Shaban Sinani, rruga në ngjitje e një Akademiku*


Rruga e formimit dhe e vetëformimit të z. Shaban Sinani si studiues ka nisur prej 35 vjetësh dhe veprimtaria e tij në fushë të kërkimit dhe të letrave shqipe nuk është ndërprerë asnjëherë.
Njohja e drejtpërdrejtë, në funksionin e drejtorit të ish-Institutit të Kulturës Popullore, më lejon të pohoj se, pas një procesi të ndërlikuar formimi pasuniversitar, në të cilin u ndërthurën gjuhësia, gazetaria dhe filozofia, z. Shaban Sinani kreu studimin bazë të profilit të tij shkencor, në fushën e antropologjisë kulturore, me titull Mitologji në eposin e kreshnikëve, e cila u mbrojt si tezë doktorate në vitin 1998. Si anëtar i jurisë dhe oponent i këtij punimi, i cili që nga viti 2000 është ribotuar katër herë, pohoj se vlerësimi prej jurisë qe maksimal (100 pikë).
Kandidati Shaban Sinani i vijoi kërkimet në këtë fushë me studime të tjera monografike të thelluara, si Etnos në epos dhe Tradita gojore si etnotekst. Dy përmbledhje të tjera studimesh, Kështjella e virtytit dhe Ura dhe kështjella, plotësojnë kërkimet e tij antropologjike.
Studimet antropologjike e ndërdisiplinare të z. Sha  ban Sinani u inkurajuan sidomos gjatë periudhës kur ai drejtonte arkivat kombëtare, në dy fusha themelore me karakter ndërdisiplinor:
E para, tradita e dorëshkrimeve dhe e shkrimeve që i takojnë trashëgimisë arkivistike shqiptare, kodikëve filologjikë dhe kronografikë, parë në kontekstin e traditës botërore të shkrimeve, që gjejnë shprehje në tre studime monografike: Beratinus, Kodikët e Shqipërisë në ‘Kujtesën e Botës’ dhe Kodikët kronografikë të Shqipërisë. Këtyre kontributeve u bashkohen edhe: paraqitja e dy kodikëve më të hershëm të Shqipërisë në ekspozitën botërore I Vangeli dei Popoli; regjistrimi i tyre në programin e UNESCO-s Memoire du Monde; përgatitja për botim si kryeredaktor i veprës shkencore të ilustruar Kodikët e Shqipërisë dhe së fundmi libri Berat, Beratinus, Buhara. Këto kontribute janë recensionuar në disa vende europiane dhe janë tashmë referenciale për studimet kodikografike. Shaban Sinani është gjithashtu skenarist i filmit dokumentar Beratinus, fitues i çmimit Madona e Argjendtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit.
Fusha e dytë e studimeve antropologjike të lidhur me të parën, që z. Shaban Sinani realizoi mbështetur në kërkimet arkivistike brenda dhe jashtë vendit, lidhet me sjelljen etnotipike shqiptare ndaj të huajve dhe në radhë të parë ndaj hebrenjve. Ai është bashkëhartues i Ligjit për Ditën e Kujtesës; si dhe organizator i disa konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Pasi përgatiti vëllimin me studime Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës: (studime e dokumente), z.Shaban Sinani botoi si autor i vetëm dy studime monografike me këtë problematikë: Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi dhe Shqiptarët dhe hebrenjtë: mbrojtja dhe shpëtimi. Libri i dytë, me interesimin e shoqatës më të madhe hebreo-amerikane AIPAC, është përkthyer e botuar anglisht, me titullin Albanians and Jews: The Protection and Salvation.
Studimet në dy fushat e mësipërme, që mund të konsiderohen të shndërruara prej tij në përparësi kërkimore për shkencën shqiptare, duke kapërcyer prej një niveli vullnetarizmi shkencor që ishte trashëguar, janë cilësuar jo vetëm si kontribute për përurimin ndërkombëtar të atyre pasurive që me të drejtë janë quajtur albanizma, por dhe si ndihmesa në dijen europiane rreth tyre.
Me këto fusha lidhen edhe kërkimet e z. Shaban Sinani në burimet arkivore për certifikimin e rrugës së letërsisë në një periudhën e ideokracisë të kontrollit ideologjik. Këtu veçojmë studimet e tij monografike shoqëruar me burime parësore Një dosje për Kadarenë (I-II), Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”. Libri i tij me studime e dokumente për raportet e I. Kadaresë me pushtetet dhe ideologjinë është botuar dy herë në Francë me titullin Le Dossier Kadaré. Libri është recensionuar në shumicën e vendeve europiane.
Kontributi i z. Shaban Sinani në fushën e historisë së letërsisë, siç është vërejtur nga kritika, ruan pikëvështrimin antropologjik. Ai është autor i pesë monografive, për katër prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të historisë së letërsisë shqipe: Ismail Kadare (Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë); Dritëro Agolli (‘Njerëzit e krisur’ të Dritëro Agollit); Martin Camajt (Camaj i paskajuar) dhe Jeronim de Rada (Hieronimi: në botën arbëreshe). Kandidati, z. Shaban Sinani, ka përfunduar gjithashtu një studim monografik për Migjenin (Teksti biblik në veprën e Migjenit). Përveçse tentime rezultative për të verifikuar statusin e këtyre shkrimtarëve në kushtet e hapjes së historisë së letërsisë, pas shthurjes së hierarkive të trashëguara, z. Sinani ka parashtruar mendime dhe teza me interes për riperiodizimin e historisë së letërsisë kombëtare. Këtyre kontributeve u bashkohen edhe përmbledhjet me studime: Pengu i moskuptimit, Sipërore, Përveçime, Prurje kulturore orientale, Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të, Midis dy Rilindjesh, Pyetje në albanologji, si dhe Historia e letërsisë: çështje të hapura.
Shaban Sinani ka gjithashtu botime të posaçme për Kosovën (Kosova në gjeopolitikë, Kosova në syrin e ciklonit, Kosova në vështrim enciklopedik).
Gjithashtu ka përgatitur tetë botime shkencore dhe antologjike. Ai është skenarist i mbi 10 filmave dokumentarë. Shaban Sinani ka drejtuar projekte ndërshtetërore, ndërqeveritare dhe ndërinstitucionale. Ai ka kumtuar në disa gjuhë të huaja (italisht, frëngjisht, anglisht) në konferenca shkencore ndërkombëtare të organizuara nga institucione akademike-universitare në: Romë, Bari, Napoli, Kozencë, Palermo, Athinë, Sofje, Ankara, Cetinjë, Sofje, Vjenë, Varshavë, Poznanj, Pekin, Ningbo, Tetovë, Shkup, Prishtinë. Ka qenë pedagog i ftuar për kurse leksionesh vjetore e semestrale në Mynih, Pekin e Tetovë, si dhe për kurse intensive leksionesh në Palermo e Poznanj. Ai është hartues dhe drejtues programesh universitare në shkallës së masterit dhe doktoratës.

* Titulli është i redaksisë