E folmja e Ujemujës në një fjalor shkencor


Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i prof. dr. Hajri Shehut “Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës (Qarku i Dibrës)”.
Ky libër, i botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, është një nga të rrallët e kësaj fushe, dhe modeli i mbledhjes, përpunimit dhe strukturimit të tij, është një model se si në të ardhmen një botim të ngjashëm të realizohet për të gjithë Dibrën.
Libri shoqërohet me një hyrje nga akademik, prof. dr. Jani Thomai dhe prof. dr. Enver Hysa.
“Në shekullin e ri, në kushtet e reja të Shqipërisë me ndërrimin e sistemit dhe me hapjen e plotë, kur ndikimi i globalizmit është i fuqishëm në të gjitha fushat dhe kur zhvillimi modern i ekonomisë, i shkencës, i kulturës dhe i jetës përgjithësisht sjellin ndryshime të thella edhe në gjuhë, kryesisht në leksik, ndër të tjera duke shtyrë prapa e duke hedhur në harresë fjalë, kuptime e shprehje popullore shqipe e duke hapur rrugën për huazime, shpesh të panevojshme, që prekin identitetin kombëtar të shqipes, hartimi i fjalorëve dialektorë e krahinorë, që nxjerrin në dritë pasurinë vetjake të shqipes, e shpëtojnë nga humbja dhe e vënë në përdorim të përgjithshëm, bëhet edhe më i domosdoshëm, edhe më i dobishëm. Këtij qëllimi i shërben edhe “Fjalori me fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja”, i hartuar nga profesor Hajri Shehu”, shkruan në parathënien e akademiku, prof. dr. Jani Thomai.
Prof. dr. Hajri Shehu është një leksikolog e leksikograf i njohur, me përvojë të pasur si bashkautor në hartimin e fjalorëve kombëtarë si: “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” 1980, “Fjalor i shqipes së sotme” 1984/2002, “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe” 2004, “Fjalor i gjuhës shqipe” 2006, “Fjalor elektronik i gjuhës shqipe” 2014 etj.), ose si autor, bashkautor a bashkëredaktor në hartimin e disa fjalorëve gjuhë e huaj – shqip e shqip – gjuhë e huaj (Fjalor anglisht-shqip 2010, Fjalor i termave të prapavijës/shqip-anglisht-rusisht 1987, Fjalor themelor i termave të bujqësisë/shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht 2006 etj.), me formim të plotë edhe në teorinë leksikografike dhe me seriozitetin shkencor të nevojshëm për një gjuhëtar të mirëfilltë.
“Fjalori” ka mbi 8000 fjalë, përveç njësive frazeologjike e fjalëve të urta burimore, por vlera e tij rritet më tej me të dhëna të tjera semantike për shumë fjalë e njësi frazeologjike, që përbëjnë, bashkë me fjalët e njësitë frazeologjike, një pasuri me shumë vlerë në leksikun e shqipes.
“Autori i ka vënë qëllim vetes të japë leksikun, frazeologjinë e semantikën leksikore të vaçantë të së folmes në klasa e grupe tematike fjalëformuese, por edhe lëndë tjetër nga toponimia etj. Fjalori është i tipit diferencues, por me pesë shtresa fjalësh vendore ai sjell një pasuri të çmuar të shqipes, shumë prej saj e panjohur përgjithësisht, ndërkaq e dobishme edhe për pasurimin e shqipes standarde. Fjalët, kuptimet e veçanërisht frazeologjia e pasur popullore në “Fjalor” mbartin edhe vlera shprehëse-emocionuese, aq të kërkuara jo vetëm në ligjërimin artistik, por edhe në ligjërimin e zakonshëm për forcën, saktësinë e bukurinë e tyre, duke zgjeruar kështu mjetet e shprehjes stilistike”, shkruan në parathënien e librit Jani Thomai.
Thomai vë në dukje se “Fjalori” është hartuar sipas kritereve leksikografike bashkëkohore në të gjitha elementet e tij: në zgjedhjen e fjalësit, në paraqitjen leksikografike të fjalëve dhe të paragrafit për çdo fjalë, në trajtat e shënimet gramatikore dhe të vlerave të mbishtresuara shprehëse-emocionuese (tall., mospërf., përçm., shar. etj.), në mënyrën e dhënies së frazeologjisë e të thënieve tipike vendore etj. Për saktësi shkencore dhe për ekonomi të paraqitjes, autori shpesh i është referuar “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980), çka i jep këtij fjalori krahinor edhe një krakter krahasimtar me leksikun, frazeologjinë e sematikën e pasqyruar në një fjalor kombëtar, duke e spikatur më mirë kështu ç’të re sjell ai në këto fusha.
“Fjalori me fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja”, i hartuar nga profesor Hajri Shehu, është i një cilësie të lartë shkencore, sjell një pasuri leksikore, frazeologjike e semantike të panjohur përgjithësisht, por që duhet të bëhet e njohur me botimin e tij për vlerat e shumta që ka për mbrojtjen e pasurisë gjuhësore vetjake të shqipes, për pasurimin e leksikut të saj e veçanërisht të standardit, për shkrimtarët, përkthyesit, publicistët, shkollarët etj., por edhe për studimet shkencore në fushë të leksikut të shqipes, shkruan akademik Jani Thomai. Sipas tij, “ky fjalor do të pasurojë bibliografinë leksikografike shqiptare dhe me vlerat shkencore e praktike që ka, do të renditet në radhët e para të fjalorëve të këtij tipi.”

Nje koment

KOMENTI JUAJ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *