Shaban Sinani, personalitet i veçantë në letrat shqipe


Pothuaj që nga fillimet e tij ai tërhoqi vëmendjen e studiuesve të gjuhësisë, letërsisë, kulturës popullore apo antropologjisë kulturore, me seriozitetin, thellësinë e mendimit, argumentimeve shkencore, zellin dhe përkushtimin për mbledhjen e materialeve arkivore, analizën dhe studimin e tyre dhe seriozitetin në trajtimin e çështjeve që kishte marrë në shqyrtim. Veçanërisht spikasin kontributet e tij nga lëmi i studimeve antropologjike, të mbështetura në studimet arkivore brenda e jashtë Shqipërisë dhe në përvojën e thellë të këtyre studimeve.

Shaban Sinani është anëtar i grupit propozues që Eposi i Kreshnikëve të vihet në mbrojtje të UNESCO-s, që u mbështet edhe nga Qeveria e Kosovës.
Mbështetur në konkursin e shpallur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për kandidatë të rinj me status akademik i asociuar, nga lëmia e antropologjisë, duke e njohur punën shumëvjeçare dhe tejet frytdhënëse, rezultatet më se të vlerësuara në një fushëveprimtari mjaft të gjerë të interesimeve dhe të studimeve të tij, kam kënaqësi të përkrah kandidaturën e Shaban Sinanit për t’u zgjedhur anëtar i asociuar i institucionit më të lartë të shkencave dhe të dijeve të Shqipërisë, me bindje të thellë se bëhet fjalë për një personalitet të veçantë në letrat shqipe, që meriton të jetë pjesë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Shaban Sinani, sot sekretar shkencor pranë Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ka një karrierë të gjatë shkencore, gati 35 vjeçare, të nisur rreth viteve 1982-83, në fushat e studimit të letrave dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Pothuaj që nga fillimet e tij ai tërhoqi vëmendjen e studiuesve të gjuhësisë, letërsisë, kulturës popullore apo antropologjisë kulturore, me seriozitetin, thellësinë e mendimit, argumentimeve shkencore, zellin dhe përkushtimin për mbledhjen e materialeve arkivore, analizën dhe studimin e tyre dhe seriozitetin në trajtimin e çështjeve që kishte marrë në shqyrtim. Veçanërisht spikasin kontributet e tij nga lëmi i studimeve antropologjike, të mbështetura në studimet arkivore brenda e jashtë Shqipërisë dhe në përvojën e thellë të këtyre studimeve.
Duke nisur veprimtarinë e tij shkencore me një studim gjuhësor për Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe, ai, do të orientohet mbi të gjitha nga filozofia dhe antropologjia duke mbrojtur më 1998 dhe tezën e doktoraturës nga fusha e antropologjisë: Mitologji në eposin e kreshnikëve, fushë e interesimit të veçantë që do të pasohet, më vonë, jo vetëm me tri monografitë që ndeshim në bibliografinë e tij, por edhe me një varg studimesh të tjera dhe aktivitetesh të veçanta mbi këta interesime.
