Ervis Trupja: Dibra ka nevojë për një frymë të re


Ervis Trupja

Ervis, për të gjithë ata që nuk të njohin, je një inxhinier i suksesshëm për moshën që ke. Mund të na bësh një përshkrim të shkurtër rreth vetes tuaj për një publik që nuk të njeh?
Jam lindur në fshatin Staravec të Dibrës, aty ku mbarova shkollën fillore. Shkollën 8 vjeçare e mbarova në Peshkopi, ku në moshën 15 vjeçare zhvendosem në qytetin e Kavajës për të kryer shkollën e mesme në një kolegj turk. Më pas u zhvendosa në Tiranë për të përfunduar studimet Bachelor dhe Master në degën e Inxhinierisë, Matematikës dhe Informatikës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Si nisi karriera juaj dhe si vazhdon ajo në ditët e sotme?
Karriera ime ka nisur si mësues matematike në një nga gjimnazet private të Tiranës. Këtë profesion e kam ushtruar gjatë vitit të parë të studimeve master, nga ku u shkëputa një vit më vonë për tu përqendruar totalisht pasionit tim në fushën e programimit (inxhinierinë informatike). Në vitin e dytë të studimeve master punova në kompani të ndryshme programimi në Tiranë. Pasi mbarova studimet master, një kompani gjermane me vendndodhje në Bavarinë Jugore, më ofroi mundësinë për një vizitë tri ditore pranë ambienteve të saj, ku dhe ju nënshtrova një procedure rigoroze intervistimi. Pasi të dy palët ramë dakord për kushtet e punës, lidhëm një kontratë 1-vjeçare, fillimisht dhe kjo më dha mundësinë për e aplikimit për vizë pune.

Ju thatë që keni punuar si mësues matematike dhe tani si programues (IT). Çfarë të do të thotë të punosh mësues dhe të punosh inxhinier?
Të punosh si mësues do duhet të presësh disa vite për të parë frutet e punës, ndërsa si inxhinier rezultatet janë të dukshme brenda një periudhe kohore më të shkurtër. Normalisht që të dy profesionet janë punë që me të vërtetë i dua dhe që të japin kënaqësi.

Je 25 vjeç, ke një punë dhe një karrierë të mirë jashtë Shqipërisë. Kë do të falënderoje për këtë arritje?
Familjes në radhë të parë për mbështetjen dhe durimin e treguar gjatë të gjithë shkollimit tim. Patjetër që një rol të rëndësishëm kanë luajtur pedagogët dhe shoqëria që kam pasur gjatë gjithë kohës pranë meje.

Si ka qenë fëmijëria juaj dhe çfarë dëshirash ke pasur atëherë për të ardhmen tuaj?
Fëmijëria ime ka qenë një fëmijëri e lumtur. Jam rritur në fshat dhe kam qenë një fëmijë i qetë në përgjithësi. Si gjithë fëmijët e vegjël ëndërroja profesionin që ëndërronin prindërit e mi për mua, që ishte të bëhesha doktor (qesh). Inxhinieria nuk ishte në fushat që më pëlqenin. Sidomos programimi që ishte fushë e panjohur për mua dhe jo vetëm në ato kohë. Pasioni dhe dëshira për këtë degë ka ardhur gjatë universitetit dhe masterit.

Si ndiheni që po intervistoheni nga një gazetë e vendlindjes, aq më tepër në rubrikën e të rinjve të suksesshëm?
Gazeta “Rruga e Arbërit” është një gazetë që promovon më shumë se çdokush vlerat e Dibrës dhe dibranëve. Është me të vërtetë një nder dhe privilegj të intervistohem nga kjo gazetë, aq më tepër në rubrikën që flet për të rinjtë e talentuar dhe të suksesshëm dibranë. Unë jam akoma në hapat e para të karrierës time dhe më shumë sesa vetë duhet të lë punën që të flasë për mua.

A keni ndonjë mesazh për rininë dibrane?
Padyshim! Unë e di që Dibra ka të rinj që zotërojnë cilësitë e duhura për të ringjallur shpresën e një jete më të mirë. Dibra ka nevojë për një frymë të re në çdo aspekt për të sjellë ndryshimin dhe për ta çuar Dibrën aty ku i takon të jetë. Rinia dibrane nuk duhet të humbë shpresën dhe të shfaqin çdo talent apo cilësi që zotërojnë, ndryshe ai talent do të mbesë vetëm ëndërr.

The pak më parë që jeton dhe punon në Gjermani. Të ka shkuar në mendje të braktisësh Dibrën?
Dibra është vendi ku u linda, u rrita dhe më bëri ky që jam. Aty jetojnë njerëzit e mi më të afërt dhe po aty kam kujtime të paharrueshme. Është e vërtetë që aty ka një mungesë të theksuar të infrastrukturës dhe mundësisë së punësimit. Unë nuk do të largohesha kurrë nga Peshkopia në qoftë se do më plotësoheshin kushtet dhe nevojat. Padyshim që pushimin më të vogël që do të kem, do jem në Dibër, pranë qytetit tim, pranë njerëzve të mi.