riorganizimi i forcave të BK, Legalitetit dhe parisë së Dibrës, për të formuar një Qeveri të Përkohshme në qytetin e Peshkopisë, pasi kishin dështuar në Jug të vendit për formimin e saj. Këtu u hodh ideja për luftë kundër partizanëve kudo që ata do të ndeshen. Pra pikërisht këtu u fol hapur për luftë ndaj njëri-tjetrit, apo vllavrasëse siç dhe e quajnë disa, por mua nuk më vjen mirë ta quaj të tillë. Dhe kjo përplasje dukej se për të parën herë haptazi do ndodhte në Peshkopi, ku dy grupimet e këtyre fronteve do luftonin kundra njëri-tjetrit. Për hir të së vërtetës në këtë Konferencë, nuk u tha asgjë nëse në këtë përpjekje nacionalistët do të kishin edhe ndihmën e gjermanëve, por ndërkohë as nuk u fol për luftën kundër okupatorit.

Nisja drejt Peshkopisë për formimin e Qeverisë së Përkohshme.
Forcat ballisto-zogiste në bashkëpunim me parinë e Dibrës, me mbarimin e konferencës, nisen nga Zall Herri, drejt qytetit të Peshkopisë. Më duhej t’i shkëputesha grupit, për të informuar komunistët për vendimet që u morën në Konferencën e Zall Herrit, në plotësim të detyrës që kisha marrë. I shkëputem grupit me pretendimin se më duhet të kontaktoj me bashkëfshatarët e mi të Valikardhës, për të ardhur së bashku me ata.
Por edhe me ata më duhej që të shkëputesha, pasi duhej të kontaktoja me komunistët (Isufin dhe Zoin), për t’i vënë në dijeni për atë që kishte vendosur kjo konferencë. Pasi mendohem mirë, krijoj një sherr me njërin nga bashkëfshatarët e mi, Ymerr Lami, për pagesën e ditëve të konferencës, ku ai kërkonte nga unë që t’i jepja më shumë napolona se ç’i dhashë, ndërkohë që unë kisha shtuar më shumë emra nga ç’farë morën pjesë në konferencë. Ishte kjo sajesë sherri, që më mundësoi të kthehem vetëm në Dibër, në plotësim të misionit që kisha marrë përsipër.

Kthimi pranë Batalionit Partizan të Dibrës.
Mora i vetëm rrugën e kthimit Zall Herr-Shkalla e Bjeshit-Bastar-Qaf Murrize-Guri i Bardhë. Isha i ri dhe i fuqishëm. Mu deshën vetëm 12 orë për tu kthyer në shtëpi. Kontaktin e parë e marr me ata, që më nisën me këtë mision, Isuf Sula, Zoi Themeli dhe Dalip Gurra, për t’i informuar me atë që kishte vendosur Konferenca e Zall Herrit. E lamë që të nesërmen të takohemi në Shupenzë tek shtëpia e Ramiz Murrës, ku veç këtyre të treve do merrte pjesë edhe Haxhi Lleshi, komandant i Batalionit të Dibrës. – Këtë djalin nga e kemi, -pyet Haxhiu. –Është i joni nga Valikardha e Zerqanit dhe daja i Isufit, – i thotë Zoi. – Paska bërë një punë për tu lavdëruar. Nxjerr nga gjiri materialet që kisha mbajtur nga zhvillimi i konferencës dhe jua vë përpara në tavolinë.
