Elvis Prençi, një nga të paktët dibranë të Ekipit të Korabit


Elvis Prenci

Elvis, je një ndër të paktët futbollist profesionistë me origjinë Dibrane që aktivizohesh me ekipin e Korabit. Çfarë ndjesi të jepet të luash dhe të shënosh për ekipin e vendlindjes?
Nuk e kisha menduar kurrë të luaja me ekipin e Korabit në superligë, duke pasur parasysh shumë faktorë të ndryshëm që bënin të pamundur që Korabi të konkuronte mes ekipeve me elitare të Shqipërisë. Është një ndjenjë vërtetë fantastike, e pabesueshme të luash për njerëzit dhe tifozërinë e vendlindjes tënde. Unë shënova një gol për kupë dhe të dëgjosh emrin tënd të brohoritur nga tifozëria, nuk shpjegohet me fjalë. Unë që në moshë të vogël kam qenë pjesë e ekipit të Korabit dhe pasi u largova nga Peshkopia sërish e ndiqja ecurinë e tij si një tifoz i zjarrtë. Babai im, Kujtim Prençi, ka qenë një nga futbollistët e Korabit dhe më ka bërë ta dua më shumë këtë ekip.

Çfarë përfaqëson Elvisi jashtë fushës së blertë?
Unë jam diplomuar për menaxhim biznesi. Sigurisht, që edhe jashtë fushe mundohem të tregohem sa më profesionist dhe i thjeshtë. E gjithë dita ime është e lidhur me sportin. Miqtë e mi pothuajse pjesa më e madhe sportistë ku flasim për situatat e ekipeve tona ku luajmë. Familja për mua është e shenjtë dhe një pjesë të mirë të kohës mundohem ta kaloj me ta. Jam tip që më karakterizon humori kudo që ndodhem.

Sa ka ndikuar babai juaj në sukseset e tua?

Babai im ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në karrierën time. Shpesh kam hasur probleme dhe mbështetja e familjes nuk më ka munguar kurrë. Babai im më shoqëron në çdo ndeshje dhe atë e kam trajner personal duke më vënë ne dukje ëdo detaj, sigurisht me qëllim për të përmirësuar.

Meqë jemi te karriera, si nisi dhe si ka vazhduar ajo deri në ditët e sotme?
Fillimet e mia nisën me ekipin e Korabit që në moshë të vogël. Më pas u transferova tek akademia e ekipeve zinxhir të Tiranës, duke vazhduar më pas në ekipin e parë të Kukësit. Pas Kukësit u transferova tek Partizani duke vazhduar tek ekipi i Teutës së Durrësit ku aty pësova një dëmtim që më mbajti plot një vit larg fushave. Me dëshirë pas plot një viti vështirësi u riktheva kësaj radhe në superligë tek ekipi i Korabit për të ndjekur gjurmët e babait tim.

Ti ke luajtur me kombëtaren e moshave. Çfarë do të thotë të këndosh hymnin dhe të veshësh bluzën e një kombi?
Kulmi i karrierës time ka qenë grumbullimi im me kombëtaren U21 me të cilën kam luajtur 20 ndeshje me një emocion shumë të madh. Këndimi i hymnit është një emocion i papërshkrueshëm. Ajo bluzë ka një peshë dhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme.

Si duhet të veprojë një futbollist profesionist në rastet kur shkelet etika e tifozëve dhe jo vetëm ndaj tij?
Ne jetojmë në Shqipëri dhe kultura që tregojnë tifozët lë për të dëshiruar. Por një futbollist profesionist duhet të menaxhojë situatat delikate duke kuptuar tensionin dhe adrenalinën që ndjeshja krijon. E njëjta gjë duhet të ndodhë mes futbollistëve dhe arbitrave.

Na trego pak çfarë ndodh brenda skuadrës, larg syve të tifozëve?
Ekipi ku ne luajmë është me të vërtetë si një familje sepse ka ditë të javës që më shumë rrimë me shokët e ekipit se sa me familjet tona. Ne stërvitemi, grumbullohemi për ndeshje, apo qoftë dhe ndonjë kafe.

Sa vlerë ka futbolli në Shqipëri?
Futbolli në Shqipëri është përmirësuar shumë. Ju e shikoni që shumë ekipe kanë në përbërje lojtar cilësor të huaj. Kjo do të thotë që edhe kostoja është e lartë. Mendoj që një lojtar i Superligës paguhet shumë mirë duke hequr pjesën e problemeve financiare që kane disa ekipe si vonesa në rroga apo mospagimi në mënyrë korrekte.

Sipas teje, çfarë i mungon futbollit Dibran, dhe çfarë këshille do u jepje të rinjve që kanë ëndërra futbollin?
Mendoj që sportit dibran i mungon infrastruktura, duke bërë që investitorët të jenë skeptik në financimin e sportit në Dibër. Marrim shembull skuadrën e Kukësit, që me përmirësimin e kushteve sportive, pretendon sot të jetë ekipi kampion i Shqipërisë. Talentët dibran nuk mungojnë. Kam parë talente në ekipet zinxhirë dhe atyre djemve u them që punoni, djersiteni, këmbëngulni mbi vështirësi sepse asgjë nuk është e pamundur.

Cilat janë fjalët e tua për tifozërinë e zjarrtë dibrane.
Dua t’i përshëndes me gjithë zemër të gjithë tifozërinë e pakrahasuesshme të Korabit. Unë personalisht, por edhe në emwr të ekipit, e kuptojmë mërzitjen dhe dëshpërimin e tyre mbi situatën që ndodhemi në kampionat, por mendoj se ndikojnë disa faktorë që tashmë duhen përfshirë edhe problemet financiare kohët e fundit që vështirësojnë situatën. Sigurisht, përgjegjësia bie mbi futbollistët. Dua të falenderoj tifozët që na mbështesin në humbje dhe fitore. Padyshim që Korabi do të bëhet faktor në Superligën shqiptare…
S.Zagradi