Natyra dibrane, “guaska” që mban “perlën” e bukurisë shqiptare


“Në shtyp flitet për “minierat e kaltra”, për bregdetin tonë bukuri rrallë e vlerat e tij turistike. Mirë bëhet. Por mos harrojnë Lurën dhe simotrat e saj, “minierat e kaltra, të gjelbërta e të bardha”. Shfrytëzimi i tyre ka reflekse të gjëra e të thella në zhvillimin ekonomik e shoqëror të zonave malore, në lidhjen e brezit të ri me një veprimtari që sjell kulturë e qytetërim të maleve”.

Më 10 maj 1991, atëherë kur mendimi nuk kishte fre, pata përcjellë për botim një shkrim pesë faqesh me titullin Ndërmarrja turistike “Liqenet e Lurës”.
Ishte koha kur njerëzit kishin filluar jo thjesht të ëndërronin për një jetë tjetër por edhe të “shtronin rrugë” drejt saj.
E kam njohur Dibrën në tërë përmasat e saj nga Draj—Reçi në Llangë, nga Mërkurthi në Rrafshat e Korabit…
“Kur flasim për Lurën, shënoja atëherë, mendja na shkon tek bukuria e saj natyrore, tek liqenet-tejet të bukur, tek pyjet-tejet madhështorë, tek livadhet luleshumë e kullotat që ushtojnë nga blegërima e qengjave, tek…
Shkrimet e shumë autorëve thekëset i vënë gjithnjë në bukuritë e Lurës. Për begatinë e saj gati-gati nuk bëhet fjalë. Edhe kur ndonjëri bën ndonjë tentativë nuk shkon më tej se sa tek thirrja ekologjike për mbrojtjen e gjithëçkaje të virgjër e natyrore që ka kjo zonë. Kjo vjen nga inkopetenca e disave dhe nga mungesa e guximit e disa të tjerëve, sidomos e specialistëve, zëri i të cilëve ka ardhur koha të dëgjohet në “kor” për shfrytëzimin e pasurive të tilla materiale e shpirtërore si Lura dhe simotrat e saj në male. Burokracia dhe monizmi i kanë shumë borxhe Lurës dhe simotrave të saj në Dibër e gjetkë”.
Më tej vazhdoja:
“Bukuria e kësaj treve nuk mund të kuptohet pa praninë dhe dorën e njeriut. Lura është një perlë e natyrës sonë kur atë e kundrojnë dhe shijojnë njerëzit, veçanërisht të rinjtë dhe të rejat. Por perla është e bukur në gjerdanin e thurur mjeshtërisht nga kujunxhiu e jo në guaskën e moluskut.
Estetët dhe specialistë e tjerë në Lurë janë të domosdoshëm. Estetë nga vendi, por edhe nga bota, afaristë të mirëfilltë të estetikës malore, njerëz që nesër e pasnesër do të fiksojnë në retinën e syrit të vizitorit e pushuesit “një Lurë që i del përpara Zvicrës”. Por para tyre, madje ata që duhet tu ngjiten të përpjetave “me vrap”, janë ekonomistët, afaristët bashkëkohorë. Bukuria që ofron Lura duhet të “shitet”, të sjellë të ardhura. Nuk jemi mësuar me këtë “term”, ndaj e vura në thonjëza. Duhet të mësohemi, të mprehim hollë mendimin afarist për pasuritë tona tejet të mëdha.
Në Mërkurth, Tajan apo Mazdejë, në këto tre qafa që lidhen me rrugë automobilistike me Lurën, është koha të vëmë “postblloqe” ku çdo njeri që hyn të paguajë kënaqësinë që ofron Lura e bukur me peizazhin e saj të papërsëritshëm. Turistët e huaj të paguajnë me dollarë, turistët vendas me lekë në dorë. Kërkesa dhe oferta duhet të veprojnë edhe në turizëm. Qejfin sot bota e paguan me çmime shumë të larta.
Që të arrijmë deri këtu duhet menduar dhe investuar në dy krahët: në ndërtimin e veprave dhe mjediseve turistike dhe në “ndërtimin” e koncepteve të reja për shfrytëzimin e dhuntive që ofron natyra jonë…”
“…Turistit këtu mund ti ofrohet kos në kupa druri (prodhuar nga mjeshtrit e Lurës), mish qengji apo keci (të prerë para syve të turistit e të kaluar në hell), kërpudha të freskëta pylli, mish të freskët gjahu, mjaltë bjeshkësh në hoje, pije freskuese alkoolike të prodhuara nga frytet natyrorë të zonës si mjedra, luleshtrydhja, thana, qershigla, dëllinja etj. etj.kundrejt çmimeve të larta turistike. Në liqenet e Lurës mund të rritet trofta e të bëhet gjueti turistike e peshkut me grep ashtu si mund të rritet kujdesi për kafshët dhe shpendët e gjahut e të organizohet gjuetia turistike e tyre…”
“Folëm për Lurën, për Parkun Kombëtar të liqeneve të Lurës, park i cili duhet zgjeruar me ligj e me kufij natyrorë Qafën e Mërkurthit, Masdejës, Tajanit, Pregj-Lurës… Fusha e Pelave me përmasat e një aeroporti të madh, 2-3 kilometra larg liqenit të Luleve është një bukuri më vete ashtu siç është edhe Lan-Lura e Krej-Lura, dy pika shumë të favorshme për ngjitjen dhe zbritjen e helikopterëve turistike…”
“…Liqenet e Kacnisë janë po aq të bukur (në mos më të bukur) se Liqenet e Lurës. Po ashtu edhe Liqenet e Tërnovës. Po ashtu edhe Grama me lartësitë e Korabit me bjeshkën e Zonjave, pyllin, liqenin artificial, burimet e shumta që të bien ballit, vend i mrekullueshëm për turizëm dimëror e veror…”
“Në shtyp flitet për “minierat e kaltra”, për bregdetin tonë bukuri rrallë e vlerat e tij turistike. Mirë bëhet. Por mos harrojnë Lurën dhe simotrat e saj, “minierat e kaltra, të gjelbërta e të bardha”. Shfrytëzimi i tyre ka reflekse të gjëra e të thella në zhvillimin ekonomik e shoqëror të zonave malore, në lidhjen e brezit të ri me një veprimtari që sjell kulturë e qytetërim të maleve”.