Pasi njihen me materialet e Konferencës së Zall Herrit, ata largohen menjëherë në drejtim të Dibrës së Madhe për të organizuar forcat partizane, për të mos lejuar hyrjen e forcave ballisto-zogiste të ndihmuara nga paria e Dibrës, në në qytetin e Peshkopisë. U la detyrë që veç forcave të Batalionit të Dibrës, në luftimet e Peshkopisë të përfshiheshin edhe forcat partizane të Çetës së Gollobordës, të komanduara nga Ahmet Cami. -Më lanë në besë tek Ramiz Murra. Ramizi më ndihmoi që të kthehesha në Zerqan tek Përvizet, për të çuar materialet e konferencës, të cilat mi kthej Isufi, pasi i kopjoi ata. Dy grupet ai ballisto-zogist dhe komunistat u konfrontuan në luftën e Peshkopisë, e cila u zhvillua nga 16 deri më 18 tetor 1943, ku forcat partizane nuk lejuan që nacionalistët dhe forcat e parisë së Dibrës të hynin në qytetin e Peshkopisë. Në këto luftime u vra edhe komandanti i Çetës së Gollobordës, Ahmet Cami.
Pjesëmarrja në Konferencën e Zall Herrit e organizuar në tetorin e 1943 nga fronti nacionalist BK dhe Legaliteti, të ndihmuar edhe nga paria e vendit, ku u vendos formimi i qeverisë së përkohshme në qytetin e Peshkopisë, ku komunistët më infiltruan për të qenë syri dhe veshi i tyre, nuk kaloi pa pasoja për të ardhmen time. Nisur nga mosha e re, pjesëmarrja në formacionet partizane për çlirimin e vendit, anëtarësimi në parti, I mendoja si tregues mjaft pozitiv për të ardhmen time. Aq më tepër me fitoren e LNÇL, kjo bindje mu përforcua akoma më tepër. Por përkundër kësaj, e kaluara ime, konkretisht pjesëmarrja në Konferencën e Zall Herrit, më solli mjaft pasoja, gjë të cilën as që e mendoja. Fundi i ’43 dhe ’44 deri në çlirimin e vendit, vijova pjesëmarrjen në LNÇL partizan në Brigadën e 18-të Sulmuese. Pas çlirimit të vendit mbarova shkollën e ndërlidhjes në Tiranë, e cila vijoi për 17 muaj, ku përgatiteshin kuadro nënoficerë për ushtrinë. Me mbarimin e kësaj shkolle, në vitin 1946 emërohem instruktor i ndërlidhjes për përgatitjen e radistëve në Divizionin e 8 të Korçës, me komandant Beqir Balluku dhe komisar Panajot Plaku. Isha i ri dhe plot energji e vullnet për punë, gjë që më bëri t’i kushtohem me mish e shpirt punës për përgatitjen e radistëve të këtij divizioni. Kur mendoja sakrificat dhe kontributin që kisha dhënë në dobi të luftës për çlirimin e vendit, si dhe përkushtimin dhe ecurinë e mirë të punës për përgatitjen e radistëve, nisur dhe nga mosha e re, kurrsesi nuk më kishte shkuar ndër mend, se një ditë të bukur e kaluara ime mund të vihej në diskutim, aq më tepër të akuzohem si bashkëpunëtor me ballistët pra antikomunist.

Incidenti me Panajot Plakun.
Panajot Plaku: Kemi sjellë ujkun nga mali, që të na hajë dhentë.
Ibrahim Kika: Ujku nga mali, ka ardhur pa dhëmbë

Kur mendoja se çdo gjë po shkonte në favorin tim, për të ecur përpara pa pengesa, krejt pa pritur dhe kujtuar, ndodhi e papritura. Më bëjnë me haber se komisari Panajot Plaku, më kërkonte në zyrë. – Për çfarë mund të më kërkojë, mendoja me vete? -Çfarë nuk bluante truri në ato momente: Të më caktojë me një detyrë tjetër? Të më ngarkojë me mision zbulimi në kufi, si ajo që kisha kaluar në Zall Herr? Ku nuk shkonte mendja, por jo tek arsyeja e vërtetë për të cilën ai më thërriste!
