Majlinda Xhelili: Nëse të gjithë do të kishin dëshirën e mirë për të ndryshuar, Dibra do të bëhej një vend më i mirë për të jetuar.


Majlinda Xhelili

Ju jeni mësuese prej disa viteve në shkollën profesionale “Nazmi Rushiti” Peshkopi, edhe pse në një moshe të re. Diçka rreth eksperiencës tuaj si mësuese dhe emocioneve që të japin nxënësit tuaj?
Është privilegj të punosh me brezin e ri, aq më shumë kur e di se je një faktor kyç ndikimi në të ardhmen e vendit. Si çdo lloj pune ka vështirësitë e veta, ama emocionet që të përçojnë nxënësit kur sheh rezultatet e punës tënde janë të pazëvendësueshme. Të punosh çdo ditë me të rinjtë ke fatin të kesh kënaqësinë të jesh në koherencë me ndryshimet dhe freskinë që të japin ato.

Për një publik më të madh që nuk të njeh, na fol pak më shumë për Majlindën ?
Unë jam Majlinda Xhelili me origjinë nga fshati Cerjan i Peshkopisë. Kam lindur dhe banoj në Peshkopi. Kam mbaruar shkollën e mesme në Peshkopi më pas Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Durrësit, dega Financë Bankë dhe masterin po në të njëjtin universitet në degën Administrim Biznesi. Prej 3 vitesh jam mësuese ekonomie në shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti”, Peshkopi. Jam lidere e një grupi të rinjsh “Impact Club” nën logon e “World Vision Albania” dhe bashkëthemeluese dhe anëtare e një organizate me fokus rinor në qytetin e Peshkopisë.

Përveç të qenurit mësuese, ju thatë që jeni shumë aktive në organizata rinore dhe njëkohësisht bashkëthemeluese e një organizate me fokus rinor në Peshkopi. Cilat janë benefitet e përfshirjeve të të rinjve në këto organizata?
Në një vend kaq të vogël si Peshkopia, ku mundësitë për të rinjtë janë shumë të pakta, organizatat rinore dhe konkretisht Changing the future, është një mundësi ku të rinjtë të argëtohen, të shfrytëzojnë talentet e tyre, të aftësohen dhe më e rëndësishmja të përpiqen të ndryshojnë komunitetin e tyre. Përfshirja në organizata u jep të rinjve të shpalosin çdo talent dhe të promovojnë veten një tregu të vështirë punësimi dhe jo vetëm.

Cilët janë mundësitë që u jepen të rinjve në Dibër?
Shumë të rinj në Dibër angazhohen me grupe vullnetare rinore pranë organizatave që operojnë në zonë. Kjo u mundëson të rinjve të kalojnë kohën e lirë në mënyrë aktive, duke u angazhuar në aktivitete lokale që kontribuojnë në të mirë të komunitetit si dhe aftësohen nga ana organizative dhe implementuese. Sigurisht, të rinjtë shfrytëzojnë lumin Drin gjatë verës si dhe kampingun malor si një mundësi argëtimi dhe kohë sociale me shoqërinë.
Ju jeni një promotore e aktiviteteve të pakta rinore që bën organizata juaj në qytet? Cilat janë shërbimet që shteti dhe institucionet vënë në dobi të të rinjve në Dibër?
Në Peshkopi nuk organizohen shumë aktivitete për të rinjtë nga institucionet vendore, por nga eksperienca, nëse kërkon mbështetje, gjen gjithmonë. Me përjashtim të punës së organizatave dhe shkollave, të rinjtë dibranë nuk kanë mundësi tjetër aktivitetesh.

Sa të lehtë e ka një vajzë dibrane të vazhdojë ëndrrat e saj? Fol pak për vështirësitë që ke hasur?
Duke qenë se është një vend i vogël, është shumë i theksuar mentaliteti. Shpesh nga paragjykimet vajzat stepen dhe nuk i ndjekin ëndrrat e tyre. Sigurisht, si çdo vajzë që përpiqet të ndjekë ëndrrat, edhe unë jam paragjykuar, ama, nëse dëshiron diçka, duhet të përballesh me shumë pengesa. Ajo çfarë ju sugjeroj është të guxojnë, të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të kenë një karrierë të suksesshme. Jetoj me moton “ndryshimi fillon nga unë”, ne duhet të jemi ato që të ndryshojmë mentalitetin ne Dibër.

Ti po intervistohesh nga një gazetë e Dibrës, madje në një rubrikë e të rinjve të suksesshëm. Ç’ndjesi të jep kjo?
Ju falënderoj për konsideratën. Ndihem mirë që më bëni pjesë të kësaj rubrike. Më pëlqen fakti që puna ime me të rinjtë është vënë re. Janë shumë të rinj të tjerë që japin kontributin ashtu si unë dhe që përpiqen çdo ditë e më shumë që të ndryshojnë Dibrën. Jam me fat që jam nga Dibra dhe jam pjesë e këtij brezi që janë promotorë të ndryshimit.

Si është marrëdhënia mësues-nxënës në gjimnazet tona? Cilët janë faktorët që ndikojnë në këtë marrëdhënie?
Më pëlqen fakti që brezat sa vijnë dhe bëhen më të zgjuar. Sigurisht që teknologjia është faktori kyç. Nxënësit marrin informacion të gjithanshëm, ama është në dorë të mësuesve që ta shfrytëzojnë siç duhet këtë potencial. Besoj se komunikimi është baza për të krijuar një marrëdhënie të mirë me nxënësit.

Keni ndonjë mesazh për vajzat dibrane?
Ushqimi bëhet më i shijshëm nëse e gatuani me duart tuaja. Jeni ju ato që duhet të ndërtoni jetën tuaj, nëse dëshironi që ajo të jetë e bukur jepini ju një dorë që të bëhet e tillë. Asgjë nuk është e pamundur.

Si është dita juaj?
Mëngjesi fillon me një kafe me të fejuarin, personi nga i cili motivohem për të ecur përpara. Pastaj orari i punës, ku jam në kontakt të drejtpërdrejtë me të rinjtë dhe pasditja është aktivitete në bashkëpunim me 2 organizata në Dibër, me World Vision, organizata ku jam lidere e një grupi të rinjsh Impact Club, që ju jap trajnime dhe me Qendrën Changing the Future, ku jam anëtare. Darka është koha që ndaj me familjen, që janë mbështetja ime kryesore.

Në qoftë se do të të jepej një punë e mirë larg Dibrës, do e braktisni qytetin tuaj për të punuar dhe jetuar andej?
Jam e kënaqur në vendin ku jam si mësuese ashtu edhe anëtare e CHF (Changing the Future). E kam pasion të punoj me të rinjtë, aq më shumë kur bëhet fjalë për të kontribuar në vendin tim. Preferoj që më mirë të përpiqem të ndërtoj një jetë të mirë këtu, pasi kam besim se nëse të gjithë do të kishin dëshirën e mirë për të ndryshuar, Dibra do të bëhej një vend më i mirë për të jetuar. Më pëlqen fakti kur dal dhe përshëndetem me njerëz që njoh, ndihem e sigurt dhe këtë ndjesi nuk ta jep një vend i huaj.