Ngricat që na “morën” 10 milionë dollarë


Foto: Artur Xhediku

Ekspertët mendojnë se dëmet financiare në qershi, mollë, rrush, arrë dhe kumbulla mund të shkojë në mbi 10 milionë dollarë

Mbi 10 milionë dëme në pemëtari. 2.5 milionë dëme vetëm në kulturën e arrës, e cila rrezikon ekzistencën e saj. Shoqëritë e sigurimit kanë mbyllur “dyert” për fermerë. Kërkohet ndërhyrja e shtetit, jo vetëm në kompensimin e dëmeve, por edhe në krijimin e një legjislacioni mbështetës për investitorët e rinj të frutikulturës.

Pas tri netësh me temperatura deri në – 8 gradë pemëtaria dhe bujqësia në Dibër kanë marrë një goditje të fortë. Një ngricë e tillë nuk kujtohet prej më shumë se 70 vitesh, duke paralajmëruar se ky sektor i ekonomisë në të ardhmen mund të përballet me sfida të vështira. Nga ana tjetër, kompanitë e sigurimeve kanë “mbyllur” dyert për sigurimin e prodhimeve bujqësore, duke dhënë një alarm për qeverinë shqiptare për të ndërhyrë sa më shpejt në këtë drejtim, duke i dhënë zgjidhje situatave të ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen.
“Ngricat e këtij prilli, janë më keq se përmbytjet”, thotë një specialist i bujqësisë në Dibër. Dëmet janë të mëdha në pemëtari dhe bimë të tjera arash, të shkaktuara nga ngricat dhe moti i pak ditëve më parë. Po të llogaritet fatura e këtyre dëmeve, shifra përfundimtare rezulton me disa milion dollarë.

Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Qatip Doda, fermer dhe agronom, qëndroi nga ora dymbëdhjetë i natës e deri në pesë të mëngjesit duke ndezur pareshtur zjarre në pemëtoren e tij prej afro dy hektarësh, por kur zbardhi dita pa me sytë e tij se si ngrica kishte shkatërruar frutet e reja të sapodala nga lulet.
Me datë 20 prill, moti u ftoh dhe në zonat malore u shënuan temperatura të ulëta. Fermerët në Dibër filluan të shqetësoheshin, dhe specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë dhanë një opinion për televizionin “Top Channel” ku siguruan se deri në ato momente nuk kishte dëme dhe se lulet dhe frutat mund të duronin deri në minus tre-katër gradë, se rreziku ishte i pranishëm dhe se gjërat më tej ishin në dorë të Zotit.
Por pasdite moti u ftoh akoma dhe fermerët e ndjenë rrezikun që u kanosej. Që gjatë ditës ata afruan në pemëtoret e tyre grumbuj kashtash dhe mbeturina të tjera bimore, për ti djegur në mesnatë, kur pritej një ulje drastike e temperaturës.
Ashtu si Qatip Doda, vepruan edhe fermerët e Obokut, Grevës, Kastriotit, Shumbatit, pra, pothuajse i gjithë qarku. Por, fatkeqësisht, gjithë kjo përpjekje dhe kjo punë titanike, pothuaj se fare pak ndikoi në përmirësimin e situatës. Më 21 prill në mëngjes, me qindra e mijëra sy njerëzish ishin fokusuar në degët e pemëve për të parë atë që kishte ndodhur. Preknin me dorë lulëritë e pemëve, që sapo kishin formuar prodhimin e ri, merrnin në dorë kokrrat e reja, i preknin, i shtypnin, shihnin ngjyrën dhe konsistencën. Më pas i pritnin me thikë, apo me thua, për të parë deri ku kishte depërtuar ngrica dhe akulli. Rezultati ishte vërtet shokues, sikur të kishte rënë një valë zjarri mbi blloqet e mbjella, pa kursyer asgjë.
Specialistët e fushës e njohin këtë gjendje të bimës si stres fiziologjik. Po kaq e ashpër ishte edhe dita e dytë dhe gati po kaq e treta. Kaq kishte zgjatur beteja e motit të ftohtë, tre net. Tre net të ngarkuara me lodhje dhe tension. Çuditërisht, natën kishin ndodhur gjërat, tamam si në një betejë. Kokrra të nxira, të asfiksuara, të vdekura, që nuk mund të vazhdonin më rrugëtimin drejt pjekjes. Dhe të mendosh, se vetëm para një jave, njerëzit kishin menduar të rrallonin një pjesë të prodhimit dhe kishin filluar punën për gjetjen e tregut për shitjen e atij prodhimi të bollshëm që pritej, ndërsa tani kanë mbetur pa mend.
Askush nuk e mban mend një situatë të tillë, madje as ata që kanë shtatëdhjetë apo më shumë vite mbi kurriz…

