Mort në fshatin e largët


Isha i vogël në atë kohë. Kishte mbaruar shkolla dhe se tanimë vinin pushimet e verës. Më pëlqenin shumë këto pushime, pasi më shpesh shkoja te dajat e mi, që ishin larg, shumë larg zonës ku banoja unë dhe familja ime. Unë isha i vetmi që shkoja shpesh te dajat e mi, ndryshe nga gjithë pjesëtarët e familjes sime. Në fakt, unë isha bërë kështu edhe i preferuari i dajave, më njihnin në fshatin atje dhe më respektonin si mysafir special si të thuash. Këtë herë që do të nisesha, në fshatin e largët të dajave, që në fakt sërish ishte në rrethin e Dibrës, do të shoqërohesha edhe nga ana e familjarëve të mi, nga ana e atyre të afërt shumë, trungut familjar. Më saktë, mamaja dhe nga vëllai e motra. Udhëtimi ishte pjesa që e kisha shumë merak realisht. Anëtarët e familjes mua më linin atje për 2 a 3 muaj dhe se gjëja që më bezdiste më shumë ishte ai udhëtim, që në të vërtetë ishte realisht i tmerrshëm do thosha, sidomos për kushtet e atyre viteve.
Udhëtimi më dukej kaq i tmerrshëm, sa nuk kalonte ditë që nuk e kujtoja si diçka jo të dëshirueshëm kur isha në fshatin e dajave. Madje, atë kisha frikë, shkuarjen atje dhe pastaj kthimin, pasi më pëlqente shumë ai vend, ku kishte argëtim, male e fusha të gjëra. Nejse, të dal në thelb. Udhëtimi që kur nisi, si gjithmonë kisha frikë. Udhëtoja zakonisht me furgon dhe se rruga qoftë nga Maqellara në Peshkopi, por sidomos nga Peshkopia në Sllovë ishte tmerr më vete. Ja, kjo ishte rruga që duhet të përshkruaja dhe që në ato vite ishte e rëndë, mbushur me vapë, me pluhur e me pritje pa fund në qytetin e Peshkopisë, pasi kishte një orar të caktuar dhe shpesh vonohej dhe ai orar, për shkak se duhet të ishin që të gjithë pasagjerët. Pjesa e parë u përmbush dhe me zor arritëm në Peshkopi. Aty jemi herët dhe shëtisim thuajse gjatë gjithë ditës nëpër qytet. E pas kësaj sakrifice të mundimshme, një më e rëndë është në sfond. Mbaj mend sasa e rëndë ishte ajo rrugë e gjatë, atëherë e shkatërruar thuajse totalisht, që shpesh bëhej pluhur i madh dhe ngjante sikur po ecte ajo makinë e stërmadhe nëpër shkretëtirë. Po ishte tmerr edhe më i madh një rrugicë e ngushtë pranë liqenit në Shtumbat, ku makina e stërmadhe lëkundej dhe dukej sikur do të bjerë në njërën atë në atij liqeni.
E më e rëndë akoma ishte se kur kam qenë i vogël, pikërisht në Maqellarë, kishim rrugën afër dhe se pati vdekur një djalë i ri në moshë, që ia përplasi kokën makina në rrugë të madhe e se ai me origjinë ishte diku nga një fshat në Kastriot dhe rrugës, paksa larg mund t’ia dalloje varrin edhe atij djali. Shihja shokun tim pra që nuk ishte më, por tanimë ai ishte veçse një pllakë mermeri. E tmerrshme mendoja se edhe unë mund ta kem kushedi një fat të tillë, pasi gjëja më e frikshme që mendoja ishte fakti se jeta ime nuk ishte në dorën time, por të shoferit!
Gjithsesi, ne shkuam në fshatin e dajave të mi, të gjithë si familje. Familjarët e mi qëndruan për pak kohë dhe ikën ditën e dytë ose të tretë, ndërsa unë qëndrova si gjithmonë. Pas nja shumë ditësh, pasi kaloja paksa mirë, por shpesh edhe mërzitesha ndoshta dhe luaja për të shtyrë kohën, pikërisht nga ftoi ku kisha lidhur litarin e kolovarëses, shoh poshtë në sheshin qendror të fshatit. Unë arrija ta shihja sheshin që aty, nuk e kisha larg. E afrova dhe më tej shikimin. Ishte ora diku 14.00 dhe se ishte diell i madh e pika e vapës. Avash-avash po ndihej se diçka e pazakontë ishte duke ndodhur. Afër meje erdhën edhe daja, së bashku me gjyshen nga ana a mamasë, si dhe gruaja e dajës. U mblodhëm të gjithë. Unë pashë diçka jo të zakontë për moshën që kisha.
Në mes të fushës, aty ku ishte pluhur i madh, përpara shkollës së fshatit, u mblodhën shumë njerëz. Kalonin njerëz të shumtë. Ata kishin mbi duar një arkivol. Po një arkivol, pasi prapa shkollës ishin varrezat.
Atëherë dëgjoj të afërmit e mi, që mua më kishin nip dhe ata thoshin me vete dhe me zë të ngritur se ai arkivol mbante trupin e një djali që kishte ardhur nga Greqia sa mbaj mend. Kishte vdekur në punë ose ishte kapur duke vjedhur ndoshta dhe e kishte vrarë pronari. Një nga këto histori ishte e se cilado të ishte historia, mu duk e trishtë shumë. Shihja nga larg një arkivol, që dukej i kuq, pasi e kishin mbuluar me flamur kombëtar e se njerëzit ecnin burrnishëm në heshtje. Atëherë ishte periudha e emigrimit të madh, kur njerëzit kishin lënë katandi e shtëpi dhe ishin turrur drejt shteteve perëndimore, si e si të gjenin para dhe të mbanin familjet me bukë, më e pakta, sidomos në këto zona. Jo vetëm në këto zona, por në mbarë qarkun e Dibrës varfëria ishte realisht e madhe. Më erdhi të qaj, por edhe u përmbajta disi. Më erdhi mirë që në atë moshë fillova të kuptoj disi jetën, sa e trishtë dhe e dhimbshme ishte ajo.
Kur pas nja dy orësh shkova poshtë në fushë dhe se do luanin djemtë e fshatit, në fakt u bashkova edhe unë. Por ndëra të tjerët luanin me qejf, mua më kishte ngelur mendja te ai arkivol, te ai flamur, te ajo fushë e mbushur me njerëz hallexhinj, që vajtonin fatin e trishtë te vetin. E ajo pamje nuk bënte të më shqitej, edhe kur e kisha unë topin. Isha përhumbur, duke menduar se një jetë ishte nën dhe e se ne luanim futboll, pas një ore apo dy, sikur asgjë mos të kishte ndodhur. Ishte në fakt një moment që më dëshpëroi, shumë jashtë mase. Ndjeva dramën e fshatit të dajës sim, dramën e krahinës së Dibrës, dramën e madhe të popullit shqiptar që e ka shoqëruar dhe po e shoqëron edhe në këto kohë “moderniteti”.