Ertila, vajza që mundi vdekjen


Thonë që njeriu lind bashkë me fatin e tij dhe në çdo hap të jetës ai e ndjek nga pas, si hije e eksperiencave jetësore. Çdo përpjekje për ta ndryshuar atë thuhet se është e kotë sepse rrjedha e jetës varet pikërisht nga ai. Njeriu paska fatin e tij unik destinuar vetëm për të, fat ky që jo rrallë herë ndodh që të jetë kundër tij në një apo në një tjetër aspekt të jetës.
Ertila është një nga njerëzit që me forcë, durim dhe këmbëngulje ju kundërvu fatit dhe deri në ditën e fundit të kalvarit të vuajtjeve të saj. Ajo ka lindur në qytetin e Peshkopisë, ishte vajza më e madhe e dy prindërve të varfër, të cilët jetonin ashtu si të gjithë nën valën e mentalitetit të kohës dhe zonës. Historia e saj nisi në vitin 2007 kur ajo ishte vetëm 16 vjeç dhe përkatësisht në klasën e tetë. Ishte në një moshë ku logjika nuk zotëronte kapacitete për të marrë vendime jetësore.
Ditën e parë të vitit 2007 në shtëpinë tonë erdhën dy miq të babait, me pretekstin për të shkëmbyer urimet për Vitin e Ri, nis të tregojë historinë Ertila, tashmë 25 vjeçe. Duke ju dridhur zëri tregon se nuk ishte ky qëllimi i ardhjes së tyre. Ata erdhën duke i thënë babait që duam që vajzën tuaj ta marrim për nuse, sepse ne njihemi si familje dhe përse mos e vazhdojmë më tej miqësinë? Babai heshti dhe bashkë me ta heshta dhe unë. Pas largimit të tyre çdo presion i mundshëm bie mbi mua. Prindërit e mi nën presionin e mentalitetit këmbëngulnin herë pas here, e më pyesnin nëse kisha dikë tjetër. Unë nuk flisja, nuk kuptoja çpo ndodhte dhe pas disa orësh këmbëngulje duke qarë guxova të thoja vetëm diçka duke u drejtuar nga nëna ime:
– Mam, ju nuk keni bukë për të më dhënë që po më nxirrni nga shtëpia ime? Çdo fjalë në ato çaste ishte e tepërt. Çdo detaj i prindërve të mi më shtynte të besoja që ato kanë të drejtë dhe kështu u fejova me dikë që nuk e doja, më një moshë të vogël dhe pa u pjekur si njeri për të ndërmarrë një vendim kaq të rëndësishëm për jetën time.
Pas zyrtarizimit të fejesës çdo fundjavë shkoja të ndihmoja vjehrrën për shkak se ishte e vetme. I fejuari ishte emigrant në Itali dhe komunikimi me të ishte me të vërtetë i pakët. Flisja rrallë me të dhe çdo bisedë ziheshim e përfundonim me fjalën që “Të kam marrë për mamanë” ti shërbesh asaj. Një fejesë e krijuar pa dashuri nën guaskën bosh të dogmave dhe traditave. Formaliteti kishte rëndësi më shumë se lumturia e Ertilës, e si Ertila ka akoma shumë vajza që fejohen, martohen me dikë që nuk e duan.
Teksa vazhdon të rrëfejë historinë asaj zëri fillon të dridhej. Në një nga fundjavat, vazhdon ajo, që në darkë nuk ndihesha mire. Ndjeja dhimbje të fortë në bark. Menjëherë më dërguan në spitalin e Peshkopisë kryen procedurat dhe morën analizat. Atë natë qëndrova atje dhe të nesërmen mora analizat ku u pa që gjendja ime ishte shumë e keqe. Unë nuk dija asgjë, por të gjithë rreth meje qanin. Unë isha prekur nga një sëmundje shumë e rëndë, dhe patjetër duhet të operohesha ndryshe i kisha ditët e numëruara. Pas operacionit nuk mund të lëvizja, isha e mpirë dhe mora vesh që pas tre ditësh duhet të nisesha drejt Tiranës për një vizitë ose ndosha një operacion më i specializuar. Mbaj mënd, tregon Ertila, që në QSUT takova dr.Silvën, një njeri i qeshur dhe që të falte pozitivitet. Ajo u kujdes për mua për një javë deri kur u duk sikur gjendja ime u përmirësua.