* * *
Duke lexuar ato që kam shkruar më 10 maj 1991, duke kujtuar Lurën asokohe të virgjër dhe ëndrrën e një njeriu që në shpirt e deshi Lurën Zonjë, bukuritë e Dibrës si “perlë në gjerdan”, ndjeva mall dhe emocion, boshllëk shpirtëror tek mësoj se pyjet e Lurës janë prerë e sakatuar, se liqenet po thahen e burimet shterojnë, se Lurasit e kanë braktisur vendin në kërkim të një jete që nuk të jep jetën e humbur, se Lura ka po ato rrugë me kalldrëm e me bar si i ka pasur më se një çerek shekulli më parë…
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me bukuritë e tjera të Dibrës, edhe me rrugët e saj, edhe me rrugën e premtuar në të gjitha fushatat elektorale, Rrugën e Arbrit.

* * *
Dibra ka një monument, bukurie dhe trimërie, një monument që flet më shumë se sa njëqind lektorë njeri pas tjetrit. Kam kaluar “gjoksit” të këtij monumenti, rrugës “litar hedhur në shkëmb”. Kam kaluar vetëm njëherë atëherë kur isha i ri dhe tensionin arterial e kisha normal. Do desha të kaloj edhe njëherë, shumë herë, i kapur jo pas litarit në shtegun e ngushtë ku pa tre pika mbështetje (asokohe “dy këmbë në rrugën litar dhe një dorë poshtë shkëmbit të zi) por në një rrugë të sigurt turistike.
Në librin “Po Dibrës! Jo Skavicës! në shkrimin “Kthimi i Gjergj Gjon Kastriotit në vendlindje” ndalesha në disa rreshta tek Gjalicat e Lurës, tek Kanali i Çidhnës, në idenë që një digë natyrore ta kthente mjedisin e ngushtë në një liqen-hidrocentral…
Shënoja…
“…Brezit që do të vijë do të desha që pas digës së Setës, diku në Grykën e Gjalicave të Lurës, të gjenin një “mol gondolash” që do ti përcillnin midis asaj pamje mahnitëse të Gjalicave, atij “tuneli” shpatesh të thepisura malesh nga kalon “kanali i piketuar me pushkën e Gani Tuçepit” ai i Çidhnës tek burimet e Setës në Gurë Lurë e prej andej, me teleferik ti ngjisnin në bregun e Liqenit të Luleve e në Fushën e Pelave…”
Një ëndërr? Lexojeni si të dëshironi.
Unë do të thosha… “Një bukuri natyrore dhe një heroizëm tipik popullor dibran-një piketim me karabinë gjermane nga Heroi i veprave ujore Gani Tuçepi, një piketim me mjete teknike të kohës nga Laureati i Çmimit të Parë të Republikës Beqir Kalia dhe një zbatim me kazma e baromina, me barut të nxjerrë nga fishekët trofe të Luftës së Dytë Botërore, nga njerëz që nuk dinin të frikeshin”
Kanali i Çidhnës, mjedisi natyror, është po ai i vitit 1967; i paprekur, i pa tjetërsuar, monument i natyrës dhe njeriut…
Ka vend të hidhet vështrimi mbi të…
Në shkrimin “Seta është monument historie dhe trimërie” shënoja:
“Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…
Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve, pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa marramendëse?”
Në gazetën “Bashkimi” profesori i mirënjohur i gazetarisë HamitBorici më 30 gusht 1967 shkruante: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej tu jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”
Në vjetarin statistikor 1966 të rrethit të Dibrës, vepër e ekonomistit të talentuar dibran Shemsi Hoxha shënohet:
