Mentor Disha dhe familja Disha nga Dibra


Familja Disha nga Dibra e Madhe është njëra nga ato familje që ndër vite ka kontribuar në mjekësi, jo vetëm për qytetin, por edhe më gjerë. Kontributin, kjo familje, më së shumti e ka dhënë në fushën e mjekësisë, profesion ky që cilësohet “i shenjtë” dhe mjaft fisnik. Duke zgjedhur këtë profesion, për të cilin lirisht mund të themi se më shumë të bën të japësh sesa të marrësh, familja Disha e krijoi një imazh pozitiv në sytë e gjithë atyre që i njohin. Para pak kohësh, ndërroi jetë “kryekurora” e kësaj familjeje, prof. dr. Mentor Disha, i cili la pas vetes një bagazh të madh mbushur me veprimtari të gjithanshme profesionale.
Ai u lind në vitin 1934 në Dibër, shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, të mesmen në Tetovë, ndërsa studimet i kreu në Fakultetin Farmaceutik në Zabreb, në vitin 1963. Pas mbarimit të studimeve, prof. dr. Mentor Disha fillimisht u punësua si mësimdhënës në gjimnazin e Dibrës, pastaj edhe në Laboratorin Biokimik të Qendrës Diagnostike të Prishtinës, në të cilin që nga viti 1970 u emërua kryeshef. U martua me zonjën Myrvete Dehiri – Disha, me profesion matematikante, e cila vjen nga një familje e ngritur në Prizren dhe është motra e prof. dr. Ismet Dehirit, njërit nga profesorët më të dalluar të katedrës së matematikës në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1973, prof. dr. Mentor Disha u specializua në Biokiminë mjekësore në Lubjanë, ndërsa më 1975 emërohet shef i Laboratorit të Radio kimisë në Njësinë e Mjekësisë Nukleare të Qendrës Diagnostike në Prishtinë. Pas 2 vitesh e mbron temën e magjistraturës me titull: “Ndikimi i acidit askorbik në nivelin e holesterolit në gjak”.
Që nga viti 1978 u përzgjodh si ligjërues i lëndës “Farmakologji dhe toksikologji” në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Temën e doktoraturës “Hulumtimi i ndikimit të kortikosteroideve në funksionin e gjëndrës mbiveshkore”, e mbrojti në vitin 1985 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Një vit më pas zgjidhet docent, ndërsa si profesor inordinar në lëndën e Farmakologjisë me toksikologji. Prof. dr.Mentor Disha është autor i tre librave universitarë: “Receptura mjekësore” (1985, 1987, 2001), “Farmakologjia mjekësore” (1988, 1990) dhe “Bazat e farmakoterapisë” (2000,2003). Ai ishte pjesëmarrës në shumë simpoziume dhe kongrese, e deri në fund të jetës botoi mbi 50 punime profesionale e shkencore. Kontributi i tij në hapjen e Degës së Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë së Prishtinës, është i madh. Pensionohet në vitin 2003, ndërkaq në vitin 2016 u dekorua nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e dhënë në shërbimin civil.
Djali, Bersanti ka kryer fakultetin e ekonomisë në Angli, ndërsa aktualisht është drejtor në njërën nga sipërmarrjet më të fuqishme për konsultime biznesore në Kosovë që titullohet “Recura”. Adem Disha është vëllai i prof. dr. Mentorit, i cili deri në pension punoi si mjek i përgjithshëm në Dibër dhe Tetovë, ndërkaq vajza e tij Dafina është farmakologe në Tetovë. Kushëriri, Abdulla Disha ishte internisti më i dalluar në rrethin e Dibrës, dhe më gjerë, i cili la pas vetes një karrierë të mbushur me suksese mjekësore. Edhe fëmijët e kushëririt tjetër Abdylit (ekonomist), janë me profesion: Kushtrimi, specialist për kardiokirurgji në Gjermani, Liridoni mjek amë me ambulancë private, njëkohësisht dhe bashkëshortja e Abdylit, Myzejeni ka qendrën e saj gjinekologjike në Tetovë.
Njerëzit që përmbushin objektivat në jetë, janë të rrallë, ndaj në rastin tonë mund të themi se kemi të bëjmë me intelektualë të cilët dhanë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh për shoqërinë tonë. Gjetja e lumturisë së jetës ka ndikim më të madh në qenien njerëzore, sesa kushtet ekonomike, e familja Disha ka preferuar të parën që me punën e palodhshme t’i bëjë të lumtur të gjithë ata persona që u janë drejtuar, ndaj për ne ata sot janë “heronj të kohës”!