Shkëlqim Canin e lamë vetëm
Nga Bujar Karoshi


Muajt e fundit, një valë sulmesh ndaj Shkëlqim Canit janë publikuar në rrjetet sociale, duke e “kryqëzuar” atë si fajtorin kryesor për mosfillimin e punimeve në Rrugën e Arbrit dhe premtime të tjera që Partia Socialiste kishte dhënë katër vite më parë në Qarkun e Dibrës.
Shkëlqi Cani nuk është fajtori i vetëm për këtë. Ai është fajtor, po aq sa janë 2 deputetët e tjerë të majtë në parlament, si dhe 12 të tjerë deputetë të parlamentit nga Dibra apo me origjinë nga Dibra.
Po aq fajtorë sa Shkëlqim Cani janë drejtuesit lokalë në katër bashkitë e qarkut, të cilët bëjnë projekte e kërkojnë fonde për fusha e veprimtari të caktuara, rezultati i të cilave është zero pa Rrugën e Arbrit.
Po aq fajtorë janë anëtarët dhe militantët e partive në pushtet dhe opozitë, të cilët u kërkojnë lloj-lloj nderesh liderëve të tyre, rezultati i të cilave është të mbushin barkun me bukë e t’u mjaftojnë lekët deri më muajin e radhës…
Po aq fajtorë sa Shkëlqim Cani është secili prej nesh, i cili nuk e ka përdorur fuqinë e tij civile dhe shoqërore, që Shkëlqim Cani të mbante premtimet ndaj dibranëve.
Katër vite më parë, Edi Rama tha në Peshkopi se Shkëlqim Cani, si kusht për të qenë kandidat për deputet, i kishte kërkuar “tri gjëra për Dibrën: Rrugën e Arbrit, Rrugën e Arbrit dhe Rrugën e Arbrit”. Dhe Rama ia kishte premtuar Rrugën e Arbrit, por i kishte kërkuar edhe dy gjëra të tjera, që lidheshin me Bujqësinë dhe Minierat…
Por, kur Cani u bë Ministër i Financave, ne e braktisëm.
E braktisën kolegët e tij në parlament, veçanërisht dibranët, por e braktisëm edhe ne, qytetarët, votuesit dhe anëtarë të shoqërisë civile.
E braktisëm, se nuk ia kujtuam përditë në statuse facebooku apo protesta në rrugë, se dorëzani te qeveria për ne ishte Shkëlqim Cani,
E braktisëm, sepse nuk e lejuam Shkëlqim Canin të komunikonte me elektoratin dibran, por e degdisëm të bënte propagandën e qeverisë rrugëve të Matit, Klosit e Bulqizës.
E braktisëm, sepse nuk u mblodhëm bashkë kur Edi Rama e pushoi brenda natës dhe nuk dha asnjë shpjegim – siç dha për Sajmir Tahirin para pak ditësh.
E braktisëm, sepse nuk i kujtuam Shkëlqim Canit se është deputet i yni e si i tillë duhet të flasë përditë për të kërkuar realizimin e premtimeve që na dha 4 vite më parë.
Shkëlqim Cani nuk është as nga ata deputetë që paguan badigardë pas, që kur ka mitingje shpërndahen në mes popullit dhe thërrasin “Rroftë deputeti”, që pastaj Edi Rama t’i dëgjojë dhe të thotë se “paska mbështetje në popull”.
Shkëlqim Cani nuk është as nga ata deputetë që thërret fisin, farefisin, soj e sorollop, u jep numrin e Edi Ramës dhe pastaj ata, në emër të popullit shkruajnë mesazhin “zgjidh Canin deputet” dhe punët e Dibrës i ke vendosur në vijë.
Shkëlqim Cani nuk është deputet që ka shitur vende pune në arsim, shëndetësi, bashki e kudo.
Shkëlqim Cani është një deputet, një qytetar i këtij vendi, si unë e ti që po lexon këto radhë, fuqia e të cilit nuk vlen e vetme, por të gjithë bashkë.
Ndaj, mos u ankoni për Shkëlqim Canin. Me siguri ai e ka bërë punën e tij, por ne nuk kemi bërë tonën: nuk kemi treguar fuqinë që kemi kur jemi bashkë.
Shkëlqim Canit këto muaj i ka mbetur veç një punë: të ndjekë sa të mundet procesin që po zhvillohet për dhënien me koncension të rrugës dhe në qoftë se kjo nuk finalizohet, të japë shpjegime pse nuk ndodh. Të na kërkojë edhe falje pse na e uroi ta gëzonim rrugën akoma pa filluar. Të na tregojë edhe se ku gaboi dhe ku gabuam…
Sepse ne besuam te ai për Rrugën e Arbrit, jo të Edi Rama. Ndaj, aq muaj sa i kanë mbetur, le ta ushtrojë detyrën e tij. Për të tjerat nuk ka nevojë në Dibër. Sepse kemi PDIU!

KOMENTI JUAJ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *