Faik Ballanca, paradigma e një krijimtarie


Në këtë vështrim të shkurtër, i cili u paraprin thënieve, pohimeve, gjykimeve dhe analizave që synojmë dhe do të përpiqemi t’i shprehim të përmbledhura në vazhdim, si pjesë përbërëse të një studimi mbi veprën letrare të shkrimtarit Faik Ballanca, natyrshëm ka vendin e vet dhe një inkursion, sado i shpejtë, në periudhën në të cilën jetoi e krijoi ky autor.
Që në startim të këtij “udhëtimi”, do të pohonim se Faik Ballanca, i cili, për fatin e tij të keq, por dhe për fatin e keq të letërsisë e kulturës sonë, pati një jetë fizike e krijuese tepër të shkurtër dhe shkroi në një periudhë të vështirë.
Natyrisht për të shmangur çdo keqkuptim, së pari na duhet të sqarojmë emërtimin e përdorur, periudhën “e vështirë”. Në pohimin tonë, vështirësia nuk është e karakterit të përgjithshëm, përkundrazi është më se e përcaktuar. Është fjala për një vështirësi në planin krijues – profesional. Periudha, gjatë së cilës krijoi Faiku, ishte e vështirë në dy nivele: “e vështirë” në raport me krijimtarinë e kësaj periudhe në prozë të shkurtër dhe “shumë e vështirë” në raport me krijimtarinë në prozë të gjatë.
Le ta argumentojmë opinionin tonë, në mënyrë më të detajuar:
Ballanca, në planin krijues, është një autor i cili i përket brezit të prozatorëve të viteve ’70-të, periudhë gjatë së cilës proza jonë njohu zhvillim të vrullshëm, jo vetëm në aspektin sasior (mjaft autorë e vepra), por edhe atë cilësor.
Të sjellim ndërmend se në fushën e krijimtarisë letrare të këtyre viteve nisën apo vazhdonin të ofronin krijimet e tyre pena të tilla, si: Vath Koreshi, Elena Kadare, Koço Kosta, Zija Çela, Nasi Lera etj. (në prozë të shkurtër), apo Petro Marko, Sterio Spasse, Jakov Xoxe, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani etj. (në roman).
Duke qëndruar fillimisht në aspektin sasior, do të mjaftonte të kujtojmë se një statistikë e përafërt na ofron mbi 150 romane, të shkruara në këtë kohë. Shumë herë më tepër, mbase nuk është e nevojshme përllogaritja, janë shkruar e botuar tregime dhe novela.
Sigurisht aspekti sasior nuk është gjithçka, ai është vetëm një tregues, por kurrsesi treguesi vendimtar i cilësisë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë faktin se vitet ’70 të shekullit XX janë vitet e daljes në dritë të titujve të tillë (në fushën e romanit) si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Zjarre”, “Ja vdekje, ja liri”, “Kronikë në gur”, “Dimri i Madh” etj.
Pikërisht në këto vite Faiku përpiqet të renditet në radhët e atij grupi autorësh, pena e të cilëve la gjurmë të fuqishme në letërsinë tonë. falë këtij procesi dhe për rrjedhojë, falë veprave të spikatura cilësisht dhe mesazheve të rëndësishme ideore, që ato përcjellin, letërsia jonë njohu nivele të reja zhvillimi. Mjaft vepra dhe autorë të kësaj periudhe, për atë ç’ka sollën në letërsinë e kulturën tonë, mendojmë se përbëjnë vlera kombëtare dhe nuk gabojmë edhe nëse themi që, në jo pak raste, mund të krahasohen denjësisht me nivelet evropiane e, pse jo, dhe ato botërore.
Ajo që vlen të evidentohet, në këtë kontekst, lidhet me kontributin e Ballancës, i cili nuk mbeti në hije të këtij zhvillimi, por vuri dhe ai një tullë në ndërtesën e letërsisë sonë, me veprën e tij “të madhe”, por edhe “të vogël”. Shprehemi në këtë mënyrë, duke nënkuptuar e përcjellë të kundërtën e asaj që themi. Vepra e Ballancës në prozë të shkurtër nuk është e madhe në sasi. Ajo dëshmon si e tillë (krahasuar me vitet që autori jetoi dhe krijoi) edhe në cilësinë e saj. Nëse të tjerë autorë “gjuanin” e rendnin pas ngjarjesh e temash të mëdha, vlera e Ballancës nuk qëndron as te ngjarjet e bujshme dhe te “heroizmi” i ditës, por as dhe te temat në modë ose të propaganduara nga regjimi. Përkundrazi, interesi krijuesi i këtij shkrimtari të kërkonte dhe gjente në jetën e përditshme, jo vetëm ngjarje, por dhe personazhe tejet të zakonshme, mbase “të padukshëm” për sytë e të tjerëve, por jo të parëndësishëm. Në këtë aftësi dhe sjellje të veçantë të tij, Ballanca ishte dhe mbetet për t’u admiruar, pasi të gjithë ne shohim e jetojmë përditë ngjarje nga më të ndryshmet e bashkë me to ndeshemi edhe me personazhe, lëvizim e veprojmë nëpër to, por… çuditërisht, nuk e vëmë re se dhe në këto ngjarje e tek personazhet që veprojnë në to, ka shumë jetë, ka shumë botë e mendim, ashtu siç ka dhe të veçantë, heroike e tragjike, të moralshme e njerëzore.
Dhe, në qoftë se në vazhdim na duhet të sqarojmë dhe shpjegojmë përcaktimin vepër “e vogël”, do të thoshim se nuk bëhet fjalë për ndonjë krijim (libër) me numër të vogël faqesh dhe as të pavlerë. Vepra “e vogël” e Ballancës është dhe mbetet si ujët e pakët për të eturin ose si floriri që duke cituar popullin, “është i vogël, por e ka të madhe vlerën”. Sqarimi ynë bëhet i plotë po të sjellim ndërmend se vepra “e vogël” është romani “Nomeja e largët”, vepër e cila, edhe pse e mbyllur qëllimisht nëpër sirtarët e burokracisë dhe censurës së regjimit, një ditë i shpërtheu ato dhe doli për të shpalosur e për të bërë të njohura vlerat e tij, të cilat as ishin pluhurosur e as ishin vjetruar.