Fatura e dëmeve
Është vërtet shumë e madhe dhe siç e thamë pak më lartë, mund të llogaritet në disa milionë dollarë.
Berti Mullameti, një fermer nga Maqellara, ka 1, 6 hektarë të mbjellë me qershi, tre dynymë me rrush dhe 3, 5 dynymë me arra . Pothuaj se të gjitha të dëmtuara . Bilanci i këtij viti, sigurisht që do të jetë negativ. I tillë do të jetë dhe për kultivuesit e famshëm të qershisë në Grevë dhe Begjunec, apo për ato të kumbullës në Shumbat.
Që në ditën e parë të fillimit të dëmtimit, drejtori i bujqësisë së qarkut të Dibrës, Novruz Jashari, ngriti shtabin e monitorimit të situatës, duke rakorduar me ekstensionistët në njësitë administrative dhe këta të fundit me fermerët.
Në Fshatin Ushtelenxë takojmë banorë të fisit Zebi, që shquhen për frutikulturë. Vëllezërit Bilbil dhe Femi Zebi, Islami, Hamiti dhe të tjerë, janë të prekur e të tronditur nga kjo situatë, por dhe me besim të fortë, se do t’ia dalin, se Zoti që e solli këtë situatë do ti ndihmojë për ta përballuar, se qeveria, sigurisht që do ta thotë fjalën e saj dhe do të ndihmojë në kapërcimin e kësaj fatkeqësie natyrore.
Novruz Jashari, i cili vetë drejtonte një grup pune në terre, në një vizitë në fshatin e Shumbatit, që dikur ka qenë sektor i rëndësishëm i N. B. – ve të dikurshme, pa me sytë e tij dëmet në kulturën e kumbullës. Gati dhjetë hektarë kumbulla rreth 40 vjeçare janë akoma në prodhim, kurse sipërfaqja totale me këtë kulturë është 50 hektarë. Dëmtime ka vërtet, por ata njerëz punëtorë ishin aty në fushë dhe vazhdonin tu bënin shërbime pemëve të tyre të dashura, si për tu dëshmuar se nuk i kishin tradhtuar, se do të vazhdonin të qëndronin gjithmonë krah tyre. Ramazan, Bajram dhe Gjuri Kaza, Bajram, Dritan dhe Mersin Hera, Petrit Rama, Miftar Mema, Medi Skarra dhe plot të tjerë, janë fermerë që kultivojnë mbi dy hektarë kumbulla secili. Kumbulla të llojeve të ndryshme, që dikur shkonin në Gjermani dhe vende të tjera, kurse sot, sa vështirë të gjesh treg për to. Atëherë, kur ishim të izoluar, shkonin në Europë, kurse sot që jemi të lirë, nuk kemi treg për to.
Nga këto dhjetëra vizita nëpër fshatra të ndryshëm, rezulton se rrushi është dëmtuar plotësisht dhe prodhimi do të jetë ndoshta në kufij minimalë.
Arra, jo vetëm që është dëmtuar dhe nuk do të ketë fare prodhim, pasi është djegur gjithë masa gjethore, porse rrezikon vetë ekzistencën e saj. Kumbulla dhe qershia janë dëmtuar në mbi 70 përqind të prodhimit, kurse më pak janë prekur faroret, si molla, ftoi, dardha , me rreth 40 për qind të prodhimit. Mos të flasim pastaj për hurmën, kivin, apo kultura të tjera më të brishta se ato që përmendëm. I ftohti dhe ngricat kishin prekur dhe dushkun, akacien, apo drurë të tjerë pyjorë.
Nëse marrim në konsideratë vetëm një nga këto kultura drufrutore dhe konkretisht arrën, do të na rezultonte një bilanc i tillë. Qarku i Dibrës ka një sipërfaqe prej 300 hektarësh, të mbjellë me këtë kulturë dhe një prodhim vjetor prej të paktën, 1000 ton. Një llogari e thjeshtë, shumëzuar me tre mijë lekë kilogramin, na çon tek shifra e 2, 5 milion dollarë humbje. Po të shtojmë këtu humbjet në kulturat e tjera, që përmendëm, shifra shkon pa frikë tek dhjetë milionë dollarë.