Anëtar i partisë isha që në 1946-tën. Dhe përsëri niste filli i hamendësimeve: Të më caktojnë në një detyre tjetër, qoftë edhe më e lartë, unë sapo kisha filluar punë dhe ku në zyrën sekrete të ndërlidhjes? -Përse pra mund të më ketë thirrur, përse?! -E vetmja gjë në ato momente që nuk më erdhi në mendje, nxitur kjo dhe nga mosha e re dhe kontributi që kisha dhënë në LNÇL, ishte ajo për të cilën unë isha thirrur, për tu akuzuar si i përfshirë me BK kundër komunistëve dhe LNCL. Krejt i emocionuar me shpejtësi për të mësuar sa më parë për enigmën e kësaj thirrje të beftë nga komisari.
Pasi bëjmë ftohtë përshëndetjet e rastit, Komisari i Divizinit, Panajot Plaku, drejtohet në karrige, duke lëshuar drejt meje pyetjen e parë:
–Keni gjë hasmëri apo inate me Qamil Dishën, (ish Kryetar i Komitetit Shupenzë, në atë kohë)?
– Jo i them, ashtu shpejt i befasuar nga pyetja e parë që lëshoi -pa e ditur se pse po ma ban këtë pyetje.
– Po me Musa Lalën, si ke shkuar?
–As mirë as keq – i them.
–A ke qenë i angazhuar me Ballin?
– Po i them, -vetëm 1 vit kur kam shërbyer si xhandar i thjeshtë, për të ushqyer familjen me bukë, se isha djali më i madh i shtëpisë. Në asnjë rast apo moment, nuk kam luftuar kundër partizanëve, por kam qenë i angazhuar totalisht me ta.
-Me këtë që shkruajnë autoritetet vendore të zonës, t’i duhet të dorëzosh zyrën sekrete ku punon dhe të përjashtohesh nga partia. Në këto kushte, -vijoi fjalën ai, i bie që ne të kemi sjellë ujkun nga mali, për të na hëngër delet.
Të them të drejtën në atë moment më erdhi zyra vërdallë, nuk dija ku ta nisja muhabetin. Ashtu vetimthi, siç isha ulur ngrihem në këmbë duke i thënë:
-“Ujkut për të cilin ju flisni, ja kanë hequr dhëmbët shoku komisar”. – Jam angazhuar në formacionet partizane që në ’43 e deri në çlirimin e vendit, dhe në parti jam pranuar në ’44 dhe deri më tani nuk kam asnjë vërejtje apo masë tjetër ndëshkimore në kartën e regjistrimit. – Sa për pjesëmarrjen me Ballin, unë kam letrën e firmosur nga Isuf Sula, Zoi Themeli dhe Dalip Gurra, e cila konfirmon se që nga 1943, kam qenë i angazhuar në formacionet partizane dhe kam punuar për partinë. Madje kjo letër mban edhe vulën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe është në dijeni edhe ish komandanti i Batalionit Partizan të Dibrës, Haxhi Lleshi.
–Mirë, atëherë kjo mbetet për tu provuar?!
Më vonë, kur gjithçka në lidhje me këtë letër u sqarua, jam takuar me Qamil Dishën dhe e kam pyetur mbi autorësinë e kësaj letre. – Ibrahim, më thotë ai, -isha i detyruar ta përcillja këtë informacion pasi pothuaj për çdo ditë në zyrën time vinin individë dhe grupime personash nga vendlindja jote Valikardha, që siç duket të përfshirë nga ethet e cmirës, denonconin përfshirjen tuaj me BK. Ndaj isha i detyruar që ta përcjell këtë informacion, për të hedhë dritë mbi të vërtetën. Dhe më bëhet qejfi tani kur çdo gjë u qartësua dhe foli në të drejtën tuaj. Duke të uruar gjithë të mirat, nuk besoj të na kesh keqkuptuar.

Kthimi në Tiranë dhe takimi me Haxhi Lleshin, Zoi Themelin dhe Dalip Gurrën.

Letra e ardhur nga baza e partisë, ku akuzohesha si i përfshirë me BK, duhej përgënjeshtruar me fakte. Kështu për të provuar të kundërtën, mu desh të kthehesha në Tiranë për të kontaktuar me Haxhi Lleshin, Zoi Themelin, Isuf Sulën dhe Dalip Gurrën, të cilët ishin ideatorët dhe autorët që më kishin dërguar në Konferencën e Zall Herrit, për të qenë atje syri dhe veshi i komunistave. Fillimisht shkoj për tu takuar me Haxhi Lleshin.