“Kanali i Çidhnës… ka gjatësi 6 kilometra, midis të cilave 800 metra tunel në shkëmbin e Gjalicave. Vaditi për herë të parë në korrik 1967. Inaugurimi i ba më 24 gusht …”

* * *

Kam kërkuar në një shkrim (Kthimi i Gjergj Gjon Kastriotit në vendlindje” që monumenti i Skënderbeut të vendoset në pikën dominuese që sheh dhe fsheh historinë e Dibrës.
Ndër të tjera shënoja:
“Mendimi im është që Gjergj Gjon Kastrioti të vendoset në Sukë të Arrasit, në atë kodër që i qëndron gjithë luginës së Dibrës si far. Aty, Gjergj Gjon Kastrioti – Skënderbeu duhet të vendoset në atë mënyrë që djathtas të ketë “Shëgjethin”, majtas “Çelinë”, poshtë “Fushën e Torviollit” dhe përpara Dibrën mbarë. Ai duhet ta vështrojë Lindjen si sfidë që i bëri asaj në të gjitha betejat. Pas ai duhet të ketë Malet e Dibrës, ato male që iu bënë mburojë e që luftuan deri në fëmijën e fundit pas vdekjes së tij, Çidhnën…
Piedestali i lartë dhe mjedisi rreth e qark krijojnë mundësinë e “shkrimeve” të tjera në art për bëmat e mëvonshme të dibranëve si “Kuvendi i Arrasit” dhe ngjarje të tjera të shumta historike të zonave për rreth. Një kompleks turistik, një restorant me ballkone që shohin malet me Korabin në krye dhe luginën e Drinit në të dy krahët, një restorant me “Troftë Sete”, pse jo edhe një qendër administrative të komunës, me një muze që mund të “shpërngulet” nga Sina, do të përbënin perlën turistike të historisë së Dibrës.
Më ka ndodhur që në vitet tetëdhjetë të jem ciceron i një grupi gazetarësh të huaj në udhëtimin e tyre tek Liqenet e Lurës, Kanali i Setës etj. Në Qafë të Arrasit kërkova të ndalojë autobusi i vogël turistik. I udhëhoqa gazetarët në shkallët e sajuara drejt majës, midis dy rreshtave të ngarkuar me kumbulla të pjekura, drejt Sukës së Arrasit. U befasuan nga pamja mbrëmësore me Drinin nën këmbë e Korabin mbi krye. Por, kur u tregova për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, vendlindjen dhe vend luftimet e tij fitimtare, kur për një çast i ktheva pesë shekuj më pas duke u thënë që t’i përfytyronin radhët e mollëve të Kastriotit dhe Ostushit dhe radhët e kumbullave të Shumbatit, si ushtarë në betejën e parë të Skënderbeut dhe në fitoren e parë historike të botës së asaj kohe mbi hordhinë osmane, befasia e tyre arriti kulmin. Aty, për të dytën herë atë ditë, pas pamjes së bukur tek Liqeni i Madh, pash një njeri të ulet në gjunjë e të lutet si para Zotit…
Vendosja e monumentit të Gjergj Gjon Kastriotit mbi Sukë të Arrasit mendoj se duhet parë edhe në një tjetër këndvështrim.Dibra ka një festë të vetën, një festë popullore me rrënjë pagane. Ajo festë ka emrin e Gjergjit, “Shën Gjergji”. Festohet gjithnjë më 6 maj.
A nuk do të ishte bukur që kjo festë të shpallej si “Festë Popullore e Dibrës” ashtu siç tashmë është shpallur (edhe si festë zyrtare) “Dita e Verës e Elbasanit”?
Vendi, por edhe pozicioni gjeografik, lejon veprimtari të bukura në natyrë. Lejon që aty të zhvillohet një garë e bukur blegtorale se kush do të sillte në konkurs “qengjin apo kecin më të madh”, një festival këngësh për pranverën nga fondi shumë i pasur folklorik i zonës, që nga Lura, Selishta e deri në Reç e Kala të Dodës.

* * *
Flitet shumë për agro-turizëm. Nuk ma merr mendja që të ketë ndonjë trevë shqiptare ku bujqësia dhe turizmi të jenë kaq pranë e kaq të lexueshëm se sa në Luginën e Drinit të Zi krahëhapur me “Nëntë Malet” në perëndim dhe me Korabin, Hynoskën e deri me Majën e Zylit në Gollobordë në lindje. Po të dijë ndokush ndonjë vend që e bashkon më mirë bujqësinë me turizmin, ndonjë vend agroturist, kuptohet pa mbytjen e Dibrës nga gjoli i frikshëm i Skavicës, le ta thotë.

* * *
Një “udhëtim” malli dhe dashurie nëpër trevën ku linda dhe u rrita, një “udhëtim” me shpirt, nga larg…
U çlodha, i dhashë shpresë vetes se një ditë dibranët do të kthehen në Dibër për ta nxjerrë “perlën” nga “guaska e moluskut” e për ta varë në gjerdanin e bukurisë dhe historisë së saj, qendër gjeografike e shqiptarëve…
Athinë, 31 mars 2017.

Nje koment

  1. Ne kete shkrim te mrekullushem eshte derdhur dhe ben thirrje shpirti i nje gazetari, studjusi dhe specjalisti te njohur, qe me zemren e nje patrioti qe vlon papushim ne emigracjonin ku e detyroj koha vazhdon te punoje me ngulme, me dashurin te pakufishme duke thurur projekte te bukura per te sotemen dhe te ardhmen e Dibres. Ndersa ne Diber nje perbindesh me emrin HIDROSETA ka filluar pune per te varrosur Seten bashke me 3 burimet e saj te mrekullushme te ujit te pishem, Ujvaren e soponikes, Resnen dhe Klloxhneshen, duke i denuar me burgim te perjeteshem lidhur me tubacjone celiku me dimesjone perbindeshi 2m. here 2m. ne 4 km gjatesi bashke me tunelin per ti nxjerr ne Arras. Te gjitha burimet merren ne lartesin 489m me depo betoni ne vendeburime dhe groposen ne thellesi te tokes me tubacjone. Me dt .6 Maji shoqata Cidhna dhe Kastriotet organizon protesten per mbrojtjen e SETES nga ky projekt kriminal, miratuar nga Qeveria Shqiptare ne kundershtim me kushtetuten dhe VKM.nr.676 dt.20.12.2002. sipas te cilit SOPONIKA dhe GRYKA e SETES jane shpallur Monumente te natyres te mbrojtura me ligje.

Komentet janë mbyllur.