Libra të rinj nga Naim Berisha


Vlerësime për Naim Berishën

Naim Berisha shkruan pastër dhe pa estetizime e letrarizma të panevojshme. Deri tani e ka përballuar me sukses maratonën e pamëshirshme në hapësirën e poezisë, këtë vrapim të madh që është krejtësisht i pakorruptueshëm. Naimi premton shumë për të ardhmen. Dritëro Agolli (1996)
Naim Berisha nuk vjen nga librat, por nga nëna. Ai mëson nga letërsia, por nuk imiton letërsi. Ashtu si në jetë edhe në krijimtari, ai është një zë i sinqertë, një talent gjenuin, veprat më të mira të të cilit, bëjnë pjesë në fondin më të mirë të letërsisë sonë. Teodor Laço (2010)
Naimi ka gjetur rrugën për të bashkëbiseduar me lexuesit. Ai është origjinal dhe nuk përsërit as veten, as të tjerët, ndaj poezia e tij do të pëlqehet shumë.
Odhise Grillo (1995)
Poezia e Naimit është e veçantë. Ajo mbart historinë dhe filozofinë e Dibrës, vendlindjes së tij. Poezia N. Berishës ka identitet dhe mua më ka pëlqyer.
Fatos Arapi (1996)
Kënga e këtij poeti të ri nuk njeh kufij shtetërorë. Ajo troket në zemrën e çdo shqiptari, pasi ka marrë me vete aromën e kësaj toke të shenjtë, uturimën e furtunave që kanë kaluar mbi këtë truall. Lexojini me vëmendje poezitë e tij dhe do të vëreni se ato mbartin karakteristika të veçanta të shprehura me një figuracion funksional.
Bedri Dedja (1993)
Në prozë, Naim Berisha di të gërshetojë linjat kryesore të subjektit me detajet konkrete. Lirshmëria narrative, bukuria e shkrimit dhe prania aktive e autorit në rrëfim e bën prozën e tij të gjatë, konfidente dhe të dashur për lexuesin.
Gjovalin Kola (1996)
Mesazhet filozofike përcillen tek romani “Bjeshkët e dashurisë” të Naim Berishës, përmes një gjuhe të gjallë e të pasur dhe një stili elegant, që kushtëzon në bukurinë e shprehjes koncize dhe lakonike.
Fatmir Terziu (2010)
Naim Berisha është një zë origjinal jo vetëm në poezi, por edhe në prozë.
Behar Gjoka (2010)
Në romanet e tij Naimi operon me një stil modern. Ai gërryen në kuintesencën e pak personazheve. Në konfigurimin e plotë artistik romani i tij të shkakton kënaqësi estetike si një shëmbëlltyrë që të kënaq me rrëfimin lirik.
Hajri Mandri (2010)