Trego bukuritë e vendlindjes tënde


Më 8 dhe 9 prill zhvillohet në Tiranë, në sheshin e Pazarit të Ri, Ditët e Turizmit Dibran, ku marrin pjesë katër bashkitë e Qarkut të Dibrës. Agjensia e Zhvillimit të Rajoneve fton qytetarët të vizitojnë stendat e panairit si dhe hap konkursin e fotografisë dhe videos, me qëllim prezantimin e burimeve turistike të rajonit.
“Trego bukuritë e vendlindjes tënde” është konkursi i fotografisë dhe i videove, me qëllim prezantimin e burimeve turistike të Dibrës. Ky konkurs është i hapur për publikun dhe aplikantët mund ti ngarkojnë fotografitë e tyre në linkun www.vendlindja.al.
Në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit, më 7 – 9 prill 2017 do të zhvillohen në Tiranë, në sheshin pranë Pazarit të Ri, Ditët e Turizmit Dibran. Në funksion të këtij panairi është menduar edhe organizimi për të rinjtë e Qarkut Dibër, i konkursit kreativ “Trego Bukuritë e Vendlindjes Tënde”. Konkursi është i hapur deri më datë 5 prill 2017, ndërsa me datën 8 prill në qytetin e Tiranës do të shpallen fituesit e këtij konkursi. Për çdo Bashki të Qarkut Dibër do të shpallet një fitues, i cili do të nderohet me çmim nga bashkia përkatëse, ndërsa në nivel Qarku do të shpallet një fitues që do të nderohet me çmim nga Agjensia Rajonale e Zhvillimit 2.
“Qëllimi i kësaj nisme, sipas organizatorëve, është që vetë të rinjtë e Qarkut të Dibrës të promovojnë bukuritë e vendlindjes së tyre. Me këtë konkurs kreativ duam të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët në vendlindje, por edhe për të treguar se sa i shumëllojshëm është vendi ynë. Aty çdo njeri mund ta gjejë veten si në shtëpinë e tij, pavarësisht se prej nga vjen”.
“Nëse ke një vend ku ti gjen një kënaqësi të veçantë, qetësi për të menduar dhe ku merr energji pozitive, provo me kamerën tënde ta prezantosh në këtë konkurs dhe na lejo të mësojmë se çfarë është vendi yt i dashur. Nuk bëhet fjalë shumë për perfeksion teknik apo për pajisje speciale. Bëhet fjale për motive interesante, foto të kompozuara bukur dhe mbi të gjitha për shumë kreativitet”, thuhet në shpjegimet për pjesëmarrësit.
Postimi i fotos apo videos, bashkë me një përshkrim të shkurtër mbi çfarë përfaqëson ajo, duhet të bëhet në: www.vendlindja.al. Paraprakisht duhet bërë regjistrimi online, duke plotësuar edhe një deklarim për pranim të kushteve të pjesëmarrjes.
Pas hedhjes së fotos ose videos je pjesë e konkurrimit. Më pak klikime ti mund të shtosh informacionet që duhen për ta bërë vendlindjen tënde të vizitueshme nga turistë dhe udhëtarë vendas e të huaj. Informacionet në këtë app mund të hidhet edhe nëpërmjet celularit, nëse disponon një smart-phone që ka internet dhe GPS.
Organizatorët japin edhe disa këshilla për t’u pasur parasysh. Fotot dhe videot duhet të jenë bërë prej jush dhe të drejtat e autorit të këtyre fotove të përkasin ty. Pranohen vetëm foto origjinale (jo foto të marra nga interneti). Nuk lejohet të bëhen ndryshime të përmbajtjes së fotos (p.sh. montime të fotove në kompjuter).
Të lejohet të dërgosh deri në katër foto dhe një video për çdonjërën nga kategoritë që janë prezantuar si: fshat i bukur me perspektive si destinacion turistik; atraksion turistik (kulture, natyre, agro-biodiveristet etj); akomodim tradicional (bujtine, stan); ushqim tipik i zonës (gatime të veçanta, një restorant tipik); artizanate të veçanta; komunitete me tradita të veçanta.

Fituesit
Qëllimi i projektit nuk është shpallja e fotos apo videos fituese, por destinacioni që promovohet. Për këtë arsye edhe sistemi i vlerësimit është i thjeshtë: Do të klasifikohen fitues në varësi të pëlqimeve (Like) të marra.
Më pas, juria e ngritur për këtë qëllim do të verifikojë dhe vlerësojë fituesit! Pra, përpiqu të bësh sa më shumë miq për vendlindjen tënde, që të rritësh mundësinë për të fituar!
Fituesit për çdo kategori do të përfitojnë:
– Një program marketingu për t’i përfshirë në destinacionet turistike dhe përfshirja në paketën promocionale të turizmit malor për vitin 2017 nga AKT.
-Në bashkëpunim me bashki dhe projekte të veçanta do të vlerësohen fitues në nivel lokal, të cilët do të përfitojnë projekte mbështetëse për zhvillimin e turizmit dhe do të përcaktohen dhurata të veçanta.
-Platforma është tërësisht e integruar në Facebook, ku do të shërbejë si facebook app. Të gjitha postimet që ju do të bëni do të jenë në të njëjtën kohë edhe në faqen e internetit, që është krijuar enkas për këtë nismë www.vendlindja.al
Mos harroni, koha e dorëzimit të fotove dhe videove për fazën e parë të konkursit është deri me 5 prill 2017.
Trego vlerat e Dibrës është një iniciativë promovuese e ARZH2 dhe Bashkive Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat. Platforma e këtij konkursi është krijuar nga Ministria e Turizmit, AKT dhe projektet e bashkëpunimit të GIZ, UNDP dhe Instituti Kanadez i Teknologjisë.
Ndërkohë, ju mund informoheni edhe në facebook https://www.facebook.com/tregovendlindjen ose në www.vendlindja.al