Të shkosh për Dibër, t’i biesh nga Kina


Më ka rënë rasti që t’i bie Europës qosh e’m qosh dhe kjo, jo për turizëm. Edhe pse si kurbetqar i mbaj mend mirë të gjitha udhëtimet e mia, me tren, avion dhe më së shumti ato me autobuz. Normal kanë qenë të lodhme nga pagjumësia ose edhe nga sikleti se ç’të sjell e nesërmja. Në gjithë këto ekseperienca e them qartësisht se udhëtimi im më lodhshëm është nga Tirana në Dibër ose anasjelltas, hiq këtu edhe faktin se të pret ëmbëlsia e vendit dhe e familjes. Tash dikush mund të thotë se ne i ke ra m’këmbë deri në Greqi, ama sot po flasim për epokën e zhvillimi dhe bum-it të madh teknologjik.
Tri gjëra absurde e shoqërojnë udhëtimin në rrugicat Tiranë-Dibër dhe anasjelltas. Do ja nis fillimisht pa një rend kronologjik apo sasior, sepse edhe pse jemi në gjendje ta dallojmë absurdin, nuk mundemi ta masim shkallën e tij. E përderisa të jemi në gjendje të mos e bëjmë këtë, le të presim çuditë e radhës.
Kur rrugëton për në Dibër duhet së pari të pish (siç e quajnë rëmdom) “kokërr për avion”. Që nga emërtimi del qartë absurdi. Të pish kokërr avioni, sepse po udhëton me furgon në një gjatësi 180 km është një shkallë e thekur absurdi që për dibranët është e gjithpranuar dhe sigurisht e domosdoshme. Unë vetë ua blej prindërve sa herë më duhet t’i përcjell tek furgonat. Duke mos iu mjaftuar ilaçet që pinë për sëmundjet e tyre përkatëse, duhet të marrin edhe doza për të mos i zënë avioni. Sapo të hipësh e të zësh vend fillon refreni i burrave dhe grave me njëri-tjetrin: “A ke pi kokërr?”, “Shoferi a ka qese?” Nëpër Europë nuk e pash askund këtë akt fisnik kundrejt vetes. Nuk e kam parë as për në Vlorë, Sarandë dhe asnjë vend tjetër të Shqipërisë. Por kjo është qasja jonë ose më saktë protesat kundrejt vetes për legjendën mitike të së ardhmes, Rruga e Arbërit. Falenderojmë me këtë rast farmacistët të cilët akoma e mbajnë si produkt “kokrrën e avionit” që e pijmë ne të furgonave.
E pakuptimta tjetër që më përshtyp sa herë e bëj këtë rrugë është se, nuk ka rëndësi nëse nisesh në orën katër të mëngjesit apo në tre të pasdites, taksativisht do të ndalesh në Klos të hash drekë (të shumtën e rasteve pilaf).
Pra, edhe nëse ke ngrënë pak para se të nisesh për rrugë, në Klos, do hash me patjetër, sepse tronditjet që ka pësuar stomaku yt, ta ka tret ushqimin si dhallë në m’ti, ose në rastin më të keq, ushqimin e ke hedhë me qese nga dritarja e furgonit.
Kështu, udhëtimi yt i gëzueshëm, të kthehet në mërzi e madej në një betejë jete a vdekje me kthesat jo rrallëherë mëse 90 gradë. Qafa të zë muskuj të rinj dhe herë-herë harron të të dhembë.
Ndërsa e pakuptimta e tretë (e përmasave relativisht të mëdha) është se kohët e fundit, edhe shoferët, duke qenë se iu ngjajnë të parëve tanë, “kanë zënë t’i bien nga Kina”. Në konaqet tona burrat i bien llafit nga Kina, dmth i bien muhabetit rrotull, tuj ardhe e tuj e gushtu rrethin. Alamet shembulli kanë marrë dhe furgobat, i bien nga Kina (Rrësheni). Kjo gjë i ndodh vetëm vendit tonë në të gjithë Kontinentin e Vjetër. Pra, s’e ka kush guximin të thotë se ne s’jemi të veçantë, edhe po ta kishte, do ia kishte fut “s’i kau pelës”.
Ekziston edhe një mënyrë tjetër, me i ra nga Bangladeshi (Kukësi), por edhe pse rruga është tepër e rehatshme deri në Bangladesh, kthimi pastaj është tmerr i vërtetë, kështu që kostot janë të papërballueshme. Le t’i biem nga Kina, sepse i kemi pas marrëdhëniet e shëndetshme në epokën e akullit.
E teksa ndodhin këto, në sfond do të kesh këngë që të këpusin shpirtin: tallava dhe hip-hop. Ndërsa këto të fundit dikush i do me zë të ulët, dikush me zë më të lartë. Dikush do xhamin e mbyllur, dikush do kondicionerin e ndezur. Mandej dikush e përdor furgonin për konak dhe fillon e hedh llaf për sendilen prapa, nga sendilja e parë vjen kushtrim i një llafi me peshë, kështu që e gjitha në thelbin e vet bëhet një mish-mash. Të mjerët ata që i zë makina.
Një miku im, tirons dembabadem, po më pyeste një ditë se çfarë relievi ka Dibra, si është qyteti. Normalisht e pyeta nëse kish qenë në Dibër. Jo, – tha, jam nis, por përfundova në spital të Burrelit, më rraskapitën ato kthesat e Shkopetit. Natyra e tij prej poeti filloi të shpjegonte gjithçka me detaj dhe njëkohësisht të justifikonte veten se rruga ishte e keqe, shoferi i priste kthesat shkurt, etj. E kush më mirë se unë do e kuptonte?
Ja i thash, t’i shpjegoj unë arsyet pse të rraskapit makina, sepse ti, miku im, nuk e bërë asnjë nga absurdet që lind kjo rrugë tashmë mitike: ti nuk ke pirë “kokërr avioni”, nuk i ke ra nga “Kina”, sepse andej është rruga shumë më e rehatshme dhe e fundit, nuk ke ngrënë pilaf Klosi, sepse në mënyrë marramendëse ai pilaf të bën fil sapo të thash pjatën.
Pasi sosa me shkaqet e nxjerra nga mendja ime, ai m’u betua që s’do e marrë më rrugën për Dibër pa u bërë Rruga e Arbërit.
Ndërsa një profesor i imi në fakultet, një burrë i fisëm, por goxha i moshuar, më pat pyetur para pak kohësh: si është rruga për Dibër, se e kam peng të vete një herë? Me keqardhjen më të madhe, së pari për veten, mandej edhe për profesorin, i thashë: “Më mirë të mos nisesh”.