E kam ndjekur që nga fillimi veprimtarinë e tij shkencore dhe mund të them me plot bindje se përkundër gjerësisë së interesimeve, një aktiviteti të dendur, që dëshmohet nga bibliografia tejet e pasur – janë mbi tridhjetë tituj librash, studimesh, përmbledhje esesh e artikujsh, monografi, studime letrare, antropologjike, që e venë atë në radhën e studiuesve që kanë zgjeruar diapazonin duke u mbështetur te letërsia, te historia e letërsisë shqiptare mbi të gjitha, te mitet e legjendat, personalitetet e veçanta të letërsiosë (Kadare, Camaj…), deri tek studimet dhe hulumtimet për Kosovën, për historinë e hebrenjve në Shqipëri, etj., Shaban Sinani është aktiv edhe në fusha të tjera të veprimtarisë shkencore e kulturore duke u gjendur shpesh me detyra me rëndësi, duke drejtuar projekte shkencore, qeveritare e ndërqeveritare, duke hartuar programe studimi, universitare e pasuniversitare, duke mbajtur ligjërata si profesor i ftuar, në kurse javore, por edhe semestrale e vjetore, duke drejtuar studime të shkallës së doktoraturës në shumicën e universiteteve brenda Shqipërisë, por edhe jashtë Shqipërisë (Mynih, Pekin, Palermo, Shkup, Tetovë, etj.), dhe duke marrë pjesë, njëkohësisht, në konferenca shkencore jashtë vendit, me kumtesa në disa gjuhë botërore. Siç shihet nga bibliografia, një pjesë e librave të tij janë botuar në gjuhë botërore dhe kanë nxitur interesin e lexuesve dhe studiuesve edhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. Po shënoj këtu vetëm listën e botimeve të librave, pa përmendur artikujt e shumtë, studimet dhe kontributet tjera të shpërndara në revista e periodikë në vend dhe jashtë, në përmbledhje dhe dokumente të tjera të aktiviteteve të ndryshme shkencore:
Mitologji në eposin e kreshnikëve, (2009, 2015), Shqiptarët dhe hebrenjtë, (2014), Albanian and jeës, (2015), Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, (2011) Kodikët kronografikë të Shqipërisë, (2014), Për prozën e Kadaresë, (2009), Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të, (2010, 2015), Midis dy Rilindjesh, (2010), Etnos në epos, (2011), Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K.”, (2011), Camaj i paskajuar, (2011), Tradita gojore si etnotekst, (2012), “Njerëzit e krisur” të Dritëro Agollit, (2012), Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe, (2013), Pyetje në albanologji: autorë dhe teza, (2013), Berati, Beratinus, Buhara, (2015), Historia e letërsisë shqipe: çështje të hapura, (2015), Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë, (2016), Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi, (2009), Një dosje për Kadarenë, (2005), Le Dossier Kadaré, (2006), Beratinus, antropologji kulturore, (2004), Kosova në gjeopolitikë, publicistikë, (1999), Kosova në syrin e ciklonit, publicistikë, (1999), Përveçime, (2007), Pengu i moskuptimit, (1997), Një Shqipëri tjetër, publicistikë, (2006), Prurje kulturore orientale, (2007), Kështjella e virtytit, antropologji kulturore (2001), Ura dhe kështjella, (2006), Sipërore, (1998).
Si anëtar dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kam qenë dëshmitar i shumë paraqitjeve përmbajtjesore të Shaban Sinanit në aktivitetet shkencore të organizuara nga ASHAK, konferenca dhe tryeza shkencore, pastaj në botimet tona, në revistën Studime si dhe në aktivitete të tjera të organizuara nga Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Albanologjik në Prishtinë. Shaban Sinani është anëtar i grupit propozues që Eposi i Kreshnikëve të vihet në mbrojtje të UNESCO-s, që u mbështet edhe nga Qeveria e Kosovës. Efekti i punës dhe angazhimit të tij është parë edhe së fundmi, në periudhën prej kur është zgjedhur sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, në organizimin e shumë aktiviteteve të përbashkëta shkencore midis dy akademive.
Nga të gjitha këto që u përmendën më lart dhe nga bindja se kontributi i tij si anëtar i ASHSH do të jetë më se i nevojshëm dhe dobiprurës në veprimtarinë e mëtejme të këtij Institucioni, mbështetur në rezultatet e punës së tij shumëvjeçare shkencore dhe rezultatet më se të vlerësuara, e përkrah ngrohtësisht kandidaturën e prof. dr. Shaban Sinani për anëtar të asociuar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga fusha e studimeve antropologjike.
* Titulli është i redaksisë. Ky shkrim është hartuar si Letër rekomandimi në mbështetje të kandidaturës së Shaban Sinanit për zgjedhjen akademik i asociuar nga fusha e antropologjisë kulturore.