–Më duhet një letër me firmën tuaj ku të konfirmoni se përfshirja ime në Konferencën e Zall Herrit, është bërë me dijeninë tuaj, – i them. Më pa ashtu krejt ftohtë, me shikim të hedhur kushedi se ku, gjë që dinte ta bënte mjaft mirë si askush tjetër vetëm ai.
–Shoku Haxhi, – besoj e mbani mend takimin në shtëpinë e Ramiz Murrës në Shupenzë, ku në prani edhe të Zoi Themelit, Isuf Sulës, e Dalip Gurrës, ju shpalosa përpara në tavolinë proces-verbalin e mbajtur në Konferencën e Zall Herrit, gjë për të cilën edhe më falenderuat. Pasi vijoi të më vështronte krejt ftohtë, më thotë: -Nuk të kam çuar unë, tha! Mbeta krejt i shtangur. – Si mund të jetë njeriu kështu? -Sa të madh e konsideroja gjatë luftës këtë njeri dhe sa i vogël mu duk në këtë moment. I zhgënjyer, me sytë mjegull e këmbë të këputura ec në bulevardin e Tiranës, për tu takuar me Zoi Themelin.
Duke ecur në qendër të Tiranës, takoj toger Dalip Gurrën. Përqafohemi me Dalipin dhe futemi në një klub për të pirë kafe. Pasi pyetemi e rrëfehemi me Dalipin, ai më drejtohet duke më thënë: – Ibrahim si i trazuar më dukesh? -Po i them, jam i mërzitur sa nuk ka ku të shkojë dhe nis e i tregoj për hallin e ardhjes në Tiranë. Pasi më dëgjon me vëmendje për hallin që më kishte detyruar për të ardhur në Tiranë, pa e bërë dysh fjalën thotë: -“Mos u bëj merak fare, pasi pjesmarrja jote në Konferencën e Zall Herrit, u bë për llogarinë tonë që të marrim vesh se çfarë do vendosej në atë konferencë nga nacionalistët dhe kjo është krejt e qartë si drita e diellit dhe askush nuk mund ta errësojë një gjë të tillë. Pasi marr deklaratën nga Dalipi, drejtohem për tek Zoi Themeli. Punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sapo më pa më drejtohet: – hë mor pallosh groshe, ç’e mirë të paska sjellë deri këtu?
– Mos pyet, -i them dhe i tregoj për Haxhi Lleshin. Në këtë kohë Zoi ishte drejtor i Sigurimit të Shtetit. –Ibrahim, – më drejtohet Zoi. –Mos e bëj gajle fare dhe më jep të firmosura dy letra. – Njërën e ke për komandën e Divizionit të Korçës dhe tjetrën ma dha të mbyllur në zarf për Panajot Plakun, ku më porosit për t’ia dhënë në dorë. Aty në praninë time mori në telefon Beqir Ballukun dhe pasi foli për historinë e “përfshirjes” time më ballin, – i tha: -“Ky që të tregova shkurt ne telefon, është pra Ibrahim Kika, “ujku i maleve, që na ka ardhur për të na hëngër delet”.
Çuditërisht fati e deshi, që të gjej në valixhen time që e kisha lënë në Tiranë, tek një i afërmi im që nga koha kur vazhdoja shkollën e ndërlidhjes, letrën origjinale të firmosur nga Isuf Sula, Zoi Themeli dhe Dalip Gurra, për përfshirjen time në Konferencën e Zall Herrit.
Kthehem në Korçë dhe krejt serbes shkoj në zyrën e komisarit të divizionit, Panajot Plaku, për ta vënë në dijeni me dy letrat e marra nga Tirana. I zhgënjyer dhe ftohtë më thotë: t’i je i dyti Ibrahim i Korçës, pas Ibrahim Kovaçit.