Pas dy vitesh (2009) shëndeti im u përmirësua dhe familja vendosi të më bëjë një dasëm të madhe. Të vishje fustanin e bardhë, ëndërr e çdo femre ishte e jashtëzakonshme, sidomos pas kalimit të një sëmundjeje të rëndë, e cila mund të mos më linte ta vishja kurrë atë fustan. Çdo gje dukej sikur po sheshohej, marrëdhënjet me tim shoq, me familjarët dhe shëndetin tim. Shtëpia jonë ishte dy katëshe, pas saj një tarracë që përdorej për të tharë rrobat dhe për tu ngjitur në të përdornim shkallë druri. Ngjitesha shpesh aty, po kur është e shkruar asgjë s’do ta ndalonte.
Rrëzimi nga ato shkallë rihapën dhe trazuan plagë të hershme. Dhimbjet shpeshtoheshin çdo çast. Spitali rajonal i Peshkopisë nuk më dha asnjë shpresë. Maqedonia më pas Greqia ishin destinacionet e vizitave, por as aty nuk merrnin përsipër operacionin. Gjendja ime po përkeqësohej shumë ndërkohë pas kthimit nga Greqia lashë takimi me dr.Halim Kosovën, por as ai nuk mori përsipër operacionin tim. Historia kthehet sërish në Tiranë tek dr.Silva në spitalin “Nënë Tereza” Tiranë. Gjendja ekonomike ishte realisht e keqe dhe shpenzimet ishin tepër të mëdha. Gjendja po keqësohej më tej derisa u vendos një operacion tjetër në qendrën spitalore universitare “ Nënë Tereza” Tiranë …. Zoti më bëri të fortë, por kur shihja prindërit e mi që vuanin me të vërtetë tmerrohesha. Flinin në karrige me netë të tëra…
Mes vuajtjeve të shumta Ertila sërish mbetet e fortë edhe pas disa kimioterapish të detyrueshme. Flokët nisën t’i bien e trupi filloi të mos kishte më fuqi. Sëmundja tashmë po degradonte më keq dhe shpresat sa vinin e pakësoheshin. E vetmja shpresë ishte një tjetër tentativë për një kurim më të specializuar. Mundësitë nuk ishin por kur vjen puna tek shëndeti duhet të bësh çdo gjë. Kontaktet e para ishin me spitalin Averses, Moscati në Napoli ku ju nënshtrua kontrolleve të shumta dhe nga konstatimet u pa nga mjekët që të gjithë operacionet, ilaçet që kishin përdorur për të nuk kishin bërë asnjë efekt, logjikisht dhe jeta e saj tashmë ishte në rrezik. Ai spital nuk mund të mbulonte atë shërbimin për një operacion. E vetme në mes të katër rrugëve Ertila nuk kishte më asnjë shpresë për pasur një kurim. Prindërve të saj u mbaruan dokumentet dhe nuk kishin të drejtë qëndrimi në Itali. Rastësia është mbret i botës thonë dhe në rastin e saj ishte arsyea që ajo është akoma gjallë. Njohja e një prifti bëri që Ertila të lidhej me Caritas Italia dhe më pas takimi i disa mjekëve të spitalit Frederico Secondo. Për rreth katër ditë u kryen analizat dhe u vendos një operacion urgjent, ku nuk mund të bëhej gjë tjetër përveç heqjes së mitrës duke e bërë atë të mos ëndërronte kurrë më për një fëmijë të saj. Mjekët treguan që në ajo kishte vetëm tri ditë jetë në qoftë së nuk do të kishte bërë operacionin dhe heqjen komplet të mitrës. Ajo operohej dhe dy herë të tjera për tu kontrolluar. Shëndeti i saj për herë të parë filloi të përmirësohej.
Problemet nuk kanë të sosur për të, duke mos mjaftuar kjo ftohja me bashkëshortin dhe njerëzit e familjes së tij. Mentaliteti famëkeq i një zone kaq të mbyllur nuk e lejonte atë që të birësonte një fëmijë. Shëndeti i saj fizik tashmë ishte përmirësuar ndjeshëm.
“Kisha nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi, thotë ajo. Çdo natë shikoja fëmijë në ëndërr. Doja me patjetër të kisha një fëmijë në krahë, dhe pse jo biologjikisht i imi. Askush nuk e dëshironte këtë. Pas një viti mora vendimin se kjo martesë nuk shkon më…
Sot ajo është 25 vjeç dhe gëzon një shëndet të plotë. Punon dhe jeton ne shtetin italian dhe është me të vërtetë një person që përcjell gjithmonë mirësi dhe forcë. Me dëshirën e Zotit dhe me durimin njerëzor çdo gjë arrihet. Çdo gjë është e mundur në qoftë se këto dy gjëra ekzistojnë, thotë Ertila, për çdo njeri që do të lexojë këtë histori…