Çfarë pritet të ndodh?
Një fjalë e urtë angleze thotë “Mos qaj mbi qumështin e derdhur”. Nëse rrimë e vajtojmë situatën është më keq akoma dhe nuk përfitojmë gjë. Ditën e hënë, pra vetëm tre ditë pas dëmtimit, fermerët u tubuan në një takim para drejtorisë dhe në prani të disa mediave televizive i bënë kërkesa qeverisë për dëmshpërblim, njësoj si në situata përmbytje në qarqe të ndryshme të vendit. Ata shkuan deri në deklarata për mos zhvillim të procesit zgjedhor, apo bllokim të rrugëve, në rast indiference të qeverisë. Personalisht, do të kisha dashur që, organizime, tubime të tilla dhe veprime konkrete të kishte pasur sa herë që këto të ishin në interes të Dibrës e dibranëve. Rruga e Arbërit e pandërtuar deri tani, tregon dobësinë tonë, rendjen pas partive politike dhe shitje të interesave madhore për një vlerë të paktë.
Nuk është hera e parë që ndodhin fenomene të tilla. Përmbytje të shpeshta në disa qarqe, si në jug dhe në veri të vendit, tërmete të pjesshme, apo dermatoza e gjedhit vitin e kaluar, janë disa raste ku shteti ka ndihmuar e ka vënë dorë. Shpresojmë që ministria e bujqësisë dhe qeveria do të reagojnë, duke mbështetur fermerët, duke i dëmshpërblyer ata në një masë të konsiderueshme. Shumë prej tyre kanë hyrë dhe borxh në banka, te biznesmenë, apo në farmacitë bujqësore, me shpresën që të shlyejnë detyrimet kur të vjelin prodhimet. Nëse nuk ndihmohen, ata vërtet mund të shkojnë drejt një kolapsi dhe një paralize totale.
Po qarkullojnë zëra ekspertësh të fushës së ekonomisë, për sigurimin e prodhimit bujqësor. Nuk është sfera ime për të dhënë mendime, porse duket se bankat dhe kompanitë e sigurimit ngurojnë të rriskojnë në këtë drejtim, pasi siç thotë populli, bujqësia është industri pa çati. Ndoshta dhe shteti mund të hyjë si ndërmjetës me një përqindje të caktuar, ndoshta mund të shihen përvoja të vlefshme të shteteve me bujqësi të zhvilluar. Por duhet thënë se shumë pak po bëhet për fshatin dhe bujqësinë. Vështirësitë në gjetjen e tregjeve, moskreditimi sa duhet i fermerit, problemet e vaditjes, laboratorë të paralizuar, janë vetëm disa nga zinxhiri me shumë hallka i bujqësisë. Politika dritëshkurtëra të qeverive të ndryshme, deri tani e në të ardhmen, kanë çuar e mund të thellojnë akoma braktisjen e shpopullimin e fshatit.