Fjalori i HAJRI SHEHUT, një nga veprat më të mira leksikografike


Ky fjalor krahinor përfshin lëndë nga një zonë etnografike e gjuhësore e veçantë e rajonit të Dibrës, siç është Ujemuja. Ajo shtrihet në veri të qytetit të Peshkopisë, në kufi me zona të Kukësit dhe zona të tjera në faqen lindore të malit të Korabit, që i ndan nga të folme të shqipes jashtë kufijve shtetërorë. Ky pozicion i jep kësaj zone një rëndësi të veçantë edhe në aspektin gjuhësor.
Autori i fjalorit, prof. Hajri Shehu, leksikograf e leksikolog me përvojë shumë të gjatë, i lindur e i rritur në ato anë, njohës shumë i mirë i pasurisë gjuhësore dhe i së folmes së tij të vendlindjes, ka përgatitur për botim një vepër që i bën nder atij dhe së folmes së tij të vendlindjes. Edhe pse i lindur në ato anë, për informacionin rreth fjalëve të përfshira në fjalor, ai nuk është mjaftuar vetëm me vjeljet e veta, që i ka gjurmuar nga prindërit e njerëzit e tij më të afërt, por edhe nga banorë të tjerë dhe nga ekspedita të qëllimshme leksikologjike në fshatra të tillë, si Kallë, Sllovë, Ratke, Zall-Kalis, Lugjej, Sllatinë, Venisht, Shumbat e Dypjakë. Për grumbullimin e lëndës autori ka shfrytëzuar çdo mundësi që i është dhënë – nëpër dasma, nëpër odat e burrave, në kuvendime e biseda për ngjarje historike, bëma, tradita historike, punë bujqësie etj., madje edhe në rrugë, në lojërat, shakatë e humorin e të rinjve – për leksikun me vlerësim negativ, mallkime e vulgarizma. Nga ana tjetër, autori pohon se ka vjelë shterueshëm edhe lëndën folklorike të mbledhur prej tij në këto anë në vitet 1962-1965. Në Hyrje, autori pohon, gjithashtu se fjalë e shprehje të këtij fjalori janë botuar prej tij në mënyrë të përzgjedhur në revistat shkencore të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë – “Studime filologjike” dhe “Gjuha jonë”, prej nga një pjesë e tyre janë marrë e janë përfshirë në fjalorë të gjuhës shqipe.
Fjalori është diferencues, çka do të thotë se ai përfshin kryesisht fjalë dhe shprehje që janë karakteristike për të folmen, fjalë e shprehje që ruhen në folklor, sinonime vendore që përdoren në vend të fjalëve të mbarë gjuhës etj.
Siç e ka theksuar edhe vetë autori në Hyrje, që prin lëndën leksikografike, fjalori përfshin mbi 8000 fjalë, përveç njësive frazeologjike dhe fjalëve të urta. Ai përfshin pesë shtresa fjalësh: 1. fjalë që përdoren në këtë të folme, të cilat nuk i kanë përgjegjëset e tyre sinonimike në gjuhën e njësuar letrare; 2. fjalë të mbarë gjuhës, por që në të folmen përkatëse përdoren me kuptime dhe ngjyresa të ndryshme kuptimore; 3. fjalë që plotësojnë çerdhen fjalëformuese të gjuhës letrare; 4. fjalë të prejardhura, të formuara sipas modeleve tipike popullore; 5. variante fjalëformuese, por edhe morfologjike e fonematike të fjalëve të mbarë gjuhës. Natyrisht, ky fjalor, si pasqyrues besnik i pasurisë leksikore të zonës, nuk mund të linte jashtë edhe fjalë me burim nga gjuhë të tjera e që përdoren në këtë të folme, si sllavizma e turqizma, të cilat janë jo vetëm karakteristikë e stilit bisedor, por kanë një shtrirje edhe në folklorin e pasur tradicional të krahinës.
Lënda është trajtuar, analizuar dhe zbërthyer kuptimisht në mënyrë të saktë e të hollësishme, sipas parametrave leksikorë të gjuhësisë sonë të sotme. Ajo është një pasuri gjuhësore kombëtare, e mbledhur me kujdesin e studiuesit të përkushtuar. Dija leksikografike shqiptare do t’i referohet me siguri gjithnjë, për të nxjerrë prej saj njësi me vlerë letrare potenciale, domethënë, fjalë, frazeologji etj. që mund të shtrihen gjerësisht në përdorim edhe në gjuhën standarde.
Besojmë se fjalori krahinor i prof. Hajri Shehut do të mbetet nga veprat më të mira leksikografike të llojit të tij. Jemi të bindur se ai do të mirëpritet jo vetëm nga dibranët, të cilët do të dëshironin që pasuria e të folmeve të tyre të bëhet e njohur gjerësisht, por edhe nga studiuesit, që do të gjejnë lëndë për studime të natyrave të ndryshme. Besojmë, gjithashtu se fjalori do të jetë mjaft i kërkuar nga mësuesit, në radhë të parë, dibranë, të cilët do ta shohin atë edhe si një ndihmë e model mjaft të mirë për të ndërmarrë vepra të tilla për të folme të tjera të zonës së Dibrës, për të menduar më vonë, për një atlas krahinor e fjalor të përgjithshëm të të folmeve të Dibrës.
(Librin e gjeni pranë librarisë së botimeve M&B. Kontakt: 069 20 68 603/Email: mbbotime@gmail.com)