Nuk po kërkojmë të realizojmë trille teknologjike, por një rrugë!


Në gjurmet e Rrugës së Arbrit | Foto 13 maj 2007

Rruga është pjesa më e qenësishme e lirisë sonë. Pa këtë rrugë, ne kurrë nuk mund t’i gëzojmë ato liri që bënë Europën e sotme, liri e lëvizjes së njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitaleve…

Prania e kaq shumë dibranëve në këtë konferencë dhe shkalla e lartë e organizimit të saj, është ngazëlluese dhe na bën të jemi besimplotë, se së shpejti jo vetëm rruga e Arbërit, por djemtë e zot e të talentuar të Dibrës sonë, do t’i hapin Dibrës e Atdheut edhe plotë rrugë e perspektiva të tjera të ndritura. Ky projekt është ngritur në këtë stad të lartë, vetëm si rezultat i vetëdijes civile, shpirtit ndërtues e integrues që e karakterizon komunitetin tonë dibran. Ne të gjithë së bashku, e ngjallëm dhe nuk e lamë të vdiste rruga jonë. Ne të gjithë së bashku, e ndërtuam njëherë në mendje e zemër Rrugën e Arbërit, dhe tashmë do të provojmë, po të gjithë së bashku, se ashtu si kemi ndërtuar për të gjithë Shqipërinë, do të dimë të ndërtojmë shumë shpejt edhe rrugën tonë, Rrugën e Arbërit. Ne, të gjithë së bashku, do ta shkrijmë trombozën, atë gjakun e mpiksur që ka bllokuar këtë arterie jetike për shpirtin e Arbëri, këtë thelb të vetëdijes kombëtare, do ta nxjerrim nga harresa dhe do të bëjmë që e ardhmja jonë, që prej dhjetëra vitesh pritje, në startin e kësaj rruge të fluturojë drejt nesh, mes për mes Arbërisë…
Nuk e meritojmë ne dibranët që në kohët moderne, kur shoqëria po realizon trafikun ndërplanetar, ne të vijmë vërdallë nëpër gjysmën e Shqipërisë, shpat më shpatë e qafë më qafë, si të jemi çeta komitësh, nëpër një rrugë të stërzgjatur, më se dyfishin e normales, në inventarin e teknologjisë së ndërtimit të së cilës, shënohen vetëm kazma, lopata, dinamit dhe karroca druri.
Ne nuk po kërkojmë të realizojmë trille teknologjike, por një rrugë, vetëm një rrugë, pa të cilën ato anë të vendit tonë, (Arbërisë) dita-ditës po zhbëhen. Shqipëria është aq e vogël, sa nuk ka as një pëllëmbë për ta braktisur.
Nuk kemi pse të presim më të dëshpëruar ….
Rruga është pjesa më e qenësishme e lirisë sonë. Pa këtë rrugë, ne kurrë nuk mund t’i gëzojmë ato liri që bënë Europën e sotme, liri e lëvizjes së njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitaleve…
Pse duhet kjo, dhe si do të realizohet e thanë me kompetencë, të nderuarit referues, por unë do të desha të parashtroj disa mendime, me dëshirën që t’i shërbenin sadopak përpjekjeve tona në të ardhmen për zhvillimin e rajoneve tona:

Propozoj që konferenca si vullnet e dëshirë për bashkëpunim i të gjitha shoqatave e faktorëve dibrane, të krijojë një Forum të Nxitjes së Investimeve për Dibrën (FNID). Emërimin dhe pagëzimin përfundimtarë këtij organizmi ja bënë konferenca. Qëllimi dhe funksionimi i Forumit, të rregullohet me akte normative që i miraton konferenca.
Ky Forum të përbëhet nga specialistë të niveleve të larta, të fushave të ndryshme, të financave dhe të ekonomisë, të inxhinierisë dhe ndërtimtarisë, ekspert të proceseve të integrimit rajonal e europian, ekspertë të menaxhimit të resurseve, vizionarë që kanë promovuar me sukses ide të tyre origjinale dhe administrator të suksesshëm, brenda e jashtë vendit.
Në dispozicion të këtij Forumi, duke filluar nga kjo konferencë me kontributet tona vullnetare, të hapet një llogari bankare. Fondet që do të mbushin këtë llogari do të administrohen, vihen në lëvizje, do të orientohen dhe kontrollohen nga një bord i Forumit. Forumi të ndërtojë lidhje dhe të gjejë modalitete bashkëpunimi me organizma ndërkombëtare, europiane të financave si: BERZH dhe BEI, diaspora, etj.
Bota financiare për të vetëdijshmit, qëllimmirët dhe të zotët është një lumë financimi i pashtershëm.
Unë kam emra që mund ti propozoj për në forum, por ende nuk e kam këtë të drejt.
Të shndërrojmë në një aktivitet tradite takimet e përvitshme “Ditët e Arbërit”. Ditët e Arbërit do të jenë disa ditë takimesh, të të gjithë atyre që e ndjenë vetën arbërorë, kudo që janë që nga arbëreshët e Italisë, emigracioni i të gjitha brezave, në Amerikë apo Europë, të rinj e banorë të Tiranës, Dibrës e rajoneve të tjera që përshkohen nga Rruga e Arbërit. Këto ditë mund të caktohen në një nga muajt e verës apo ditë që lidhet me një datë historike të shtetit të Arbërit.

(Diskutim i mbajtur në Kuvendin Shkencor për Rrugën e Arbrit, mbajtur më 26 maj 2007 në Hotel Tirana. Botuar në gazetën Rruga e Arbërit”, nr.14, qershor 2007)